Më 20 tetor dhe 3 nëntor u mbajtën në Moldavi zgjedhjet presidenciale dhe referendumi për integrimin evropian. Qytetarët e republikës i thanë “po” ndryshimeve të reja kushtetuese për integrimin evropian dhe rizgjodhën politikanen pro-evropiane, Maia Sandu, si kryetare të shtetit.
Moldavia, një ish-republikë sovjetike, është gjeografikisht dhe gjeopolitikisht lidhur ngushtë me Ballkanin Perëndimor. Në vitet 2000, vendi u përfshi në projektet e integrimit evropian së bashku me Ballkanin Perëndimor. Veçanërisht në vitin 2006, kur Moldavia iu bashkua Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore
(CEFTA) në të njëjtën kohë me shtetet e BB6 – Serbia, Mali i Zi, Bosnje dhe Hercegovina, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Megjithatë, në fund, Moldavia u grupua së bashku me vendet që ishin pjesë e BRSS – Ukraina dhe Gjeorgjia. Por Moldavia mbetet e lidhur ngushtë me Ballkanin Perëndimor. Fushata aktuale zgjedhore në Moldavi e ka treguar sërish këtë lidhje të ngushtë, fatkeqësisht në një kontekst negativ…
Një rrjet provokatorësh
Tre ditë para raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale dhe referendumit, krerët e agjencive ligjore dhe agjencive të sigurisë në Moldavi ekspozuan rrjetin e individëve që organizuan trajnime jashtë vendit për mbi njëqind të rinj të cilët kishin për detyrë të organizonin provokime para, gjatë dhe pas votimit. Sipas autoriteteve moldave, anëtarët e këtij rrjeti, qytetarë të Moldavisë, janë trajnuar në Rusi, në Bosnje-Hercegovinë dhe Serbi. Qëllimi i këtij rrjeti “stërvitor” ishte të krijonte “skuadra” provokatorësh që do të organizonin trazira masive nëse rrjedha e fushatës zgjedhore dhe rezultatet e votimit nuk i përshtateshin Kremlinit.
Policia ka publikuar videoregjistrime të këtyre seancave stërvitore në Rusi, Serbi dhe Bosnje dhe Hercegovinë. Shihet se të rinjtë po praktikoheshin se si të nxisnin protesta, me slogane si “gjuha jonë është rusishtja” ose “nuk duam të shkojmë në Evropë”. Në kampet me baza në Ballkan, trajnimi ishte më serioz, ku instruktorët vinin nga kompanitë ushtarake private ruse Ferma dhe Wagner dhe u mësonin të rinjve si të prodhonin IED (Improvised Exploding Devices, ose mjete shpërthyes të improvizuar) dhe si të fluturonin dronët.
Njëqind anëtarë të rrjetit u bastisën nga policia. Katër u arrestuan. Përveç kësaj, agjencia e inteligjencës e Moldavisë identifikoi 11 shtetas të huaj të punësuar në kampe trajnimi në Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi.
Projekti për destabilizimin e Moldavisë u financua nga oligarku moldav pro-rus Ilan Shor, i cili është në listën e të kërkuarve për përfshirjen e tij në përvetësimin e rreth 1 miliard dollarëve nga sistemi bankar i republikës moldave një dekadë më parë.
“Kampet moldave” në Bosnje dhe Hercegovinë
Në Bosnje dhe Hercegovinë, tema e “kampeve moldave” shkaktoi një reagim të zjarrtë mes politikanëve dhe zyrtarëve.
Ministria e Sigurimit e BiH e mohoi menjëherë raportin e autoriteteve moldave. “Agjencitë e sigurisë të Bosnjë dhe Hercegovinës nuk kanë të dhëna se diku në Bosnje dhe Hercegovinë, apo në Republika Srpska, ka kampe ku dyshohet se po trajnohen njerëz nga Moldavia,” tha agjencia. Ministri i Sigurisë së BiH-së Nenad Nesiç, i cili është anëtar i ekipit të Milorad Dodikut, theksoi se “nuk ka prova apo materiale përkatëse që do të tregonin se diçka e tillë ka ndodhur me të vërtetë në BiH.”
Megjithatë, Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Bosnjës dhe Hercegovinës (OSA) tha se kishte të dhëna për një grup individësh, shtetas të Rusisë dhe Moldavisë, të cilët “kanë qenë në Bosnje dhe Hercegovinë për 90 ditët e fundit” dhe të cilët, sipas policisë moldave, ishin të lidhur me trajnimin e pjesëmarrësve të mundshëm në protestat e supozuara në Moldavi.
Sipas inteligjencës, trajnimet në Bosnje dhe Hercegovinë janë zhvilluar në territorin e Republikës Srpska, diku pranë Banja Lukës.
Ministri i Jashtëm i BiH, Elmedin Konakoviç konfirmoi gjithashtu se njerëzit që “stërvitën anëtarët e ekipeve moldave në emër dhe në kurriz të Federatës Ruse” kanë qenë në Bosnje dhe Herzegovinë. “Unë nuk kam prova apo shembuj të këtyre sesioneve stërvitore ushtarake, por padyshim që ka patur trajnime për organizimin e protestave apo aksioneve në rrugë,” u tha Konakoviç gazetarëve.
Ilja Cvitanoviq, kreu i komisionit parlamentar për kontrollin e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Bosnjë dhe Hercegovinës, dha pothuajse të njëjtin informacion. Ai konfirmoi të dhënat për qëndrimin e të huajve “nga Lindja” në BiH, por mohoi se bëhej fjalë veçanërisht për stërvitje në kampet paraushtarake. “Ne nuk kemi detaje sepse kjo është një çështje e klasifikuar, por nuk ka patur kampe. Në një moment të caktuar, kishte qytetarë të dyshimtë nga Lindja në BiH, por nuk bëhej fjalë për ndonjë kamp,” tha Cvitanoviq.
Kreu i komisionit parlamentar beson se Ministria e Sigurisë dhe ministri Nenad Nesic kanë mohuar gjithçka sepse nuk kanë pasur asnjë informacion për këtë çështje, përderisa nuk kanë pasur qasje në inteligjencën e OSA-së.
Sipas mendimit të tij, mungesa e një përgjigjeje të shpejtë nga Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë mbi trajnimin e moldavëve në territorin e BiH shpjegohet me faktin se informacioni për këta “erdhi shumë vonë, pasi gjithçka mbaroi, dhe ata nuk mundën të reagonin më herët”. Aktualisht, organe të shumta shtetërore të Bosnjës dhe Hercegovinës janë të përfshira në hetim dhe ende pritet të dalë informacioni i plotë. “OSA po bashkëpunon me policinë kufitare, Agjencinë Shtetërore të Hetimit dhe Mbrojtjes (SIPA), Prokurorinë e BiH, procesi është në vazhdim,” tha Cvitanoviq.
Mesazhe alarmante
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Bosnje dhe Hercegovinë i vlerësoi si jashtëzakonisht shqetësuese raportet e rusëve të lidhur me grupet ushtarake private ruse që operonin një kamp në Republika Srpska dhe trajnonin pjesëmarrësit mbi përçarjen e proceseve demokratike në Moldavi. Ekzistenca e këtij kampi duhet të hetohet tërësisht dhe ata që janë përgjegjës për drejtimin e aktiviteteve të tilla duhet të sillen para drejtësisë, tha departamenti i marrëdhënieve publike të Ambasadës Amerikane.
Për Presidentin e Republikës Srpska Milorad Dodik, tema e “kampeve moldave në RS” kishte aq rëndësi sa ai e diskutoi atë gjatë negociatave me presidentin rus Vladimir Putin në margjinat e samitit të BRICS në Kazan. “Ambasada amerikane raportoi se gjoja ka kampe në Republika Srpska që ne i organizuam së bashku me ju për të destabilizuar Moldavinë. Kjo është një gënjeshtër absolute,” tha Dodik në takimin me Putinin.
Pas kthimit nga Kazani, Dodik thirri një takim “të formatit të madh” në Sarajevën Lindore për të diskutuar situatën. “Kam ftuar të gjithë përfaqësuesit nga forcat e armatosura, Ministria e Mbrojtjes të BeH, Ministria e Sigurisë, përfaqësues të policisë, kryeministrit, anëtarët e presidencës, deputetë, delegatë, përfaqësues të mbrojtjes civile dhe të tjerë,” tha ai.
Megjithatë, nuk u raportuan detaje nga takimi, dhe komentet për këtë temë praktikisht u shuan. Pse?
Me shumë mundësi, për shkak se informacioni nga agjencitë e sigurisë në Moldavi është konfirmuar në masë të madhe jo vetëm nga agjencitë e sigurisë në Bosnje dhe Hercegovinë, por edhe – sado shkurtimisht – nga ato në Serbi.
Fshati Radenka
Njëkohësisht me ekspozimin publik të qendrave trajnuese në Bosnje-Hercegovinë dhe Serbi nga agjencitë moldave të sigurisë, Agjencia Serbe Informative e Sigurisë, BIA, së bashku me policinë dhe prokurorinë, kreu një bastisje speciale kundër një kampi trajnimi paraushtarak veçanërisht për të huajt.
Kampi ndodhej në periferi të fshatit Radenka afër Kuçevës, jo shumë larg kufirit me Rumaninë.
Në bastisje u gjetën katër drone me pajisjet e tyre shoqëruese, pajisje VR, komplete komunikimi satelitore StarLink, radio, fosfor dhe likide të tjera të djegshme, si dhe ora që besohet se janë përdorur për të ndezur eksplozivë dhe pajisje të tjera me qëllime të dyfishta.
Autoritetet serbe nuk dhanë asnjë informacion se kush e kishte ngritur kampin, për çfarë qëllimi apo nëse dikush ishte arrestuar.
Megjithatë, ekspertët pohojnë se kjo ishte e lidhur me “çështjen moldave”.
Analisti ushtarak Aleksandar Radiq tha për mediat serbe se veprimet e BIA-s janë të lidhura qartë me raportet që vijnë nga Moldavia. “Mund të supozohet se informacioni se kush e ka shfrytëzuar kampin dhe për çfarë qëllimi është përcjellë në adresën e duhur, por publikut të gjerë në Serbi, si zakonisht, iu është mohuar qasja në këto informacione, gjë që tashmë është bërë thuajse traditë. Ky është një lajm që qeveria e Serbisë e percepton si të pakëndshëm dhe për këtë arsye do të bëjë gjithçka për ta minimizuar opinionin vendas”, tha ai.
Pamja e përgjithshme
Si përfundim, tabloja e përgjithshme duket si më poshtë.
Ndoshta, një numër i caktuar i qytetarëve moldavë para zgjedhjeve dhe referendumit vizituan Republikën Srpska (Bosnjë dhe Hercegovinë) dhe Serbinë për të marrë pjesë në këto “programe arsimore” të organizuara nga rusët. Qëllimi i këtyre “kurseve” ishte, padyshim, formimi i grupeve të provokatorëve që të udhëheqin trazira gjatë dhe pas zgjedhjeve në Moldavi, nëse rezultatet e votimit nuk i përshtaten Moskës.
Me gjasë, bëhej fjalë për nisjen e protestave gjoja autentike publike, të cilat, falë pseudo-aktivistëve të trajnuar, do të shndërroheshin në trazira, gjatë të cilave do të hynin në lojë “të diplomuarit” e kampeve paraushtarake.
Duke gjykuar nga raportet e disponueshme, është e mundur që në Republika Srpska (BiH) janë organizuar seanca trajnimi për pjesën civile të veprimeve të supozuara, ndërsa në Serbi, “studentët” janë mësuar në përputhje me një kurrikulë më të militarizuar.
Mund të merret me mend vetëm se çfarë pune të madhe është bërë nga agjencitë e sigurisë dhe agjencitë ligjore në Moldavi për ta zbuluar rrjetin dhe ekspozuar komplotin. Ekspozimi ka siguruar qetësi e rregull në hedhjen e numërimin e votave, si dhe shpalljen e rezultateve.
Por kjo histori është akoma larg nga fundi.
Sot është e qartë se Rusia po përdor dhe synon të vazhdojë të përdorë Republikën Srpska dhe Serbinë si trampolinë për trajnimin e grupeve subversive me qëllim bërjen e luftës hibride në territorin e Evropës.
Ekspozimi nga agjencitë moldave të sigurisë neutralizoi vetëm një rrjet, të krijuar posaçërisht për Moldavinë. Por kur agjencitë lokale të sigurisë si në BiH ashtu edhe në Serbi, siç doli, nuk mund ose nuk duan t’i kapin rrjete të tilla vetë, askush nuk mund të garantojë që një skemë e ngjashme nuk do të përdoret nga rusët për raste dhe drejtime të tjera. Është e mundur që diçka e tillë tashmë po ndodh që tani.