Sabori (Kuvendi) i parë gjithë-serb me titullin e plotë, “Një komb, një këshill – Serbia dhe (Republika) Srpska” mbajti një takim para disa ditësh dhe diskutimet rretij tij akoma po vlojnë. Pyetja kryesore që komentuesit po përpiqen t’i përgjigjen është se cili është niveli i rezikut që pozon kjo nismë e nisur nga Beogradi?
“Harta rrugore” e serbëve
Ngjarja qendrore e Saborit gjithë-serb ishte miratimi i Deklaratës 49-pikëshe për Mbrojtjen e të Drejtave Kombëtare dhe Politike, si dhe Të Ardhmen e Përbashkët të Popullit Serb. Dokumenti duhet të ratifikohet ende nga parlamentet e Serbisë dhe Republika Srpska, por ai tashmë e ka përmbushur rolin e tij kryesor të një manifesti politik.
Takimi në Beograd nuk kishte qëllim të vetëm miratimin e Deklaratës. Në margjinat e ngjarjes, në Katedralen e Shën Savvës u mbajt një shërbesë lutjeje, si dhe shfaqje nga grupet folklorike, një pritje ceremoniale e Kryetarit të Kuvendit të Serbisë, një fluturim i avionëve luftarakë serbë, një takim i presidentëve të Serbisë dhe Republikës Srpska, Aleksandar Vuçiq dhe Milorad Dodik, me veteranët serbë të luftërave të viteve 1990…
Presidenti i organizatës veterane të Republikës Srpska tha se Sabori kishte për qëllim të tregojë unitetin dhe harmoninë e të gjithë serbëve dhe drejtimin në të cilin ata duhet të lëvizin në të ardhmen. Nismëtarët e Saborit të Parë gjithë-serb u përpoqën t’i tubojnë serbët dhe të nxjerrin në pah kursin përkatës të planeve të tyre. Deklarata e miratuar nga Sabori gjithë-serb u konceptua si një mjet për arritjen e këtyre qëllimeve, si një “hartë rrugore” për udhëheqësit serbë në rajon dhe çdo përfaqësues të popullit serb, kudo që janë.
Deklarata për Mbrojtjen e të Drejtave Kombëtare dhe Politike, si dhe ajo për Të Ardhmen e Përbashkët të Popullit Serb, shpallën unitetin e të gjithë serbëve, duke promovuar idenë e një identiteti kolektiv që shkon përtej kufijve shtetërorë. Koncepti “bota serbe”, i cili prej kohësh shihej si diçka thjesht virtuale, u materializua në Deklaratë në formën e fjalëve dhe fjalive, duke filluar të marrë formë konkrete. Gjuha, kultura, traditat, Kisha Ortodokse dhe një këndvështrim plotësisht serb i ngjarjeve historike – duke përfshirë historinë moderne (për shembull, “nuk ka pasur gjenocid në Srebrenicë”) – përkufizohen si shënjuesit kryesorë të përkatësisë së popullit serb, shtyllat e asaj që quhet “Serbizëm”.
Deklarata përshkruan “Botën Serbe” në detaje të mjaftueshme, duke shmangur përdorimin e këtij termi të veçantë. Në fakt, bëhet fjalë për shpalljen e një komuniteti ndërkufitar të serbëve, ku Vuçiq dhe Dodik pozicionohen si udhëheqësit e tyre.
Shqetësimi për rajonin
Megjithatë, përmbajtja e Deklaratës nuk kufizohej vetëm në përvijimin e “botës serbe”. Një pjesë e madhe e dokumentit i kushtohet çështjeve politike, situatës së Bosnjë-Hercegovinës (BiH) në lidhje me Republikën Srpska (RS) dhe çështjes së Kosovës dhe Metohisë. (Meqë ra fjala, ky rajon, siç parashikohet në Deklaratë, duhet të quhet pikërisht kështu – Kosovë dhe Metohi (KiM). Çështja e emrit është trajtuar veçmas).
Në përgjithësi, pikat kushtuar RS dhe KiM nuk ofrojnë surpriza. Dokumento thekson nevojën për të respektuar letrën e Marrëveshjes së Dejtonit dhe argumenton për më shumë të drejta për RS-në sesa parashikohet nga legjislacioni aktualisht në fuqi në BiH. Po ashtu, në dokument theksohet se Kosova i përket Serbisë.
As në Deklaratë dhe as gjatë Saborit në përgjithësi çështja e Malit të Zi nuk mori aq vëmendje sa KiM dhe RS. Megjithatë, një delegacion i fuqishëm i serbëve nga Mali i Zi (duhet theksuar se termi “serbë malazezë”, si dhe çdo mbiemër tjetër rajonal i fjalës “serbë” ishte ndaluar në Sabor) dhe deklaratat e shprehura nga kryeparlamentari Andrija Mandiq shërbeu si një plotësues elokuent i mesazheve zyrtare që vinin nga Kuvendi i Beogradit.
Kombinimi i strategjisë së ndërtimit të një komuniteti të vetëm ndërkufitar serb dhe planeve të veprimit për rajonin krijuan një efekt të fuqishëm të déjà vu-së. Memorandumi i Akademisë Kombëtare të Shkencave Serbe, fjalimi i Millosheviçit në Gazimestan dhe lulëzimi i përgjithshëm i idesë së Serbisë së Madhe në fund të viteve 1980 dhe në fillim të viteve 1990 – pikërisht këtë theksojnë ata që kritikojnë asamblenë e Beogradit. Drejtimi i lëvizjes së vendosur nga Sabori nervozoi shumë individë në rajon dhe përtej.
Mund të krijohet përshtypja se nismëtarët e Saborit në të vërtetë prisnin që ngjarja të kishte pikërisht një efekt të tillë. Kjo është arsyeja pse folësit kryesorë në tubim theksuan paqen – as dokumentet e miratuara nga Sabori dhe as fjalimet e liderëve serbë nuk përmbajnë thirrje për veprime të dhunshme. Gjithashtu, nuk flitej për rimarrjen e kontrollit mbi Kosovën me forcë apo për shkëputjen e RS-së nga Bosnja dhe Hercegovina me çdo kusht.
“Më shumë prej nesh vdiqën në shekullin e 20-të se të gjitha kombet e tjera në të gjithë botën. Le të përpiqemi t’i shpëtojmë fëmijët tanë përmes politikave të arsyeshme, të përpiqemi të ruajmë paqen dhe lirinë dhe të arrijmë qëllimet dhe interesat tona kryesore kombëtare”, tha Vuçiq.
Por mesa duket, kujtimet e luftës së kaluar ishin shumë të freskëta, dhe besimi te liderët serbë shumë i ulët që audienca jashtë rrethit të Vuçiqit dhe mbështetësve të Dodikut të ishte e lumtur me strategjinë e shpallur të zhvillimit të “Botës Serbe”. Ata që e konsiderojnë Saborin dhe idetë që ata shpallën si një rimishërim të ideologjisë së “Serbisë së Madhe” e morën tubimin në Beograd si një thirrje zgjimi që sinjalizonte një kërcënim ndaj paqes në rajon dhe si një njoftim për një kërcënim edhe më të madh në të ardhmen.
Përshëndetje nga Putini
Çfarë mund të kundërshtojnë ata që kanë shprehur vlerësime alarmante për Saborin gjithë-serb?
Së pari, brenda Serbisë ka kundërshtime ndaj politikës aktuale të qeverisë në Beograd. Kundërshtarët politikë të autoriteteve serbe ishin kritike ndaj planeve për mbledhjen e Saborit që në fillim dhe shpërfillën ngjarjet përkatëse. Domethënë, pluralizmi politik ende ekziston në Serbi dhe ka mundësi që publiku serb të mos lejojë që të zbatohet skenari më i keq i mundshëm.
Së dyti, jo të gjitha pakicat serbe nga republikat e ish-Jugosllavisë e mbështetën idenë e “tubimit rreth Beogradit”. Në të vërtetë, delegacioni serb nga Kroacia, siç pretendojnë mediat serbe dhe kroate, nuk ka ardhur fare në Sabor. Kjo do të thotë se serbët etnikë që mbajnë pasaporta kroate ndjejnë se nuk i përkasin “botës serbe” dhe nuk do të ringjallin idetë irredentiste të tre dekadave më parë brenda një shteti anëtar të NATO-s dhe BE-së.
Duhet kujtuar se jo vetëm Kroacia është anëtare e NATO-s, por edhe Mali i Zi. Një kontingjent i NATO-s është i pranishëm në Kosovë, dhe një mision ushtarak i BE-së – në Bosnje dhe Hercegovinë. Prandaj, formati i ndërtimit të “Botës Serbe” siç është definuar nuk do të mund të ndjekë modelin e vitit 1991. Megjithatë, një format hibrid i të dyja kohërave është ende i mundur.
Hibriditeti në këtë rast, para së gjithash, nënkupton promovimin aktiv të idesë së “Botës Serbe” në fushat humanitare – informative, kulturore, arsimore dhe akademike (historike). Kjo punë do të bëhet në koordinim të ngushtë me Kishën Ortodokse Serbe. Qëllimi do të jetë grumbullimi i serbëve rreth ideologjisë “sekulare serbe” të përshkruar në Deklaratë. Një synim i veçantë për serbët përtej Serbisë do të jetë parandalimi i asimilimit të tyre, ruajtja e identitetit të “miratuar” serb në çdo manifestim të tij – besimi, gjuha dhe tregimet historike, duke përfshirë vlerësimin e ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së vonë.
Qëllimet e tjera – pavarësia aktuale e Republikës Srpska dhe Kosovës serbe – do të përfshinin hapa diplomatikë dhe lobim në platformat ndërkombëtare për të promovuar pozicionin e Beogradit, por pa aplikuar forcën ushtarake.
Acarimi i konfrontimit në Ballkanin Perëndimor dhe kalimi nga metodat e “ftohta” të ndërtimit të “botës serbe” në ato “të nxehta” do të ndodhte vetëm në një rast, që do të ishte ndërhyrja e drejtpërdrejtë nga ana e Rusisë dhe do të shkaktonte një tjetër vatër destabiliteti në Evropë.
Meqë ra fjala, Dodiku mbërriti në kryeqytetin serb direkt nga Shën Petersburgu, duke u përcjellë pjesëmarrësve të Saborit përshëndetjet e Vladimir Putinit, me të cilin ishte takuar përpara mbledhjes së Saborit.