Samiti “Ukrainë – Evropë Juglindore”, i zhvilluar më 28 shkurt në Tiranë, synonte, në radhë parë, të bëhej një akt simbolik i mbështetjes për ukrainasit nga ana e vendeve të rajonit. Ky synim, pa dyshim, u realizua: Rusia u quajt qartazi dhe pa mëdyshje agresor, dhe Ukrainës iu premtua se do të mbështetet aq sa do të jetë e nevojshme për të mposhtur agresorin dhe për të arritur paqen e drejtë.
Nëse nga deklaratat dhe premtimet do të kalojmë në konkretizime pragmatike, këtu mund të shihet një ndryshim domethënës në përmbajtjen e kësaj mbështetjeje nga vende të ndryshme të rajonit.
Deklarata e dënimit dhe e mbështetjes
Dokumenti që përmbylli takimin në Tiranë është Deklarata e Samitit, e cila u mbështetur nga liderët e Kosovës, Moldavisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Ukrainës, Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Bullgarisë, Kroacisë dhe Rumanisë: presidentët Vjosa Osmani, Maja Sandu, Jakov Milatoviç, Stevo Pendarovski, Aleksandar Vuçiç, Vladimir Zelenski, kryeministrat Edi Rama, Borjana Kristo (Kryetare e Këshillit të Ministrave të BiH-ës), Nikolaj Denkov, Andrej Plenkoviç, Jon-Marcel Çolaku.
Tezat kryesore të Deklaratës ishin dënimi i “agresionit ushtarak të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës”, i cili “mbetet kërcënimi më i madh për sigurinë evropiane dhe paqen ndërkombëtare”. Akti i agresionit u përkufizua si “i papranueshëm”, si një shkelje e rëndë e “së drejtës ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Kartën e OKB-së”, dhe “një krim kundër popullit ukrainas”.
Pjesëmarrësit e samitit konfirmuan “mbështetjen e tyre të palëkundur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht që nga viti 1991”.
Pjesëmarrësit theksuan se mbeten “të përkushtuar për t’i ofruar Ukrainës mbështetjen e nevojshme për të mposhtur agresionin rus aq sa do të jetë e nevojshme për të arritur një paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme”. Për më tepër, nënvizohet se fitorja dhe paqja e ardhshme duhet të bazohen në Kartën e OKB-së dhe në këtë mënyrë theksohet edhe një herë gatishmëria për të mbështetur vizionin e Kyivit në rrugën që ka ndërmarrë për t’i dhënë fund luftës. Duke vazhduar këtë tezë, pjesëmarrësit e samitit “shprehën gatishmërinë e tyre për të marrë pjesë në zbatimin e Formulës së Paqes të presidentit të Ukrainës, Vladimir Zelenski, e cila përputhet me qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së, dhe për të marrë pjesë në samitin inaugurues të paqes, duke siguruar pjesëmarrjen më të gjerë të mundshme ndërkombëtare në këtë proces”.
Në Deklaratë theksohet gjithashtu “angazhimi e vendosur për të sjellë para drejtësisë ata që janë përgjegjës për krimin e agresionit, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e tjera mizore sipas ligjit ndërkombëtar, të kryera në kuadër të luftës agresive të Rusisë kundër Ukrainës, nëpërmjet hetimeve të duhura, të drejta dhe të pavarura, si dhe persekutimit gjyqësor në një nivel kombëtar apo ndërkombëtar”.
Gjithashtu, vendet nënshkruese “ranë dakord të bashkëpunojnë dhe të përqendrojnë përpjekjet e tyre në kthimin e fëmijëve ukrainas të dëbuar ilegalisht dhe në mënyrë të paligjshme, si dhe të zhvendosur me forcë”.
Integrimi evropian dhe aspiratat euroatlantike të Ukrainës u cekën në nenet e tjera të Deklaratës; si dhe forcimi i përpjekjeve të përbashkëta kundër kërcënimeve hibride që lidhen me dezinformimin dhe sfidat në fushën e sigurisë kibernetike; angazhimi për të marrë pjesë në rindërtimin e Ukrainës pas luftës dhe në çminimin e saj.
Serbia e veçantë
Le të theksojmë edhe një herë se ky dokument mjaft i ashpër, edhe pse kuadër, u mbështet nga të gjithë pjesëmarrësit e samitit, përfshirë edhe Serbinë. Sipas presidentit të këtij vendi, Aleksandar Vuçiç, me kërkesë të tij, nga Deklarata është hequr klauzola për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Megjithatë, përmendja e sanksioneve, të cilat Serbia kategorikisht nuk dëshiron t’i vendosë, nuk do ta bënin Deklaratën më shumë radikale. Prandaj, nënshkrimi i Vuçiçit në fund të dokumentit është pa dyshim një hap i rëndësishëm drejt Kyivit.
Shkaku i kësaj politike të Beogradit është mjaft i qartë dhe ka emrin “Kosovë”.
Gjatë një bisede me gazetarët në Tiranë, Vuçiçi theksoi se për Serbinë është e rëndësishme që Ukraina nuk e ka njohur Kosovën, prandaj është një nga vendet e pakta që mund të flasë për integritetin territorial, pasi nuk ka “shkelur më këmbë” të drejtat e të tjerëve.
Megjithatë, pavarësisht dëshirës për të mbajtur Kyivin nga çdo lëvizje drejt Prishtinës, Beogradi e kufizon aktualisht mbështetjen e tij për Kyivin me deklaratat politike dhe votat periodike në organizatat ndërkombëtare për rezolutat që dënojnë, në njëfarë mënyre, agresionin e Federatës Ruse kundër Ukrainës. Për hapa më praktikë, siç është vendosja e sanksioneve kundër Moskës apo ndihma ushtarake për Kyivin, nuk behet fjalë dhe nuk planifikohen ndryshime në politikën e Beogradit për këtë çështje. Duke komentuar rezultatet e forumit në Tiranë, Vuçiçi theksoi veçanërisht se Serbia nuk ka nënshkruar asnjë marrëveshje dhe traktat me presidentin e Ukrainës për bashkëpunim në lidhje me armët dhe municionin.
Ruajtjen edhe në vazhdim, me përmbajtje mjaft te kufizuar, të miqësisë serbo-ukrainase, e konfirmoi gjithashtu edhe Vladimir Zelenski. Sipas tij, gjatë takimit me presidentin e Serbisë, palët “koordinuan kontaktet e mëtejshme me qëllim të ruajtjes së Formulës së Paqes nga sa më shumë shtete”. Domethënë, po flasim për vazhdimin e bashkëpunimit diplomatik në platformat ndërkombëtare, por jo për kalimin në një nivel të ri, ku flasim për sanksione ndaj Federatës Ruse dhe armë për Ukrainën.
Për sa i përket Kosovës, me sa mundet, Prishtina e mbështet Ukrainën. Sidoqoftë, edhe kjo nuk i jep besim republikës për t’u njohur nga Kyivi.
Planet për Shqipërinë
Ndryshe nga Serbia, Shqipëria, e cila bashkëorganizoi samitin me Ukrainën, ishte një nga vendet e para që dërgoi ndihmë ushtarake në Ukrainë pas fillimit të agresionit të plotë rus. Dhe këto nuk ishin “batanije dhe helmeta”, por armë dhe municione.
Sot, Shqipëria është ndër dhjetë vendet që ndihmojnë më shumë Ukrainën në fushën e sigurisë për frymë popullsie dhe planifikon ta zhvillojë më tej këtë bashkëpunim. Një çështje tjetër është se potenciali i kësaj mbështetjeje është i kufizuar: Shqipëria nuk ka një industri të vetën të mbrojtjes.
Duke komentuar propozimin e Vladimir Zelenskit për prodhimin e përbashkët të armëve dhe municioneve me Ukrainën në vendet e rajonit, propozim me të cilin presidenti ukrainas foli në samit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, theksoi se, megjithëse Shqipëria nuk ka ndërmarrje ushtarake, negociatat me partnerë për rimëkëmbjen e infrastrukturës së vjetër po zhvillohen tashmë. Është një sinjal pozitiv kryesisht për Kiyvin, megjithëse Rama theksoi se Shqipëria ka nevojë për ndërmarrjet e mbrojtjes “mbi të gjitha për hir të saj”. “Ne e dimë shumë mirë se duhet të investojmë më shumë në mbrojtje, si gjithë të tjerët, dhe do ta bëjmë këtë”, theksoi kryeministri shqiptar.
Dimensioni rajonal
Ndër marrëveshjet e tjera të arritura në samitin në fushën e mbrojtjes, mund të veçohet marrëveshja e palëve ukrainase dhe kroate për prodhimin e përbashkët të dronëve, të cilën Zelenski e njoftoi pas takimit me kryeministrin Plenkoviç.
Duke folur për vendet e tjera të rajonit, të cilat ishin të pranishme në Forumin e Tiranës, nuk mund të mos përmendet Bullgaria. Edhe pse bisedimet dypalëshe mes Zelenskit dhe Denkovit nuk u zhvilluan në kryeqytetin e Shqipërisë, por një ditë më parë, në Kyiv, janë pjesë përbërëse të marrëdhënieve të Ukrainës me rajonin e Evropës Juglindore. Aktualisht, mund të thuhet se mbështetja bullgare për Ukrainën, duke përfshirë edhe sferën e mbrojtjes, do të ruhet. Për këtë dëshmon edhe deklarata e fundit e ministrit të Mbrojtjes së Bullgarisë, Todor Tagarevës, i cili njoftoi për paketën e re të ndihmës ushtarake për Kyivin.
Mungojnë informacione për bisedimet e presidentit ukrainas në Tiranë me kryeministrin rumun, por edhe këtu mund të flitet për mbështetjen e vazhdueshme që Rumania i jep Ukrainës.
Sipas Zelenskit, bëhet e ditur se bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes është diskutuar edhe me pjesëmarrës të tjerë në samitin e Tiranës. Në veçanti, me presidentin e Maqedonisë së Veriut dhe kreun e qeverisë së Bosnjë-Hercegovinës. Detajet e këtyre negociatave nuk dihen, por është e qartë se rastet e marrëdhënieve me Shkupin dhe me Sarajevën janë raste krejtësisht të ndryshme për Kyivin. Maqedonia e Veriut (anëtare e NATO-s) ndoshta dëshiron të vazhdojë të mbështesë Ukrainën, përfshirë edhe me armë, por nuk ka mundësi të mjaftueshme. Nga ana tjetër, BiH-a ka disa prodhues të fuqishëm të armëve, pajisjeve ushtarake dhe municioneve në territorin e saj, por është një partner shumë i vështirë për shkak të veçorive të brendshme, të cilat i dinë të gjithë dhe për të cilat nuk do të ndalemi tani.
Është interesant fakti se, pavarësisht se Mali i Zi është anëtar i NATO-s, Zelenski nuk e ka theksuar bashkëpunimin ushtarak me Podgoricën kur ka folur për takimin në margjinat e samitit në Tiranë me presidentin Milatoviç. Presidenti i Ukrainës vuri në dukje vetëm se ka diskutuar me kolegun e tij malazez për trajtimin dhe rehabilitimin e ushtrisë ukrainase në Mal të Zi.
Nuk u përmend as ndonjë marrëveshje për bashkëpunimin e mbrojtjes me Moldavinë. Megjithatë, Kievi ka një marrëdhënie të veçantë fqinjësore me Kishinaun dhe aktualisht, tema kryesore e bisedës midis zyrtarëve të lartë ukrainas dhe moldavë është kryesisht situata në Transnistria. Bisedimet mes Zelenskit dhe Sandusë në Tiranë nuk ishin përjashtim.
Pas një përmbledhjeje të rezultateve të forumit në kryeqytetin e Shqipërisë, mund të deklarohet se samiti “Ukrainë – Evropë Juglindore” ka luajtur rolin e një platforme të fuqishme komunikimi. Nëpërmjet kësaj platforme, vendet e rajonit patën mundësinë të shprehnin mbështetjen unanime për Ukrainën dhe ranë dakord për hapat që do të ndiqen më tej. Ndër të tjera, takimet dypalëshe me Zelenskin bënë të mundur personifikimin dhe diversifikimin e formateve të mbështetjes për Ukrainën. Domosdo, ndihma nuk do të vijë në të gjitha rastet në formën e armëve (siç do të dëshironte Kiyvi). Sidoqoftë, është gjithashtu e dukshme se, pas samitit të Tiranës u bë përfundimisht e qartë: të mos e mbështesësh fare Ukrainën mes vendeve të Evropës Juglindore, do të thotë të shkosh kundër prirjes së pranuar përgjithësisht.