Më 11 shkurt 2026, Kuvendi i Kosovës miratoi formimin e qeverisë së re të udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti, duke shënuar fillimin zyrtar të Qeverisë Kurti III. Në një seancë të jashtëzakonshme mbrëmjes, 66 deputetë votuan pro dhe 49 kundër, duke mundësuar krijimin e shpejtë të një kabineti të përbërë nga 19 ministri. Ky votim pasoi seancën konstituive të legjislaturës së re të formuar pas zgjedhjeve të dhjetorit 2025 dhe i dha fund pasigurisë paszgjedhore, duke lejuar institucionet të ecin përpara me përgjegjësitë qeverisëse.
Hyrje
Zgjedhjet parlamentare të dhjetorit 2025 i dhanë Kosovës një rezultat të qartë politik: Lëvizja Vetëvendosje siguroi rreth 51% të votave, duke krijuar mundësinë për formimin e qeverisë pa pengesa numerike dhe pa nevojë për koalicione të brishta. Në një realitet politik që historikisht ka prodhuar paqëndrueshmëri qeveritare, ky rezultat paraqet një përjashtim domethënës. Megjithatë, shumica e qartë parlamentare nuk e përjashton nevojën për menaxhim të kujdesshëm politik dhe institucional. Përkundrazi, ajo e zhvendos fokusin nga pyetja “a mund të qeveriset?” te dilema më e rëndësishme: “si do të qeveriset?”
Sfidat kryesore paszgjedhore lidhen me formimin e qeverisë, raportet ndërmjet pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ, si dhe me ruajtjen e stabilitetit institucional në një kontekst të polarizuar politik. Në këtë fazë, testi real për klasën politike nuk është vetëm aritmetika parlamentare, por aftësia për të ofruar qeverisje të përgjegjshme, vendimmarrje transparente dhe politika publike që adresojnë problemet strukturore të vendit, përfshirë zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit dhe besimin e qytetarëve në institucione.
Paralelisht me sfidat e brendshme, pritshmëritë institucionale të Kosovës mbeten të lidhura ngushtë me mjedisin ndërkombëtar. Marrëdhëniet me partnerët strategjikë, procesi i dialogut me Serbinë, integrimi euroatlantik dhe pozicionimi gjeopolitik i vendit kërkojnë stabilitet të brendshëm politik dhe koherencë institucionale. Çdo vonesë ose krizë paszgjedhore rrezikon të dobësojë pozicionin negociues dhe kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës.
I. Qeverisja me shumicë të plotë: avantazh politik dhe përgjegjësi e shtuar
Fitorja e VV-së me 51% e thjeshton procesin e formimit të qeverisë, por njëkohësisht e rrit ndjeshëm barrën e përgjegjësisë politike. Në mungesë të justifikimeve që zakonisht lidhen me koalicionet heterogjene, çdo sukses apo dështim i qeverisjes do t’i atribuohet drejtpërdrejt subjektit fitues. Kjo situatë krijon një pritshmëri të lartë për stabilitet, vendimmarrje efikase dhe rezultate konkrete në fushat kyçe si sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik dhe reformat institucionale.
Në aspektin analitik, sfida kryesore nuk është funksionaliteti numerik i qeverisë, por shmangia e rrezikut të centralizimit të tepruar të pushtetit dhe ruajtja e ekuilibrave demokratikë. Një shumicë e fortë parlamentare duhet të shoqërohet me transparencë, llogaridhënie dhe respekt për opozitën, në mënyrë që stabiliteti politik të mos shndërrohet në stagnim institucional.
II. Zgjedhja e presidentit të ri: testi i konsensusit politik
Një nga sfidat më të rëndësishme institucionale në horizont është zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës së Kosovës. Edhe pse shumica parlamentare e VV-së e bën teknikisht të mundur këtë proces, dimensioni politik dhe simbolik i institucionit të presidentit kërkon një qasje më gjithëpërfshirëse. Presidenti, si figurë unifikuese dhe përfaqësuese e shtetit, nuk duhet të perceptohet vetëm si produkt i shumicës momentale, por si rezultat i një minimumi konsensusi politik.
Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës përbën një nga procedurat më konsensuale të parashikuara nga Kushtetuta, duke kërkuar jo vetëm shumicë të cilësuar votash, por edhe kuorum të lartë parlamentar. Jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese ka theksuar se këto kërkesa nuk janë formale, por substanciale, me qëllim të garantimit të legjitimitetit demokratik dhe rolit unifikues të Presidentit.
Sipa Kushtetutës, Presidenti i vendit zgjedhet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës me votim të fshehtë jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual. Presidentja aktuale Vjosa Osmani, u zgjodh Presidente e Republikës së Kosovës me datën 4 prill 2021. Juridikisht, Presidenti i ri i Kosovës duhet të zgjedhet deri me datën 5 mars 2026.
Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3 që është e barabartë me 80 deputet) e votave të gjithë deputetëve të Kuvendit. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve (nëse janë nominuar 2 apo shumë kanidatë) të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të gjithë deputetëve (61 vota), zgjedhet President i Republikës së Kosovës. Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh (neni 86 i Kushtetutës). Procedura e zgjedhjes me shumicën e thjeshtë prej 61 votave duket e thjeshtë, por në realitet paraqet vështirë praktike arritja e kuorumit për fillimin e procedures së zgjedhjes së presidentit. Gjykata Kushtetuese me aktgjykimin Nr. ref.: AGJ 107/1, 30.03.2011, ka shpallur kundër kushtetuese zgjedhjen e Presidentit Behxhet Pacolli. Sipas këtij aktgjykimi prezenca e 2/3 të deputetëve të Kuvendit të Kosovë me rastin e zgjedhjes së presidentit të Republikës është kusht i domosdoshëm në të gjitha raundet. Mungesa e kuorumit e bën procesin antikushtetues, pavarësisht rezultatit të votimit. Në këtë kontekst, zgjedhja e presidentit paraqet një test pjekurie për spektrin politik kosovar. Arritja e një marrëveshjeje më të gjerë do të dërgonte një sinjal pozitiv për stabilitet institucional dhe kulturë demokratike, ndërsa mungesa e konsensusit rrezikon ta politizojë tej mase një institucion që në thelb duhet të qëndrojë mbi ndarjet partiake.
Presidentja Osmani e ka marr si kredi personale ftesën nga Presidenti Trump për tu bërë anëtare e Bordit të Paqes, dhe si përparësi për tu zgjedhur edhe për një mandat si Presidente e Repunlikës së Kosovës.
III. Dimensioni ndërkombëtar dhe simbolika e ftesës për Presidenten Osmani
Përtej zhvillimeve të brendshme, pozicionimi ndërkombëtar i Kosovës mbetet një element kyç i stabilitetit të saj politik. Në këtë prizëm, ftesa e Presidentit Donald Trump për Presidenten Vjosa Osmani që të bëhet pjesë e Bordit të Paqes ka një domethënie të shumëfishtë. Ajo nuk është vetëm një vlerësim personal apo institucional, por edhe një sinjal politik për rolin dhe perceptimin e Kosovës në skenën ndërkombëtare. Ky zhvillim forcon narrativën e Kosovës si faktor konstruktiv i paqes dhe stabilitetit, por njëkohësisht rrit pritshmëritë që politika e brendshme të jetë në përputhje me këtë imazh. Stabiliteti institucional, funksionimi demokratik dhe koherenca e politikës së jashtme janë parakushte që simbolika ndërkombëtare të mos mbetet vetëm në nivel deklarativ.
Presidenti amerikan Donald Trump ka ftuar Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës për t’u bërë anëtarë themelues të “Board of Peace” (Bordi i Paqes) në ceremoninë e nënshkrimit që u mbajt nga Trump në Davos, ndërsa vendet tjera të Ballkanit Perëndimor: Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi nuk u ftuan për tu bërë anëtare të këtij Bordi. Kosova dhe Shqipëria pranuan ftesën dhe u bënë anëtare themeluese të Bordit të Paqes.
Ftesa për Shqipërinë dhe Kosovën shihet si një shenjë e dukshme se administrata e Presidentit Trump i percepton këto vende si partnerë strategjikë të Shteteve të Bashkuara në rajon, veçanërisht në kontekstin e sigurisë dhe stabilitetit global. Ftesa shpesh përshkruhet nga zyrtarët e të dy vendeve si një vlerësim i rolit të tyre historik ose të vazhdueshëm në promovimin e paqes dhe bashkëpunimit. Ftesa për këto dy vende është përceptuar edhe si mundësi për të rritur profilin ndërkombëtar. Pjesëmarrja në një iniciativë të tillë ndërkombëtare —i jep Shqipërisë dhe Kosovës një platformë më të madhe diplomatike dhe mundësi për t’u paraqitur në një kontekst global paqeje dhe bashkëpunimi, përtej çështjeve rajonale apo integrimeve në BE/NATO. Në anën tjetër, mospërfshirja e shteteve si Serbia apo Maqedonia e Veriut mund të interpretohet si një ndryshim i dinamikës tradicionale të përfshirjes në iniciativa ndërkombëtare, por gjithashtu tregon se politika amerikane — siç e drejton Trump — mund të jetë selektive dhe e shpejtë në përzgjedhjen e partnerëve rajonalë, duke i dhënë theks vendeve që janë perceptuar si aleatë të SHBA-së.
Në katër vitet e ardhshme, sfidat ndërkombëtare të Kosovës do të mbeten të ndërlidhura ngushtë me statusin e saj ndërkombëtar, arkitekturën e sigurisë euroatlantike dhe procesin e integrimit evropian. Pavarësisht konsolidimit të brendshëm institucional, politika e jashtme e Kosovës do të vazhdojë të përballet me kufizime strukturore që burojnë nga mosnjohja universale e shtetësisë dhe nga dinamika gjeopolitike në Evropë dhe më gjerë.
Sfida më e madhe strategjike mbetet anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Kosova vazhdon të përballet me kundërshtimin aktiv të Serbisë dhe aleatëve të saj, veçanërisht Rusisë dhe Kinës, të cilat kanë të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit. Në këtë kontekst, anëtarësimi në OKB nuk është vetëm çështje diplomatike, por problem i balancave globale të fuqisë. Pa një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe juridikisht detyruese me Serbinë, ose pa një ndryshim të madh në raportet ndërkombëtare të forcës, perspektiva e anëtarësimit në OKB mbetet e pasigurt. Sfida kryesore për Kosovën do të jetë ruajtja dhe zgjerimi i numrit të njohjeve ndërkombëtare.
Në fushën e sigurisë, aspirata për anëtarësim në NATO përballet me pengesa politike më shumë sesa teknike. Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në forcë me kapacitete mbrojtëse dhe rritja e interoperabilitetit me NATO-n kanë shënuar progres, por pesë shtetet anëtare të NATO-s që nuk e njohin Kosovën mbeten faktor kyç bllokues. Në vitet e ardhshme, sfida kryesore do të jetë ruajtja e stabilitetit të brendshëm dhe rajonal, shmangia e eskalimeve në veri të vendit dhe thellimi i partneritetit strategjik me SHBA-në dhe shtetet kyçe të Aleancës, si parakusht politik për çdo hap drejt anëtarësimit.
Anëtarësimi në Këshillin e Evropës paraqet një sfidë më të arritshme, por jo pa rreziqe. Edhe pse Kosova ka bërë përparime të rëndësishme në fushën e të drejtave të njeriut dhe të sundimit të ligjit, procesi mbetet i politizuar dhe i ndikuar drejtpërdrejt nga dialogu me Serbinë. Kosova është vendi i vetëm që me Kushtetutë, direct i ka inkorporuar instrumentët ndërkombëtare të të drejtave të njeriut (Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut; Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj; Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile e Politike dhe Protokollet e saj; Konventa Kornizë e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare; Konventa për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit Racor; Konventa për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Gruas; Konventa për të Drejtat e Fëmijës; Konventa kundër Torturës dhe Trajtimeve e Ndëshkimeve të tjera Mizore, Jonjerëzore dhe Poshtëruese – Neni 22).
Procesi i integrimit evropian mbetet sfidë komplekse dhe afatgjatë. Edhe pse liberalizimi i vizave ka shënuar një moment pozitiv simbolik, Kosova vazhdon të jetë në faza të hershme të procesit të anëtarësimit në BE. Sfida kryesore do të jetë avancimi nga një marrëdhënie kontraktuale drejt statusit të kandidatit, në një kohë kur vetë Bashkimi Evropian po përballet me lodhje nga zgjerimi, polarizim të brendshëm dhe sfida të reja të sigurisë. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë mbetet kusht politik kyç, shpesh i paqartë në përmbajtje dhe standarde, duke e bërë procesin të paparashikueshëm për Kosovën.
Në plan më të gjerë, Kosova do të duhet të manovrojë në një mjedis ndërkombëtar të karakterizuar nga rivaliteti ndërmjet fuqive të mëdha, lufta në Ukrainë, dhe rritja e ndikimit rus dhe kinez në Ballkanin Perëndimor. Sfida do të jetë ruajtja e orientimit të qartë euroatlantik, pa u izoluar diplomatikisht dhe pa u perceptuar si faktor destabilizues në rajon.
Katër vitet e ardhshme mund të jenë vendimtare për pozicionimin ndërkombëtar të Kosovës. Suksesi nuk do të varet vetëm nga reformat e brendshme, por nga aftësia për diplomaci aktive, ndërtim aleancash strategjike dhe menaxhim të mençur të presioneve politike ndërkombëtare. Në këtë kuadër, sfida kryesore e Kosovës mbetet transformimi i mbështetjes politike ekzistuese në anëtarësim konkret në mekanizmat kyç ndërkombëtarë.
IV. Dialogu Kosovë – Serbi: Arritjet, dështimet dhe pritjet për të ardhmen
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, ka filluar në vitin 2011 me synimin kryesor normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve dhe garantimin e stabilitetit rajonal. Për më shumë se një dekade, dialogu ka prodhuar një sërë marrëveshjesh, por edhe ka shfaqur dështime të thella strukturore dhe politike.
Arritja më e rëndësishme mbetet Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013, e cila vendosi bazat për integrimin e strukturave ilegale serbe në veri të Kosovës në kuadër të rendit kushtetues të Kosovës, përfshirë policinë dhe sistemin gjyqësor. Po ashtu, janë arritur marrëveshje teknike për:
- lirinë e lëvizjes,
- njohjen e diplomave (e cila nuk po zbatohet nga Serbia),
- menaxhimin e integruar të kufijve,
- energjinë dhe telekomunikacionin.
Këto marrëveshje kanë kontribuar në uljen e tensioneve në periudha të caktuara dhe kanë lehtësuar jetën e qytetarëve, sidomos në aspektin praktik dhe teknik. Megjithatë, dialogu ka dështuar të prodhojë një marrëveshje përfundimtare, ligjërisht obliguese, që do të çonte në njohje reciproke. Një nga dështimet kryesore është zbatimi selektiv i marrëveshjeve, veçanërisht nga Serbia, e cila vazhdon të mos e njohë Kosovën dhe ta pengojë anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.
Dialogu është kritikuar gjithashtu për: mungesë transparence, përjashtim të parlamenteve dhe publikut, mungesë mekanizmash ndëshkues për moszbatim, trajtim asimetrik të palëve nga BE-ja. Çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ka mbetur pika më e ndjeshme dhe më kontestuese, duke prodhuar kriza të vazhdueshme politike dhe tensione të sigurisë.
Më 18 mars 2023, palët u pajtuan për një marrëveshje të re, e cila u quajt Marrëveshja e Ohrit. Kjo marrëveshje përfaqëson zbatimin (Aneksin e zbatimit) e Marrëveshjes Bazë për Normalizimin e Marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ajo synon normalizimin de-facto të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pa e zgjidhur përfundimisht çështjen e njohjes formale.
Marrëveshja parasheh disa parime kyçe:
- Respektimin e integritetit territorial dhe sovranitetit të palëve;
- Mospërdorimin e forcës dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve;
- Mosbllokimin e Kosovës në proceset integruese ndërkombëtare;
- Njohjen reciproke të dokumenteve, simboleve shtetërore dhe institucioneve;
- Themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, në përputhje me rendin kushtetues të Kosovës;
- Mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe në Kosovë.
Edhe pse shkaktoi bujë të madhe në opinionin publik, kjo marrëveshje asnjëherë nuk u zbatua dhe tensionet ndërmjet dy shteteve vazhdojnë të mbesin të larta. Në këtë konteks BE-ja ka dështuar të arrijë një pajtim ndërmjet dy shteteve. SHBA-të e kanë mbështetur dialogun e lehtësuar nga BE-ja, por ky dialog nuk ka dhënë rezultatet e pritura. Nga partitë politike por edhe opinion kosovar kërkohet integrim dhe lidership i SHBA-së në procesin e dialogut, pasi që llogaritet se BE-ja ka dështuar të jetë e pa anshme dhe drejtë në raportet Serbi – Kosovë. Në këtë kontekst, qytetarët janë të indinjuar me sanksionet financiare të vendosura nga BE-ja kundër Kosovës dhe caktimi i personave me te kaluar anti Kosovë si lehtësues të dialogut. Rasti më i njohur është ish i dërguari i BE-së Miroslav Lajcak. Lajcak si Ministër i Punëve të Jashtme i Sllovakisë ka qenë kundër Pavarësisë së Kosovës, ashtu sikurse refuzon ta njoh Kosovën edhe shteti i tij – Sllovakia.
Për këto arsye kërkohet që SHBA-të të përfshihen fuqishëm për arritjen e marrëveshjes përfundimtare ligjërisht të obligueshme dhe ti jepet fund konfliktit shekullor ne Ballkan ndërmjet këtyre dy popujve.
V. Sfidat e zhvillimit ekonomik dhe migrimi
Qeveria e re e Kosovës do të përballet me një realitet ekonomik dhe demografik shumë më sfidues sesa statistikat zyrtare e pasqyrojnë. Përkundër rritjes ekonomike të viteve të fundit, struktura e ekonomisë mbetet e brishtë, e varur nga konsumi dhe remitencat, ndërsa prodhimi vendor, eksportet dhe investimet strategjike vazhdojnë të jenë nën potencial. Kjo krijon një ndjenjë të rreme stabiliteti, që nuk përkthehet në vende pune cilësore dhe siguri afatgjatë ekonomike.
Problemi i papunësisë, sidomos tek të rinjtë dhe profesionistët e kualifikuar, nuk qëndron vetëm në mungesën e vendeve të punës, por në mungesën e perspektivës. Tregu i punës ofron paga të ulëta, kontrata të pasigurta dhe pak mundësi zhvillimi profesional, duke e bërë migrimin jo zgjedhje, por strategji mbijetese. Në këtë kontekst, ikja masive e fuqisë punëtore po shndërrohet në krizë strukturore, e cila po e zbraz gradualisht vendin nga kapitali i tij më i vlefshëm – njerëzit.
Migrimi po ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e ekonomisë. Sektorë kyç si shëndetësia, ndërtimtaria, teknologjia e informacionit dhe arsimi tashmë përballen me mungesë serioze të stafit. Ndërkohë, plakja e popullsisë dhe tkurrja e moshave aktive po rrisin presionin mbi sistemin pensional dhe financiar të shtetit, duke vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë fiskale afatgjatë.
Remitencat nga diaspora, edhe pse luajnë rol stabilizues dhe social, po e mbajnë ekonominë në një cikël varësie, ku konsumi zëvendëson zhvillimin. Ato nuk po kanalizohen në mënyrë sistematike në investime prodhuese, inovacion apo teknologji, çka do të mund të krijonte vende pune dhe do ta ndalte valën e migrimit. Kjo situatë e bën shtetin më pak të motivuar për reforma të thella, pasi presioni social amortizohet përkohësisht nga paratë që vijnë nga jashtë.
Qeveria e re do të përballet gjithashtu me sfidën e besimit. Migrimi masiv nuk është vetëm tregues ekonomik, por edhe politik. Ai reflekton mungesën e besimit në institucione, në sundimin e ligjit dhe në barazinë e mundësive. Pa luftë të vërtetë kundër korrupsionit, pa siguri juridike për bizneset dhe pa politika të qarta zhvillimore, çdo strategji ekonomike do të mbetet deklarative.Nëse qeveria e re nuk arrin ta kthejë ekonominë në burim shprese dhe ta ndalë perceptimin se e ardhmja ndërtohet vetëm jashtë Kosovës, atëherë migrimi do të vazhdojë të jetë forma më e qartë e votës së qytetarëve kundër shtetit të tyre. Sfida nuk është vetëm zhvillimi ekonomik, por mbijetesa demografike dhe funksionale e Kosovës si shtet.
Përfundim
Kosova pas zgjedhjeve të dhjetorit 2025 ndodhet në një moment relativisht të favorshëm politik, por jo pa rreziqe. Shumica e qartë parlamentare, procesi i zgjedhjes së presidentit dhe zhvillimet në planin ndërkombëtar krijojnë një dritare mundësie për konsolidim institucional. Pyetja thelbësore mbetet nëse kjo periudhë do të shfrytëzohet për ndërtimin e një qeverisjeje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, apo do të humbasë si shumë momente të mëparshme në historinë politike të vendit.
Periudha pas zgjedhjeve të dhjetorit 2025 paraqet një moment vendimtar: ose do të shërbejë si mundësi për konsolidim demokratik dhe institucional, ose do të thellojë ciklin e pasigurisë politike dhe të zhgënjimit qytetar. Përgjigjja ndaj kësaj dileme varet nga pjekuria politike e aktorëve institucionalë dhe nga aftësia e tyre për ta shndërruar vullnetin elektoral në qeverisje funksionale dhe vizion afatgjatë për shtetin.
Orhan Çeku. Associate professor for the subject of National Security at the public Haxhi Zeka University in the Republic of Kosovo

Materialet e publikuara në rubrikën “Opinionet” pasqyrojnë mendimin personal të autorit dhe mund të mos përkojnë me qëndrimin e Qendrës
