Litiumi dhe Serbia – Balsha Bozhoviq

Litiumi dhe Serbia – Balsha Bozhoviq

Litiumi është bërë temë qendrore në sferën publike serbe. Siç thonë edhe studiuesit e opinionit publik, litiumi është shkak për pakënaqësinë qytetare ndaj regjiminit autokratik të Vuçiqit, i cili ka sunduar, i pakundërshtuar, për dymbëdhjetë vjet. Çështja e litiumit ndjell konfuzion për shumë individë për shkak të mosbesimit dhe intensitetit që mbizotëron në shoqëri, duke rezultuar në mungesën e debatit racional mbi këtë temë. Litiumi është bërë kështu një ekuacion me dy të panjohura – një kuti e Pandorës nga e cila dalin pyetje të shumta kritike për situatën e Serbisë. Këto janë vetëm disa nga pyetjet që ngrihen çdo ditë: Çfarë po ndodh saktësisht në Serbi lidhur me litiumin? Pse litiumi është bërë befas shkas për pakënaqësi të përhapur në Serbi? Sa realiste është frika nga ndotja e mjedisit për shkak të litiumit? A do të helmohemi vërtet me litium? A po e mbron Serbia pavarësinë, sovranitetin dhe dinjitetin e saj duke luftuar kundër litiumit? A do të bëhet vërtet Serbia një koloni minerare e ngjashme me ato në Afrikë? A i ka tradhtuar Perëndimi qytetarët e Serbisë duke mbështetur vendimin e Vuçiqit për të minuar litium? A janë vërtet protestat kundër litiumit një shprehje e vetëdijes ekologjike, një formë lufte politike kundër Aleksandër Vuçiqit, apo një mundësi për një përballje përfundimtare me Perëndimin?

Për të kuptuar çështjen e litiumit në Serbi, fillimisht duhet kuptuar gjendjen e shoqërisë serbe që nga ardhja e Vuçiqit në pushtet në vitin 2012.

Serbia është përballur me kriza të shumta që nga viti 2012 dhe gjatë gjithë këtyre krizave, regjimi i udhëhequr nga Vuçiq jo vetëm që ka arritur të dalë fitimtar, por edhe ka forcuar sundimin e tij autokratik. Si është e mundur kjo?

Pas humbjes së raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2012, kur Tomislav Nikoliq mposhti Boris Tadiqin, epokës në të cilën ndodhej Serbia pas 5 tetorit – e cila nuk arriti të përmbushë pritshmëritë e mëdha të qytetarëve pas vitit 2000 dhe as ambicien për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian – i erdhi fundi. Regjimi i vjetër i Sllobodan Millosheviqit dhe Vojisllav Sheshelj u rikthye në pushtet nën udhëheqjen e Aleksandar Vuçiqit, i cili politikën e vjetër të nacionalizmit serbomadh ua përshtati rrethanave të reja dhe e zbatoi atë në mënyrë hibride. Nacionalizmi i Serbisë së Madhe është një ideologji specifike që kërkon terren pjellor në vetëdijen e shkatërruar të qytetarëve që janë traumatizuar nga luftat e viteve 1990, rënia e standardit të jetesës, kolapsi kulturor, pashpresa sociale dhe shkëputja e të gjitha lidhjeve që Serbia kishte me botën e qytetëruar. Pas ndryshimeve të vitit 2000, një numër i madh qytetarësh u ndjenë si humbësa në tranzicionin ekonomik që ndodhi pas privatizimit të ekonomisë dhe kalimit nga pronësia shoqërore në atë private. Pra, ishin të pranishme të gjitha kushtet e nevojshme për të hedhur rrënjë një ideologji e rrezikshme e nacionalizmit shtetëror.

Kështu, çështja e litiumit është thjesht një krizë tjetër që po godet shoqërinë serbe, e destinuar të jetë një episod tjetër kalimtar për qytetarët e pakënaqur që shpresojnë se mund të jetë edhe një mundësi që Serbia të demokratizohet. Tani, do të përpiqem të shpjegoj pse-në.

Aleksandar Vuçiq ka përdorur një sërë krizash për të forcuar sundimin e tij autokratik në Serbi gjatë dymbëdhjetë viteve të fundit.

E para ndër to është zgjidhja e çështjes së Kosovës, të cilën qeveritë e mëparshme nën sundimin e Tadiqit dhe Koshtunicas e kishin shmangur. Vuçiq e përdori këtë për të fituar mbështetjen perëndimore. Si një nacionalist ekstrem, ai arriti t’i bindë qytetarët serbë se kurrë nuk do të hiqte dorë nga Kosova, ndërsa në të njëjtën kohë bindte qeveritë perëndimore se vetëm ai, si nacionalist, mund t’ia dorëzonte Kosovën autoriteteve në Prishtinë. Të gjithë ishin të lumtur – si nacionalistët, të cilët nuk donin të hiqnin dorë nga Kosova, ashtu edhe Perëndimi, për të cilin zgjidhja e nyjës së Kosovës ishte jashtëzakonisht e rëndësishme, si dhe forcat qytetare në Serbi dhe sektori i OJQ-ve, të cilët gjithashtu donin që çështja e Kosovës të të hiqet një herë e mirë nga agjenda politike e Serbisë. Kështu, Vuçiq fillimisht fitoi mbështetjen e zbrazët të Perëndimit, i cili shpesh qëndron i palëkundur dhe zor se tërhiqet nga vendimet e marra.

Kriza e dytë që funksionoi në favor të tij ishte kriza e emigrantëve në Evropë. Angela Merkel dhe Gjermania, të fokusuar në zgjidhjen e çështjes së emigrantëve, mbyllën sytë ndaj mungesës së demokracisë në Serbi, duke i lejuar Vuçiqit të fitojë investime shtesë dhe pikë politike në Evropë. I lokalizuar përgjatë rrugës së emigrantëve që shkaktoi një krizë politike në Gjermani dhe Bashkimin Evropian, Vuçiq u bë një nga “të dashurit” e administratës së Angela Merkelit, sepse ai e menaxhoi krizën e emigrantëve më brutalisht se çdo lider tjetër ballkanik. Përveç Gjermanisë, edhe Bashkimi Evropian i mbylli sytë ndaj veprimeve të Vuçiqit.

Kriza e tretë ishte fitorja e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA. Administrata e re amerikane tregoi gatishmëri për të shqyrtuar idenë jashtëzakonisht të rrezikshme të ndarjes së Kosovës në pjesë, e cila do të sillte rihapjen e pyetjeve për kufijtë e tjerë të Ballkanit Perëndimor. Ky dialog u drejtua nga i dërguari special kontroversial i Presidentit Trump, Richard Grenell. Siç doli, Grenell po bënte një lojë politike që shkonte në kundërshtim me interesat e Bashkimit Evropian, madje edhe të Gjermanisë, dhe u përpoq të bënte marrëveshje të rrezikshme politike me politikanët më të korruptuar nga Kosova, si Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj, si dhe me Aleksandër Vuçiqin në Serbi. Thaçi më pas përfundoi në bankën e të akuzuarve, ku vazhdon të gjykohet për krime lufte. I gjithë plani i Grenell u propozua në një “non-paper” (dokument jozyrtar, pa atribut, paraqitet në negociata të mbyllura brenda BE-së për çështje kontestuese të ndryshme) nga kryeministri slloven Janez Jansha. Dy gjëra ishin veçanërisht simptomatike: së pari, plani mbështeti idenë e krijimit të tre shteteve të mëdha në Ballkan—Serbia, Kroacia dhe Shqipëria—në kurriz të Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës. Kjo nënkuptonte një luftë të re në Ballkanin Perëndimor. Së dyti, shpallja e këtij plani në vitin 2019 përkoi me përgatitjet madhore që po ndërmerrte Rusia për pushtimin e Ukrainës. Një konflikt në Kosovë ose shpërbërja e Bosnjë-Hercegovinës ishte në interesin më të lartë të regjimit të Putinit, i cili kishte nevojë që të shpërthenin konflikte të reja në Ballkan për të pushtuar Ukrainën sa më shprejt dhe pa zhurmë, ndërkohë që Perëndimi do të ishte i shpërqëndruar. Për fat të mirë, Trump-i i humbi zgjedhjet e vitit 2020 dhe Richard Grenell e humbi pozicionin e tij. Megjithatë, është interesant fakti se pas shkarkimit, Grenell ka qëndruar në Beograd dhe ka lidhje shumë të ngushta financiare me qeverinë serbe. E gjithë kjo e lejoi Vuçiqin të paraqitej si një negociator legjitim për (in)stabilitet në rajon, si në Perëndim ashtu edhe në Lindje. Megjithëse Vuçiqi arriti të forconte pozicionin e tij, humbja e Trump-it siguroi paqen në Ballkan dhe e ktheu fokusin përsëri në Ukrainë.

Kriza e katërt ishte pandemia COVID-19 në vitin 2020, e cila paralizoi botën dhe i lejoi Vuçiqit të konsolidonte më tej pushtetin e tij në Serbi, duke përdorur krizën si një mundësi për të forcuar lidhjet me Kinën dhe për të mbetur i paprekur nga kritikat perëndimore në lidhje me mangësitë në demokraci. Kështu, Serbia është sot i vetmi shtet në kontinentin evropian që përdor armë dhe pajisje vëzhgimi kineze. Ashtu si në tre rastet e mëparshme, Vuçiqi e shfrytëzoi krizën në vendet perëndimore për të futur një superfuqi të re në kontinentin evropian, e cila garantoi aktin e tij politik balancues me Perëndimin në kohërat më dramatike për të. Natyrisht, qeveritë perëndimore ishin të fokusuara në krizat e brendshme politike që lindën nga COVID dhe nuk këmbëngulën që Serbia të ndiqte reformat evropiane. Pakënaqësia me krizën e COVID-it arriti nivele të paprecedenta në Serbi. Vuçiq tërhoqi zvarrë si opozitën ashtu edhe qytetarët e pakënaqur që ishin kundër vaksinimit, duke rezultuar që BE-ja edhe një herë t’i mbylli sytë ndaj çështjes së demokracisë në Serbi.

Kriza e pestë ishte pushtimi rus i Ukrainës. Vuçiq doli hapur krah Rusisë, duke pritur një fitore të shpejtë. Mediat e regjimit botuan tituj në gazetat më të qarkulluara të Serbisë duke pretenduar se Ukraina e kishte sulmuar në të vërtetë Rusinë dhe se Rusia po bënte një luftë mbrojtëse. Serbia heshti për çështjen e agresionit rus për ditë të tëra dhe në fakt nuk e përdori kurrë këtë term. Vuçiq refuzoi të vendoste sanksione ndaj Rusisë dhe, në paraqitje të panumërta televizive, e bindi publikun serb se Rusia nuk mund ta humbë luftën. Për shkak të frikës ndaj konflikteve të mundshme në Ballkan që Putini po përpiqej të ndjellte përmes Serbisë, Republikës Srpska dhe Malit të Zi, Perëndimi mbylli sytë ndaj Vuçiqit për të disatën herë, të cilin ai e shfrytëzoi sërish me mjeshtëri. Vuçiq u paraqit para Perëndimit si një lider që duhet të balancohet mes Rusisë dhe Perëndimit, sepse ai arriti ta portretizojë opozitën në Serbi si pro-ruse. Nga ana tjetër, ai mbeti një partner besnik i Rusisë dhe, përmes vizitave të panumërta të ndërsjella të zyrtarëve në mes të luftës, tregoi përkushtim dhe mirëkuptim të madh për agresionin rus. Serbia vazhdoi të mbronte interesat dhe kapitalin rus në këtë pjesë të Evropës.

Kjo na çon në krizën e gjashtë – “Çështja e Litiumit”.

Vuçiq e përshkruan veten si një shahist që bën çdo lëvizje në tabelën e shahut me saktësi dhe mençuri. Megjithatë, kjo nuk është e vërtetë, sado superior që e konsideron ai veten. Shahu është një lojë me rregulla të qarta dhe mundësi të barabarta për të dy lojtarët. Por Vuçiqi i lë vetëm një gur shahu kundërshtarit të tij, ndërsa ai luan me të gjitha pjesët, duke u përfshirë në ndeshje të pabarabarta. Me një kontroll të jashtëzakonshëm dhe të paprecedentë të mediave në Evropë, që është për ta patur zili edhe Putini dhe Lukashenko, Vuçiq përhap vazhdimisht frikë nëpër popullata me një fushatë agresive, duke krijuar një imazh të një armiku imagjinar që mund të trokasë në derën e tyre në çdo moment. Duke ngatërruar opinionin me dezinformata të ndryshme nga nivelet më të larta të shtetit, ai i manipulon dhe vendos me lehtësi rregullat e lojës, me ndihmën e të cilave nuk ka dalë i humbur akoma.

Që në fillim, çështja e litiumit është cilësuar si një konflikt opozitar i Perëndimit në Serbi. Kjo është një strategji e vjetër e tij. Vuçiq, përmes të gjitha organeve shtetërore, përfshirë shërbimin sekret, vendos aktivistët më ekstremë pro-rusë nëpër protesta për të krijuar një imazh specifik të sfondit politik të këtyre protestave. Nga ana tjetër, ai e paraqet pjesën qytetare të protestës – pjesën pro-evropiane – si dominante ndaj shtetit rus, me narrativën se ata erdhën me paratë e tyre “perëndimore” për të rrëzuar qeverinë me anë të një “revolucioni me ngjyra” dhe më pas për të rrezikuar marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Serbisë dhe Rusisë.

Debatet mes ekspertëve mungojnë qëllimisht për të thelluar më tej konfuzionin. Në këtë mjedis prej mosbesimi publik, ku askush nuk i beson askujt, Vuçiq e radikalizon publikun në kampe pro dhe kundër litiumit, duke eleminuar kështu çdo arsyetim logjik. Natyrisht, kjo është në dëm të atyre që janë vërtet të shqetësuar dhe rrit konfuzionin, nga i cili Vuçiq del lehtësisht si shpëtimtar.

Mediat e kontrolluara rreptësisht i paraqesin publikut shkencëtarë të dyshimtë, duke përhapur frikë dhe dezinformata për minierën e litiumit, kështu që ekspertët racionalë dhe me reputacion nuk duan të marrin pjesë në një cirk të tillë. Kjo i ndan qytetarët e pakënaqur dhe radikalizon pozicionet e tyre, duke çuar në mosbesim reciprok. Kjo, nga ana tjetër, qetëson masat e pakënaqura.

Vuçiq ua paraqet Bashkimin Evropian votuesve pro-evropianë me zëdhënësin e Rio Tinto-s për të përforcuar disfatizmën e tyre. Për të tjerët, votuesit pro-rusë dhe nacionalistë, ai rrit urrejtjen përmes Rio Tinto-s kundër Perëndimit, duke i kthyer protestat në demonstrata anti-perëndimore që bëjnë thirrje për dhunë. Ai i qetëson votuesit e tij përmes korrupsionit dhe keqpërdorimit të burimeve publike, përmes ndarjeve buxhetore dhe përmes konfuzionit dhe frikës totale që ai kontrollon personalisht.

Bazuar në përvojat e mëparshme, kjo është një mundësi për Vuçiqin që të paraqitet si personi me zgjidhjen e vetme të mundshme, pasi opozita është përfshirë edhe një herë në një narrativë anti-perëndimore. Në pamundësi për të aksesuar një hapësirë ​​më të gjerë mediatike, opozita i përkushtohet votuesve që shprehin pakënaqësi në rrjetet sociale. E gjithë kjo çon në aktivitete pa ndonjë strategji apo plan. Kështu, opozita në mënyrë irracionale bëhet një zë jo vetëm kundër litiumit, por kundër tërë minierave në Serbi në përgjithësi, duke i lënë hapësirë ​​Vuçiqit për t’i manipuluar dhe trajtuar minatorët në Serbi si mbrojtës të interesave dhe punëve të tyre. Kështu, Vuçiç u tregon përsëri qeverive perëndimore se ai është i vetmi bashkëbisedues në Serbi, ndërkohë që manipulon njëkohësisht Perëndimin dhe qytetarët, duke përdorur krizat për të forcuar pavarësinë e tij dhe qëllimet e politikës së jashtme që ndjek.

Vuçiq ka dëshmuar se është mjeshtër i manipulimit dhe gënjeshtrës, duke përdorur çdo krizë për të siguruar kontrollin e tij dhe për të arritur qëllimet e tij politike, shpesh në kurriz të qytetarëve serbë ose sovranitetit dhe integritetit territorial të vendeve fqinje në rajon.

Çdo krizë deri më tani është menaxhuar në të njëjtën mënyrë, kështu që gjithçka tregon se me litiumin nuk do të jetë ndryshe.

Si i bëri sërish Vuçiqi kurth opozitës?

Vuçiqi e ka shfrytëzuar pakënaqësinë me minierat e litiumit, të shkaktuar fillimisht nga organizatat mjedisore, pas të cilave iu bashkuan partitë opozitare nga të dy skajet e spektrit politik, duke bashkuar edhe një herë të majtën dhe të djathtën nën të njëjtën politikë anti-Vuçiq. Dikush mund të mendojë se ky është një veprim politik vetëvrasës. Jo. Vuçiq e di shumë mirë se si ta shuajë skajin e mprehtë të pakënaqësisë publike duke u dhënë fillimisht hapësirë ​​aktivistëve mjedisorë “apolitikë” të profileve të dyshimta për të organizuar protesta. Duke i arrestuar dhe shtypur këta aktivistë mjedisorë, Vuçiq ndez zjarrin dhe krijon përshtypjen se është vërtet i shqetësuar për pushtetin e tij. Ky është kurthi. Kështu, Vuçiqi legjitimon fytyra të reja si udhëheqës protestash, që nuk kanë mbështjetjen e asnjë partie opozitare, d.m.th., që nuk kanë ndonjë kontroll real për të menaxhuar në mënyrë strategjike pakënaqësinë publike. Pastaj ai e lë opozitën të nxitojë për të shfrytëzuar pakënaqësinë qytetare në një përpjekje për të fituar pikë politike. Këto pikë nuk janë kurrë të thella, por ekskluzivisht sipërfaqësore dhe jetëshkurtra, sepse kjo mbështetje civile nuk shoqërohet me besnikëri ideologjike apo politike ndaj këtyre partive. Është thjesht pakënaqësi e bazuar në një çështje të vetme. Pastaj, krahas opozitës qytetare, zakonisht shfaqet edhe opozita anti-evropiane (pro-ruse). Këtu nuk ka sinergji; përkundrazi, shuma e lëvizjeve mjedisore, opozitës qytetare dhe opozitës antiperëndimore sjell një demotivim mes protestuesve dhe votuesve të opozitës. Së shpejti, qëndrimet e ndryshme politike çojnë në akuza të ndërsjella dhe përçarje brenda opozitës. E gjithë kjo është një formulë e provuar dështimi, sepse Vuçiq shpesh mbjell “anëtarë opozitarë” që sjellin një mosmarrëveshje të para-planifikuara.

Në fund, individët racionalë heqin dorë sepse aktivistët fillojnë ta ngrejnë temperaturën me dezinformata që emocionojnë publikun. E gjithë kjo duket si një supë e turbullt nga e cila herët a vonë, shumë do të kërkojnë të arratisen nga një tjetër dështim.

Nga një perspektivë e jashtshme, Evropa dhe rajoni e ndjekin nga afër pakënaqësinë e shkaktuar nga çështja e litiumit që ka filluar nga regjimi i Aleksandar Vuçiqit.

Shumë në Serbi besojnë se protestat kundër litiumit janë një mundësi për ndryshime demokratike në Serbi. Kjo është pjesa më e nderuar dhe në të njëjtën kohë më e dëshpëruar e rezistencës, e cila çdo krizë të deritanishme e sheh si një mundësi ndryshimi. Fatkeqësisht, siç kemi treguar në shembujt e mëparshëm, kjo nuk do të ndodhë.

Protestat kundër litiumit janë komunikuar në mënyrë perfekte si protesta kundër Aleksandar Vuçiqit. Kjo është e qartë. Vuçiq, me sa duket, me mjaft vetëdije u pozicionua kundër pakënaqësisë për nxjerrjen e litiumit. Pse? Duke vepruar kështu, ai ka marrë të gjithë barrën e pakënaqësisë publike në Serbi, e cila sheh gjithçka që ata kanë kritikuar për Vuçiqin dhe regjimin e tij gjatë 12 viteve të fundit në fushatën kundër litiumit. A do të thotë kjo se Vuçiq po paralajmëron funeralin e tij politik, apo se diçka tjetër është në lojë? Në fakt, është diçka tjetër. Është inxhinieria politike dhe unifikimi i opsioneve politike të papajtueshme që nuk kanë sinergji.

Cila është zgjidhja e mundshme për këtë dhe çdo krizë të ardhshme?

I njëjti model është përsëritur në çdo krizë të deritanishme. Vuçiqi e ka helmuar skenën politike në Serbi dhe ka imponuar narrativën se nuk ka askënd tjetër aq të denjë sa ta zëvendësojë atë dhe se Serbisë i duhen fytyra të reja në politikë. Ky është kurthi i parë i gëlltitur nga qytetarët serbë përmes “votave të bardha” në zgjedhjet e vitit 2012, dhe vazhdon deri në ditët e sotme. Ky është labirinti i Aleksandër Vuçiqit, në të cilin opozita është futur në një luftë dhe konflikt të brendshëm dymbëdhjetëvjeçar në kërkim të fytyrave të reja, nga të cilat ka dalë e copëtuar, e komprometuar dhe e dobësuar. Kjo është arsyeja pse ka një mosbesim kaq të madh ndaj vetë partive, të cilat gjithashtu kanë pasiguri dhe frikë për të drejtuar protesta sepse rrezikon pozicionin e tyre në publik. Prandaj, të gjithë i lënë aktivistët “apolitikë” të drejtojnë pakënaqësitë publike, dhe partitë vetëm ndonjëherë hyjnë anash me ndrojtje. Pikërisht këtë dëshiron Aleksandar Vuçiq. Kjo është receta për dështimin e çdo pakënaqësie dhe triumfimin e tij. Prandaj, partitë duhet të marrin një rol më aktiv dhe vendimtar në kanalizimin e pakënaqësisë dhe të profilizohen ideologjikisht, sepse një pakënaqësi e vetme nuk mund të bashkojë njerëz të profileve të ndryshme politike në një front, sepse një front i tillë nuk do të jetë afatgjatë. Është e nevojshme që partitë, në vend të aktivistëve, të formulojnë kërkesa në përputhje me ideologjinë dhe politikën e tyre dhe të udhëheqin luftën kundër regjimit. Kjo është rruga që çon në shërimin e skenës politike në Serbi dhe përforcimin e një opozite pro-evropiane si një alternativë e vërtetë ndaj regjimit të Vuçiqit.

Derisa opozita të rishqyrtojë dhe të rikuperohet nga disfatat e vazhdueshme, Vuçiqi do ta zëvendësojë gjithçka për të cilën është kritikuar deri më tani me kritikat ndaj litiumit. Pas një fitoreje tjetër, e cila është e sigurt nëse nuk ndryshon asgjë në strategjinë e opozitës, ai do të fokusohet si zakonisht në krijimin e krizës së radhës, sepse Vuçiq di të sundojë vetëm gjatë krizave.

Materialet e publikuara në rubrikën “Opinionet” pasqyrojnë mendimin personal të autorit dhe mund të mos përkojnë me qëndrimin e Qendrës

Balša Božović
Chair of the executive committee of the Regional Academy for Democratic Development (Serbia).