Zyra Kombëtare e Statistikave të Malit të Zi, Monstat, publikoi rezultatet e censusit të vitit 2023, një vit e gjysmë pas marrjes së të dhënave. Ndërsa disa të dhëna ishin publikuar më herët, rezultatet e pyetjeve lidhur me identitetin kombëtar, etnik, fenë dhe gjuhën u vonuan. Këto rezultate zbuluan një rënie të konsiderueshme në individët që identifikohen si malazezë, krahas një rritjeje të atyre që identifikoheshin si serbë. Shumë ia atribuojnë këtë prirje faktit se, që nga viti 2020, Mali i Zi është qeverisur nga shumica parlamentare e mbështetur pjesërisht nga Kisha Ortodokse Serbe dhe Serbia.
Në artikullin tim të mëparshëm të CWBS-së, diskutova rolin e Kishës Ortodokse Serbe në politikën malazeze. Rezultatet e censusit dëshmojnë më tej se si Kisha ka arritur të dominojë proceset politike dhe shoqërore në vend. Identiteti malazez është i rrethuar nga nacionalizmi serb, i cili i shikon malazezët si një nënetnicitet brenda etnosit më të madh serb. Kjo ideologji, që mirëpritet nga regjimi aktual në Beograd dhe Kisha Ortodokse Serbe, kërkon të minojë identitetin malazez nën pretendimin se po mbron identitetin serb.
Identiteti malazez ka qenë prej kohësh i shumëllojshëm, një temë e shumë debateve të studiuesve. Procesi i formimit dhe konsolidimit të tij është i mirë-dokumentuar si në literaturën popullore ashtu edhe në atë akademike. Megjithatë, ajo që shpesh anashkalohet është roli i shtetit serb dhe i kishës serbe në formësimin e tij. Në regjistrimin e vitit 1948, malazezët përbënin 90% të popullsisë së Malit të Zi. Deri në vitin 1981, ky numër kishte rënë në rreth 70%, ndërsa serbët përbënin vetëm 3%. Ringjallja nacionaliste serbe në fund të viteve 1980 e zvogëloi më tej identitetin malazez, me numrin e malazezëve që ra në 60% dhe serbëve u rrit në 10%. Një dekadë nën udhëheqjen e Sllobodan Millosheviqit pa identitetin malazez në 42%, ndërsa numri i serbëve u rrit në 32%.
Pasi Mali i Zi rifitoi pavarësinë e tij në vitin 2006, regjistrimi i vitit 2011 tregoi një përmbysje të kësaj tendence. Malazezët u rritën në 45%, ndërsa serbët ranë në 29%. Megjithatë, pas ndryshimeve politike të vitit 2020, regjistrimi më i fundit tregon se serbët janë rritur me 4% në 33%, dhe malazezët janë ulur me 4% në 41%.
Ky trend nuk kufizohet vetëm brenda Malit të Zi. Në të gjithë rajonin, numri i individëve që identifikohen si malazezë është në rënie. Në Serbi për shembull, popullsia malazeze ka rënë nga 140,000 në 1991 në më pak se 20,000 në 2021. Duke pasur parasysh se ka vetëm rreth 300,000 malazezë në mbarë botën, nuk është e tepërt të thuhet se kombi ynë i vogël po përballet me kërcënimin e zhdukjes.
Drejtuesi kryesor i këtij trendi është fushata etnocidale e zhvilluar nga nacionalizmi serb. Kisha Serbe në Mal të Zi promovon identitetin, gjuhën dhe mitologjinë kombëtare serbe. Malazezët shpesh hidhen poshtë nga kleri serb si “bastardë të ideologjisë komuniste”.
Këto ndryshime nuk janë të nxitura nga emigrimi; përkundrazi, ato pasqyrojnë një ndryshim në mënyrën se si po të njëjtët njerëz e identifikojnë veten nga censusi në census. Kisha Serbe dhe shteti serb kanë luajtur një rol kyç në formësimin e rezultateve të fundit të regjistrimit, të cilat presidenti serb Aleksandar Vuçiq i kremtoi së fundmi në një fjalim për Sgjencinë e Sigurisë dhe Inteligjencës së Serbisë (BIA).
Fraksioni më i madh i koalicionit qeverisës të Malit të Zi pas zgjedhjeve të vitit 2020, koalicioni “Për të Ardhmen e Malit të Zi”, gjatë fushatës e kishte selinë në “Shtëpinë Serbe” në Podgoricë. Kjo ndërtesë, e cila dominon horizontin modest të qytetit, u financua plotësisht nga qeveria serbe dhe në mënyrë të dukshme përkujton Presidentin Vuçiq në hyrje të saj. Ministri i qeverisë serbe Selakoviq, mori pjesë kur u hap në vitin 2019. Ky është vetëm një nga shembujt e investimit aktiv që bën Serbia në organizatat serbe në Mal të Zi.
Paradoksalisht, shumica e politikanëve dhe liderëve serbë në Mal të Zi nuk janë nga Serbia. Ata janë malazezë etnikë që pretendojnë se Mali i Zi është një shtet serb, jo një entitet i veçantë.
Nacionalizmi serb ka marrë vrull edhe në mediat malazeze. Tre nga katër stacionet më të mëdha televizive kombëtare janë në pronësi të kompanive serbe, dy prej të cilave kontrollohen nga të njohur të Vuçiqit. Gjatë vizitës së tij të fundit në Mal të Zi, Vuçiq u ndje mjaft si në shtëpinë e tij, duke fyer zyrtarët e qeverisë malazeze, gazetarët dhe shoqërinë civile, ndërsa intervistohej pikërisht nga këto media.
Që nga viti 2020, shumë energji është shpenzuar për të parandaluar elementët nacionalistë pro-rusë serbë që të marrin kontrollin mbi sektorët e sigurisë dhe mbrojtjes së Malit të Zi. Megjithatë, Kisha Serbe dhe lëvizjet nacionaliste e kanë kthyer vëmendjen te institucionet kulturore dhe arsimore të Malit të Zi. Një nacionalist serb pro-rus u emërua rektor i universitetit të vetëm shtetëror të vendit, ndërsa një tjetër aktivist i ekstremitit të djathtë u bë Ministër i Arsimit. Nëpërmjet sistemit arsimor shumë të centralizuar, ky ministër ka zëvendësuar shumë drejtorë shkollash me nacionalistë. Një nga rezultatet e këtij ndryshimi ka qenë një tendencë shqetësuese e festimeve të maturave të shkollës së mesme, ku 18-vjeçarët bëjnë shenja nacionaliste serbe dhe këndojnë këngë nacionaliste.
Organizatat nacionaliste serbe dhe ngjarjet kulturore janë përhapur në të gjithë Malin e Zi që nga viti 2020, duke krijuar një peizazh të ri kulturor të dominuar nga ndikimi serb. Aktorët dhe këngëtarët malazezë që e mbështesin këtë agjendë nacionaliste, kanë gjetur platforma dhe kanë patur sukses, jo vetëm në Serbi por edhe në Moskë. Kompanitë serbe gjithashtu kanë fituar terren në Mal të Zi, më së shumti MTEL, një kompani telekomi që është bërë një ofrues i madh i shërbimeve celulare, interneti dhe kabllore. MTEL e përdor buxhetin e saj të marketingut për të ushtruar ndikim politik, ndërsa ikona të tjera kulturore, si ylli i tenisit Novak Gjokoviç, përdoren për të lëkundur opinionin publik malazez në favor të Serbisë.
Synimet e kishës serbe dhe shtetit serb në Mal të Zi janë larg të qenit të realizuara. Ata kanë disa objektiva në axhendë për të konsoliduar më tej ndikimin e tyre në Mal të Zi. Kryetarja e Kuvendit të Malit të Zi po bën presion për ndërtimin e një kisheje serbe në Lovçen, një mal me shumë rëndësi në mitologjinë kombëtare malazeze. Përveç kësaj, ka një shtytje të fortë për liberalizimin e ligjeve të shtetësisë për t’u lejuar shtetasve serbë të marrin pasaporta malazeze. Ky veprim mund të ndryshojë në mënyrë dramatike peizazhin politik të Malit të Zi, duke çuar potencialisht në ndryshime kushtetuese që do ta përafronin akoma më shumë vendin me Serbinë.
Këto përpjekje, të kombinuara me përpjekjet e Serbisë për ta bllokuar rrugën drejt integrimit në BE të Malit të Zi, kanë krijuar një stuhi të përsosur që kërcënon pavarësinë afatgjatë të Malit të Zi. Nëse këto tendenca vazhdojnë, malazezët rrezikojnë të bëhen pakicë në vendin e tyre, me identitetin të zhytur në axhendën nacionaliste serbe dhe të shfrytëzuar për interesat e regjimit në Beograd. Kjo nuk do të ishte hera e parë – le të kujtojmë thjesht rolin e turpshëm që luajti Mali i Zi në luftërat e viteve 1990.
Materialet e publikuara në rubrikën “Opinionet” pasqyrojnë mendimin personal të autorit dhe mund të mos përkojnë me qëndrimin e Qendrës.
Ljubomir Filipoviq. Politolog malazez