Lufta hibride në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor – Orhan M. Çeku

Lufta hibride në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor – Orhan M. Çeku

Hyrje

Në epokën moderne, ku kufijtë midis paqes dhe luftës janë bërë gjithnjë e më të paqartë, ka lindur një koncept i ri i konfliktit që po dominon mendimin strategjik dhe politikën e sigurisë globale – ky term është quatuar “Lufta Hibride”.

Ky term, që sot përdoret gjerësisht nga studiues, analistë të sigurisë dhe institucione ndërkombëtare, përfaqëson një mënyrë të re të të kuptuarit të luftës. Në thelb, ajo është një luftë pa shpallje, një betejë që ndodh në shumë fronte njëkohësisht – në terren, në hapësirën kibernetike, në media dhe në ndërgjegjen e publikut.

Ky format i luftës është bërë simbol i epokës sonë digjitale, ku informacioni, perceptimi dhe ndikimi janë po aq të rëndësishëm sa edhe fuqia ushtarake. Lufta hibride ka ndryshuar mënyrën si kombet e kuptojnë sigurinë, dhe si mbrohen nga kërcënime që nuk janë gjithmonë të dukshme.

Në dekadat e fundit, koncepti i luftës hibride është shndërruar në një nga sfidat më të sofistikuara të sigurisë ndërkombëtare. Në vend të përballjeve klasike ushtarake, aktorët shtetërorë dhe jo-shtetërorë po përdorin një kombinim të instrumenteve politike, ekonomike, informative dhe kibernetike për të arritur qëllime strategjike pa përballje të drejtpërdrejtë.

Përkufizimi i nocionit ”Luftë Hibride”

Termi luftë hibride përshkruan një formë të ndërveprimit ku, kufiri ndërmjet paqes dhe luftës bëhet i paqartë.

Në mënyrë të thjeshtuar, ‘Lufta Hibride’ nënkupton një kombinim të mjeteve tradicionale (siç janë: mjetet e blinduara – tanket; aeroplanet ushtarak; artileria e rende; anijet luftarake – nendeteset) dhe mjetet jo-tradicionale (siç janë: Lufta Kibernetike; Inteligjenca Artificiale; Satelitët për komunikim; Armët e Energjisë së Drejtuar; Bioteknologjia; etj.) të luftës. Ajo bashkon operacionet ushtarake klasike me taktika jo-konvencionale, si lufta kibernetike, fushatat e dezinformimit, presioni ekonomik, ndërhyrjet politike dhe përdorimi i aktorëve jo-shtetërorë. Në këtë formë, lufta nuk zhvillohet vetëm në fushëbetejë, por edhe në hapësirën virtuale, në rrjete sociale dhe në ekonomi.

Frank G. Hoffman (2007) e përkufizon luftën hibride si “kombinim të taktikave konvencionale dhe jo-konvencionale, të terrorizmit, krimit të organizuar dhe operacioneve informative”, me synim arritjen e objektivave strategjikë pa hyrë në konflikt të hapur.

Në dallim nga luftërat tradicionale, lufta hibride është e vështirë për t’u identifikuar dhe për t’u kundërshtuar, sepse ajo nuk shpallet formalisht. Ajo përdor mjete të ndërmjetme – duke krijuar një gjendje të pasigurisë së përhershme. Kjo e bën luftën hibride një nga sfidat më të mëdha të shekullit XXI për sigurinë ndërkombëtare.

Në kontekstin e sotëm, kjo luftë përfshin:

  • Përdorimin e mediave për manipulim të perceptimeve;
  • Ndërhyrje kibernetike në infrastrukturën kritike nacionale;
  • Ndikim politik përmes partive apo organizatave joqeveritare; si dhe
  • Presion ekonomik për dobësimin e institucioneve të pavarura.

Këto mjete krijojnë një “mjegull” të paqartësisë, ku agresioni nuk është i lehtë për t’u identifikuar, por pasojat janë të thella për sigurinë kombëtare.

NATO (North Atlantic Treaty Organization), si organizata më e fuqishme ushtarake në botë, e përkufizon në këtë mënyrë termin “Luftë Hubride”: “Lufta hibride është përdorimi nga aktorë shtetërorë ose jo-shtetërorë i një kombinimi të mjeteve ushtarake dhe jo-ushtarake, të hapura dhe të fshehta, në mënyrë të sinkronizuar ose të paralelizuar — përfshirë forcat e rregullta, forcat jo te rregullta, sulmet kibernetike, dezinformimin, ndikimin ekonomik, dhe forma të tjera shkatërruese — me qëllim të arritjes së objektivave strategjike, duke krijuar paqartësi, duke shfrytëzuar dobësitë e objektivit dhe shpesh duke funksionuar nën pragun që sjell një përgjigje ushtarake të plotë”. (NATO Maritime Interdiction Operational Training Centre, 2nd Conference on Cyber Security, Issue 14, nr. 1, 2017, p.10)

Përdorimi i termit ‘Hybrid Warfare’ në literaturën shkencore i atribuohet William J. Nemeth, i cili në vitin 2002 mbrojti disertacionin e doktorates në Naval Postgraduate School në Kaliforni, me titullin “Future War and Chechnya: A Case for Hybrid Warfare”. Nemeth analizoi mënyrën se si rebelët çeçenë kombinuan taktikat tradicionale guerile me përdorimin e teknologjisë moderne, propagandës dhe komunikimit digjital. Ai e quajti këtë formë konfliktit si “Luftë hibride”, pasi ajo tejkalonte ndarjet klasike ndërmjet luftës konvencionale dhe asaj jo-konvencionale.

Pas tij, koncepti u zhvillua dhe u përhap nga Frank G. Hoffman, një studiues dhe oficer amerikan, i cili gjatë viteve 2005–2007 botoi disa punime që e sistematizuan këtë nocion. Në veprën e tij “Conflict in the 21st Century: The Rise of Hybrid Wars”, Hoffman e përkufizoi luftën hibride si një kombinim të operacioneve ushtarake konvencionale, terrorizmit, krimit të organizuar dhe fushatave të propagandës, që veprojnë në mënyrë të koordinuar për të arritur qëllime strategjike.

Një kontribut të hershëm dha edhe Thomas Huber, me librin e tij “Compound Warfare: That Fatal Knot” (2002), i cili nuk përdor termin ‘hybrid warfare’, por paraqet konceptin e ‘luftës së përbërë’. Kjo ide u bë më vonë bazë teorike për shpjegimin e luftës hibride.

Ekzistojnë mendime se termi “luftë hibridi” nuk është një fenomen i ri – se një gamë taktikash është paraqitur në pothuajse të gjitha konfliktet gjatë historisë. Metoda jokonvencionale janë vërejtur të paktën që nga Luftërat Punike, kur Romakët përdorën taktika demoralizimi dhe rraskapitjeje, sulmuan linjat e furnizimit dhe shmangën luftimet e drejtpërdrejta për të luftuar një ushtri kartagjenase që ishte superiore në fushën e betejës (Carr & Walsh, 2022).

Zhvillimi i konceptit nga vitet 2000 deri sot

Pas viteve 2000, koncepti i luftës hibride u bë pjesë e analizave strategjike të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s. Ai mori vëmendje të veçantë pas luftës në Gjeorgji më 2008, kur Rusia përdori një kombinim të fushatave ushtarake, ndërhyrjeve kibernetike dhe propagandës mediatike për të ndikuar në rezultatin e konfliktit. Ky rast u pa si shembulli i parë praktik i një ‘lufte hibride’ në veprim.

Megjithatë, momenti që e bëri këtë koncept globalisht të njohur ishte kriza e Ukrainës në vitin 2014. Rusia përdori ‘ushtarë pa uniformë’, fushata të gjerë dezinformimi, presion ekonomik dhe operacione kibernetike për të aneksuar Krimenë pa një shpallje formale lufte. Kjo strategji u quajt ‘manuali i luftës hibride ruse’ nga analistët e NATO-s.

Në dekadën e fundit, termi ‘luftë hibride’ është përdorur gjithashtu për të përshkruar veprimet e Koresë së Veriut, Kinës dhe Iranit, si dhe mënyrën se si aktorët jo-shtetërorë si Hezbollah apo ISIS kombinojnë terrorizmin me kapacitetet e ushtrive moderne. Luftërat e shekullit XXI nuk janë më vetëm beteja për territor – por për informacion, ndikim dhe perceptim publik.

Rëndësia aktuale dhe përdorimi bashkëkohor

Në kohën tonë digjitale, lufta hibride është bërë forma më e sofistikuar e konfrontimit ndërkombëtar. Ajo zhvillohet në mënyrë të vazhdueshme dhe shpesh e padukshme, duke përfshirë fushata dezinformimi, manipulim politik, presion ekonomik dhe ndërhyrje kibernetike në zgjedhje apo institucione publike. Këto mjete lejojnë fuqitë e mëdha të ushtrojnë ndikim pa hyrë në konflikt të hapur ushtarak.

Organizata si NATO dhe Bashkimi Evropian kanë krijuar qendra të posaçme për studimin dhe kundërvënien e kërcënimeve hibride, përfshirë Qendrën Evropiane për Kundër-Dezinformim në Helsink. Për shumë analistë, lufta hibride është mënyra se si fuqitë moderne luftojnë për dominim – pa e shkelur plotësisht ligjin ndërkombëtar, por duke e shtyrë atë në kufijtë e paqartësisë.

Në thelb, rëndësia e këtij koncepti qëndron në faktin se ai na ndihmon të kuptojmë se si shtetet dhe aktorët e tjerë arrijnë objektiva politike përmes mjeteve që nuk janë domosdoshmërisht ushtarake, por që prodhojnë pasoja të ngjashme me luftën. Kjo e bën luftën hibride një nga mjetet më të fuqishme të ndikimit në rendin ndërkombëtar bashkëkohor.

Kuptimi modern i luftës hibride është ndikuar shumë nga konfliktet e botës reale, të tilla si lufta Izrael-Hezbollah e vitit 2006 (të cilën Hoffman e përdori si shembull kyç) dhe aneksimi rus i Krimesë në vitin 2014.

Lufta Hibride në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor: formatet, aktorët dhe pasojat

Kosova, si një shtet i ri në një rajon delikat gjeopolitikisht si Ballkani Perëndimor, është bërë objektiv i dukshëm i veprimeve hibride. Nga dezinformimi dhe propagandat e jashtme, deri te ndikimet politike e kibernetike, vendi është përballur me forma të ndryshme të ndërhyrjeve që synojnë dobësimin e sovranitetit dhe legjitimitetit shtetëror.

Në Ballkanin Perëndimor (dhe veçanërisht në Kosovë) përpjekjet për “luftë hibride” përfshijnë kryesisht:

  • Fushata dezinformimi / propagandë (narrativa kundër SHBA-së, NATO-s dhe BE-së dhe pro-Kremlinit),
  • Ndikim politik dhe mbështetje të grupeve/aktorëve lokalë proxi,
  • Përdorim të elementeve ekonomikedhe të ndikimit kulturor, dhe në disa raste veprime kibernetike.

Aktorët më të përmendur nga raportet e institucioneve dhe analizat janë: Rusia (drejtpërdrejt dhe përmes rrjeteve dezinformuese) dhe aktorë lokalë që përfitojnë nga lidhjet me Moskën; pastaj Serbia për role të dyfishta (si aktor shtetëror që ndonjëherë përdor mjete politike dhe të ndikimit për të arritur qëllime në Kosovë); dhe Kina (përmes ndikimit ekonomik dhe projekteve infrastrukturore). NATO, BE dhe mekanizmat e tyre anti-dezinformim kanë evidentuar dhe kundërshtuar këto kërcënime.

Fillimet e ndikimeve hibride në Kosovë (2008–2013)

Pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008, Kosova u bë shpejt objekt i përpjekjeve për ta delegjitimuar në arenën ndërkombëtare. Serbia nisi një fushatë të gjerë diplomatike dhe propagandistike për të penguar njohjet ndërkombëtare të shtetit të ri. Në këtë periudhë u shfaqën elementët e parë të luftës hibride: lobime të fshehta në organizata ndërkombëtare, ndikime përmes mediave rajonale dhe përdorimi i strukturave paralele në veri të Kosovës.

Rusia mbështeti në mënyrë të qëndrueshme narrativën serbe, duke e paraqitur Kosovën si “shtet të dështuar” dhe duke përdorur forume ndërkombëtare për të ndikuar në opinionin publik global. Ky tandem Serbi–Rusi krijoi një mjedis të vazhdueshëm presioni politik dhe informativ ndaj institucioneve të Kosovës, që përbën formën klasike të një lufte hibride diplomatike dhe psikologjike.

Intensifikimi i veprimeve hibride (2014–2020)

Pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, koncepti i luftës hibride mori një dimension të ri global. Në këtë periudhë, në Ballkan filluan të vërehen qartë ndikimet e strategjive të ngjashme, sidomos përmes mediave online dhe rrjeteve sociale.

Në Kosovë, pas themelimit të ushtrisë (Forcës së Sigurisë së Kosovës) dhe konsolidimit të institucioneve shtetërore, u rrit ndjeshëm numri i fushatave dezinformuese që synonin diskreditimin e këtyre proceseve.
Në vitin 2017, në periudhën e bisedimeve në Bruksel, u evidentuan përpjekje për të ndikuar në opinionin publik përmes portaleve që përhapnin narrativën se “Kosova po humb sovranitetin”. Në të njëjtin vit, gjatë krizës së “trenit serb” që tentoi të hynte në Kosovë, u demonstrua një përpjekje për provokim të kontrolluar — një taktikë tipike e luftës hibride për të testuar reagimin institucional dhe publik.

Ndërkohë, ndikimi rus në Ballkan u zgjerua përmes përfaqësive kulturore, fondacioneve “humanitare” dhe rrjeteve të informacionit që operonin në mënyrë të maskuar.

Kush po bën përpjekje për “luftë hibride” në Kosovë dhe rajon — kush janë aktorët kryesorë?

1. Rusia — aktori kryesor i përmendur për përdorim të mjeteve hibride në Ballkan është Rusia.

Rusia Përdor rrjete dezinformimi, media satelite/internet dhe narrative që përçojnë mesazhe anti-NATO/anti-BE, si dhe përpiqet të përforcojë ndasitë etnike dhe politike. Rusia shfrytëzohet gjithashtu për të lobuar për interesa politike përmes kontakteve me politikanë lokalë dhe grupe fetare apo mediat pro-ruse. Raporte të Parlamentit Evropian, EUvsDisinfo dhe analizat e NATO-s e përmendin këtë qartë për rajonin.

2. Serbia — aktor me ndikim dypalësh:

Shteti serb është përshkruar nga disa burime si përdorues i mjeteve politike dhe ushtarake për të ruajtur ndikimin në komunitetet serbe në veri të Kosovës (strukturat paralele, menaxhim i tensioneve, retorikë dhe lobim ndërkombëtar). Disa elemente (përfshirë taktikën e krijimit/përkrahjes së strukturave paralele apo të informimit pro-Beogradit) mund të konsiderohen pjesë të strategjive të ndikimit që kanë efekt hibride.

3. Kina — ndikim ekonomik dhe politik (më shumë si “soft/hard power” e jo tipikisht “lufte hibride” ushtarake):

Investimet, infrastrukturat (BRI) dhe marrëdhëniet ekonomike dhe politike janë një formë ndikimi që mund të ketë efektet e vet hibride (p.sh. varësia ekonomike si mjet ndikimi politik). Raporte akademike dhe institucionale e listojnë Kinën si aktor që përdor instrumente ekonomike për ndikim strategjik në rajon.

4. Aktorë pro-Kremlin / rrjete dezinformimi (brenda dhe jashtë vendit):

Përmes portaleve, kanaleve në rrjete sociale dhe narrativave mediale, tentojnë të mobilizojnë opinionin publik kundër Perëndimit, duke e paraqitur integrimin evropian si kërcënim dhe duke lidhur ngjarjet lokale me ngjarjet globale (p.sh. krahasime Kosovë–Ukrainë). EUvsDisinfo dokumenton shembuj konkretë të këtyre narrativave në raportet e veta.

5. Aktorë jo-shtetërorë dhe krimi i organizuar:

Rrjetet kriminale, grupet e interesit dhe ndonjëherë grupet paramilitare/shoqërore mund të bashkëpunojnë me aktorë shtetërorë ose ndërmjetës për të cenuar stabilitetin (rrugë kriminale, trafikun e informacionit, lobime të fshehta). Këto rrjete shpesh shërbejnë si “lehtësi operative” për veprime që kanë efekt destabilizues (një element i takshëm i strategjive hibride).

Shembuj konkretë në Kosovë dhe rajon

Dezinformimi rreth krizave të veriut të Kosovës (dhjetor 2022 dhe më pas): analiza të EUvsDisinfo dhe mediave lokale tregojnë fushata narrativash që akuzonin Perëndimin për provokim dhe minimizonin rolin e ndërhyrjeve ruse në përshkallëzim. Këto fushata synonin të kanalizonin zemërim, të radikalizonin opinione dhe të minonin besimin te institucionet perëndimore.

Përdorimi i “ushtarëve pa uniformë” dhe narrativa të koordinuara: praktikë e vërejtur në konflikte si Krime/ Ukrainë, por e referuar në raporte për rolet e aktorëve që ndihmojnë për të krijuar konfuzion dhe për të shmangur përgjegjësinë direkte. Analistët lidhin modalitete të ngjashme narrative dhe taktike me veprime nxitëse në rajon.

Platforma dhe media lokale si kanale të dezinformimit: raporte të NATO dhe organizatave të tjera evidentojnë se shumë portale, llogari sociale dhe kanale video përdoren për përhapje të lajmeve të rreme ose të manipuluara që i shërbejnë qëllimeve politike të aktorëve të jashtëm.

Ndikimi ekonomik/ftesa të partneriteteve nga Kina: investimet dhe marrëveshjet ekonomike perceptohen si të dyanshme — duke sjellë zhvillim, por edhe rrezik varësie dhe ndikuese politike. Raporte akademike dhe institucionale e vënë këtë në kuadër të ndikimit strategjik.

Lufta Hibride në kontekstin bashkëkohor (2021–2025)

Periudha e pas-pandemisë COVID-19 dhe agresioni rus në Ukrainë (2022) shënuan një intensifikim të qartë të operacioneve hibride në Ballkan.
Në këtë periudhë, narrativat pro-ruse dhe anti-NATO u shtuan në portale rajonale që veprojnë edhe në hapësirën mediale të Kosovës. Këto përpjekje kërkonin të krijonin konfuzion rreth orientimit euroatlantik të Kosovës dhe të ngjallnin mosbesim ndaj institucioneve të sigurisë.

Në fund të vitit 2022 dhe gjatë vitit 2023, raportet e Këshillit të Sigurisë së Kosovës dhe EUvsDisinfo evidentuan dhjetëra raste të përhapjes së lajmeve të rreme që lidheshin me:

  • Rolin e NATO-s në Kosovë,
  • Procesin e dialogut me Serbinë, dhe
  • Praninë e KFOR-it në veri.

Këto narrativa shpesh e paraqesin Kosovën si “eksperiment të dështuar të Perëndimit”, duke synuar dobësimin e besimit qytetar dhe polarizimin e opinionit publik.

Një rast të veçantë paraqet dezinformimi kundër luftës së UÇK-së (Ushtria Çlirimtare e Kosovës), në veçanti ndaj liderëve të saj. Ky dezinformin ka depërtuar edhe tek një pjesë e qytatarëve të Kosovës duke i akuzuar si kriminelë dhe të korruptuar liderët e UÇK-së, të cilët ndër vite qeverisën në Kosovë. Kjo përbën përpjekje të orkestruar të Beogradit për të akuzuar Perëndimin qe ka bashkëpunuar me UÇK-në.

Përfundime dhe rekomandime

Lufta hibride në Kosovë përfaqëson një realitet të përhershëm strategjik. Ajo nuk është luftë e hapur, por një proces i vazhdueshëm ndikimi që kërkon vigjilencë institucionale dhe shoqërore.
Në këtë aspekt, Kosova duhet:

  1. Të zhvillojë një strategji kombëtare për luftimin e dezinformimit dhe ndikimit të huaj.
  2. Të forcojë sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike nacionale, dhe
  3. Të investojë në edukimin medial dhe qytetar për të rritur rezistencën ndaj propagandës.

Një qasje e koordinuar ndërmjet institucioneve të sigurisë, mediave dhe institucioneve akademike është thelbësore për të ndërtuar një reziliencë kombëtare ndaj luftës hibride, që po bëhet një nga sfidat qendrore të shekullit XXI.

Përmbyllje reflektuese

Në përfundim, lufta hibride është pasqyra e realitetit të ri global – një realitet ku konfliktet nuk nisin me shpallje dhe nuk mbarojnë me armëpushim. Ajo është një luftë për perceptim, për narrativë dhe për kontrollin e informacionit. Ndryshe nga luftërat e shekujve të kaluar, ku fituesi shihej në fushën e betejës, sot fituesi është ai që kontrollon mendjet, rrjetet dhe rrjedhën e informacionit.

Në këtë kuptim, kuptimi dhe studimi i luftës hibride nuk është më thjesht çështje akademike, por nevojë kombëtare dhe ndërkombëtare. Sepse në shekullin XXI, fuqia nuk matet vetëm me armë dhe ushtri, por edhe me aftësinë për të ndikuar, manipuluar dhe kontrolluar perceptimin global.

Kështu, termi ‘Luftë Hibride’ mbetet një nga konceptet më të rëndësishme të politikës së sigurisë moderne – një kujtesë se edhe në kohë paqeje, bota mund të jetë ende në luftë.

Orhan Çeku. Associate professor for the subject of National Security at the public Haxhi Zeka University in the Republic of Kosovo

Materialet e publikuara në rubrikën “Opinionet” pasqyrojnë mendimin personal të autorit dhe mund të mos përkojnë me qëndrimin e Qendrës