BE-ja nuk ka zgjidhje për problemet dypalëshe të anëtarëve të rinj, Bullgaria — Maqedonia (Aleksandar Damovski)

BE-ja nuk ka zgjidhje për problemet dypalëshe të anëtarëve të rinj, Bullgaria — Maqedonia (Aleksandar Damovski)

Çështja e zgjerimit të Bashkimit Evropian po abuzohet gjithnjë e më shumë, dhe kjo është tërësisht në kundërshtim me parimet themelore e anëtarësimit, përkatësisht kriteret e Kopenhagenit.

Heshtja dhe pranimi i bllokadave të tilla nga Brukseli shkojnë përtej sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit, demokracisë apo respektimit të të drejtave të njeriut, dhe Maqedonia “e ndjeu këtë në mënyrën më të rëndë”. Dy shtete anëtare fqinje të BE-së, Greqia e Bullgaria, dy mosmarrëveshje të mëdha.

Protokolli i fundit, i nënshkruar midis Maqedonisë dhe Bullgarisë më 17 korrik 2022, është një abuzim kriminal i pozicionit të një shteti anëtar të BE-së (Bullgaria).

Nënshkrimi i këtij protokolli duhet të nxiste fillimin e negociatave të pranimit të Maqedonisë në BE, por u shndërrua në një bllokadë. Ky protokoll, i nënshkruar nga qeveria e Koalicionit Social Demokrat, u ndje si një tradhti e rëndë e interesave themelore të popullit maqedonas.

Ky protokoll, sipas të cilit Maqedonia mori përsipër të përfshinte bullgarët si popull shtet-formues (krahas maqedonasve, shqiptarëve, turqve, serbëve, vllehëve, boshnjakëve dhe romëve) në Kushtetutën e saj, tregoi qartë se udhëheqja e atëhershme e Maqedonisë po kërcente vallen bullgare pa u shqetësuar për interesat e popullit maqedonas. Tërë kjo në emër të integrimit të Maqedonisë në BE. E njëjta gjë u bë edhe me kërkesën e Greqisë për të ndryshuar emrin nga Republika e Maqedonisë në Maqedoninë e Veriut (Marrëveshja e Prespës, 17 qershor 2018).

E gjithë udhëheqja aktuale e BE-së erdhi në Shkup dhe i bindi qytetarët maqedonas se pas kësaj, Maqedonia do të hynte në NATO dhe në BE. Dhe… ne u bashkuam me NATO-n, por rruga drejt BE-së u bllokua nga kushtet e Bullgarisë, të cilat nuk kanë të bëjnë fare me përmbushjen e kritereve evropiane, por lidhen me ngërçet historike të Bullgarisë në lidhje me historinë e Maqedonisë. Sipas politikës zyrtare të Bullgarisë, problemi mbetet ekzistenca e popullit maqedonas, identiteti maqedonas dhe gjuha maqedonase.

Bullgaria nuk heq dorë nga rishkrimi i historisë së Maqedonisë drejt një “historie të përbashkët që lidh dy shtetet dhe popujt e tyre”, që në përkthim do të thotë bullgarizimi i gjithçkaje që është maqedonase. Për ta, një histori e përbashkët do të thotë një popull – populli bullgar.

Është formuar një komision i përbashkët ekspertësh për të ashtuquajturën histori të përbashkët, i cili supozohet të takohet 8 – 10 herë në vit, gjë që është absurde, sepse komisione të tilla funksionojnë për dekada të tëra… Dhe Sofja e ka me nxitim, prandaj komisioni bëhet një nga argumentet e tyre kryesore për shpërbërjen e maqedonasve dhe për largimin e Maqedonisë nga integrimi evropian.

Ky është një absurditet i plotë dhe përfaqëson përpjekjet e Sofjes në Bruksel për ta paraqitur Shkupin si palën jobashkëpunuese në këtë proces. Qeveria e re e krahut të djathtë, me partinë VMRO-DPMNE në krye të Maqedonisë, përsërit vazhdimisht se proceset e integrimit evropian janë një përparësi, por jo me këto kushte. Përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë është e pranueshme, por vetëm pasi të zgjidhen çështjet e pakicave për maqedonasit në Bullgari dhe të merret një garanci se kjo do të jetë vetoja e fundit.

Si kusht për fillimin e negociatave, Maqedonia është e detyruar të përfshijë popullin bullgar në Kushtetutën e saj. Kjo kërkohet nga Bullgaria, një shtet që për dekada nuk e ka njohur ekzistencën e pakicës maqedonase në Bullgari, një shtet që nuk lejon mësimin e gjuhës maqedonase, që ndalon regjistrimin e çdo organizate ose partie maqedonase në Bullgari. Atje nuk respektohen të drejtat individuale dhe kolektive të njeriut, siç është identiteti, gjuha dhe historia etnike maqedonase.

Këto fakte u paraqitën nga përfaqësues të pakicës maqedonase në Bullgari në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, ku deri më sot janë fituar 14 çështje gjyqësore. Bullgaria nuk ka zbatuar asnjë nga vendimet e gjykatës, edhe pse ishte e detyruar ta bënte. Por edhe kjo nuk është e mjaftueshme që Brukseli të heqë dorë nga kushte të tilla dhe të fillojë negociatat normale të integrimit.

Në Maqedoni tashmë ka filluar të diskutohet ideja e paraqitjes së një kërkese formale ligjore për përjashtimin e Bullgarisë nga Këshilli i Evropës. Po ngrihet edhe çështja e mosrespektimit të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut nga ana e Bullgarisë, për shkak të mosnjohjes së vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Një kërkesë e tillë do transformonte tërësisht të gjithë procesin tani që Maqedonia po qëndron para Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian. Ky është një argument tjetër se Bullgaria në fakt po e shantazhon Maqedoninë dhe në fakt nuk i intereson përmbushja e kushteve të pranimit. Integrimi i vërtetë nënkupton më shumë sesa euroja ose Shengeni. Ky integrim nënlupton mbrojtjen e palëkundur të vlerave që bashkojnë Evropën. Dhe në këtë rast nuk po e shohim as nga Brukseli, dhe aq më pak nga Sofja.

Bullgaria i kujton Maqedonisë detyrimin e saj për të mos ndërhyrë në punët e brendshme të shtetit bullgar përsa i përket çështjes së maqedonasve në Bullgari, por me të njejtën frymë jep urdhërin se duhet të ndryshojmë Kushtetutën tonë për bullgarët në Maqedoni, të cilët pas censusit të fundit janë më pak se 3,500 individë.

Politikanët bullgarë shpesh thonë se në Maqedoni ka një gjuhë urrejtjeje kundër bullgarëve, por vetë nuk e pranojnë se ne ekzistojmë si popull, një gjuhë, një histori… Për ta kjo nuk është gjuhë urrejtjeje, por janë maqedonasit ata që reagojnë keq ndaj pretendimeve të tyre historike përçmuese.

Mund të konkludohet se askush nuk duhej të kishte negociuar kështu, pavarësisht nga peisazhi politik i brendshëm ose ai i administratës së Brukselit. Maqedonia thjesht duhet ta tërheqë këtë protokoll dhe BE-ja duhet ta kuptojë dhe ta pranojë këtë, pas së cilës duhet të ndryshohen negociatat.

Në gjithë kaosin politik në skenën politike të Bullgarisë, për fat të keq çështja maqedonase është e vetmja për të cilën nuk ka kundërshtim, rezistencë, qëndrim alternativ…

Dhe heshtja e vazhduar për këtë çështje mund ta rrezikojë vetë BE-në!

Aleksandar Damovski, editor-in-chief of the portal MKD.mk

Materialet e publikuara në rubrikën “Opinionet” pasqyrojnë mendimin personal të autorit dhe mund të mos përkojnë me qëndrimin e Qendrës