Një vend i ri dhe në zhvillim e sipër, Kosova vazhdon të përpiqet të gjejë një ekuilibër midis konsolidimit të pavarësisë së saj dhe qetësimit të aktorëve ndërkombëtarë që bëjnë thirrje për bashkëpunim me Serbinë. Në fakt, po bëhen përparime të rëndësishme në këtë drejtim. Megjithatë, një nga sfidat më urgjente me të cilat përballet Kosova sot është pamundësia për të formuar një parlament funksional. Disa madje e kanë quajtur këtë një “gjendje të jashtëzakonshme të pashpallur”. Pra, pse Parlamenti i ri është “ka dalë jashtë funksionit” dhe cilat janë pasojat e këtij ngërçi që po ndodh në parlament?
Pse Parlamenti nuk po funksionon?
Kuvendi i Republikës së Kosovës, ose Parlamenti, zgjidhet në mënyrë demokratike çdo 4 vjet nga qytetarët kosovarë; ai ka 120 vende. Më 15 shkurt të këtij viti, Kosova mbajti zgjedhjet më të fundit parlamentare për Kuvendin. Partia më e madhe politike në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje (LVV, ang. The Self-Determination Movement), fitoi me 48 vota. Domethënë, LVV mori më shumë vota se çdo parti tjetër, por nuk mori shumicën e votave.
Siç kërkohet nga kushtetuta, Vetëvendosja duhet të emërojë një Kryetar të ri të Kuvendit. Ky Kryetar i ri duhet të emërohet brenda 30 ditëve nga verifikimi i rezultateve të zgjedhjeve parlamentare dhe të ketë një shkallë miratimi prej të paktën 61 votash. Pra, ndërsa një pjesë e madhe e votave mjafton që LVV të udhëheqë Kuvendin, Kryetari i Kuvendit duhet të miratohet nga shumica absolute e të gjithë anëtarëve.
LVV nominoi Albuena Haxhiun, Ministren aktuale të Drejtësisë, si Kryetare të Kuvendit. Procesi i votimit dështoi që nga seanca inauguruese më 15 prill, në të cilën Haxhiu mori 52 vota “pro”, 46 “kundër” dhe 11 abstenime – duke mos arritur shumicën e kërkuar. Nëse votimi dështon, ai duhet të shtyhet për të paktën 48 orë para se të tentohet sërish. Në teori, Kuvendi rimbledhet derisa të arrihet në një përfundim dhe të zgjidhet Kryetari.
Megjithatë, votimi në Kuvend ka dështuar dhe është rinisur mbi 50 herë që nga 15 prilli. Albulena Haxhiu vazhdimisht arrin deri në 52–57 vota, duke mos arritur 61 votat e kërkuara. Në një moment, u propozua një votim i fshehtë. Vetë Haxhiu deklaroi se nëse nuk arrinte shumicën absolute të votave nëpërmjet votimit të fshehtë, ajo do të tërhiqej vetë. Partitë kryesore të opozitës (PDK, LDK, AAK) refuzojnë të mbështesin Haxhiun ose të bashkohen në një koalicion me LVV-në, dhe i kanë rezistuar propozimeve të LVV-së, siç është votimi i fshehtë. Në të njëjtën kohë, asnjë kandidat alternativ nuk është propozuar nga asnjë prej partive të opozitës. Rezultati ishte një ndalim i theksuar i proceseve parlamentare.
Tensionet filluan edhe më herët, kur partitë opozitare refuzuan të verifikonin mandatet e tyre – një formalitet rutinë. Justifikimi i tyre ishte se Albin Kurti, Kryeministri në detyrë, zgjodhi të vazhdonte të vepronte si Kryeministër dhe të votonte në parlament së bashku me deputetët në të njëjtën kohë, gjë që ai nuk mund ta bëjë sipas një ligji që ai vetë implementoi. Kurti e mbrojti veten duke thënë se kjo do të linte një “vakum në pushtet”, por më vonë dërgoi njoftimin e dorëheqjes si Kryeministër në detyrë dhe u betua zyrtarisht si deputet. Analistët politikë kanë theksuar se kjo ishte ndoshta mënyra e opozitës për të dërguar edhe mesazhin se LVV nuk ka vende të mjaftueshme as për të bërë diçka kaq bazike siç është konfirmimi i mandateve të deputetëve, e lëre më të formojë një qeveri të mirfilltë.
Më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese dha urdhrin për t’i dhënë fund këtij bllokimi brenda 30 ditëve – pra më 26 korrik. Në këtë ditë, Kuvendi mbajti një seancë në orën 14:00 dhe një seancë në orën 22:00. Të dyja dështuan, që do të thotë se deputetët nuk arritën të pajtohen edhe pas mbledhjes së 54-të të Kuvendit.
Cilat janë pasojat?
Kushtetuta e Kosovës thotë se duhet të zgjidhet një Kryetar përpara se Parlamenti të kryejë çfarëdolloj detyre tjetër, përfshirë formimin e një qeverie të re. Pas dështimit që ndodhi më 26 korrik, deputetët nuk do të jenë në gjendje të mblidhen përsëri dhe u ndalohet të marrin ndonjë vendim deri më 8 gusht, me urdhër të Gjykatës Kushtetuese. Vëzhguesit ende po presin detaje se çfarë do të bëjë Gjykata Kushtetuese në lidhje me Kuvendin pas 8 gushtit.
Ambasadorët e BE-së dhe diplomatë të tjerë të huaj kanë shprehur zhgënjimin e tyre në lidhje me mabrëvajtjen e procedurave. Si një vend i ri që po përpiqet të paraqesë stabilitet, pavarësi dhe seriozitet në komunitetin ndërkombëtar, kjo krizë nuk reflekton mirë për Kosovën. Ambasada e SHBA-së në Kosovë është shprehur tashmë se ky bllokim rrezikon integritetin e institucioneve të Kosovës.
Dritëro Arifi, profesor i shkencave politike në Kolegjin UBT në Prishtinë, madje ka thënë se mendon që Kosova është në një “gjendje të jashtëzakonshme të pashpallur “. Disa mund të thonë se kjo është një ekzagjerim i tepërt. Megjithatë, duke qenë se Kosova është një republikë parlamentare – me Kuvendin (i njohur edhe si Parlament) që vepron si organ legjislativ dhe Kryeministrin si kreun e qeverisë – fillon të kuptosh se Arifi mund të mos e ekzagjerojë fare.
Është Parlamenti ai që mbikëqyr funksionimin e agjencive të tjera ekzekutive. Është Parlamenti ai që miraton ligje dhe ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare. Është Parlamenti ai që përfaqëson imazhin e një Kosove të vetëvendosur për botën. Nëse Parlamenti nuk mund të koordinohet dhe të veprojë së bashku, si mund të pritet që ai të paraqesë një front të unifikuar për botën dhe të sundojë popullsinë lokale?
Pa një Kryetar Parlamenti, Kosova nuk mund të formojë një qeveri, të miratojë një buxhet ose të ratifikojë reformat. Qeveria e përkohshme nuk ka mandat për të miratuar vendime të mëdha. “Përveç presidentit, i cili ka një lloj legjitimiteti, megjithëse shumë të cunguar, sepse presidenti zgjidhet nga Kuvendi… Pra, absurditet në vetvete. I vetmi institucion ku jepet llogaridhënie është Parlamenti, dhe ne nuk kemi Parlament”, deklaron Arifi.
Duke qenë se është detyra e Kuvendit të ratifikojë marrëveshjet ndërkombëtare, ka shqetësime në lidhje me planet e financimit ndërkombëtar të cilat dikur ishin të sigurta se do të miratoheshin. Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor (gjithsej 880 milionë euro) me një financim fillestar prej 61 milionë eurosh nga Banka Botërore nuk mund të merret deri në ratifikimin nga Parlamenti. Jo vetëm kaq, por mbi 220 milionë euro nga Millennium Challenge Corporation janë në rrezik.
Këto para do t’i sillnin shumë dobi Kosovës. Jo vetëm kur flasim për një shumëllojshmëri projektesh zhvillimore, por do të ishin gjithashtu një ndihmë e madhe në stabilizimin e ekonomisë dhe uljen e inflacionit.
Përfundim
Në fund të fundit, qytetarët kosovarë janë të parët që vuajnë si rezultat i pamundësë së Kuvendit për të paraqitur një front të unifikuar. Siç u shpreh Vjosa Osmani, Presidentja e Kosovës, shumë procese të tjera që kërkojnë miratimin e Kuvendit po zvarriten, duke përfshirë, por pa u kufizuar në, anëtarësimin në nisma dhe programe të ndryshme ndërkombëtare, marrëveshje ndërkombëtare, vonesë të miratimeve legjislative, dëmtimin e besimit të qytetarëve të Kosovës në institucionet qeveritare, si dhe dëmtimin e imazhit të Kosovës në komunitetin ndërkombëtar.
E ardhmja e Kosovës varet nga aftësia e udhëheqësve të saj të zgjedhur nga populli për të përmbushur detyrat e tyre kushtetuese. Pa një Kuvend funksional, qeverisja e Kosovës është në rrezik, me çdo ditë që kalon duke rrezikuar humbjen e ndihmesave monetare dhe miratimit ndërkombëtar. Vetëm me një Kuvend të konstituuar mund të formohet një qeveri e re dhe kombi të ecë përpara. Të gjithë presim 8 gushtin me padurim, si një pikë kthese e mundshme në këtë krizë të vazhdueshme.