A është Viktor Orbán duke nxitur konflikt brenda NATO-s?

A është Viktor Orbán duke nxitur konflikt brenda NATO-s?

“Pas sabotimit të Nord Stream, Hungaria dhe Serbia paralajmëruan komunitetin ndërkombëtar se do të konsideronin çdo kërcënim ndaj sistemit të furnizimit të gazit nga Federata Ruse si bazë për luftë”, tha kryeministri hungarez Viktor Orbán në një intervistë me një gazetar Amerikan, komentatori konservator dhe politik pro-Rus Tucker Carlson. Orbán theksoi se Hungaria menjëherë e cilësoi aktin e sabotimit në tubacionet Nord Stream si një akt terrorist dhe e quajti mungesën e një reagimi vendimtar nga Gjermania “një manifestim i mungesës së sovranitetit”.

Vlen të përmendet se kohët e fundit, tema e shpërthimeve në tubacionet e gazit Nord Stream është kthyer sërish në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. Pavarësisht se hetimi nuk ka përfunduar ende dhe rrjeti i të përfshirëve nuk është përcaktuar, një sërë mediash po shtrojnë një pyetje të parakohshme dhe mjaft provokuese nëse partneriteti i Gjermanisë me NATO-n do të rishikohet në rast se përfshirja e një aleati tjetër të NATO-s është vërtetuar.

Në deklaratat e tij, Viktor Orbán shkoi edhe më tej: “Së bashku me kryeministrin e Serbisë dhe presidentin, ne kemi vërejtur se nëse dikush synon të bëjë me korridorin jugor (të vendosur nga Rusia në Turqi, Bullgari, Serbi dhe Hungari) të njëjtën gjë që është bërë me Nord Stream, do ta konsiderojmë si bazë lufte, sulm terrorist dhe do të përgjigjemi menjëherë”. Pa treguar se kujt i drejtohej saktësisht paralajmërimi i tij, ndonëse duke sqaruar se nuk ishte Rusia, kryeministri i Hungarisë bëri thirrje për të hequr dorë nga plane të tilla. “Ndoshta mund ta bëni këtë me Gjermanët, por nuk mund ta bëni këtë me këtë rajon”, shtoi ai. I pyetur nga Tucker Carlson se pse Gjermania, aleati më i madh i Evropës në NATO, nuk tha asgjë në lidhje me shkatërrimin e tubacionit të gazit Nord Stream nga SHBA, për të cilin Carlson pretendoi se shkatërroi ekonominë Gjermane, Orbán tha se Berlini dhe Perëndimi hodhën poshtë versionin e një sulmi terrorist.

Vlen të përmendet se Orbán nuk i ka mohuar fjalët e gazetarit në lidhje me përfshirjen e supozuar të SHBA-së në hedhjen në erë të tubacionit të gazit, pavarësisht se kjo akuzë mjaft e rëndë nuk mbështetet me asnjë fakt.

Duke komentuar deklaratën e kryeministrit hungarez, ish-ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Vladislav Jovanoviç, vuri në dukje se “sabotimi i Rrjedhës Ballkanike” (zgjerimi i Rrjedhës Ruse Turke në Bullgari, Serbi dhe Hungari) do të sillte një krizë të përhershme dhe një goditje vdekjeprurëse për Ballkanin. Ekziston edhe pyetja se Amerika dhe aleatët e saj mund të kryejnë një akt të tillë sabotimi.” Në të njëjtën kohë, gjenerali serb Mitar Kovac pohon gjithashtu: “Që nga shpërthimi në Nord Stream, ka pasur spekulime se Amerika ka një plan shkatërimin e Rrymës Ballkanike dhe ndërprerjen e Evropës nga furnizimet Ruse me energji. Amerika nuk e braktis (idenë) e ndërprerjes së Bashkimit Evropian, kryesisht Evropës Perëndimore, nga furnizimi me energji që marrin nga Rusia në të gjithë sektorët.”

Duket se Viktor Orbán, Vladislav Jovanović dhe Mitar Kovac nuk kanë asnjë dyshim se ndërprerja e rrjedhës së gazit Nord Stream është orkestruar nga SHBA. Ky është opinioni i transmetuar në hapësirën e tyre publike. Për më tepër, kryeministri i Hungarisë, një aleat i NATO-s, në fakt po kërcënon SHBA-në, një tjetër aleat të NATO-s (dhe ata që pengojnë Rusinë të eksportojë gazin e saj në rajon), me luftë nëse sabotohet korridori jugor i gazit. E gjithë kjo, së bashku me akuzat kundër Gjermanisë për gjoja mungesën e reagimit ndaj incidentit, i cili ende nuk është hetuar plotësisht, mbart shenjat e një provokimi sistematik që synon të mbjellë një përçarje brenda bllokut të NATO-s.

Budapesti ka injoruar prej kohësh rekomandimet e Brukselit për të ndërprerë furnizimet me gaz Rus në mënyrë që të reduktojë varësinë energjetike nga Moska. Megjithatë, kërcënimet e pabaza nga një aleat i NATO-s dhe një shtet anëtar i BE-së në lidhje me gatishmërinë për të filluar një luftë tjetër në Evropë, vetëm për t’u siguruar që gazi Rus të arrijë në territorin hungarez, tingëllojnë disi të nxituara, për të thënë të paktën.

Orban kohët e fundit deklaroi se ai trajtohet më keq në Evropë se edhe Rusia. Për më tepër, Hungaria shihet në fakt si një agjent Rus i ndikimit në BE. Por pas deklaratave të tilla, Uashingtoni dhe Brukseli mund të arrijnë në përfundimin se Kremlini gjithashtu ka një kalë trojan i cili është në radhët e NATO-s. Hungaria është një vend ku kuajt nderohen historikisht, duke pasur parasysh se paraardhësit e tyre, Hunët dhe Hungarezët, ishin nomadë. Megjithatë, të quhesh si kalë trojan është diçka tjetër, më delikate në kontekstin e tradhtisë së vlerave evropiane në favor të politikës agresive të Rusisë.

Është e rëndësishme që gazi Azerbajxhan të dërgohet në Turqi, Bullgari, Serbi dhe Hungari në linja paralele. Baku është i gatshëm të rrisë vëllimin e furnizimeve. Kjo u përmend edhe nga kryediplomati i Hungarisë Péter Szijjártó. “Ne planifikojmë të blejmë vëllime gjithnjë e më të mëdha gazi në Azerbajxhan dhe Turqi, kështu që do të na duhet gjithnjë e më shumë kapaciteti tranzit Bullgar,” vuri në dukje Szijjártó gjatë një takimi me presidentin bullgar Rumen Radev, i cili e siguroi atë për gatishmërinë e Bullgarisë për bashkëpunim. Vlen të përmendet se Orban nuk ka frikë nga ndonjë sabotim në këtë gazsjellës.

Në të njëjtën kohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se “Viktor Orbán e tha këtë me kusht – çështja është se ne shpresojmë se askush nuk do të mendojë të na mohojë atë që kemi paguar dhe blerë në dimër. Nuk kemi asnjë indikacion se dikush po planifikon diçka të tillë dhe nuk besoj se dikush e ka idenë se kjo mund të ndodhë”.

Është e mundur që Budapesti po i inkuadron qëllimisht autoritetet serbe për të bërë deklarata që nuk do të donin t’i bënin publikisht.