Përse është Ballkani Perëndimor hallka më e dobët e Evropës? (Pjesa 1) – Balsha Bozhoviq

M.A. / ATA Images / PIXSELL
M.A. / ATA Images / PIXSELL

Lufta ka filluar. Evropa është në luftë. Kushdo që jeton në kontinentin e vjetër duhet të jetë i vetëdijshëm se fakti që Avdiivka nuk është brenda kufijve të Bashkimit Evropian nuk do të thotë se ai nuk është një qytet evropian, dhe zjarri nga oborri i shtëpisë së Evropës mund të përhapet lehtësisht sipër shkallëve të Bashkimit Evropian. Evropa është nën sulm. Rusia është agresori. Ukraina po mbron jetën e rehatshme dhe të sigurtë të qytetarëve evropianë, vlerat, kulturën dhe ekonominë e tyre. Pse duhet të theksohet kjo? Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe e shmangin paraqitjen e situatës si të rrezikshme për hir të qytetarëve të tyre, siç është në të vërtetë. Narrativa që përmend luftën si diçka që po ndodh larg jetës sonë të përditshme vetëm e inkurajon agresorin, regjimin diktatorial të Putinit, të vazhdojë të shtypë pamëshirshëm qytetet ukrainase, të vrasë njerëz të pafajshëm dhe të shkatërrojë të ardhmen e vendit më të madh në Evropë.

Për më tepër, është e rëndësishme për shkak të vëmendjes së pamjaftueshme që opinioni publik evropian i kushton pikave të tjera potencialisht të rrezikshme, si në Gjeorgji, Moldavi dhe Ballkanin Perëndimor. Në kontekstin e përhapjes së zjarrit nëpër oborrin e pasmë të Evropës, për këto tre pika të mundshme konflikti flitet sikur të jenë në periferitë më të largëta të Evropës, sesa kërcënime të reja që mund ta dobësojnë mbrojtjen e përbashkët evropiane në luftën me Rusinë.

Në këtë tekst, unë do t’i kushtoj vëmendje të veçantë Ballkanit Perëndimor, sepse ajo që ka Gjeorgjia – qindra mijëra njerëz në rrugë që e kundërshtojnë politikën pro-ruse, duke mbajtur flamurin e Bashkimit Evropian si simbol vlerash, me më shumë venosmëri se çdo shtet anëtar i BE-së – Ballkani Perëndimor nuk ka. Atë që ka Moldavia – një elitë e vendosur politike e gatshme për të dalë kundër politikës agresive imperialiste ruse së bashku me Presidenten Maia Sandu – Ballkani Perëndimor nuk e ka, përveçse në Kosovë.

Në Ballkani Perëndimor nuk shfaqet asnjë shenjë e tillë rezistence nëpër rrugë dhe më e rëndësishmja, asnjë shenjë rezistence nga majat politike të shtetit më të fuqishëm dhe më të madh të Ballkanit Perëndimor, Serbisë. Ne te kunderten. Serbia ka një popullsi të barabartë me pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor të marrë së bashku. Ajo ka një industri ushtarake dhe ushtri ekuivalente me pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor të marrë së bashku. Dhe gjëja më katastrofike për paqen në rajon, ajo ka një elitë politike pro-ruse si në qeveri ashtu edhe në opozitë, e cila, së bashku me elitat e tjera si intelektuale dhe financiare, nuk është zëvendësuar apo dënuar kurrë për luftërat dhe krimet. Serbia dhe lidershipi i saj u angazhuan në Slloveni, Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kosovë. Serbia gjithashtu ka një kishë ortodokse serbe të pasur dhe të mirëorganizuar që haptazi nuk njeh asnjë kufi në rajon dhe mohon identitetin e pothuajse të gjithë fqinjëve të saj.

Thelbi i marrëdhënieve në rajonin e Ballkanit Perëndimor zbret në marrëdhënien që ka imperializmi serb ose nacionalizmi serbo-madh ndaj shteteve fqinje të Serbisë: Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Kosovës. Këto janë shtetet që paraqesin prenë më të madhe të nacionalizmit serb, prandaj ai përpiqet t’i bëjë këto shtete jofunksionale nga brenda, për të penguar përpjekjet e tyre drejt anëtarësimit në BE apo NATO. Nacionalizmi serb është një ideologji. Kjo ideologji është ekspansive, anti-perëndimore, anti-demokratike dhe historikisht gjithmonë ka qenë pro-ruse.

Ideologjia e nacionalizmit serb, tendenca e saj imperialiste ndaj territoreve të tjera dhe asimilimi i popujve të tjerë ishte shumë më intensive në vitet 1990 në krahasim me nacionalizmin e atëhershëm shtetëror rus. Dallimi i vetëm është se gjatë luftërave të viteve 1990, Serbia nuk e kishte argumentin kryesor që ka Putinit sot, që është bomba atomike. Prandaj, politika ruse sot është në pikën ku politika serbe ishte tashmë në vitet 1990. Gjatë shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, megjithëse rusët jetonin në shtetet përreth që u bënë të pavarura, nuk pati pushtim dhe rivizatim të kufijve komunistë ndryshe nga ish-Jugosllavia, e cila u shkatërrua nga udhëheqja serbe në luftën për Serbinë e Madhe. Vetëm mosnjohja e fundit e identitetit ukrainas nga regjimi i Putinit është në fakt një kopje e politikës së Serbisë nga fundi i viteve 1980 e deri më sot. Nacionalizmi serb i konsideron të gjithë popujt sllavë të jugut si serbë. Për ta, malazezët janë serb, po ashtu edhe boshnjakët, maqedonasit dhe një pjesë e kroatëve. Përsa i përket sovranitetit, që nga Marrëveshja e Dejtonit në vitin 1995 kur përfundoi lufta në Bosnje, regjimi serb ka përdorur doktrinën e sovranitetit të kufizuar. Kjo doktrinë e pranuar nga qeveria serbe thotë se shtetet nuk mund të kenë sovranitet, por vetëm kombet brenda atyre shteteve. Prandaj, në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe në vendet e tjera të rajonit ku jetojnë serbët, ata i konsiderojnë serbët si bartës të sovranitetit dhe se të gjithë duhet të jenë nën një çati dhe ombrellë politike. E ashtuquajtura “bota serbe” është e njëjtë me “botën ruse”, vetëm se ajo është më e vjetër se bota ruse dhe ka ekzistuar nga vitet 1980 e deri më sot si një politikë zyrtare shtetërore.

Pra, Serbia ishte në politikë nacionaliste, imperialiste, agresive, anti-perëndimore shumë më parë se Rusia, e cila lavdërohet nga të ashtuquajturit intelektualë të Rusisë së Putinit sot, si Dugini. Shumë kohë përpara Çeçenisë dhe Gjeorgjisë, ka pasur agresion kundër Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës.

Në këtë kuptim, Evropa nuk i kushton vëmendje të mjaftueshme problemeve thelbësore që po përgatiten të shpërthejnë në Ballkanin Perëndimor në një lloj konflikti të kufizuar, si akti terrorist në Banjska në veri të Kosovës vitin e kaluar. Rusia ka pasur dyer të hapura në Serbi për dekada të tëra për të zbatuar çfarëdolloj politikash shkatërruese dhe kërcënuar paqen në Evropë. Ndoshta fotografia e zëvendëskryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vulin, e disa ditëve më parë në Moskë, duke iu përkulur monumentit të Joseph Vissarionovich Stalinit, flet më së miri për sa i gatshëm është sistemi në Serbi për të vazhduar politikat e viteve 1990 sot. Kjo është në interes të politikës kriminale të Putinit, i cili, ashtu si ajo në Serbi, po pret për rrethana të reja të favorshme ndërkombëtare për të arritur qëllimet e saj luftarake dhe imperialiste.

Serbia po pret zgjedhjet presidenciale në Amerikë me shpresën se Trump do t’i fitojë, se Rusia do të fitojë luftën në Ukrainë dhe se Kina do të bëhet fuqia ekonomike numër një në botë. Këto momente të favorshme për këto dy regjime kriminale do të mjaftojnë që Rusia të gjunjëzojë Evropën dhe Serbia të pushtojë një pjesë të mirë të Ballkanit Perëndimor me forcë ose me “fuqi të butë”.

Plani për botën serbe në dy dekadat e ardhshme

Serbia do të përpiqet të ndalojë Malin e Zi në rrugën drejt anëtarësimit në BE sepse nuk do ta lejojë kurrë që “korpusi kombëtar serb” të copëtohet me kufijtë e rinj të BE-së. Plani për Malin e Zi është që përmes partive pro-ruse që përbëjnë qeverinë në Mal të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, e cila është një faktor jashtëzakonisht i fortë politik, të ndryshojë ligjin e shtetësisë dhe t’u mundësojë qytetarëve serbë të marrin nënshtetësinë malazeze. Në këtë mënyrë, qytetarët serbë do të vendosnin për çdo gjë në zgjedhjet e Malit të Zi dhe nuk do të kishte më asnjë mekanizëm për të vetë-vendosur të ardhmen e tij. Kjo do ta ndryshonte në mënyrë drastike Malin e Zi dhe do të shndërrohej në një “shtet serb”. Me kalimin e kohës, nga brenda, përmes një grushti shteti, Serbia do të aneksonte Malin e Zi, gjë që do të çonte në arritjen e politikës së jashtme të Rusisë në Detin Adriatik. E gjithë kjo do të përfaqësonte një triumf dhe hakmarrje për Serbinë dhe Rusinë ndaj tentativës së dështuar të grushtit të shtetit në Mal të Zi në vitin 2016, e cila u përpoq të pengonte Malin e Zi të bëhej anëtar i NATO-s.

Në Maqedoninë e Veriut, partia VMRO, që është pro-ruse, u kthye në pushtet me ndihmën e Serbisë pas grushtit të dështuar të shtetit në vitin 2017 në parlamentin maqedonas, të organizuar nga Serbia dhe Rusia.

Në Bosnjë dhe Hercegovinë, situata është shumë e qartë. Pas një sërë takimesh me Vladimir Putinin, Milorad Dodik, presidenti i entitetit Republika Srpska, shpalli shkëputjen e saj nga Bosnja dhe Hercegovina. Pas luftës në vitet 1990 dhe gjenocidit në Srebrenicë në 1995, udhëheqja serbe e mbështet plotësisht Republikën Srpska për të bërë gjithçka për t’u bashkuar me Serbinë.

Serbia si Aeroplanmbajtëse e Rusisë në Ballkanin Perëndimor

Është shumë naive nga administrata amerikane të besojë se Vuçiq është një partner tek i cili mund të mbështeten. Argumentet që përmenden më shpesh për këtë janë se Vuçiq është garantues i marrëveshjes ndërshtetërore dhe normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Gjithashtu, fakti që Serbia, pavarësisht se nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, eksporton në Ukrainë më shumë armë sesa i gjithë Ballkani Perëndimor marrë së bashku, madje edhe më shumë se disa anëtarë të BE-së. Së pari, natyrisht, Serbia i thotë Perëndimit atë që Perëndimi do të dëgjojë. Vuçiq mburret para administratës amerikane se Serbia dërgon më shumë municion në Ukrainë sesa i gjithë rajoni së bashku, por kjo ndodh sepse rajoni nuk ka një industri ushtarake, ndryshe nga Serbia. Madje, as disa vende të BE-së nuk kanë industri ushtarake. Por sigurisht, Rusia e di gjithë këtë, sepse Serbia i raporton rregullisht asaj.

Është çmenduri nga ana e Perëndimit të tolerojë dyfytyrësinë e Vuçiqit. Serbia është i vetmi vend që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe i vetmi vend që nuk e ka përafruar politikën e saj të jashtme me Bashkimin Evropian, duke marrë shpenzime të konsiderueshme financiare nga BE-ja. Kështu, BE-ja ekskluzivisht po e financon regjimin e Serbisë dhe sistemin e viteve 1990, si dhe politikën e saj të jashtme pro-ruse. Serbia është sot një aeroplanmbajtëse ruse në Ballkanin Perëndimor që kërcënon ta fundos të gjithë rajonin.

Materialet e publikuara në rubrikën “Opinionet” pasqyrojnë mendimin personal të autorit dhe mund të mos përkojnë me qëndrimin e Qendrës.

Balša Božović
Chair of the executive committee of the Regional Academy for Democratic Development (Serbia).