Bombat e propagandës ruse

Bombat e propagandës ruse

Ky vit shënon 25-vjetorin e fillimit të bombardimeve të Jugosllavisë nga forcat e NATO-s. “Operacioni Forca Aleate” është një operacion ushtarak i bllokut të NATO-s kundër Republikës Federale të Jugosllavisë nga 24 marsi, deri më 10 qershor 1999, i cili u bë etapë përfundimtare e Luftës së Kosovës, duke çuar në tërheqjen e trupave jugosllave nga territori i rajonit. Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt 2008, por jo të gjitha vendet e kanë njohur këtë pavarësi (në mesin e tyre janë katër anëtarë të NATO-s, si dhe Ukraina).

Debati mbi bazat ligjore për ndërhyrjen e forcave të NATO-s në luftime vazhdon edhe sot e kësaj dite. Statusi i pazgjidhur i Kosovës vazhdon të gjenerojë destabilitet në rajon. Problemi nuk qëndron vetëm në faktin se çështja e pazgjidhur e Kosovës pengon integrimin evropian të Serbisë, por edhe te frika e fqinjëve të vendit për mundësinë e hakmarrjes serbe, pasi Beogradi ndërmori një kurs drejt militarizimit dhe afrimit me regjimet agresive dhe antidemokratike, në radhë të parë si regjimi i Putinit në Rusi, gjithashtu duke përhapur ekspansionizmin serb, në përpjekje për të ndërtuar një “botë serbe”.

Megjithatë, dy vitet e fundit, tema e operacionit “Forca Aleate” ka marrë një rëndësi të papritur dhe ogurzezë. Diplomacia ruse dhe makina e propagandës ruse në mbarë botën përdorin historinë e vjetër të bombardimeve nga aleatë të Jugosllavisë, duke nxjerrë paralele (sigurisht, të rreme), midis politikës së NATO-s ndaj regjimit të Millosheviçit dhe agresionit të hapur të Federatës Ruse kundër një Ukraine paqësore e të pavarur.

Festimet e 25-vjetorit të ngjarjeve të vitit 1999, rusët vendosen t’i bëjnë në përmasa të mëdha. Në fillim, Duma e Shtetit të Federatës Ruse, në mënyrë sinkrone me Këshillin e Federatës, miratoi një thirrje drejtuar OKB-së dhe parlamenteve të huaja në lidhje me 25-vjetorin e bombardimeve të Jugosllavisë, me kërkesën që “të dënohej ky operacion i NATO-s dhe të silleshin para drejtësisë vendet e aleancës”.

Me pompozitet u lançua në ekrane filmi dokumentar “Beogradi”, për të cilin u regjistrua intervista me vetë Vladimir Putinin dhe Aleksandar Vuçiçin.

Në film, Putini shfaqet gjoja i mërzitur për bombardimet brutale, duke u shprehur: “E po, tragjedi e madhe!” Sipas tij, Perëndimi, “pa asnjë rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, nisi drejtpërdrejt operacionet ushtarake, ‘de facto’, një luftë në qendër të Evropës”.

Sipas të dhënave të organizatës “Human Rights Watch”, nga bombardimet e Jugosllavisë nga forcat aleate u vranë 489-528 banorë. Siç tregojnë ekspertët, nga 50 deri në 60% të incidenteve kanë ndodhur në territorin e Kosovës. Nuk ka informacione të detajuara për numrin e civilëve të vdekur, por në tri incidentet më të mëdha kanë humbur jetën 25 persona.

(Për info: vetëm në Kyiv, që nga viti 2022, dhe në periudhën e më shumë se dy viteve pushtim, raketat dhe dronët rusë kanë vrarë rreth 200 civilë, duke përfshirë 6 fëmijë. Sirenat për sulme ajrore janë dëgjuar mbi 1000 herë. Rreth 800 ndërtesa banimi janë dëmtuar. Numri i viktimave civile në të gjithë Ukrainën është i pamundur të numërohet, janë dhjetëra mijëra.)

Vazhdimin e “festivalit të solidaritetit” me ish-regjimin e Sllobodan Millosheviçit, rusët e planifikuan dhe e mbajtën në shkallë ndërkombëtare në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Megjithatë, diçka shkoi keq. Diplomacia ruse dështoi dy herë, çështja nuk arriti të vihej as në rendin e ditës. Vetëm tre anëtarë të Këshillit të Sigurimit (Rusia, Kina dhe Algjeria), votuan për diskutimin e saj, në vend të nëntë, që ishin të domosdoshëm. 12 anëtarë abstenuan.

Oponentë kryesorë të iniciativës ruse ishin Franca dhe SHBA-ja.

“Shtetet e Bashkuara mund të mbështesin një takim në formatin e duhur për ngjarjet e vitit 1999, por jo një takim ku ngjarjet instrumentalizohen për qëllime propagandistike. Të jemi të qartë: Rusia nuk bëri thirrje për këtë takim që të diskutohej rreth paqes dhe sigurisë, por për të vazhduar me destabilizimin e rajonit”, tha përfaqësuesi i SHBA-së, Robert Udi.

Përfaqësuesi francez akuzoi Rusinë se “përcaktoi rendin e ditës së takimit dhe dëshirën që të përdorte ndërhyrjen e NATO-s të vitit 1999 për të justifikuar luftën në Ukrainë, Gjeorgji”. Me mbështetjen e plotë të kolegut nga SHBA-ja, ai beri thirrje që të mos diskutonin ngjarjet e 25 viteve më parë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe se “këtë histori duhej t’ua linin historianëve”.

Në të vërtetë, nuk është plotësisht e qartë se si mund ta ndihmojë Rusinë të justifikojë agresionin e saj kundër Ukrainës diskutimi i ngjarjeve të vitit 1999. Pasi, duke dënuar “agresionin e NATO-s” kundër Jugosllavisë, mund të dënohet vetëm agresioni i Rusisë kundër Ukrainës. Por jo, propagandistët e Kremlinit janë të bindur se duke akuzuar NATO-n për veprime të supozuara të paligjshme, ata fitojnë në këtë mënyrë indulgjencën për shkeljen e ligjit ndërkombëtar.

Është interesant fakti që vetë Serbia nuk duket e lumtur me avokatët e Kremlinit me perceptimin e tyre origjinal të sistemit ligjor. Madje, shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiçi, ka injoruar përpjekjen e dytë për të vendosur çështjen e diskutimit të ngjarjeve të vitit 1999 në agjendën e Këshillit të Sigurimit. Zoti Daçiç u indinjua me fjalën se në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së nuk do të dëgjohet fjala e tij, duke premtuar se do të shpërndante në medie gjithçka që nuk mundi të thoshte në takim, përkatësisht se “agresioni i NATO-s nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare është i paligjshëm”. Këtu, pjesëmarrja e Serbisë zyrtare në zinë ruse për Jugosllavinë e humbur mbaroi.

Brenda palëve të Serbisë ishte gjithashtu i dukshëm një shtresim i ngjarjeve përkujtimore në dy programe të veçanta. E para, le të themi “ruse”. Kështu, ish-kreu i agjencive serbe të sigurisë, Aleksandar Vulini, organizoi një konferencë të posaçme në Beograd, ku disa ish-zyrtarë flokëthinjur të Jugosllavisë lexuan raporte ku dënoheshin NATO-ja dhe Perëndimi. Megjithatë, ashtu ndodhi edhe vitin e kaluar dhe, me sa duket, një vit më parë. Një konferencë e tillë nuk mbahet për herë të parë dhe në të nuk u dëgjua asgjë e re. Pavarësisht se vetë Vulinin në Serbi gati e thërrasin “avatari” i Putinit.

Aleksandar Vuçiçi, presidenti i vendit, ka programin e tij. Sidoqoftë, synimet janë krejtësisht ndryshe.

Mitingu për të shënuar 25-vjetorin e fillimit të agresionit të NATO-s u zhvillua në qytezën Prokuple, vend që pësoi sulmin e parë ajror në vitin 1999 dhe ku humbën jetën dy civilë. Presidenti Vuçiç tha se armiqtë duan ta shkatërrojnë Serbinë, por pas 25 vitesh, serbët nuk duhet të dorëzohen e të mos pranojnë ta lëshojnë tokën e tyre. Në tubim morën pjesë kreu i Republikës Srpska, Milorad Dodiku dhe patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirij.

Tema e bombardimeve të Jugosllavisë është përgjithësisht një nga temat kyçe për karrierën politike të Aleksandar Vuçiçit si figurë politike. Ai ka ditur gjithmonë t’i trashë ngjyrat me mjeshtëri, t’i trembë votuesit me probleme të pakapërcyeshme dhe votuesit serbë duhet të besojnë symbyllur se vetëm Vuçiçi do të ketë mundësi t’i mbrojë ata, vetëm ai do të gjejë mënyra për të kapërcyer të pakapërcyeshmen. Prandaj, Vuçiçi nuk ka ndër mend t’u ofrojë rusëve temën e bombardimeve.

Është domethënëse që në një intervistë për mediet ruse, presidenti i Serbisë kujtoi mjaft prerë dhe pa mëdyshje se gjatë përballjes midis Beogradit dhe Perëndimit, rusët nuk mbajtën gjithmonë një qëndrim pro-serb:

“Unë thashë atë që mendoj. Kështu mendon çdokush në këtë vend. Unë dua vetëm që miqtë tanë rusë ta dinë, dhe jam i sigurt se ju do të bëni të mundur që ata ta dëgjojnë ketë. Disa ish-udhëheqës të Federatës Ruse vendosën sanksione kundër Jugosllavisë tri ditë pas SHBA-së. Imagjinoni: Serbia e vogël nuk ka vendosur ende sanksione kundër Rusisë. Ata (NATO – Shënim redak.) e përdorën atë dhe gjetën një mënyrë për të na bombarduar për të shkatërruar vendin tonë, sepse nuk kishte kundërpeshë në nivel botëror, askush nuk mund t’u bënte rezistencë atyre atëherë”, tha Vuçiçi.

Dihet që Rusia nuk e ka përkrahur gjithmonë Millosheviçin gjatë luftërave ballkanike. Në veçanti, presidenti i atëhershëm rus, Boris Jelcini, refuzoi t’i jepte Beogradit sisteme moderne kundërajrore. Populli vëllazëror serb është gjë e mirë, por marrëdhëniet e mira me SHBA-në dhe Evropën, siç rezultoi, kushtojnë shumë më tepër. Në fund të fundit, ishte pikërisht përfaqësuesi i Rusisë, Viktor Çernomirdini që në verën e vitit 1999 solli “pullën e zezë”, planin e kapitullimit të Sllobodan Millosheviçit. Ndaj kërkesës vetëpërçmuese të Millosheviçit për të përfshirë urgjentisht Jugosllavinë në Federatën Ruse, Kremlini iu përgjigj me një “jo” të prerë.

Mendimin e Vuçiçit ndan edhe Oleksiy Zhuravlev, Zëvendëskryetari i Parë i Komitetit të Mbrojtjes Ruse:

“…kursi i Rusisë ishte si drejtim-nënshtrimi ndaj Perëndimit. Protesta jonë e vetme ishte kthimi i avionit të Primakovit mbi Atlantik. Kjo ishte e vetmja gjë që mund të bënim ne pa i furnizuar ata (Jugosllavinë – shënim redak.) me asnjë armë, asgjë. Sigurisht që sot kjo nuk do të ndodhë”, u shpreh i bindur ai.

Në një konferencë për shtyp më 29 mars, në pallatin “Serbia”, Aleksandar Vuçiçi theksoi se Serbia ishte nën presion të jashtëzakonshëm për shkak të pozicionit të saj të neutralitetit ushtarak, si dhe për faktin se Serbia dënon sulmin ndaj një shteti të pavarur, siç është Ukraina, por në të njëjtën kohë nuk mbështet sanksionet kundër Rusisë. Çështje të vështira për Serbinë janë pjesëmarrja e mundshme e Kosovës së kufizuar në njohjen në Këshillin e Evropës dhe pozita e Republikës Srpska në Bosnje-Hercegovinë.

Në të vërtetë, edhe për një gjeni të tillë të manovrimit politik, siç është pa dyshim presidenti i Serbisë, mbetet gjithnjë e më pak hapësirë. Në kushtet e polarizimit të situatës ndërkombëtare dhe formimit të dy kampeve: atyre që mbështesin agresionin kundër Ukrainës dhe atyre që mbështesin luftën e Ukrainës kundër agresorit rus, Vuçiçi duket se është futur në një “zugzwang”: tani është radha e tij të lëvizë, por çdo lëvizje pasuese do ta përkeqësojë situatën. Të solidarizohesh me Rusinë nënkupton rrugën drejt izolimit ndërkombëtar dhe të krijosh varësi nga Kremlini.

Dhe Kremlini, siç e kemi parë përgjatë historisë, do ta tradhtojë pa u menduar “vëllain-partnerin” e tij, nëse sheh përfitime politike apo ekonomike në të.

Që të kthehesh në botën e civilizuar do të duhet të paguash duke dënuar Rusinë për agresionin e saj kundër Ukrainës, duke vendosur sanksione kundër Rusisë, duke njohur pavarësinë e Kosovës dhe duke hequr dorë nga luajtja e kartës së serbëve fatkeq nga Republika Srpska. Ndoshta një anim i tillë Perëndimor i anijes politike serbe do të ishte shpëtim për serbët, të cilët do të nisnin rrugën e tyre drejt vlerave evropiane. Rruga nuk është e lehtë, e lidhur me rimendimin e historisë së vet tragjike, për të cilën as elitat serbe dhe as shoqëria serbe nuk janë ende gati.

Duke marrë parasysh që propaganda ruse po punon në mënyrë aktive për të nxitur shovinizmin dhe revanshizmin serb, për të promovuar narrativa radikale antiperëndimore, në të ardhmen, “zugzwangu” serb mund të kthehet në një ngërç, në një situatë pa rrugëdalje, që do të kërcënojë pasoja katastrofike për vetë Serbinë dhe për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.