Aleancat e reja ushtarake dhe siguria e Ballkanit Perëndimor

Aleancat e reja ushtarake dhe siguria e Ballkanit Perëndimor

Turbulencat gjeopolitike globale, shkatërrimi i partneriteteve të qëndrueshme ndërkombëtare dhe rritja e sfidave të sigurisë me të cilat përballet Evropa, kryesisht të lidhura me agresionin rus kundër Ukrainës, po ndikojnë ndjeshëm në gjeopolitikën e Ballkanit Perëndimor. Një ndjenjë e pasigurisë dhe përpjekjet për ta garantuar këtë sigurin në mënyrë individualiste po bëhen gjithnjë e më të përhapura në rajon. Kjo çon në copëzimin e peizazhit të sigurisë së Ballkanit Perëndimor dhe formimin e kampeve (shoqatave) ende jo armiqësore, por tashmë antagoniste.

Në këto kushte, forca të caktuara – përfshirë edhe aktorë të jashtëm – të interesuar për destabilizimin e mëtejshëm të rajonit, kanë disa mundësi të jashtëzakonshme për të zgjeruar ndikimin e tyre dhe për të intensifikuar aktivitetet keqdashëse.

Deklarata e Tiranës

Më 18 mars, ministrat e Mbrojtjes së Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë (Pirro Vengu, Eyup Makedonci dhe Ivan Anushiq), nënshkruan në Tiranë Deklaratën për Aleancën Ushtarake. Siç u theksua, palët synojnë të bashkëpunojnë në rritjen e aftësive mbrojtëse dhe industrisë së mbrojtjes, rritjen e ndërveprimit ndërmjet forcave të armatosura të tre kombeve përmes stërvitjeve të përbashkëta dhe shkëmbimit të përvojës ushtarake, përballjes së kërcënimeve hibride dhe mbështetjes së integrimit të mbrojtjes euro-atlantike dhe rajonale të Kosovës.

Nënshkruesit theksuan se ky bashkëpunim trepalësh bazohet në frymën e miqësisë dhe përkushtimit për marrëdhënie të mira fqinjësore, paqe dhe siguri. U theksua se marrëveshja nuk synon të krijojë kërcënime për asnjë palë të jashtme, duke qenë një hap shtesë drejt mbështetjes së stabilitetit rajonal. Deklarata thekson rëndësinë e një reagimi të përbashkët ndaj sfidave të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera për rajonin.

“Ne nxjerrim një vlerësim të përbashkët për kërcënimet në një mjedis të brishtë sigurie”, theksoi ministri Vengu.

Ministri Makedonci theksoi se “qëllimi i këtij bashkëpunimi nuk është të kërcënohet askënd, është për të dërguar një mesazh për ata që synojnë të kërcënojnë rajonin”, “një mesazh për çdo vend që synon të destabilizojë, se jemi bashkë”. “Bashkë me Shqipërinë dhe Kroacinë, Kosova është më e fortë, rajoni është më i sigurt dhe paqja është më e qëndrueshme”, theksoi ai.

“Të tre shtetet do të jenë të përgatitura për t’u përballur me sfidat e ardhshme të sigurisë në Evropën Juglindore”, vuri në dukje Anushiq.

Sipas ministrit kroat, ekziston mundësia që edhe Bullgaria t’i bashkohet aleancës ushtarake trepalëshe në të ardhmen.

Zemërimi i Beogradit

Në një deklaratë të publikuar vonë në mbrëmjen e 18 marsit, Ministria e Jashtme e Serbisë e cilësoi Deklaratën e nënshkruar në Tiranë si “provokim” dhe një hap që cenon stabilitetin rajonal. Një mendim të ngjashëm kanë shprehur edhe shefi i mbrojtjes serbe dhe presidenti i vendit. Beogradi ishte veçanërisht i indinjuar nga fakti që “të ashtuquajturës Kosovë” iu lejua të nënshkruajë dokumentin.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq deklaroi gjithashtu se nënshkrimi i Deklaratës ishte në “shkelje të Marrëveshjes nënrajonale të kontrollit të armëve të vitit 1996”.

Zëvendëskryeministri kroate dhe ministri i Mbrojtjes, Anushiç, duke komentuar mbi deklaratat e zyrtarëve të lartë serbë, vuri në dukje: “Ka kaluar koha kur Kroacia e pyet Beogradin se çfarë i lejohet të bëjë dhe si duhet ta bëjë këtë dhe kjo nuk do të ndodhë më kurrë. Jemi një shtet i pavarur që 35 vjet, kemi kaluar pesë vjet agresion dhe politika që përhapin këtë lloj narrative. Kroacia ka të drejtë të nënshkruajë memorandume. Kosova është një komb mik që ne e kemi njohur dhe shtetet e tjera do t’i bashkohen këtij Memorandumi. Dokumenti nuk përmend Serbinë, agresionin, apo ndonjë aktivitet që mund të kërcënojë dikë, përfshirë Serbinë”.

Kryeministri Andrej Plenkoviq tha se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova e kanë nënshkruar Deklaratën në bazë të vendimeve dhe vlerësimeve të tyre, duke shtuar se nuk kanë nevojë të pyesin askënd për këtë, as Serbinë dhe as NATO-n. “Ky është një memorandum i bashkëpunimit të përbashkët, nuk ka natyrë armiqësore”, tha Plenkoviq.

Gjithashtu, ekspertët vunë në dukje se vlerësimi i presidentit të Serbisë në lidhje me kontradiktën midis Deklaratës së Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë dhe Marrëveshjes së vitit 1996 është thjesht i pasaktë. Para së gjithash, kjo për shkak se dokumentet kanë nënshkrues të ndryshëm dhe përmbatje krejt të ndryshme.

Marrëveshja për kontrollin nënrajonal të armëve u nënshkrua më 14 qershor 1996 në Firence si pjesë e Marrëveshjeve të Dejtonit, bazuar në Aneksin 1B – Neni IV, i cili siguroi bazën për vendosjen e një regjimi të kontrollit të armëve midis Republikës së Kroacisë, Republikës Federale të Jugosllavisë në Bosnje dhe Hercegovinë me Federatën e Republikës së Bosnjës dhe Hercegovinës. Shpallja e pavarësisë së Malit të Zi ndryshoi numrin e palëve në Marrëveshje në katër – Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci, Mal të Zi dhe Serbi.

Marrëveshja nënrajonale e kontrollit të armëve vendos një sistem masash dhe procedurash për reduktimin e numrit të armëve në një nivel të rënë dakord. Dokumenti përmban kufizime numerike specifike për pesë kategori armësh (tanke, mjete luftarake të blinduara, artileri (75 mm e lart), avionë luftarakë dhe helikopterë sulmues); dispozitat për një mekanizëm monitorues nëpërmjet inspektimeve, shkëmbimit të informacionit dhe verifikimit. Të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga Marrëveshja janë ligjërisht të detyrueshme.

Shqipëria nuk e nënshkroi kurrë Marrëveshjen Nënrajonale të Kontrollit të Armëve dhe as nuk ishte pjesë e Procesit të Paqes të Dejtonit, kështu që sipas definicionit, ajo nuk mund të shkelë marrëveshjet e gati 30 viteve më parë.

Kosova konsiderohej pjesë e territorit të Serbisë edhe nga vetë kosovarët 29 vjet më parë (pavarësia u shpall vetëm në vitin 2008).

Pretendimet e Serbisë ndaj Kroacisë ngrenë një pyetje tjetër, e cila është më e përgjithësuar: a mundet Deklarata e nënshkruar në Tiranë të shkelë Marrëveshjen për numrin e njësive të pajisjeve ushtarake? Ekspertët thonë se nuk mundet sepse Shqipëria, Kosova dhe Kroacia në fakt nënshkruan një memorandum politik, një lloj deklarate “synimi”, e cila nuk përmban numra specifikë në lidhje me prodhimin ose blerjen e tankeve, mjeteve të blinduara, artilerisë, avionëve luftarakë dhe helikopterëve.

Përsa i përket indinjatës së Beogradit për nënshkrimin e Deklaratës së Tiranës nga “Republika e Kosovës” si shtet më vete, këtu gjithçka është e thjeshtë – Kroacia dhe Shqipëria e njohën Kosovën dhe nga këndvështrimi i këtyre dy qeverive, bashkëpunimi është plotësisht brenda kornizës ligjore.

Plani serbo-hungarez

Udhëheqja serbe, përkundër të gjitha garancive nga nënshkruesit e “Deklaratës së të Treve” (kryesisht Kroacisë) për mungesën e synimeve agresive ndaj palëve të jashtme, e interpretoi bashkimin midis Zagrebit, Tiranës dhe Prishtinës si një bllok agresiv që synon veçanërisht Beogradin. “Ata filluan një garë armatimesh në rajonin tonë, kjo është një situatë e vështirë për ne, natyrisht, nuk është e lehtë, por ne e kuptuam mesazhin e tyre. Dhe ne do ta ruajmë vendin tonë, do t’i pengojmë ata dhe gjithmonë do ta mbrojmë me sukses nga çdo agresor potencial, qoftë edhe një agresor kaq i fuqishëm”, theksoi Vuçiq.

Menjëherë pas nënshkrimit të deklaratës në Tiranë, presidenti serb e diskutoi atë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte dhe krerët e Bashkimit Evropian, por, “përveç ngritjes së shpatullave dhe ‘epo mirë, ndodhi’, nuk prisja të merrja ndonjë përgjigje tjetër”. Beogradi përdori mungesën e dënimit nga Brukseli ndaj nënshkruesve të Deklaratës së Tiranës për të justifikuar hapat e tij të mëtejshëm. Disa ditë më vonë, mediat pro-qeveritare në Serbi raportuan se Vuçiq dhe kryeministri hungarez Viktor Orbán kishin hyrë tashmë në “negociata serioze për të formuar një aleancë ushtarake midis dy vendeve”, që ishte përgjigja e Serbisë ndaj Deklaratës për Aleancën Ushtarake të nënshkruar në Tiranë nga Kroacia, Shqipëria dhe “e ashtuquajtura Kosova”. Më 1 prill, në Beograd, në prani të Presidentit Aleksandar Vuçiq, ministri serb i Mbrojtjes Bratislav Gashiq dhe ministri hungarez i mbrojtjes Kristof Szalay-Bobrovniczky nënshkruan Planin Dypalësh të Bashkëpunimit Ushtarak të dy ministrive për vitin 2025. Dokumenti zbaton dhe specifikon Marrëveshjen e nënshkruar në vitin 2023 ndërmjet Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe Qeverisë së Hungarisë për Forcimin e Bashkëpunimit Strategjik në Fushën e Mbrojtjes.

“Kjo shënon një vazhdimësi shumë të rëndësishme të bashkëpunimit tonë. Bashkëpunimi strategjik ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë në fushën e mbrojtjes është një nga aspektet më të rëndësishme të bashkëpunimit tonë gjithëpërfshirës strategjik. Nga të gjitha vendet e rajonit, Serbia ka bashkëpunimin më të zhvilluar dhe intensiv të mbrojtjes me Hungarinë për sa i përket numrit dhe rëndësisë së aktiviteteve të përbashkëta”, tha Vuçiq pas nënshkrimit. Ai theksoi se elementët kryesorë të këtyre marrëdhënieve përfshijnë bashkëpunimin ndërushtarak, i cili reflektohet në zhvillimin e stërvitjeve dypalëshe dhe shumëkombëshe, si dhe bashkëpunimin ushtarako-teknik në prokurimin e armëve. Vuçiq gjithashtu shprehu besimin se marrëveshjet për aktivitete të përbashkëta do të çojnë në afrimin e mëtejshëm dhe krijimin e një aleance apo bashkimi ushtarak ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë.

Ministri hungarez i Mbrojtjes Szalay-Bobrovniczky theksoi se Plani Dypalësh i Bashkëpunimit Ushtarak e ka ngritur bashkëpunimin mes dy vendeve në një nivel edhe më të lartë, i cili do të kontribuojë në forcimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Më 3 prill, në margjinat e një konference rajonale në Sofje, Vuçiq prezantoi argumentet e tij në favor të zhvillimit të bashkëpunimit ushtarak midis Serbisë dhe Hungarisë, duke theksuar jo aq një përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj veprimeve të Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, por një përpjekje për të kundërshtuar rreziqet e sigurisë. Nuk bëhet fjalë për “kundërmasa politike”, por për “një përpjekje të thellë dhe gjithëpërfshirëse për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë”, vuri në dukje ai. Gjëja kryesore që shqetëson Beogradin sot është mosrespektimi marrëveshjes së Brukselit nga Prishtina dhe situatën në Republika Srpska, sipas presidentit serb.

Me fjalë të tjera, Serbia, së bashku me Hungarinë, ose me ndihmën e kësaj të fundit, do të mbrojë interesat e saj si në procesin e zgjidhjes së problematikës së Kosovës, ashtu edhe në zgjidhjen e krizës së vazhdueshme në Bosnje dhe Hercegovinë.

Një pikëpamje pesimiste

Presidenti serb ka të drejtë që dokumenti i nënshkruar më 1 prill të këtij viti nuk mund të shihet vetëm si përgjigje ndaj Deklaratës së Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë. Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe Qeverisë së Hungarisë për forcimin e bashkëpunimit strategjik në fushën e mbrojtjes, e cila parasheh miratimin e planeve vjetore të bashkëpunimit me listën e masave të përbashkëta në fushën e mbrojtjes, është në fuqi prej dy vitesh. Prandaj, duke folur objektivisht, është aleanca e Tiranës, Prishtinës dhe Zagrebit që mund të konsiderohet më tepër si një përgjigje ndaj partneritetit strategjik të mbrojtjes midis Beogradit dhe Budapestit.

Një aspekt tjetër që nuk mund të anashkalohet, duke mbetur “prapa skene”, është “hija e Rusisë” mbi aleancën ushtarake të Serbisë dhe Hungarisë. Udhëheqësit serbë dhe hungarezë i shorehin hapur ndjenjat e tyre pro-ruse, duke shprehur krenari për miqësinë e tyre me Moskën. Nëse në rastin e aleatit të NATO-s, Hungarisë, bëhet fjalë për lojën gjeopolitike të Orbanit dhe përpjekjet për të marrë përfitime financiare dhe ekonomike, në rastin e Serbisë flasim edhe për bashkëpunim aktiv me Rusinë në fushën ushtarake.

Vlen të kujtojmë se që nga viti 2013 Serbia zyrtarisht gëzon statusin e vëzhguesit në Asamblenë Parlamentare të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (AST), pra në bllokun ushtarak të konceptuar nga Rusia. Ai status mbetet i vlefshëm edhe sot, dhe kontaktet në nivel të Parlamentit serb – Asamblesë Parlamentare të CSTO mbeten të hapura dhe aktive. Kjo përveç ndërveprimit të vazhdueshëm midis zëvendëskryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vulin, dhe shefave të sigurimit të Rusisë.

Zhvillimi i bashkëpunimit ndërmjet Beogradit dhe Budapestit në fushën ushtarake jo vetëm që do të krijojë kushte të favorshme për promovimin e interesave serbe në të gjithë rajonin, por do të bëhet gjithashtu një mundësi për të forcuar praninë indirekte të Rusisë në Evropën Juglindore. Me kontingjentin hungarez të pranishëm në dy misione ushtarake paqeruajtëse rajonale – EUFOR Althea i Bashkimit Evropian në Bosnje dhe Hercegovinë dhe KFOR-i i udhëhequr nga NATO në Kosovë – Beogradi dhe Moska mund të rrisin ndjeshëm ndikimin e tyre në Ballkanin Perëndimor.

Ky rajon ka një tendencë për të nënvlerësuar kërcënimet ekzistuese. Në veçanti, besohet se aleancat ushtarake rajonale të shpallura janë thjesht “tigra prej letre” dhe se potenciali destabilizues i aktorëve të jashtëm mbetet shumë i kufizuar. Megjithatë, dobësimi i unitetit brenda NATO-s dhe Perëndimit në përgjithësi në mes të përkeqësimit të situatës së sigurisë në Evropë, kryesisht për shkak të mungesës së një marrëveshjeje të drejtë dhe të qëndrueshme paqeje për Ukrainën, nuk të jep shkak për të patur një këndvështrim optimist. Në sfondin e ngjarjeve të reja globale, shpërbërja e fushës së përbashkët të sigurisë së Ballkanit Perëndimor në fragmente të veçanta antagoniste dhe aktivizimi i forcave shkatërruese të brendshme dhe të jashtme mund të nënkuptojë vetëm zhvendosjen e rajonit drejt një rruge më pak të sigurt dhe më pak të qëndrueshme.