Përmbledhje e Ballkanit Perëndimor 14.10.2024 – CWBS

Përmbledhje e Ballkanit Perëndimor 14.10.2024 – CWBS
  • Pesë vende të Ballkanit Perëndimor do të marrin fonde nga BE sipas Planit të Rritjes

Komisioni i BE-së IPA (Instrumentet e Para-Aksesimit) miratoi programet e reformave të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë.

Programet e reformave në vendet e Ballkanit Perëndimor janë një parakusht për marrjen e fondeve sipas Instrumentit të ri të Reformës dhe Rritjes prej 6 miliardë eurosh, i njohur si Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor. I miratuar në fillim të majit nga Këshilli i BE-së, Plani synon të mbështesë vendet anembanë rajonit në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE.

Pritet që më 16 tetor, Komisioni Evropian të miratojë vendimin përfundimtar për kryerjen e pagesave në kuadër të Planit të Rritjes dhe në këtë mënyrë të jetë gati të bëjë pagesat e para nga paketa në dispozicion të këtyre vendeve.

I vetmi vend në rajon që ende nuk ka marrë miratimin e programit të reformës është Bosnja dhe Hercegovina, pasi dokumenti që ky vend depozitoi në BE rezultoi i paplotë dhe nuk mori parasysh të gjitha propozimet e bëra nga Komisioni Evropian.

  • Në samitin e Procesit të Berlinit u nënshkrua plani i ri i veprimit për tregun e brendshëm rajonal

Krerët e qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi si dhe Bosnja dhe Hercegovina – nënshkruan në Samitin e Procesit të Berlinit një plan të ri veprimi për tregun e brendshëm rajonal për periudhën nga viti 2025 deri në 2028, si dhe një marrëveshje të re për mobilitetin, e cila siguron akses në arsimin e lartë.

Samiti u mbajt në Berlin nën udhëheqjen e kancelarit gjerman Olaf Scholz.

Plani i ri i Veprimit për Tregun e Brendshëm Rajonal është pjesë integrale e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Krahas forcimit të bashkëpunimit në rajon, ky plan duhet të bëhet një trampolinë për integrim më të gjerë me tregun e brendshëm të BE-së.

  • Kosova u jep dritën jeshile për udhëtimin pa viza qytetarëve të Bosnje e Hercegovinës

Nga 1 janari 2025, Kosova në mënyrë të njëanshme do të lejojë hyrjen e lirë në vend për mbajtësit e kartave të identitetit nga Bosnja dhe Hercegovina, pavarësisht refuzimit të Republikës Srpska për të ratifikuar Marrëveshjen e Lëvizshmërisë për lëvizjen e lirë.

Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë samitit të Procesit të Berlinit.

Marrëveshja për lirinë e lëvizjes ndërmjet gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor u nënshkrua në vitin 2022 si pjesë e procesit të Berlinit. Por Republika Srpska, e cila do të mbështesë qëndrimin e Serbisë për mosnjohjen e Kosovës, po bllokon vendimin për lëvizjen e lirë të mbajtësve të kartave të indentitetit kosovare.

  • Kosova do të përfaqësohet drejtpërdrejt në marrëveshjen tregtare të CEFTA-s

Në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), Kosova tash e tutje do të përfaqësohet drejtpërdrejt nga institucionet e saj, jo nga UNMIK-u që është misioni i OKB-së në Kosovë. Vendimi është marrë më 10 tetor në Komitetin e Përbashkët të CEFTA-s, i cili këtë vit kryesohet nga Serbia.

UNMIK-u filloi të përfaqësojë Kosovën në CEFTA në vitin 2007, kur Prishtina iu bashkua marrëveshjes, pra një vit para shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Megjithatë, Kosova do të referohet në dokumentet e CEFTA-s me një yll për të shënuar statusin e saj të pezulluar.

Vendimi për përfaqësimin e Kosovës në CEFTA u mor pasi Kosova hoqi ndalimin e importeve nga Serbia.

  • Bllokimi i punës së parlamentit të Bosnje e Hercegovinës ngadalëson integrimin evropian të vendit

Përfaqësuesit e boshnjakëve në Dhomën e Popullit të Parlamentit të Bosnjë-Hercegovinës e anashkaluan edhe një herë mbledhjen e 8 tetorit, duke krijuar kështu një situatë pa kuorum (nuk kishte mjaftueshëm pjesmarrës). Një grup ligjvënësish boshnjakë kanë bllokuar punën në një prej dhomat e parlamentit të BiH që nga marsi.

Boshnjakët protestojnë kundër shqyrtimit të projektligjit për Gjykatën Kushtetuese të BiH-së, i cili do të përjashtonte gjyqtarët e huaj dhe në fakt do të fuste votimin sipas përkatësisë etnike në vendimmarrje.

Ky ligj është paraqitur nga një deputet i Partisë Demokratike Serbe (SDS).

Deputetët boshnjakë besojnë se projektligji është një sulm ndaj rendit kushtetues të vendit. “Ne kërkojmë që ky projekt-ligj të hiqet nga rendi i ditës,” tha Kemal Ademovic, kreu i fraksionit boshnjak, më 8 tetor.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Sarajevë kritikoi ashpër qëndrimin e fraksionit boshnjak. Diplomatët theksuan se ligji mbi Gjykatën Kushtetuese të BiH nuk ka asnjë shans të miratohet pasi nuk do të sigurojë shumicën e nevojshme në parlamentin e BiH, kështu që përfaqësuesit boshnjakë kanë bllokuar Dhomën e Popullit për të fituar pikë politike. Deklarata e ambasadës theksoi se mashtrimi cinik nga fraksioni boshnjak po pengon punën normale legjislative në një kohë kur BiH ka një axhendë të madhe reformash legjislative të lidhur me BE-në, të cilën duhet t’i trajtojë.

Në mars, Bosnja dhe Hercegovina mori pëlqimin nga Këshilli Evropian për të nisur negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por me kusht që para kësaj të miratoheshin disa ligje të tjera reformuese. Që atëherë, parlamenti është bllokuar dhe asgjë nuk është bërë. Prandaj, fillimi i procesit të negociatave me BE-në është në rrezik.

  • Miratohet deklarata e Dubrovnikut në samitin “Ukrainë-Evropa Juglindore”.

Pjesëmarrësit e samitit dënuan agresionin rus kundër Ukrainës, duke e cilësuar atë si një “kërcënim të madh për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e Evropës Juglindore, të gjithë kontinentit evropian dhe botës në përgjithësi”, dhe deklaruan mbështetjen e tyre për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

Deklarata thekson rëndësinë e respektimit të politikës së sanksioneve të BE-së për Rusinë dhe nevojën për “koherencë” mes politikave të kombeve kur bëjmë fjalë për vendimet e marra në kuadër të Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së.

Pjesëmarrësit riafirmuan mbështetjen për integrimin evropian të partnerëve në Evropën Juglindore, Ukrainë, Moldavi dhe Gjeorgji dhe dhanë pëlqimin për faktin që NATO konfirmoi mbështetjen për Ukrainën në rrugën e saj drejt integrimit të plotë euroatlantik.

Deklarata shpreh gjithashtu vendosmërinë për të sjellë para drejtësisë ata që janë përgjegjës për krimet e kryera gjatë agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.

Deklarata u nënshkrua nga kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq dhe ai i Ukrainës, Volodimir Zelenski, nënkryetarja e Komisionit Evropian Dubravka Sujka, si dhe nga presidentët e Kosovës, Serbisë, Sllovenisë dhe Malit të Zi, kryeministri i Shqipërisë, Bullgarisë, Greqisë, Maqedonisë së Veriut, Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës, Ministrat e Jashtëm të Moldavisë, Rumanisë dhe Turqisë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pohuar se ka arritur të heqë nga deklarata disa klauzola që kishin të bënin me dhënien e obliguar të ndihmës ushtarake për Ukrainën.

Megjithatë, sipas analistëve, ka shumë të ngjarë që deklarata e Vuçiqit ishte thjesht një veprim PR që synonte tërheqjen e vëmendjes së audiencës së Moskës.

  • Turqia zgjeron bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes me Shqipërinë dhe Serbinë

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe Presidenti i Turjey, Rexhep Taip Erdogani, nënshkruan më 10 tetor në Tiranë një deklaratë të përbashkët për thellimin e partneritetit strategjik dhe tre marrëveshje bashkëpunimi – në fushën e arsimit të lartë, bujqësisë, si dhe marrëdhënieve me publikun dhe median. Gjithashtu, gjatë vizitës së presidentit turk, në Tiranë u hap xhamia më e madhe në rajon, e ndërtuar me mbështetjen e palës turke.

Erdogan dhe Rama diskutuan edhe çështje që lidhen me industrinë e mbrojtjes. Sipas kryeministrit shqiptar, Turqia po transferon në Shqipëri disa dronë kamikaze.

***

Presidentët e Serbisë dhe Turqisë, Aleksandar Vuçiq dhe Rexhep Tajip Erdogan, kanë njoftuar më 11 tetor në Beograd se do të forcojnë bashkëpunimin në fusha të ndryshme, veçanërisht në fushën e industrisë së mbrojtjes.

“Ka një potencial të madh për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes”, theksoi Erdogani.

“Është e rëndësishme të vendosen marrëdhënie shumë më të ngushta bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, të krijohet një ekip që do të punojë drejt kësaj”, tha Vuçiq pas bisedës me Erdoganin. “Industria turke e mbrojtjes është shumë më e fortë se e jona, por pa u shtirur si modest, as Serbia nuk mund të injorohet në këtë aspekt,” vuri në dukje ai, duke shtuar se Serbia kohët e fundit kishte zgjatur lejet e Turqisë dhe kishte eksportuar “sasi të mëdha municionesh”.

Një nga temat kryesore të bisedimeve mes Vuçiqit dhe Erdoganit ishte bashkëpunimi ekonomik.

Presidenti turk i cilësoi marrëdhëniet mes dy vendeve si një “epokë të artë”. Gjatë dy viteve të fundit, qarkullimi tregtar ka arritur në 2 miliardë dollarë, tha Erdogan. “Investimet që kemi në Serbi i tejkalojnë 400 milionë dollarët”, shtoi presidenti turk.

Gjatë vizitës, Turqia dhe Serbia nënshkruan 11 marrëveshje që forcojnë bashkëpunimin në një sërë fushash, nga tregtia deri te ndihma në fatkeqësi.

***

Vizita e Erdoganit në Shqipëri dhe Serbi tregoi se Ballkani Perëndimor mbetet një prioritet në politikën e jashtme të Ankarasë dhe se Turqia është një nga aktorët kryesorë në rajon.

Gjithashtu, pas vizitës së suksesshme të presidentit izraelit në Tiranë një muaj më parë, ishte e rëndësishme që lidershipi turk të ndërmerrte hapa për t’i mbajtur Shqipërinë dhe Serbinë mes aleatëve të saj gjeopolitikë.

  • Prishtina kërkon rivendosjen e zonës së sigurisë në kufirin me Serbinë. KFOR-i e kundërshton.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të rivendosen zonat e sigurisë tokësore dhe ajrore në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, përkatësisht 5 km dhe 25 km të gjera.

Kurti tha se Serbia po abuzon me eleminimin e zonës së sigurisë duke vendosur trupa shtesë në zonën kufitare.

Pak ditë pas thirrjes së tij, Kurti postoi në Facebook disa foto të ushtarëve serbë që pretendonte se ndodheshin 50 metra nga kufiri me Kosovën.

Në të njëjtën kohë, Ministria e Mbrojtjes së Serbisë e hodhi poshtë deklaratën e Kurtit si dezinformatë. Siç theksoi ministria, ushtria serbe ndodhej në zonën kufitare sepse duhej të parandalonin eksportin ilegal të lëndëve drusore në Kosovë.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, është përgjegjës për sigurinë e kufijve të Kosovës me Serbinë.

Duke u dhënë komente gazetarëve mbi mundësinë e rivendosjes së zonës së sigurisë, KFOR-i tha se nuk e shohin këtë si një mundësi reale.

  • Zhvillohet Samiti i Procesit Brdo-Brijuni në Tivat

Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa vendet e Ballkanit Perëndimor – ky është mesazhi i përbashkët i presidentëve të vendeve të rajonit, pjesëmarrës në samitin Brdo-Brijuni, i cili u zhvillua më 8 tetor në Tivat të Malit të Zi.

Pjesëmarrësit theksuan se zgjerimi i Bashkimit Evropian që do të përfshijë vende nga Ballkani Perëndimor, aq më tepër sot, është një imperativë gjeopolitike. Gjithashtu u theksua se është jashtëzakonisht e rëndësishme të ruhen marrëdhënie të mira fqinjësore.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq nuk ishte i pranishëm në pjesën plenare të samitit, megjithëse më vonë iu bashkua pjesëmarrësve, duke theksuar se donte të takonte presidentin malazez Jakov Milatoviq, i cili dikur mori pjesë në samitin e Ballkanit të Hapur në Beograd me kërkesë të Vuçiqit.

Procesi Brdo-Brijuni është një nismë slloveno-kroate e nisur në vitin 2010 me synimin për të krijuar besim dhe për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian. Megjithatë, siç vërejnë vëzhguesit, në vitet e fundit nisma ka qenë më shumë si një klub diskutimi rajonal sesa një mjet praktik për integrimin evropian të rajonit.

  • Hapin dyert qendrat e azilit të emigrantëve në Shqipëri, të ngritura nga Italia

Objektet ndodhen në qytetet Shëngjin dhe Gjadër në bashkinë e Lezhës në veriperëndim të Shqipërisë, por mbeten nën juridiksionin italian dhe do të menaxhohen nga Italia. Pala shqiptare do të merret me sigurinë e jashtme.

Qendrat do të funksionojnë sipas një marrëveshjeje pesëvjeçare të nënshkruar nëntorin e kaluar nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe homologu i saj shqiptar, Edi Rama. Marrëveshja u përshëndet nga presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen si një shembull i “të menduarit jashtë kutisë” në trajtimin e emigracionit në Bashkimin Evropian, por u kritikua nga grupet e të drejtave njerëzore si një precedent i rrezikshëm.

Është planifikuar që deri në 3,000 emigrantë të kapur nga rojet bregdetare italiane në ujërat ndërkombëtare çdo muaj, fillimisht do të kontrollohen në anijet e shpëtimit përpara se të dërgohen në Shqipëri për kontroll të mëtejshëm.

Azilkërkuesit, aplikimet e të cilëve janë pranuar, do të transferohen në Itali me leje qëndrimi. Ata që marrin një refuzim do të riatdhesohen duke përdorur me shpenzimet e Italisë.

Funksionimi i dy qendrave të azilit për emigrantët në Shqipëri për një periudhë pesëvjeçare do t’i kushtojë Italisë 670 milionë euro.