Zgjedhjet e ardhshme të Shqipërisë në 2025

Zgjedhjet e ardhshme të Shqipërisë në 2025

Për gati një dekadë, Partia Socialiste e Kryeministrit Edi Rama jo vetëm që e ka drejtuar vendin përmes një morie sfidash postkomuniste, por edhe ka ndërtuar një rrjet të frikshëm institucional. Ndërsa cikli i ardhshëm zgjedhor po afrohet, shumica mendonin se Rama do të siguronte një fitore tjetër. Asnjë skenë politike nuk është pa dramë, por mesa duket çdo parti kryesore politike shqiptare ka pasur të paktën një skandal të madh në prag të zgjedhjeve të 2025-ës. A është Shqipëria më në fund në një udhëkryq të vërtetë, siç nuk ka qenë asnjëherë gjatë dekadës së mbretërimit të Ramës? Apo akoma është e garantuar fitorja e tij?

Si e forcoi Edi Rama kontrollin e tij politik gjatë një dekade

Kur rikujton dhjetë vitet e fundit, është e vështirë të mos e vëresh mënyrën si lidershipi i Ramës e ka riformuar politikën shqiptare. Së pari, qeveria e Ramës ka prezantuar reforma zgjedhore që përforcojnë dominimin e partive të mëdha, veçanërisht Partisë Socialiste. Sistemi me lista të mbyllura u jep udhëheqësve të partive kontroll mbi përzgjedhjen e kandidatëve, duke kufizuar ndikimin e votuesve. Partitë e mëdha përfitojnë nga rrjete institucionale, burimet shtetërore dhe kontrolli i medias, ndërsa partitë më të vogla luftojnë për financim dhe ekspozim. Ndryshimet si përfshirja e diasporës shqiptare dhe sistemet elektronike të votimit, edhe pse janë bërë me pretekstin e modernizit, favorizojnë partitë e mirë-organizuara me shtrirje të gjerë. Këto reforma krijojnë një sistem që, ndonëse demokratik në dukje, ruan strukturalisht kontrollin e pushtetit të partisë në pushtet. Është një strategji e mirë – në fund të fundit, çdo votë ja vlen.

Për shumë votues, Rama duket si zgjedhja “e qëndrueshme”. Në Shqipëri, të gjithë e dimë se kur zgjidhet një zyrtar i ri qeveritar, gjëja e parë që bëjnë është pushojnë individët e lidhur me partinë e vjetër dhe punësojnë pothuajse ekskluzivisht njerëz “të tyre”. Në peizazhin aktual ekonomik, pushimi nga puna e një personi mund ta shkatërrojë ekonomikisht një familje të tërë. Pra, votat në politikën shqiptare rrallëherë bazohen në ideologji politike, politika të reja që qytetarët duan të shohin, apo edhe pëlqyeshmërinë e kandidatëve – ka të bëjë shumë më tepër me sigurimin e mbijetesës së vetes dhe familjes në skenën e ashpër ekonomike shqiptare.

Pas vërtetimit të këtij fakti, mund ta imagjinoni turmëm masive të mbështetësve që grumbulluar Edi Rama dhe Partia e tij Socialiste, si dhe sasia e njerëzve për të cilët ai ka siguruar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë vende pune. Në zgjedhjet e ardhshme të 2025-ës, punonjësit e qeverisë dhe familjet e tyre janë pothuajse të garantuar ta mbështesin Ramën thjesht sepse ai i mban në punë, pavarësisht nëse e duan apo e urrejnë.

As nuk kemi përmendur asgjë për mbështetësit e vërtetë të Ramës, të cilët nuk janë një numër aq i vogël njerëzish. Kur ke qenë kryeministër për aq kohë sa Rama, duhet të kesh pasur një pjesë të konsiderueshme mbështetësish përgjatë viteve. Qytetarët e moshuar janë veçanërisht të prirur që thjesht të votojnë në të njëjtën mënyrë siç kanë votuar gjithmonë, dhe shumica në të vërtetë nuk i njohin partitë e reja politike. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse teksa të rinjtë shqiptarë vazhdojnë të emigrojnë me shumicë nga vendi, votat e të moshuarve mbajnë gjithnjë e më shumë peshë.

Arrestimi shtëpiak i Sali Berishës dhe ndikimi i tij te mbështetësit e PD-së

Sali Berisha – dikur një figurë kryesore e Partisë Demokratike opozitare dhe ish-kryeministër – e gjeti veten të mbyllur në rezidencën e tij në arrest shtëpie. Akuzat lidhen me një skandal të një marrëveshjeje pronësore nënkuptonte keqpërdorim pushteti për përfitime personale. Shumica e qytetarëve shqiptarë dhe analistëve politikë e dinë se Berisha është fajtor për shumë më tepër se sa akuzohej. Duke qenë se ja ka hedhur për kaq shumë kohë, ishte në fakt shokuese që u dënua sado pak, qofte edhe për një krim.

Vendimi i gjykatës për të hequr imunitetin e tij parlamentar në dhjetor 2023 dhe arresti shtëpiak pasues krijuan një pikë grumbullimi për mbështetësit e tij. Për muaj të tërë, u mbajtën protesta dhe debate. Pas lirimit të tij më 27 nëntor 2024, rezultati i natyrshëm i arrestimit të tij ishte se ai nuk mundi të mblidhte aq mbështetës sa do të kishte nëse nuk do të ishte arrestuar, duke e bërë atë të papërgatitur për zgjedhjet e ardhshme.

Arrestimi i Ilir Metës lë opozitën në rrëmujë

Më 21 tetor 2024, Ilir Meta, ish-presidenti dhe kreu i Partisë së Lirisë opozitare, u arrestua në Tiranë pas një hetimi pesëvjeçar të drejtuar nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Akuzat ndaj Metës – skema të pastrimit të parave, shpërdorim i qëllimshëm i fondeve shtetërore dhe shpërdorim sistematik i pushtetit – nuk janë tamam një tronditje për askënd. Për një figurë politike madhore si Meta, ky rezultat ishte thuajse i pritshëm. Mbështetësit e Metës e denoncuan arrestimin si të motivuar politikisht dhe madje zhvilluan protesta në emër të tij.

Pa Metën në krye dhe Berishën në një disfavor të tillë, opozita lufton për të paraqitur një front të unifikuar. Ndërsa votuesit peshojnë opsionet e tyre, imazhi i këtyre liderëve të mundur dhe të korruptuar mund t’i shtyjë ata drejt kryeminstrit aktual, i cili, pavarësisht nga polemikat e tij, tani duket si zgjedhja relativisht më e qëndrueshme.

Akuzat për korrupsion të Erion Veliajt mundojnë Ramën

Sapo po harrohej arrestimi i Metës, kur më 10 shkurt 2025, Erion Veliaj – kryetari i bashkisë së Tiranës dhe ashtuquajtur “pasardhës” i udhëheqjes së Ramës – u arrestua nga SPAK me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa me akuza të rënda lidhur me korrupsion dhe pastrim parash. Autoritetet pretendojnë se çifti ishte përfshirë në një skemë në të paktën dhjetë raste të ndara, duke mbledhur gjithsej rreth 1.1 milion euro fonde publike përmes kompanive të ndryshme private dhe organizatave joqeveritare. Hetimi është zgjeruar duke përfshirë disa biznesmenë të njohur, të gjithë të dyshuar për manipulim të tenderëve publikë dhe lejeve të ndërtimit nëpërmjet kanaleve financiare të kontrolluara nga Xoxa.

Arrestimi i tij tashmë është kthyer në një përgjegjësi të madhe politike për Ramën. Gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë, vetëm një ditë pas arrestimit të Veliajt, Rama u pa duke goditur tavolinën dhe duke sharë, para se t’i jepte fund transmetimit. Publiku dyshon se u soll kështu për shkak të arrestimit të Veliajt. Në platforma të tjera, Rama pohoi se Veliaj u mor nga zyra dhe u mbyll në qeli”, duke e lënë kryeqytetin “pa kokë”.

Deklamimi i tij nuk u kufizua vetëm me kaq – ai e quajti edhe gjyqtarin Erjon Bani, i cili miratoi arrestimin, “ekstremist i djathtë”. Megjithatë, ky pohim qëndron në kontrast të plotë me të kaluarën e gjyqtarit Bani. Në vitin 2021, kur ndaj Veliajt u ngritën akuza për shpifje nga ish-deputetja Grida Duma, Bani e shpalli atë të pafajshëm. Në mënyrë të ngjashme, në një çështje të vitit 2022 – ku bëhej fjalë për shpifje dhe fyerje në një padi të nisur nga Erion Isufi, lidhur me të afërmit e Lulzim Bashës – Bani gjykoi sërish në favor të Veliajt, duke e pastruar atë nga të gjitha akuzat.

Mbështetja e vazhdueshme e Ramës për Erion Veliajn – pavarësisht provave kundër tij dhe përçmimit të popullit ndaj kryebashkiakut – është më shumë se paksa e papëlqyeshme. Veliaj, një figurë e shquar e PS-së, është kthyer në një simbol të korrupsionit endemik që shumë votues thonë se ka njollosur pushtetin aktual.

Duke mbrojtur Veliajn, Rama jo vetëm që dëmton besueshmërinë e administratës së tij, por edhe largon një numër në rritje votuesish që kërkojnë me doemos pak llogaridhënie. Është e qartë se në vend që të pastrojë partinë e tij nga korrupsioni, Rama është më i shqetësuar për mbrojtjen e aleatëve të tij politikë.

Përfundimi i natyrshëm në një sistem që është ndërtuar për të ruajtur pushtetin

Nisur nga peizazhi aktual politik, zgjedhjet shqiptare të 2025-ës duket se janë ende në favor të Edi Ramës, pavarësisht polemikave të fundit. Thjesht ka konsoliduar shumë pushtet përmes rrjeteve strategjike institucionale, reformave zgjedhore që favorizojnë partitë e mëdha dhe një sistemi ku vendet e punës në shtet janë të lidhura me besnikërinë politike. Kjo i jep atij një bazë të integruar votuesish të punonjësve të qeverisë dhe familjeve të tyre, si dhe një morie votuesish besnikë të vjetër, të cilët kanë një nxitje të fortë për t’i mbajtur gjërat ashtu siç kanë qenë gjithmonë, pavarësisht nga fakti se demokracia e vërtetë nuk ka të bëjë vetëm me stabilitetin; ka të bëjë me një arenë politike të gjallë dhe të kontestuar ku mund të shfaqen zëra të rinj.

Për më tepër, opozita mbetet thellësisht e fragmentuar. Me arrestin shtëpiak të Sali Berishës dhe burgosjen e Ilir Metës, dy nga sfiduesit më të mëdhenj të Ramës janë dobësuar ndjeshëm. Ndërkohë që këto ngjarje kanë shkaktuar trazira politike, ato nuk kanë rezultuar në një lëvizje opozitare të unifikuar. Mbështetja e vazhdueshme e Ramës për Erion Veliajn dhe përpjekjet për të diskredituar autoritetet gjyqësore – pavarësisht akuzave të rënda për korrupsion – reflektojnë shumë keq tek ai. Megjithatë, me peizazhin politik të Shqipërisë ende të ndikuar shumë nga shqetësimet e patronazhit dhe stabilitetit, shumë votues përfundimisht e shohin Ramën si zgjedhjen “më pak të rrezikshme”.

Pra, ku e lë kjo Shqipërinë që ndodhet në prag të zgjedhjeve të 2025-ës? Ndonjëherë, s’ke ç’të bësh përveç se të pyesësh veten nëse polemikat dhe betejat ligjore të viteve të fundit mund të shërbejnë përfundimisht si një katalizator për ndryshim. Në fund të fundit, historia ndonjëherë i shndërron krizat në mundësi.

Konsensusi aktual thotë se rrjetet e rrënjosura të pushtetit të PS-së do t’ja hedhin popullit edhe një herë, duke siguruar që fytyrat që kemi njohur për kaq shumë kohë të mbeten në krye. Ndërsa skandalet mund t’i kushtojnë Ramës disa mbështetës, çakordimi i opozitës dhe rrjetet e tij të mirë-konsoliduara sugjerojnë se Rama mbetet kryesues në zgjedhjet e ardhshme. Fitorja e tij mund të mos jetë aq e lehtë sa më parë, por nëse nuk ndodh një ndryshim dramatik, ai mbetet në krye të zgjedhjeve shqiptare të 2025.