Qarkullimi në urën mbi Ibër që lidh veriun dhe jugun e Mitrovicës së Kosovës mbetet i mbyllur. Përkundër punimeve teknike përgatitore të kryera nga pala kosovare, trafiku nuk është rifilluar në datat e shpallura më parë joformalisht (14-15 gusht).
Inspektimi teknik i urës ka përfunduar në fillim të gushtit dhe një vlerësim tentativ i publikuar nga Ministria e Infrastrukturës së Kosovës tregon se ura është strukturalisht e sigurtë. Por procesi është ndalur pikërisht këtu.
Konsultimet do të vazhdojnë
Në mbledhjen e qeverisë së 14 gushtit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se hapja e qarkullimit të automjeteve në urën qendrore në Mitrovicë është “gjëja e duhur, më e nevojshme, si dhe e dobishme për të gjithë”. Në të njëjtën kohë, ai tha se Prishtina do të vazhdojë konsultimet dhe koordinimin me partnerët ndërkombëtarë për çështjen e rihapjes së qarkullimit. ” Ne do të vazhdojmë konsultimet dhe koordinimin me partnerët tanë. Hapja e Urës nuk është kundër askujt e aq më pak kundër partnerëve tanë”, ka theksuar Kurti.
Deklarata erdhi gjatë protestave serbe në Mitrovicën veriore, sinjaleve të alarmit që ka dhënë Beogradi dhe paralajmërimeve nga BE dhe SHBA.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë se Prishtina ka planifikuar të hapë urën mbi Ibër “me dhunë” më 14-15 gusht. Ai deklaroi se pret “provokime të mëtejshme” nga autoritetet e Kosovës dhe i bëri thirrje KFOR-it që të parandalojë hapjen “e njëanshme” të urës në Mitrovicë.
Fjalët e Vuçiqit mund të shihen si paralajmërim për përplasje mes autoriteteve të Kosovës dhe serbëve vendas, të cilët janë kategorikisht kundër hapjes së qarkullimit në urën mbi Ibër. Argumenti kryesor “kundër” qarkullimit është se trafiku nëpër urën qendrore të Mitrovicës do të kërcënojë sigurinë e serbëve në veri.
Më 7 gusht, qindra serbë protestuan kundër vendimit të qeverisë së Kosovës për hapjen e urës, duke demonstruar vendosmërinë e tyre për të parandaluar zbatimin e planit të Prishtinës.
Momenti i gabuar
Mesazhi për përplasje të mundshme në veri të Kosovës për shkak të hapjes së urës në Perëndim është marrë mjaft seriozisht.
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, siguron se është gati të ruajë stabilitetin, por theksoi se vendimi për hapjen e urës duhet të miratohet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi nën kujdesin e Bashkimit Evropian.
“Ne nuk do të hezitojmë të ndërhyjmë në çdo ngjarje që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë dhe stabilitetin rajonal, në respekt të plotë të mandatit tonë të OKB-së,” tha KFOR-i në një deklaratë shtypi më 6 gusht. “Çdo vendim në lidhje me hapjen e urës kryesore mbi Lumin Ibër duhet të bëhet në kuadër të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të ndërmjetësuar nga BE-ja”.
Përfaqësues nga vendet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara u përpoqën ta bindin Kurtin që të braktisë idenë e hapjes së urës menjëherë. Të gjitha vendet e QUINT (Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia) kanë njoftuar se aktualisht nuk e mbështesin hapjen e urës.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i rekomandoi Prishtinës që ta hapë urën në mënyrë të njëanshme dhe t’u kushtojë vëmendje miqve dhe aleatëve të saj. “Mund t’ju rikujtoj, për të gjithë ata që e kanë të vështirë të dëgjojnë dhe mirëkuptojnë, se të gjithë miqtë dhe aleatët e Kosovës (BE, SHBA, NATO, MB…) e kanë thënë shumë qartë dhe pa mëdyshje se është në interesin e Kosovës t’i dëgjojë miqtë dhe aleatët, përndryshe rrezikon të lihet pas dhe e izoluar”, theksoi Stano.
Amerikanët ishin më specifikë dhe më të ashpër në komentet e tyre.
Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha se hapja e urës në Mitrovicë në kushtet aktuale do të krijonte një rrezik real të sigurisë dhe do të kërcënonte drejtpërdrejt sigurinë e ushtarëve të NATO-s në Kosovë, përfshirë edhe ata amerikanë.
“Ne besojmë se ka një rrezik real që lidhet me marrjen e këtij vendimi në këtë moment dhe ne besojmë se ky rrezik i rrit kërcënimet – potencialisht mund të çojë në dhunë dhe të krijojë probleme të tjera, si për komunitetin lokal ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, duke përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë e Kosovës”, tha Hovenier në një intervistë.
Tema e hapjes së urës në Mitrovicë pritet të përfshihet në agjendën e takimit të radhës të dialogut Prishtinë-Beograd në Bruksel. Megjithatë, data e takimit ende nuk është përcaktuar.
Një simbol për të tërë
Është e nevojshme të rikujtohet edhe një herë fakti se në Mitrovicë janë edhe tri ura të tjera mbi Ibër dhe se të gjitha janë funksionale (!). Por ura qendrore ka një simbolikë të veçantë.
Së pari, ka qenë qendra e përplasjeve të mëdha mes serbëve dhe shqiptarëve në vitet e kaluara. Hapja e plotë e urës – jo vetëm për këmbësorët, por edhe për trafikun – perceptohet nga shumë njerëz si një sinjal i përfundimit të konfliktit, pajtimit dhe një shenjë e riintegrimit të veriut serb në organin shtetëror të Republikës së Kosovës. Është e qartë se serbët, të cilët në parim nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, nuk janë të kënaqur me një simbolikë të tillë.
Beogradi e përdor simbolin e urës në mënyrën e vet. Për Vuçiqin, ura e mbyllur është dëshmi se ai “nuk hoqi dorë nga Kosova”, duke vazhduar të luftojë për të.
Në anën tjetër, Albin Kurti po tenton të afirmojë simbolikisht sovranitetin e Kosovës në territoret veriore duke hapur urën. Më 9 shkurt 2025, në Kosovë do të mbahen zgjedhjet parlamentare dhe hapja e plotë e qarkullimit në urën mbi Ibër, e cila do të bëhet simbol i qasjes së veriut të Kosovës, dhe kështu fitorja e lëvizjes së Kurtit (Vetëvendosje) është pothuajse e garantuar.
Qëndrimi i Kurtit për pashmangshmërinë e hapjes së urës mbështetet në një tjetër simbolizëm, atë evropian.
Pak vite më parë, Brukseli ka dashur që urën qendrore në Mitrovicë ta bëjë simbol të zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Një marrëveshje e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në vitin 2016 përcaktoi që ura do të hapej për trafik më 20 janar 2017. Në atë kohë, marrëveshja u prezantua si një sukses, dhe ura e rinovuar mbi Ibër ishte një simbol i suksesit të negociatave Kosovë-Serbi nën mbikqyrjen e Bashkimit Evropian.
Megjithatë, raportet pozitive nga zyrtarët jo gjithmonë përputhen me realitetin në terren dhe ura asnjëherë nuk është hapur plotësisht, ndërkohë që janë marrë të gjitha vendimet formale në këtë drejtim. Rrjedhimisht, nga pikëpamja formale, mund të shpjegohet qëndrimi i Prishtinës, e cila thjesht kërkon të plotësojë atë për të cilën është rënë dakord shumë kohë më parë.
Ngrirja, si zgjidhje
Kuptimi i dytë – dhe më i veçantë – i urës, është siguria. Natyrisht, këtu nuk bëhet fjalë për ndonjë rëndësi strategjike. Me fjalë të thjeshta, policia e Kosovës ose autokolonat e sigurisë do të mund të arrinin në qendër të Mitrovicës Veriore – pothuajse në qytetin kryesor të serbëve të Kosovës – më shpejt dhe më lehtë përmes urës qendrore. Natyrisht, komuniteti lokal serb nuk është fare i kënaqur me këtë fakt, pasi njerëzit mbeten jomiqësorë ndaj autoriteteve të Kosovës, madje edhe armiqësorë.
Kuptimi i tretë i urës është hibrid. Ura “gjysmë e mbyllur” përdoret nga pala serbe si mjet për ta mbajtur konfliktin gjallë dhe për t’i bërë shantazh komunitetin ndërkombëtar. Mesazhi i përplasjeve të mundshme, i artikuluar drejtpërdrejt nga Vuçiq, është një shembull konkret i një qasjeje të tillë.
Në fakt, ura që mbetet e mbyllur është e dobishme për ata që preferojnë ta mbajnë konfliktin në një gjendje të ngrirë, sesa të gjejnë një zgjidhjeje. Megjithatë, në këtë fazë, është e qartë se kjo taktikë (apo strategji?) e “ngrirjes”, e ruajtjes së status quo ekzistuese, është dominuese jo vetëm në Beograd, por edhe në Bruksel e Uashington. Qëllimi taktik është i qartë – ruajtja e paqes dhe parandalimi i rindezjes së konfliktit të ngrirë. Por pyetja e madhe është nëse është e mundur të garantohet paqja në të ardhmen e largët duke ndjekur një politikë lëshimesh ndaj aktorëve më të rrezikshëm. Ndonjëherë, këto lëshime përfshijnë edhe shpërfilljen e marrëveshjeve të mëparshme.