Një kurth për Vuçiqin

Një kurth për Vuçiqin

Përpjekjet e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për të ruajtur ekuilibrin ekzistues mes Perëndimit dhe Lindjes nuk kanë qenë kurrë më dramatike se në ditët e fundit. Pas ftesës publike nga Vladimir Putin në samitin e BRICS në Kazan, lideri serb po bën një përpjekje herkuliane që të vazhdojë të ruajë ekuilibrin “Lindje-Perëndim”, që e preferon kaq shumë përsa i përket politikës së jashtme. Por sa më shumë zgjat kjo lojë, aq më shumë lindin dyshimet nëse ai do të jetë në gjendje të ketë sukses këtë herë.

Ftesa

Tema e afrimit të Serbisë me shtetet e BRICS u bë veçanërisht e rëndësishme vitin e kaluar. Në atë kohë, shumë komente dhe këndvështrime u lëshuan për këtë temë, si në Beograd ashtu edhe në Moskë, duke përfshirë ato që e kundërshtonin haptazi. Në fund të vitit të kaluar, megjithatë, situata nuk ishte shumë shpresëdhënëse, pasi Serbia nuk aplikoi për t’u bashkuar me organizatën dhe as nuk dërgoi përfaqësuesit e saj në samitin e BRICS në Johanesburg në gusht të viti 2023.

Këtë vit, Rusia, aktualisht kryesuese e BRICS, vendosi t’i rregullojë gjërat.

Gjatë një takimi me zëvendëskryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vulin, në margjinat e Forumit Ekonomiku Lindor, në fillim të shtatorit, Putin i bëri një ftesë Vuçiqit, të cilën mediat ruse e quajtën “historike”. “Përcillni përshëndetjet e mia Presidentit Vuçiq. Ne e presim atë në kuadër të takimit të liderëve të BRICS në Kazan, në formatin “BRICS outreach”. Ne i dërguam një ftesë. Shpresoj që zoti President ta pranojë”, tha presidenti rus.

Fillimisht, Vuçiq u përgjigj mjaft paqartë, duke theksuar se kishte planifikuar takime me mysafirë të huaj dhe negociata në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Disa media e morën këtë si nënçmim.

Megjithatë, presidenti serb më vonë ka sqaruar qëndrimin e tij.

“Disa thanë se kam refuzuar diçka, dhe disa – se kam pranuar diçka. Ata kanë gënjyer njëri-tjetrin gjatë gjithë ditës. Unë thashë, do të shohim. Unë thashë se ishin planifikuar vizita, dhe pas kësaj thashë do të shohim. Do të vendosim për këtë më 10 apo 15 tetor, jo më herët”, u tha Vuçiq gazetarëve. Samiti i BRICS në Kazan është planifikuar për 22-24 tetor.

Fushatës shpjeguese iu bashkua edhe zëvendëskryeministri Vulin, i cili deklaroi se presidenti Vuçiq nuk e kishte refuzuar ftesën e Presidentit Putin për të marrë pjesë në takimin e BRICS. “Nëse do të shkojë apo jo, do të vendoset në bisedën telefonike të planifikuar tashmë me Putinin”, tha ai.

Prandaj, Beogradi e shtyu zgjidhjen e çështjes së komplikuar, por brenda një muaji, Vuçiqi do të duhet të vendosë – me sa duket në Moskë.

Megjithatë, tashmë është e mundur të parashikohet se çdo vendim i presidentit serb në lidhje me një udhëtim në Kazan do të ketë implikime negative në kontekstin e politikës së jashtme.

As po, as jo

Nëse Vuçiqi vendos të marrë pjesë në samitin e BRICS, do të jetë një shënues i qartë se Serbia po prioritizon marrëdhëniet me Rusinë dhe vektorin lindor të politikës së jashtme. BE-ja, e cila kohët e fundit ka nxjerrë deklarata që dënojnë disa kontakte mes zyrtarëve të lartë serbë dhe rusë, do të përgjigjet në një mënyrë ose në një tjetër, dhe jo vetëm me fjalë. Konkluzione negative për Beogradin do të nxjerrin jo vetëm në Bruksel, por edhe në Berlin, Paris, Uashington.

Nëse Vuçiq e anashkalon ngjarjen në Kazan – qoftë duke refuzuar haptazi të vijë, duke e “zgjatur” festën e çlirimit të Beogradit për disa ditë, duke “nuk ia dalë dot”, ose duke u prekur papritur nga gripi, siç parashikojnë disa ekspertë – pasojat janë shumë të dukshme që tani. Vladimir Putini tashmë ka “lënë të kuptohet” qartë se cilat do të jenë ato.

Kur presidenti rus i përcolli ftesën e tij homologut të tij serb, ai vuri në dukje se “Rusia luan një rol të rëndësishëm në furnizimin me energji të Serbisë”, me anë të marrëveshjeve ku “Serbia përfiton nga kushte shumë të favorshme”. Megjithatë, rikujtoi ai, kontratat e furnizimit me gaz serbo-rus skadojnë në mars të vitit 2025.

Aluzioni është më se i qartë – nëse udhëheqja serbe e shpërfill ftesën e liderit rus, kontratat e furnizimit me gaz do të ndryshojnë për keq. Kjo do të krijojë probleme jo vetëm ekonomike, por edhe socio-politike për Serbinë.

Gazeta Vzglyad, që në Serbi njihet se bashkëpunon me Kremlinin, përshkruan “jo”-në e mundshme të Vuçiqit dhe pasojat e saj si më poshtë:

“Nëse ai (Vuçiq – red.) e refuzon ftesën tani, një grindje është e pashmangshme dhe nuk do të jetë mes Moskës dhe Beogradit, por brendapërbrenda Serbisë. Çmimet e gazit, marrëdhëniet me Rusinë, ndihma e Kinës, samiti që përfshin një të tretën e globit – kjo është aq kritike sa serbët duhet ta kritikojnë Vuçiqin që po rrezikon kaq shumë.”

Domethënë, sinjali i Moskës për Beogradin është i qartë – nëse presidenti serb vendos të mos e pranojë ftesën e Putinit, ai do të përballet me probleme, jo vetëm me Rusinë, jo vetëm me vendet e BRICS, por, para së gjithash, brenda vendit.

Anketa e paguar

Në Moskë, me sa duket, zyrtarët besojnë se një pjesë e konsiderueshme e serbëve janë në favor të afrimit me Rusinë dhe vendet e BRICS, dhe jo me BE-në apo Perëndimin në përgjithësi.

Por mbi çfarë bazohet ky besim?

Së pari, ka vërtet forca politike në Serbi që promovojnë idenë e anëtarësimit të vendit në BRICS.

Për shembull, në gusht të vitit 2023, dy ligjvënës të atëhershëm të Lëvizjes Socialiste të themeluar nga Aleksandar Vulin paraqitën në Parlament një projekt-rezolutë për pranimin e Serbisë në BRICS. Drafti thekson se politika e jashtme e Perëndimit kolektiv shpesh bie ndesh me “interesat jetike, shtetërore dhe kombëtare” të Serbisë, ndërsa “e ashtuquajtura rruga evropiane e Serbisë sheh një alternativë të munshme me BRICS si procesi më i rëndësishëm i integrimit ekonomik dhe politik global”. Megjithatë, theksohet se fillimi i procesit të anëtarësimit në BRICS nuk nënkupton fundin e integrimit evropian.

Sipas projekt-rezolutës, vendimin përfundimtar për anëtarësimin e Serbisë në BRICS duhet ta marrin qytetarët me referendum.

Mbështetja në opinionin publik është padyshim një komponent i planit të përgjithshëm propagantistik për ta “shtyrë” udhëheqjen e Serbisë, veçanërisht Vuçiqin, që të marrë një vendim pozitiv për anëtarësimin në BRICS.

Menjëherë pas depozitimit të projekt-rezolutës në parlament, u publikua një sondazh nga Opinion i Ri Politik Serb, NSPM, që tregon se serbët janë më shumë në favor të afrimit me BRICS sesa anëtarësimit në BE.

Sipas hulumtimit të NSPM-së, në pyetjen “A e përkrahni anëtarësimin e Serbisë në BE?” 20,8% e të anketuarve thanë “po, plotësisht”, 20,9% – “më tepër po sesa jo”, dhe në pyetjen “A e mbështesni forcimin e lidhjeve me vendet e BRICS (Rusi, Kinë, Indi dhe Brazil…)? 38.3% thanë “po, plotësisht” dhe 33,1% – “më tepër po se jo”. (Periudha e hulumtimit: 20-28 shtator, 2023, rajoni: Serbia pa KiM, metoda – anketë telefonike, numri i të anketuarve: 1,100).

Sondazhe të ngjashme që mbuluan1000 të anketuar u zhvilluan në shkurt dhe maj të vitit 2024. Duke publikuar rezultatet e sondazhit në qershor, gazeta Opinion i Ri Politik Serb tha se anketimi ishte kërkuar nga RT Balkan, dega ballkanike e agjencisë mediatike ruse, e sanksionuar nga BE-ja.

Sondazhi i RT Balkan tha se 45.4% e të anketuarve janë pozitivë se rruga evropiane nuk mund të ndërpritet dhe se integrimi evropian nuk duhet të braktiset. Kur u pyetën nëse besojnë se BRICS, i udhëhequr nga Rusia dhe Kina, mund të shërbejë si mbështetje e politikës së jashtme për Serbinë në vend të BE-së, 46.6% e të anketuarve janë përgjigjur pozitivisht.

Këto sondazhe janë një tjetër faktor besimi që rusët kanë se serbët nuk do të heqin dorë nga bashkëpunimi me BRICS ose ngushtimi i marrëdhënieve me Rusinë.

Fakti që anketimet janë të dyshimtë për sa i përket objektivitetit nuk ka rëndësi për ata që e kanë kërkuar kompletimin e tyre. Bazuar në të dhënat e nxjerra nga sondazhe të tilla, lobistët e BRICS ka të ngjarë të përpiqen të bindin ekspertët, politikanët dhe udhëheqësit e vendit se vektori i politikës së jashtme lindore është kritik nga pikëpamja e opinionit publik, pra pasi “shumë qytetarë mbështesin afrimin me BRICS”, autoritetet “nuk mund ta shpërfillin këtë kërkesë publike”.

***

Duket se Moska ka vendosur të ushtrojë presion mbi Beogradin në mënyra të ndryshme, duke e detyruar udhëheqjen serbe të zgjedhë mes Lindjes dhe Perëndimit. Vuçiq ka të ngjarë të besojë se akti i tij balancues politik do të vazhdojë të jetë i suksesshëm, por duket se doktrina e tij politike e “uljes në dy karrige” ka shteruar.