Viktor Orbán ka ofruar të ndërmjetësojë mosmarrëveshjen mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Dhe, megjithëse perspektivat e nismës duken mjaft të dyshimta, hapa të tjerë që po ndërmerren nga Budapesti në drejtimin maqedonas mund të çojnë në rritjen e ndikimit të Hungarisë në Maqedoninë e Veriut dhe, gradualisht, në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Rasti i Gruevskit
Për Hungarinë, rajoni i Ballkanit Perëndimor/ish-Jugosllavisë është një zonë me interes kombëtar. Lidhjet gjeografike, historike, ekonomike, sociale dhe politike përcaktojnë ndikimin domethënës që mban Budapseti në zhvillimet në këtë pjesë të Evropës Juglindore. Për më tepër, ky ndikim ka veçoritë e veta për çdo vend në të gjithë rajonin. Budapesti mund të fokusohet në diasporën hungareze, projekt-biznese ose bashkëpunim në nivelin e liderave politikë, i cili zakonisht përforcohet nga bashkëpunimi ekonomik.
Maqedonia e Veriut i afrohet Hungarisë përmes lidhjeve politike.
Gjashtë vjet më parë, arratisja skandaloze e ish-kreut të qeverisë maqedonase dhe ish-liderit të Organizatës së Brendshme Revolucionare Maqedonase – Partia Demokratike e Unitetit Kombëtar Maqedonas, VMPO-DPMNE, Nikola Gruevski dhe dhënia e azilit politik nga qeveria e Viktor Orbanit, arritën vetëdijen evropiane.
Në atdheun e tij, Gruevski u dënua me dy vjet burg për shpërdorim detyre gjatë blerjes së një Mercedesi të blinduar me vlerë mbi 500 mijë euro. Ish-kryeministri ndërkaq ka pohuar se është bërë viktimë e përndjekjes politike nga qeveria e atëhershme e udhëhequr nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë, LSDM. Zyra e specializuar hungareze e emigracionit dhe azilit ra dakord me argumentet e tij.
Kthimi i VMPO-DPMNE në pushtet në Maqedoninë e Veriut këtë vit nënkuptoi një ngrohje të marrëdhënieve maqedono-hungareze. Perspektivat varionin – nga kthimi i Gruevskit në politikën maqedonase deri te përafrimi i politikës së jashtme të Shkupit me atë të Budapestit. Gjithashtu u supozua se në gjysmën e dytë të vitit 2024, presidenca hungareze e Bashkimit Evropian duhet të kontribuojë në zhbllokimin e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, sipas skenarit të hartuar nga politikanët e VMPO-DPMNE-së, pra pa kompromise të dhimbshme me palën bullgare.
Veto-ja bullgare
Duhet të kujtojmë se Bullgaria vuri veton ndaj integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut katër vjet më parë për shkak të mosmarrëveshjeve mbi historinë, gjuhën dhe identitetin kombëtar të maqedonasve në përgjithësi. Në vitin 2022, Shkupi (ku LSDM ishte në pushtet në atë kohë) dhe Sofja ranë dakord për të ashtuquajturën “marrëveshje franceze”, sipas së cilës Bullgaria duhej të zhbllokonte integrimin evropian të vendit fqinj pasi Maqedonia e Veriut të përfshinte “minoritetin bullgar” në tekstin e kushtetutës.
Këtë vit, VMRO-DPMNE erdhi në pushtet në Shkup, pasi fitoi si zgjedhjet presidenciale ashtu edhe ato parlamentare. Refuzimi i kompromiseve në çështjet e identitetit kombëtar ishte në krye të agjendës së fushatës së tyre. Është e natyrshme që nuk u bënë ndryshime në kushtetutë.
Përfaqësuesit e VMRO-DPMNE theksuan se janë të përkushtuar ndaj integrimt evropian, të gatshëm për të shkuar për koncesione ndaj Bullgarisë, si dhe të gatshëm për t’i përshtatur marrëveshjet e arritura nga qeveria e kaluar, duke i bërë ato më të drejta.
Shkupi propozoi që ndryshimet kushtetuese të miratohen me vonesë, në mënyrë që ndryshimet kushtetuese për bullgarët të hyjnë në fuqi vetëm pasi të zgjidhet pozitivisht çështja e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
Supozohej se presidenca e Hungarisë me BE-në do të mund t’i ndihmonte maqedonasit t’ua përcjellin këndvështrimin e tyre organeve evropiane dhe ta modifikojnë marrëveshjen tashmë të miratuar.
Megjithatë, vonë në mbrëmjen e 25 shtatorit, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të BE-së (Coreper) vendosi të ndajë rrugët e anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Sipas vendimit, Shqipëria do të jetë në gjendje të nisë bisedimet zyrtare të integrimimt evropian që në mes të tetorit.
Në të njëjtën kohë, procesi i negociatave për Maqedoninë e Veriut mbetet në pritje. Kushtet për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit për Shkupin nuk kanë ndryshuar – është e nevojshme të përmbushen kriteret e dakorduara me Bullgarinë dhe të miratuara nga Këshilli Evropian, të cilat, në veçanti, parashikojnë miratimin e ndryshimeve kushtetuese për njohjen e bullgarëve si popull shtetformues. Pra, bëhet fjalë për të njëjtat lëshime ndaj bullgarëve kundër të cilëve qëndron VMRO-DPMNE në pushtet.
Orbán paqebërësi
Ndër të tjera, vendimi i fundit i BE-së për të mos hapur negociatat me Shkupin tregoi se Budapesti nuk ka ndikim të mjaftueshëm për ta ndryshuar ndjeshëm qëndrimin e Brukselit për çështjen maqedonase.
Vendimi i BE-së për t’i “ndarë” rrugët e integrimit evropian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut u miratua pak para vizitës së kryeministrit hungarez Viktor Orbán në Maqedoninë e Veriut. Është e mundur që udhëtimi të ishte planifikuar për këto data (26-27 shtator), mbi të tjera, për të mbështetur VMRO-DPMNE, një forcë miqësore me partinë Fidesz të Orbanit.
Gjatë vizitës, Orban foli shumë për mbështetjen e Hungarisë ndaj aspiratave të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut dhe kritikoi ashpër BE-në.
Fakti që Maqedonia e Veriut e gjeti veten të mbetur pas Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian, Kryeministri i Hungarisë e quajti një “gabim historik në katror” nga ana e BE-së dhe i akuzoi zyrtarët në Bruksel për shtypjen e “krenarisë kombëtare” të Maqedonisë së Veriut, duke vonuar procesin e integrimit evropian të saj.
Si ndihmë praktike për maqedonasit, shefi i qeverisë hungareze ofroi ndërmjetësimin e tij në negociatat mes Shkupit dhe Sofjes.
“Unë kam propozimin tim dhe ia kam përcjellë kryeministrit Mickoski. I thashë se jemi gati të përdorim presidencën e BE-së dhe ta ndërmjetësojmë këtë çështje,” tha Orbáni gjatë një konference shtypi me Mickoskin, duke shtuar se bëhet fjalë për “gjetjen një zgjidhje që do t’u përshtatej edhe maqedonasve, edhe bullgarëve”.
Propozimi i paraqitur nga kryeministri hungarez nuk shkaktoi eufori në Shkup. Pyetjes kryesore të gazetarëve, pra nëse kryeministri i Hungarisë, vendi që aktualisht kryeson Bashkimin Evropian, mundet vërtet ta ndihmojë Maqedoninë e Veriut në rrugën evropiane, kreu i qeverisë maqedonase iu shmang një përgjigjeje të drejtpërdrejtë.
Reagimi i Bullgarisë vetëm konfirmoi skepticizmin që mbizotëron te maqedonasit.
“Marrëveshja evropiane me Republikën e Maqedonisë së Veriut është e qartë. Bullgaria nuk ka nevojë për ndërmjetës në këtë proces”, u tha gazetarëve Ministri i Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Ivan Kondov, duke komentuar mbi idenë e ndërmjetësimit të propozuar nga kryeministri i Hungarisë.
Më 28 shtator, Ministria e Punëve të Jashtme të Bullgarisë njoftoi se kryediplomati i tyre, i cili ndodhej në Nju Jork, diskutoi propozimin e Orbanit me homologun e tij hungarez Peter Szijjártó. Siç theksohet në koment, Kondov e siguroi Szijjarton se “ndërmjetësimi nuk është i nevojshëm” për të bindur Republikën e Maqedonisë së Veriut që “të përmbushë kriteret për fillimin e negociatave” për anëtarësim në BE.
Ish-kryeministri i Bullgarisë Kiril Petkov, duke komentuar mbi idenë e Orbanit, u tha gazetarëve: “Marrëveshja franceze” që arritëm gjatë punës së qeverisë sonë doli të ishte vërtet e mirë për Bullgarinë. I gjithë Bashkimi Evropian doli në anën e Bullgarisë. Republika e Maqedonisë së Veriut duhet të vendosë nëse dëshiron ta përfshijë bullgarin në Kushtetutën e saj, apo nëse rruga e saj drejt Evropës do të mbyllet”.
Kredi e mirë
Mund të thuhet se misioni ndërmjetësues i Orbanit përfundoi para se të fillonte. Por kjo nuk do të thotë se marrëdhëniet maqedono-hungareze do të përkeqësohen, apo se Hungaria do t’i zvogëlojë përpjekjet e saja në drejtimin maqedonas.
Së pari, duket se ideja e ndërmjetësimit fillimisht u konceptua më shumë si një marifet për PR sesa një plan real veprimi.
Së dyti, Budapesti vendosi qartë ta ndryshojë fokusin në marrëdhëniet me Shkupin, duke zgjedhur si temë kryesore çështjen e paravë para çështjeve të tjera të ndërlikuara politike të brendshme apo të jashtme.
Disa javë para vizitës së Orbanit, u raportua se Hungaria (Banka Hungareze e Eksportit-Importit) po i jep Maqedonisë së Veriut një kredi preferenciale të paprecedentë prej 500 milionë euro. Ndërsa opozita maqedonase siguron se është një projekt korruptiv për të cilin ndahen para nga Kina, Budapesti ka mohuar origjinën kineze të fondeve.
Pasi të miratohet përfundimisht, kredia sigurisht që duhet të bëhet një bazë e fuqishme për bashkëpunim edhe më të ngushtë hungarez-maqedonas. Kredija do të lidh Shkupin dhe Budapestin jo më pak se ndërmjetësimi hungarez në mosmarrëveshjen me Sofjen. Detyrimet e mëdha të borxhit publik formojnë lidhje të tilla ndërshtetërore që një komb modern evropian nuk do të jetë në gjendje t’i heqë qafe shpejt edhe në rast të ndryshimit të pushtetit.
Analistët evropianë deklarojnë se në këtë mënyrë, Orbáni “blen ndikimin” në një rajon gjeopolitikisht strategjik për Hungarinë dhe siguron besnikërinë e elitëve në një vend që një ditë mund të bëhet anëtare e BE-së dhe tashmë është një aleat i NATO-s.
Gjithashtu, në kushtet kur politika e ndjekur nga Budapesti ndryshon kaq shpesh nga qëndrimi zyrtar i BE-së, sidomos me anë të besnikërisë ndaj Moskës dhe Pekinit në një sërë çështjesh, forcimi i ndikimit hungarez në Maqedoninë e Veriut dhe në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi do të nënkuptonte një fuqizim indirekt të peshës së Kinës dhe Rusisë në rajon.