Ngjarjet e fundit në Kroaci mund të konsiderohen me siguri si kriza më e madhe politike në vend në 10 vitet e fundit, që nga anëtarësimi i vendit në Bashkimin Evropian. Shkaku i një vlerësimi të tillë nuk është vetëm intensiteti ekstrem i konfliktit mes forcave kryesore politike të vendit, por edhe pasojat që do të ketë rezistenca aktuale politike për drejtimin e mëtejshëm të zhvillimit jo vetëm të Kroacisë në vetvete, por edhe për BE-në, NATO-n, rajonin e Evropës Juglindore dhe veçanërisht të Ballkanit Perëndimor.
Tani, drejt zgjedhjeve
Kriza aktuale filloi me mosmarrëveshjet midis qeverisë dhe opozitës për nismat legjislative dhe emërimet e nëpunëseve. Përgatitja e ligjit, i cili, sipas përfaqësueseve të opozitës dhe medies do t’i privojë gazetarët nga mundësitë për të kryer hetime dhe emëruar prokurorin e përgjithshëm, të cilin opozita e konsideron si ” njeriu i partisë në pushtet, Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ)” dhe lidhjet e tij me mjedisin kriminal.
Në fund të janarit, në Zagreb dhe Split u zhvilluan mbledhje protestuese të punonjësve të medies, të cilave iu bashkuan edhe politikanë të opozitës. Në mes të shkurtit, një protestë e opozitës u mbajt në sheshin “Shën Mark” në Zagreb. Protesta u organizua nga 11 parti parlamentare opozitare të udhëhequra nga Partia Social Demokratike (SDP). Aksioni opozitar i Zagrebit u zhvillua nën sloganin “Mjaft! Tani, drejt zgjedhjeve”, dhe kërkesa kryesore e demonstruesve ka qenë shpërndarja e parlamentit dhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme.
Që në fillim të marsit, ideja për mbajtjen e zgjedhjeve në të ardhmen e afërt u mbështet nga partia në pushtet, HDZ (lideri i simpatisë zgjedhore sipas sondazheve). Disa ditë më vonë, deputetët e Parlamentit kroat votuan pothuajse njëzëri për vetëshpërbërjen dhe presidenti Zoran Milanoviç, në përputhje me kompetencat e tij, shpalli zgjedhjet për të mërkurën, më 17 prill.
Pikërisht pas kësaj fillon përhapja e krizës së paprecedentë politike për Kroacinë.
Surprizë nga presidenti
Thuajse njëkohësisht me shpalljen e datës së zgjedhjeve, Milanoviçi njoftoi se do të kandidojë si kandidat i pavarur dhe jopartiak në listën e Partisë Socialdemokrate, SDP në opozitë, duke mbajtur njëkohësisht edhe postin presidencial. Milanoviçi premtoi se do të japë dorëheqjen nga posti i presidentit pasi forca e tij politike të fitojë zgjedhjet, të jetë në gjendje të formojë një koalicion dhe të emërojë qeverinë që ai planifikon të drejtojë.
Deklarata e presidentit befasoi edhe disa anëtarë të SDP-së, pa përmendur partitë dhe qytetarët e tjerë, dhe shkaktoi një stuhi të fuqishme në skenën politike kroate.
Planet e Milanoviçit për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare morën një reagim të shpejtë nga Gjykata Kushtetuese, e cila vendosi që presidenti nuk mund të marrë pjesë në aktivitetet politike të asnjë partie politike gjatë kryerjes së detyrave të tij presidenciale. Gjykata Kushtetuese sqaron se kjo përjashton çdolloj mundësie që presidenti të jetë kandidat në listën e partisë në zgjedhjet parlamentare ose të jetë kandidat për kryeministër. Nëse presidenti i shtetit, gjatë kohës që është në këtë detyrë, gjithsesi kandidon për zgjedhje në parlamentin kroat ose shfaqet publikisht si kandidat i ardhshëm për postin e kryeministrit, ai duhet të dorëzojë menjëherë deklaratën e dorëheqjes nga posti i presidentit. Në këtë rast, detyrat e presidentit të përkohshëm të shtetit i merr kryetari i Saborit (parlamentit) kroat, theksoi Gjykata Kushtetuese.
Megjithatë, ky vendim nuk i vendosi pikat mbi i në këtë situatë të pazakontë.
Zoran Milanoviçi nuk ka dhënë dorëheqje nga posti i presidentit, dhe ndonëse nuk do të kandidojë, gjithsesi do të marrë pjesë në fushatën zgjedhore… në mënyrë jo formale.
“Lumenjtë e drejtësisë”
Për të mos shkelur Kushtetutën dhe për të përmbushur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, SDP-ja nuk do ta përfshijë drejtpërdrejt Milanoviçin në listën e partisë, por ka ndër mend të zhvillojë një fushatë në të cilën, le të themi, do të ndihet prania e presidentit.
Më 21 mars, kreu i SDP-së, Peja Grbini, pas një mbledhjeje të organeve drejtuese të partisë, njoftoi se blloku opozitar rreth Partisë Socialdemokrate do të emërohet “Lumi i drejtësisë”. Përveç faktit që është titulli i një kënge të famshme të grupit të Zagrebit, “Film”, nga albumi i tyre i vitit 1985, ky është gjithashtu një citim i drejtpërdrejtë nga një deklaratë e Milanoviçit të bërë pas shpalljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese. “Lumenjtë e drejtësisë po vijnë!” (Rijeke pravde dolje), ka shkruar ai në “Facebook”.
“Lumi i drejtësisë” është në rrugën e fitores dhe Z… nuk mund ta themi këtë, në rrugën drejt fitores” (Rijeke pravde’ kreće u pobjedu i Z… ne smijem to reći, kreće u pobjedu), tha Hrbini, duke i befasuar edhe një herë tjetër vëzhguesit me përdorimin e e shkronjës së diskutueshme Z, që pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia perceptohet si simbol i agresorit rus.
Ngritje në vlerësim
Nuk mund të kalojë pa u vënë re se fushata Milanoviç/SDP është një fushatë e mirëpërgatitur nga teknologë politikë profesionistë. Dëshmi se të gjithë hapat e presidentit e të partisë në të cilën ai mbështetet ishin llogaritur më parë është fakti se rejtingu i Partisë Socialdemokrate, në sfondin e të gjitha deklaratave dhe hapave kontradiktorë, nuk u shemb, përkundrazi. Këtë nuk e pengoi as tërheqja ditët e fundit nga koalicioni i përbashkët me SDP-në të tri partive të tjera opozitare: “Fokus”, IDS (Këshilli Demokratik i Istrias) dhe “Fronti i punëtorëve”.
Sipas sondazhit të “HRejting”, zhvilluar nga data 16 deri më 19 mars me pjesëmarrjen e 1000 personave të anketuar, drejtuesit sipas përzgjedhjes së votuesve janë HDZ në pushtet me 27,7% të votave dhe SDP me 21,6% të votave (një ngritje prej 9% në tri ditë).
Sipas agjencisë “Ipsos”, e cila zhvilloi një pyetësor me 604 qytetarë më 17 mars, HDZ ka mbështetje 27.3%, SDP ka 22.6%. Nga ata që do të votojnë, 32% duan të shohin Zoran Milanoviçin si kryeministër dhe pothuajse po aq, 30%, duan të shohin kreun aktual të qeverisë, Andrej Plenkoviçin. Avantazhi i Milanoviçit është brenda gabimit statistikor (4% për këtë studim). Por mbështetja e përgjithshme është e qartë, një pjesë e madhe e votuesve kroatë nuk i dënojnë deklaratat dhe veprimet skandaloze të presidentit, përkundrazi, i mbështesin ato. Prandaj, skuadra Milanoviç/SDP ka mundësi të vijë në pushtet duke zhvilluar një fushatë agresive dhe duke krijuar një koalicion me partitë e tjera opozitare pas zgjedhjeve.
Ndryshimi i përparësive
Ndaj pyetjes “pse ndodhi kështu?” duhet përgjigjur duke vënë në dukje fillimisht se sot, Kroacia ka arritur objektivat që kanë qenë përparësi që nga lufta për pavarësi. Vendi mundi agresorin, ktheu territoret e pushtuara, u bë anëtar i NATO-s dhe BE-së, hyri në Shengen dhe në zonën e euros. Tani fokusi i vëmendjes së qytetarëve është përqendruar në detyra më pak të mëdha dhe ambicioze, zgjidhja e të cilave duhet të kontribuojë në zhvillimin socio-ekonomik të vendit, por, më e rëndësishmja, në përmirësimin e jetës së kroatëve duke filluar nga sot.
Në këtë aks, avantazhet nuk kanë ato forca politike që merren me punë rutinë, por ato që janë gati të tregojnë një rezultat të ndritshëm këtu dhe tani, dhe jo ata politikanë që flasin bukur për përgjegjësinë dhe të ardhmen, por ato që propozojnë me zë të lartë, hapa të thjeshtë që do të kenë një rezultat të menjëhershëm. Domethënë, bëhet fjalë për një populizm klasik.
Madje edhe lufta kundër korrupsionit bëhet, në radhë të parë, një mjet efektiv për të luftuar kundërshtarët politikë dhe vetëm më pas një mjet për vendosjen e drejtësisë.
Është e qartë se veprimet e HDZ-së nuk janë pa të meta. Po në këtë regjim të fushatës zgjedhore, që u propozua nga Milanovici dhe SDP, një diskutim cilësor dhe kuptimplotë për arritjet dhe gabimet thjesht nuk mund të ekzistojë, nuk është ky formati.
Presidenti aktual i Kroacisë, me ndihmën e zgjidhjeve të guximshme teknologjike politike dhe deklaratave të zhurmshme, mundi të bëhej shpejt lajmëtari kryesor i fushatës zgjedhore dhe të caktojë temat kryesore të saj. Këto janë qeveria e korruptuar, migrimi i padëshiruar, nevoja për marrëdhënie më pragmatike (egoiste) me BE-në (sidomos kur bëhet fjalë për fondet evropiane). Këtu duhet theksuar se, duke iu përgjigjur një pyetjeje për situatën në Ukrainë më 21 mars, Milanoviçi deklaroi se ishte një luftë midis Rusisë dhe Amerikës, por përmes ndërmjetësve, dhe theksoi se Kroacia duhet të spostohet nga Ukraina.
Tramp, Orban, Dodik… Milanoviç
Vëzhguesit vendas e quajnë Milanoviçin “Trampi kroat” ose “Orban” dhe fytyra aktuale politike e liderit informal të SDP-së ka vërtet shumë tipare të përbashkëta me këta politikanë. Në kushtet kur Partia Socialdemokrate ra dakord me lidershipin e Milanoviçit, mund të parashikohet se edhe qëndrimi politik i SDP-së për këto çështje do të bëhet i ngjashëm me atë të Trampit ose të Orbanit.
Pikëpamjet e tjera të diskutueshme të Milanoviçit kanë të bëjnë me Bosnjën dhe Hercegovinën, dhe ato janë pothuajse identike me qëndrimin e liderit të serbëve të Bosnjës, Presidentit të Republikës Srpska, Milorad Dodikut, me ndryshimin e një vektori kroat në vend të atij serb. (Jo më kot dy politikanët takohen herë pas here në një mjedis joformal).
Milanoviçi e quan sistemin aktual të BeH-ës kolonial, nuk njeh kompetencat e Përfaqësuesit të Lartë të komunitetit ndërkombëtar dhe kjo është një kopje e tezave të Dodikut dhe “miqve” të tij rusë. Mbrojtja e të drejtave të kroatëve në Bosnje dhe Hercegovinë (e drejta për të zgjedhur përfaqësuesin kroatë në Presidiumin e Bosnje-Hercegovinës), Milanoviçi e ka shpallur tashmë si përparësi të tij, duke vënë në dukje se: “Plenkoviçi nuk guxoi ta bënte këtë, por unë do ta bëj menjëherë”. (Duhet theksuar se edhe HDZ-ja e ka pedaluar këtë temë gjatë gjithë kohës, por, në të vërtetë, pa radikalizëm).
Trampi, Orbani, Dodiku… në këtë listë mund të shtohet mbiemri i Milanoviçit, nëse planet e skuadrës së tij zbatohen.
Pyetje logjike mbetet nëse ka ndonjë gjurmë ruse në ngjarjet e fundit në Kroaci? Ekspertët nuk flasin për këtë, por në të njëjtën kohë askush nuk dyshon se Kroacia, e udhëhequr nga Milanoviçi dhe/ose ekipi i tij politik, do të ndryshojë kursin në një më pro-rus. Dhe këto ndryshime do të bëjnë edhe me politikën e Zagrebit ndaj Bosnje-Hercegovinës, edhe me pozicionimin e tij për ndihmën ndaj Ukrainës dhe sjelljen në BE dhe NATO. Por, siç e shikojmë, ky zhvillim i ngjarjeve nuk i tremb të gjithë votuesit kroatë.