Misioni i Dodikut në Kazan

Misioni i Dodikut në Kazan

Udhëtimi i presidentit të Republikës Srpska, Milorad Dodik në Rusi, takimi i tij me Vladimir Putinin dhe dekorimi me medaljen ruse demonstruan edhe më shumë përkushtimin e Banja Lukës ndaj Moskës. De fakto, autoritetet e entitetit serb të Bosnjë-Hercegovinës deklaruan drejtpërdrejt se ata përkrahin Rusinë, “Perëndimi për ne, nëse s’është ende armiku ynë, e sigurt që është kundërshtari ynë”.

Kthimi përfundimtar i Republikës Srpska me fytyrë drejt Rusisë dhe shpinën Perëndimit, siç thonë në përrallat popullore ruse, pa dyshim që do të ketë pasoja domethënëse destabilizuese për Bosnjën dhe Hercegovinën.

Fundi i neutralitetit

Nuk është vizita e parë e Milorad Dodikut në Rusi që nga fillimi i pushtimit në shkallë të gjerë dhe takimi i fundit me presidentin e Federatës Ruse, i cili u zhvillua në kryeqytetin e Tatarstanit rus; Kazani ishte i katërti në dy vitet e fundit. Megjithatë, ky udhëtim tërhoqi vëmendje të veçantë për shkak të deklaratave radikale pro-ruse të bëra nga presidenti i Republikës Srpska, të cilat janë të pazakonta qoftë edhe për të.

Më herët, Dodiku theksonte qëndrimin e tij “neutral” ndaj luftës ruso-ukrainase. Në maj të vitit 2023, për shembull, pikërisht për “neutralitetin” ndaj “konfliktit në Ukrainë” Putini e falënderoi atë. Këtë herë, qëndrimi i presidentit të Republikës Srpska ka ndryshuar.

Si rezultat i bisedës me Putinin, Dodiku theksoi në një intervistë për RT (ish-Russia Today) se i uron presidentit rus “fitore” (Theksojmë se takimi midis presidentëve të Federatës Ruse dhe Republikës Srpska u zhvillua pak ditë pas okupimit të qytetit ukrainas, Avdijivka, nga trupat ruse). “I urova fitore të mëtejshme. I thashë atij se, të gjitha fitoret e tij, fitoret e Rusisë, janë edhe fitoret tona. Ne besojmë se Rusia është në anën e duhur. Në anën e lirisë se njerëzve, të popujve dhe të vendeve. Presidenti Putin, në këtë aspekt, po realizon tani një mision shumë të rëndësishëm”, deklaroi ai. Kështu, sipas fjalëve të tij të cituara nga media, “Rusia ishte e detyruar të mbronte popullin e saj, prandaj filloi një Operacion Special Ushtarak”.

Me këto deklarata, Dodiku jo vetëm që riprodhoi stereotipet e propagandës ruse të luftës, por bëri publik edhe qëndrimin e ri zyrtar të Banja Lukës, i cili tani nuk është neutral, por prorus dhe antiperëndimor.

Megjithatë, presidenti i Republikës Srpska nuk u kufizua me temën e luftës ruso-ukrainase, duke treguar se radikalizmi i pozicionit të serbëve, të cilët përfaqëson ai, vlen edhe për fusha të tjera.

Duke diskutuar me Putinin rreth temës së sanksioneve kundër Rusisë dhe anëtarësimin e Bosnjë-Hercegovinës në NATO, Dodiku, në mënyrë të parashikueshme, theksoi se Republika Srpska nuk do ta lejojë BiH-ën të bëjë as të parën, as të dytën, pavarësisht nga “presioni i Perëndimit”. Edhe ankesat e tij për “protektoratin” e shteteve perëndimore për Bosnjë-Hercegovinën priteshin. Por deklarata e Dodikut se veprimet e vendeve perëndimore në Republika Srpska janë “intervencioni” (cituar nga “Gazeta ruse”), u bë një kthesë e re në konfrontimin midis serbëve të Bosnjë-Hercegovinës dhe Perëndimit. (Këtu mund të kujtojmë se një nga përkufizimet e termit “intervencioni” është ndërhyrja e dhunshme e një ose më shumë shteteve në punët e brendshme të një shteti tjetër, e drejtuar kundër integritetit territorial ose pavarësisë së tij politike).

Duket se Dodiku, me ndihmën e komunikimit të fundit me Putinin dhe deklaratave të tij në mediet propagandistike ruse, ka vendosur të “djegë të gjitha urat” e Banja Lukës me Brukselin dhe Uashingtonin.

Ky mesazh u përforcua më tepër nga vizita e presidentit të Republikës Srpska në Bjellorusi dhe takimi i ngrohtë i Dodikut me Aleksandër Lukashenkon para udhëtimit të tij në Tatarstanin rus.

Është e qartë se tani e tutje Republika Srpska duhet të bëhet një bastion edhe më agresiv i Kremlinit në rajon. Por problemi kryesor mbetet në veprimet e Dodikut, të cilat sinjalizojnë një ndryshim kursi jo vetëm për Banja Lukën, por edhe për Beogradin, sepse presidenti i Republikës Srpska punon në një ekip udhëheqësi i së cilës ndodhet në shtetin fqinj.

Bëhet fjalë për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Marrëdhënie e veçantë

Vuçiçi, vazhdimisht, në mënyra të ndryshme, provonte se Dodiku është ndër bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë. Presidenti i Republikës Srpska është një pjesëmarrës i domosdoshëm për Beogradin zyrtar në të gjitha ngjarjet publike në Serbi: festimi i fitores në zgjedhje, përkujtimi i datave të rëndësishme, parada ushtarake dhe ekspozita… Demonstrimi më me ngjyra se lideri aktual i serbëve në Bosnjë dhe Hercegovinë është pjesë e ekipit të Vuçiçit u bë pjesëmarrja e Dodikut në një mbledhje ushtarake së fundmi në Beograd, së bashku me lidershipin më të lartë të ushtrisë së Serbisë. Ky takim, i zhvilluar në fund të janarit, sipas të gjitha kanuneve duhej të zhvillohej si një ngjarje tërësisht e brendshme e Republikës së Serbisë, por prania në të e presidentit të Republikës Srpska, një nga entitetet e Bosnjës dhe Hercegovinës, domethënë një zyrtar i lartë i shtetit fqinj, si dhe promovimi aktiv i këtij fakti nga burimet shtetërore mediatike, kishin si qëllim të dukshëm të demonstronin lidhjen veçanërisht të ngushtë mes Beogradit dhe Banja Lukës, mes Vuçiçit dhe Dodikut.

Raporte të veçanta midis presidentit të Serbisë dhe presidentit të Republikës Srpska, megjithatë, prej kohësh nuk përbejnë më një sekret. Është domethënëse se pak kohë më parë, lideri i Partisë Progresive Serbe në pushtet, zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviçi deklaroi se Perëndimi po i bën presion Vuçiçit, duke kërkuar që ai t’i tërheqë vëmendjen për rregull dhe të “disiplinojë” Dodikun. Vuçeviçi, në fakt, e bëri të qartë se kjo kërkesë nuk mundet dhe nuk do të përmbushet. Dhe, siç mund ta shohim, edhe deklaratat e fundit të Dodikut në Rusi nuk provokuan gjykime nga autoritetet serbe dhe nuk e detyruan Beogradin të distancohet nga liderët aktualë të serbëve në BiH.

Këtu duhet të theksohet se, edhe pse qëndrimi i presidentit të Republikës Srpska aktualisht duket si shumë më pro-rus se qëndrimi i lidershipit të Serbisë fqinje, hapat e Beogradit zyrtar ndaj Moskës tregojnë gjithashtu dëshirën për të pasur marrëdhënie të ngushta serbo-ruse.

Intervista e fundit plot komplimente e Vuçiçit dhënë agjencisë shtetërore ruse të lajmeve, deklaratat e vazhdueshme për mungesën e dëshirës për vendosjen e sanksioneve kundër Federatës Ruse, blerja e armëve të reja ruse (sistemet anti-drone) për ushtrinë e Serbisë, të gjitha këto tregojnë se Beogradi bashkëpunon me Moskën dhe dëshiron ta bëjë këtë edhe në vazhdim. Prandaj, deklaratat e fundit të Dodikut nuk duken si diçka e papranueshme, por si komponentë të kursit të përbashkët prorus të Beogradit dhe Banja Lukës. Thjesht, autoritetet e Serbisë dhe personalisht Vuçiçi nuk duan të kthehen plotësisht drejt Federatës Ruse, prandaj misioni publik i mbështetjes dhe zhvillimit të kontakteve serbo-ruse i akordohen Dodikut, një politikani nga një vend fqinj.

Është domethënëse që, për përforcimin e skuadrës në Banja Luka nga Beogradi për postin “de facto” të këshilltarit të Dodikut, u dërgua dy muaj më parë Aleksandar Vulini, ish-kreu i Agjencisë së Informacionit dhe Sigurisë së Serbisë (BIA), i cili konsiderohet si kontakti kryesor mes qeverisë serbe dhe Moskës, si dhe një element kyç i shërbimeve speciale ruse në Ballkan.

Me sa duket, në Beograd vendosën t’ia linin Banja Lukës rolin e krahut radikal pro-rus të të gjithë serbëve të Ballkanit dhe vetë të vazhdonin të demonstronin ekuilibrin midis Perëndimit dhe Rusisë. Sidomos kur Dodiku, anëtarët e ekipit të tij dhe Vulini janë gjithsesi nën sanksionet perëndimore (amerikane).

Rrugës drejt një konflikti hibrid

Në Banja Luka ndoshta mendojnë se në këtë fazë, bashkëpunimi me Moskën do të kontribuojë në kthimin në “Dejtonin origjinal”, do të ndihmojë që të zhduket një mekanizëm i tillë i rregullit ndërkombëtar si Zyra e Përfaqësuesit të Lartë dhe do të sigurojë zgjerimin e të drejtave dhe kompetencave të Republikës Srpska.

Qeveria serbe, duke bashkëpunuar me Dodikun, besnik ndaj Beogradit dhe Moskës, ndoqi interesat e saj, të cilat nuk kufizohen vetëm në zhvillimin e komunitetit ndërkufitar të serbëve në rajon (ndërtimi i një “bote serbe”, siç thotë Vulini) ose përkrahja e aspiratave të Republikës Srpska për pavarësi më të madhe nga autoritetet qendrore të BiH-ës. Beogradi, me sa duket, po zgjidh edhe detyra të tjera, ndaj këto janë sigurimi i rritjes së elektoratit besnik falë qytetarëve me pasaportë serbe nga një vend fqinj (teknologjia e “migrimit të votuesve nga Republika Srpska në Serbi” i solli, siç pretendohet, partisë së Vuçiçit mijëra vota në zgjedhjet e fundit), dhe përpjekjet për të bashkëpunuar me Federatën Ruse me ndihmën e “ndërmjetësve” nga Banja Luka.

Kremlini, duke bashkëpunuar me udhëheqjen e Republikës Srpska, vepron sipas listës së tij të detyrave. Këtu përfshihet edhe bllokimi i vendosjes së sanksioneve kundër Federatës Ruse nga Bosnja dhe Hercegovina, edhe frenimi i integrimit evropian të BiH-ës (pasi ky proces përfshin koordinimin e politikës së jashtme dhe politikës së sigurisë), si dhe pengimi i bashkëpunimit të BiH-ës me NATO-n. Prandaj, Moska, duke u fokusuar veçanërisht në nevojat e veta, do të kontribuojë në çdo mënyrë në vazhdimin dhe radikalizmin e kursit aktual të Banja Lukës, i cili synon konfrontimin me Sarajevën zyrtare dhe Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë (OHR), dhe në përgjithësi në konfrontimin midis Republikës së Srpskas dhe Perëndimit.

Është e qartë se me rritjen dhe intensifikimin e ndikimit rus në Banja Luka, direkt apo indirekt, kontradiktat midis Republikës Srpska dhe autoriteteve qendrore të BiH-ës nuk do të zgjidhen, por do të intensifikohen. Mosmarrëveshjeve të vjetra do t’u shtohen edhe të tjera.

Në një moment, konfrontimi mund të shndërrohet në një konflikt të vërtetë hibrid, i dobishëm vetëm për Moskën. Por me sa duket, Banja Luka dhe Beogradi nuk i tremben një zhvillimi të tillë.