Autoritetet serbe po kërkojnë në mënyrë aktive mbështetje nga Moska për t’iu kundërvënë “revolucioneve me ngjyra” që pretendohet se po komplotohen nga Perëndimi. Por a është e interesuar Rusia për stabilitetin e qeverisë së Vuçiqit?
Dosja e Moskës mbi Vulinin
Më 10 gusht, Beogradi u trondit nga një protestë madhore që u organizua për të kundërshtuar minierat e litiumit. Para kësaj, presidenti Aleksandar Vuçiq tha se inteligjenca ruse e paralajmëroi atë që do të ndodhnin trazira masive në Serbi, me qëllimin përfundimtar rrëzimin e qeverisë së zgjedhur ligjërisht.
Edhe pse Vuçiq referoi për disa informacione të klasifikuara duke mos dhënë asnjë detaj, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova ishte më specifike në komentin e saj.
Më 8 gusht, ajo akuzoi “ideologët demokratë perëndimorë dhe bashkëpunëtorët e tyre lokalë” – “që janë mediat dhe OJQ-të e kontrolluara nga ata” – për përpjekje për të destabilizuar Serbinë.
Në mesi të gushtit, zëvendëskryeministri serb Aleksandar Vulin (i caktuar nga Thesari i SHBA-së) vizitoi Moskën për një sërë takimesh me disa zyrtarë të rangut të lartë rusë.
Gjatë bisedimeve me Sekretarin e Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Sergei Shoigu, Vulin falënderoi forcat ruse të sigurisë që “paralajmëruat udhëheqësit e Serbisë për trazirat masive dhe tentativën për grusht shteti”, si dhe në një intervistë për RIA Novosti, mbështeti plotësisht vizionin rus për zhvillimet në Serbi. “Ministria e Punëve të Jashtme e Federatës Ruse ka treguar qartë se këto protesta janë një platformë për fillimin e një revolucioni me ngjyra që synon të rrëzojë qeverinë,” tha ai, duke vënë në dukje se organizatorët e mitingjeve në rrugë kërkojnë që fati i Millosheviqit t’i ndodhë edhe Vuçiqit.
Sipas Vulinit, Serbia dhe Rusia kanë ndihmuar njëra-tjetrën për të parandaluar “revolucionet me ngjyra” dhe përmbysjet e dhunshme të qeverisë.
Në të vërtetë, vetëm rreth katër vjet më parë, Rusia dhe Serbia, në fshehtësi të plotë, formuan “Grupin Punues për Luftën Kundër Revolucioneve me Ngjyra”, detyra e të cilit ishte të parandalonte protestat masive dhe të monitoronte vazhdimisht aktivistët e opozitës, OJQ-të dhe gazetarët e pavarur. Nga pala serbe ka qenë (dhe me sa duket ende është) Aleksandar Vulin ai që e ka mbikëqyrur këtë fushë të bashkëpunimit me Rusinë.
Në vitin 2021, Vulin i dorëzoi inteligjencës ruse një regjistrim audio të një takimi që anëtarët e organizatës opozitare “Open Rusia” kishin mbajtur në Beograd.
Ish-shefi ekzekutiv i Open Russia, Andriy Pivovarov, i cili u lirua më 1 gusht si pjesë e një shkëmbimi të të burgosurve midis Rusisë dhe Perëndimit, kaloi më shumë se tre vjet në burg. Ai u tha gazetarëve se ishte kapur pikërisht pas dorëzimit të regjistrimeve të takimit në Beograd që Vulin ua kishte dhënë agjencive të sigurisë ruse.
Nuk ka dyshim se inteligjenca ruse i ushqen në mënyrë “simetrike” kolegët serbë me të dhëna komprometuese për figurat e opozitës serbe dhe liderët e shoqërisë civile. Natyrisht, janë raporte të tilla që formuan thelbin e dosjes për “përgatitjen e revolucionit me ngjyra”, dorëzuar Vuçiqit në fillim të gushtit.
Teoritë konspirative
Bashkëpunimi ndërmjet agjencive të sigurisë serbe dhe ruse për të luftuar opozitën vendase ka vazhduar për më shumë se një vit, dhe statusi i Serbisë si kandidat për anëtarësim në BE nuk duket se është bërë pengesë e kësaj pune të përbashkët.
Udhëtimi i Vulinit në Rusi nuk kaloi pa u vënë re nga Brukseli, por zyrtarët e BE-së u vetëm vunë në dukje se mbajtja e lidhjeve me Rusinë në mes të luftës së saj kundër Ukrainës është e papajtueshme me vlerat e BE-së dhe procesin e anëtarësimit.
Duhet të theksohet se Bashkimi Evropian dhe Perëndimi në përgjithësi gjenden në një situatë mjaft të veçantë mes protestave të fundit kundër minierave të litiumit në Serbi, sepse si BE-ja dhe SHBA-ja, si dhe disa vende të tjera perëndimore, kryesisht Gjermania, kanë të vendosur mbështesin projektin e litiumit, që do të zbatohet nga një kompani perëndimore.
Analistët tashmë kanë deklaruar se opinioni i Bashkimit Evropian po vjen duke rënë në sytë e serbëve për shkak të interesit të BE-së për zhvillimin e depozitave të litiumit në vend. Ky problem ia vlen të analizohet më vete. Tani dua të theksoj edhe diçka: në një situatë të tillë, për ç’arsye do t’i mbështeste Perëndimi protestat serbe kundër projektit të litiumit, e lëre më të komplotonte për një “grusht shteti”, siç pretendojnë zyrtarët e Beogradit dhe Moskës? Duket absurde dhe e palogjikshme, për të thënë të paktën. Nga ana tjetër, gatishmëria e Kremlinit për të ndihmuar autoritetet serbe për të hetuar një projekt perëndimor rreth minierave të litiumit është po aq befasuese.
Do të ishte më logjike që protestat e vazhdueshme të konsideroheshin si një kundërshtim i natyrshëm nga ana e qytetarëve të zakonshëm ndaj ndërhyrjeve të tepërta industriale në mjedis, e cila bazohet në mosbesimin ndaj kompanive globale dhe qeverisë së tyre. Sërish, historia dhe themelimi i lëvizjes kundër minierave të litiumit kërkon një ekzaminim më të plotë, por Vuçiqi dhe ekipi i tij i shohin këto procese vetëm nga këndvështrimi i teorive konspirative.
Megjithatë, nëse marrim parasysh teoritë e konspiracionit, do të dukej më logjike, duke pasur parasysh të gjitha rrethanat, që janë pikërisht forcat antiperëndimore ato që qëndrojnë pas protestave kundër projektit të litiumit, i cili i premton Serbisë investime të mëdha dhe integrim më të ngushtë ekonomik me Perëndimin, por kjo në thelb bie ndesh me qëndrimin e autoriteteve serbe dhe miqve të tyre rusë.
Një “letër për Putinin”
Versioni i fundit tërhoqi, çuditërisht, më shumë vëmendje.
Një nga figurat e opozitës pro-ruse, presidenti i lëvizjes Oslobođenje, Mladjan Gjorgjeviç, publikoi në X një letër të hapur për presidentin rus Vladimir Putin, duke i bërë thirrje që të bashkohet me përpjekjet për të rrëzuar Vuçiqin, duke përfshirë edhe qëndrimin e këtij të fundit ndaj litiumit.
“Vuçiqi në fakt ua ka dhënë rezervat strategjike të litiumit serb nazistëve, duke ua mohuar atë vëllezërve tanë rusë dhe kinezë”, lexon letra. “Në këtë situatë, Rusia mund dhe duhet të ofrojë të gjithë ndihmën e nevojshme popullit serb për të mbrojtur interesat e tyre kombëtare, deri në ndërhyrjen e drejtpërdrejtë, me qëllim largimin e Vuçiqit.
Edhe më interesante se përmbajtja e letrës ishte imazhi i bashkangjitur– aty, Gjorgjeviç pozon me dy burra, njëri prej të cilëve supozohet se është ish-kreu i lëvizjes bullgare Rusofile, Nikolai Malinov, të cilin forcat bullgare e akuzuan se spiunonte për Rusinë. Personi tjetër në foto supozohet se është një gjeneral rus që ka dalë në pension, ish-shefi i departamentit të analizës dhe informacionit në Shërbimin e Inteligjencës së Jashtme Ruse, Leonid Reshetnikov, i cili dyshohet se ka mbikëqyrur një sërë projektesh për të promovuar ndikimin rus në Ballkan.
Postimi u fshi shpejt dhe në të njëjtën kohë, Gjorgjeviçi pretendoi publikisht se llogaria e tij ishte hakuar, duke postuar një foto të tij së bashku me një burrë që sërish i ngjante Leonid Reshetnikovit. (Meqë ra fjala, Sofja dikur e ndaloi Reshetnikovin të hynte në Bullgari. Me sa duket, Beogradi nuk ka bërë të njejtën gjë).
Në Serbi, si dhe në gjithë rajonin, Mladjan Gjorgjeviç është mjaft i njohur. Për të tjerët, duhet theksuar se ai është veteran i skenës politike serbe me marrëdhënie të ngushta me liderin e opozitës Dragan Gjilas. Gjorgjeviç vazhdimisht e kritikon Vuçiqin për “dorëzimin” e Kosovës, për politikën e tij tepër properëndimore, “pro-NATO”, dhe tani edhe për projektin e litiumit. Mediat dhe politikanët pro-qeveritare e quajnë atë si “kardinali gri i opozitës”, por këto komente duket se janë pjesë e një grindjeje politike.
Në të njëjtën kohë, është një fakt i vërtetuar se Gjorgjeviç është një nga politikanët më proaktivë dhe më pro-ruse në Serbi. Ai me të vërtetë ka bashkëpunuar me Reshetnikovin dhe strukturat e tij (gjë që është dokumentuar gjerësisht nga mediat). Gjithashtu, Gjorgjeviç merr pjesë në ngjarje të ndryshme politike në Rusi dhe herë pas here publikohet në hapësirat mediatike ruse kur i vjen rasti të kritikojë ashpër Vuçiqin (përfshirë qëndrimin e tij ndaj Ukrainës). Dhe tani vjen një situatë e çuditshme rreth “letrës drejtuar Putinit” dhe “fotos me gjeneralin e inteligjencës ruse (SVR)”…
E gjithë kjo shtron pyetjen se cili është plani i Moskës për qeverinë aktuale serbe…
Komplikimet e politikës me “dy karrige”.
Vulini është i bindur se rusët po e ndihmojnë Serbinë në luftën kundër opozitës, e cila gjoja kërkon të organizojë një “revolucion me ngjyra”.
Por ndërveprimi i zyrtarëve rusë dhe mediave me kritikun e paepur të Vuçiqit mund të tregojë se ka disa mbështetës të lojës me “dy karrige” në zyrat e larta të Moskës. Kjo duket se është e vërtetë kur ka zyrtarë të lartë në Moskë që deklarojnë mbështetjen për Beogradin dhe në të njëjtën kohë, përmes kanaleve joformale, vendosin të bashkëpunojnë me lëvizjen protestuese. Në fund të fundit, pjesëmarrja e Rusisë në fushatën kundër projektit perëndimor të litiumit do të ofronte një shpjegim shumë më logjik sesa një përpjekje që synon promovimin dhe mbrojtjen e tij.
Do të ishte e pasaktë të pretendohej se protestat antiqeveritare në Serbi, përfshirë protestat aktuale mjedisore, janë të orkestruara nga Kremlini, ose dikush në veçanti. Megjithatë, duhet theksuar se Moska patjetër do të përfitonte nga forca që do të kishin mbi Vuçiqin, në formën e mitingjeve, në mënyrë që të jetë në gjendje të rregullojë politikën e Beogradit në drejtime që janë kyçe për Rusinë. Bëhet fjalë kryesisht për politikën e jashtme. Gjithashtu, është i dukshëm përfitimi i Moskës nga nxitja e histerisë antiperëndimore në sfondin e refuzimit publik të projektit të litiumit.
Është gjithashtu e qartë se ekipi i Vuçiqit, para së gjithash, Aleksandar Vulin, po përpiqet ta ruajë mbështetjen ruse për qeverinë aktuale serbe, me politikën e saj multivektoriale. Megjithatë, duke gjykuar nga zhvillimet e fundit, do të jetë gjithnjë e më e vështirë të ruhet favori i Moskës.