Këtë vjeshtë, një frymë e re proteste ka përfshirë kryeqytetin e Shqipërisë, ndërsa opozita shqiptare ngre zërin kundër dënimit të ish-deputetit Ervin Salianji dhe qeverisë së Edi Ramës. Pa asnjë fjalim politik dhe një plan ende të panjohur, deputetët e Partisë Demokratike, të mbështetur nga dhjetëra qytetarë, kanë nisur një marshim të paprecedentë drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Por çfarë fshihet pas këtij veprimi të pazakontë të opozitës? Me rrugë të bllokuara dhe forca të shumta policie në terren, a mundet që këto ngjarje të shënojnë fillimin e një konfrontimi të ri politik në Shqipëri?
Nga salla e gjyqit në rrugët e Tiranës: Roli i Salianjit në protestat opozitare
I gjithë preteksti për këto protesta buron nga dënimi që Gjykata e Apelit i dha Ervin Salianjit, një ish-deputeti të Partisë Demokratike, i cili u dënua me 1 vit burg për veprën penale të “kallëzimit të rremë” për dosjen e çështjes “Babale”.
Dënimi i deputetit Ervin Salianji rrjedh nga një incident i vitit 2018, kur ai publikoi një audio incizim ku akuzonte vëllain e ish-Ministrit të Punëve të Brendshme Fatmir Xhafaj, Agron Xhafaj, për trafikim droge. Rasti i njohur si çështja “Babalja” kishte të bënte me dy regjistrime të publikuara nga Partia Demokratike, ku përgjimet pretendohej se ishin regjistruar fshehurazi nga Albert Veliu (pseudonimi “Babalja”), kunati i tij Alfred Alizoti dhe gazetari Jetmir Olldashi. Nëpërmjet këtyre regjistrimeve sekrete, Partia Demokratike kërkoi heqjen e Fatmir Xhafajt nga posti, me pretendimin se ai do t’i mbronte interesat e vëllait të tij të akuzuar, i cili gjithashtu lëvizte lirshëm nëpër Shqipëri megjithëse kishte ende 4 vite burg për të shërbyer në Itali.
E gjithë çështja u quajt dosja “Babalja”, pasi ky ishte pseudonimi me të cilin thirrej “trafikanti i panjohur i drogës”, që në të vërtetë ishte Albert Veliu. Audio-regjistrimi, pasi u sigurua nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, iu dërgua ekspertëve në Angli, të cilët dolën në përfundimin se regjistrimi nuk ishte autentik. Vendimit të ekspertëve iu shtua edhe dëshmia e Alizotit, pasi ai pranoi se kishte imituar zërin e vëllait të ministrit dhe se Salianji i kishte premtuar 200 mijë euro. Ai deklaroi se kishte vendosur të thoshte të vërtetën pasi bashkëpunëtori i tij, “Babalja”, nuk i kishte dhënë pjesën e premtuar të parave.
Përsa i përket Agron Xhafajt, i cili në inçizim u inkuadrua si trafikant droge, dëshmoi se e njihte personalisht Albert Veliun dhe i kishte dhënë para hua për shkak se Veliu luante bixhoz, por mohoi të kishte diskutuar me të për trafikim droge. Xhafaj pretendoi se akuzat e Partisë Demokratike kishin për qëllim dëmtimin e reputacionit të vëllait të tij si Ministër i Punëve të Brendshme. Ai gjithashtu e njohu zërin në audio-regjistrim si atë të Albert Veliut, i cili shpesh vizitonte kafenenë e tij, por mohoi çdo përfshirje në aktivitetet ilegale të sipërpërmendura.
Pas vendimit të Krimeve të Rënda, Prokuroria e Tiranës nisi procedimin penal pasi morën raportin e Agron Xhafajt, i cili u kthye te autoritet italiane për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit të tij të mëparshëm. Në fund, Fredi Alizoti u dënua me 2 vite burg, Ervin Salianji 1 vit për kallëzim të rremë, Albert Veliu me 3 vite e 6 muaj dhe gazetari Jetmir Olldashi me 100 orë punë në komunitet.
Edhe pse Salianji u dënua në vitin 2019, ai nuk e burgos menjëherë, pasi ishte nën hetim pa paraburgim. Tani, pas gjashtë vitesh, dënimi i tij me një vit burg do të zbatohet pasi t’i hiqet imuniteti parlamentar. Gjykata e Apelit tha se dënimi do të zbatohet, gjë që e ndezi Partinë Demokratike dhe rezultoi në protesta.
Zhvillimi dhe rrjedha e protestave antiqeveritare
Protestat e 7 Tetorit janë ato që kanë grumbulluar më shumë vëmendje, brenda dhe jashtë vendit. Mbështetësit e opozitës në Shqipëri dolën në rrugë, duke kërkuar që qeveria të tërhiqet dhe të zëvendësohet nga një qeveri e përkohshme, e cila do të mbikëqyrë zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Burgimi i Ervin Salanjit mund të ketë qenë preteksti për t’i nisur këto protesta, por opozita e udhëhequr nga Partia Demokratike, e ka akuzuar prej kohësh Partinë Socialiste të kryeministrit Edi Rama për korrupsion, manipulim të zgjedhjeve të mëparshme dhe minim të fuqisë së gjyqeve.
Partia Demokratike pretendon se burgosja e Salanjit është e motivuar politikisht. Salanji e quan veten “i burgosuri i parë politik në 34 vjet pluralizëm” dhe e ka apeluar dënimin e tij. Opozita ka kërkuar gjithashtu lirimin e kreut të tyre, Sali Berisha, i cili ndodhet në arrest shtëpiak për shkak se është nën hetim për korrupsion.
Protestat u intensifikuan më 7 tetor, kur disa qindra mbështetës të opozitës u mblodhën përpara godinave kryesore të qeverisë në Tiranë, duke brohoritur parulla si “Poshtë diktatura” dhe “Berisha, Berisha”. Demonstruesit u përleshën për një kohë të shkurtër me policinë, duke hedhur kokteje molotovi jashtë godinës kryesore të qeverisë dhe selisë së Partisë Socialiste, ku dogjën edhe një poster të kryeministrit Rama. Protestuesit më vonë shënjestruan Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Bashkinë e qytetit.
Jashtë parlamentit, situata u përshkallëzua më tej, me policinë që përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat. Disa qindra policë ishin vendosur për të mbrojtur institucionet qeveritare dhe trafiku ishte bllokuar në shumë pjesë të qendrës së Tiranës.
Sipas policisë, 10 oficerë u plagosën nga bomba molotov dhe sende të tjera të hedhura nga protestuesit. Disa demonstrues u prekën nga gazi lotsjellës, dhe disa u dërguan në spital për trajtim, siç raportohet nga mediat lokale.
Një kërcënim i vërtetë për qeverisjen e Edi Ramës? Analizimi i Protestave.
Që nga marrja e detyrës në vitin 2013, Edi Rama ka qenë kryeministri i Shqipërisë. Kushtetuta shqiptare nuk thotë se sa mandate mund të kryejë kryeministri, duke ngritur shqetësime për shqiptarët, vëzhguesit ndërkombëtarë dhe veçanërisht Partinë Demokratike. Mungesa e këtij kufizimi i ka lejuar Ramës ta zgjasë mandatin e tij, duke nxitur kritika nga ata që mbrojnë parimet demokratike dhe rotacionin e lidershipit. Disa kritikë thonë se kjo është vetëm një formë tjetër e së njejtës qeverisje totalitare nën të cilën ndodhej Shqipëria komuniste.
Partia Demokratike, si forca kryesore e opozitës, ka kundërshtuar vazhdimisht qëndrimin e zgjatur të Ramës në pushtet, duke përdorur strategji të ndryshme për të sfiduar administratën e tij, disa nga këto kontroversiale. Ekziston një shkëputje midis qëllimit përfundimtar për t’i vënë kapakun pushtetit dhe ndikimit të Ramës, që është një këndvështrim mjaft i zakonshëm i popullatës shqiptare, dhe arritjes së këtij qëllimi përmes protestës për lirimin e Ervin Salianjit, të cilin shumë besojnë se është fajtor.
Më 21 tetor, Ilir Meta, ish-presidenti i Shqipërisë, kreu i Partisë së Lirisë dhe një nga figurat kryesore politike në protestat opozitare, sapo është arrestuar për korrupsion nga SPAK. Për të njëjtat krime akuzohet edhe bashkëshortja e tij, deputete dhe ish-kryetare e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi. SPAK komenton se të dy individët dyshohen për veprat penale “refuzim deklarimi, mosdeklarim, fshehje dhe deklarim i rremë i pasurisë”.
Policia përdori forcë ndaj Metës pasi ai nuk pranoi të dilte nga makina dhe filloi t’i fyejë oficerët dhe zyrtarët e drejtësisë. Partia e Lirisë së Metës më parë ishte e lidhur ngushtë me Partinë Socialiste të Kryeministrit Edi Rama. Megjithatë, patën mosmarrëveshje dhe Meta u bë një kritik i fortë i Ramës dhe doli në krye të protestave opozitare. Dhe tani që ai është arrestuar, kjo e zbeh më tej shpresën për efektivitetin e protestave.
Pavarësisht këtyre përpjekjeve, protestat e fundit kundër qeverisë së Ramës po fillojnë të harrohen nga kujtesa e publikut që tani. Protestat e 7 tetorit ishin ato që e rrëmbyen më shumë vëmendjen e publikut, pot deri tani nuk kanë mundur t’i ripridhojnë akoma rezultatet e saj. Nuk kanë gjasa të arrijnë të detyrojnë krijimin e një qeverie të përkohshme përpara zgjedhjeve të planifikuara parlamentare. Kjo situatë pasqyron një zhgënjim më të gjerë të disa shqiptarëve në lidhje me stagnimin politik dhe qeverisjen demokratike.
Debatet e vazhdueshme mbi lidershipin dhe qeverisjen në Shqipëri nënvizojnë sfidat e stabilitetit politik kundrejt rinovimit demokratik. Kjo është një dilemë me të cilën përballen shumë demokraci në zhvillim, por në Shqipëri, fatkeqësisht është kthyer në një çështje që nuk ka akoma zgjidhje.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara i kishte këshilluar qytetarët që të shmangnin protestën, duke theksuar shqetësimet për trazira të mundshme. Si SHBA-ja, ashtu edhe Bashkimi Evropian i kanë kërkuar opozitës që të angazhohet në dialog me qeverinë, në vend të protestave të dhunshme.
Sa më të dhunshme të jenë protestat, aq më keq reflektojnë ato për Shqipërinë si kandidate të BE-së dhe si vend demokratik. Megjithëse BE-ja nuk ka komentuar shumë për protestat, nënkuptohet se Shqipëria duhet të tregohet e aftë për t’i zgjidhur trazirat civile dhe protestat opozitare përmes respektimit të normave demokratike.