Situata e vërtetë e arritjeve për sa i përket besimit në politikën pro-evropiane të koalicionit qeverisës të Parlamentit të Malit të Zi dhe qeverisë së Milojko Spajiçit mund të përshkruhet vetëm më tri skica.
E para i përket votimit të fundit në Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit (POSP) të Bashkimit Evropian dhe Malit të Zi në Strasburg.
Delegacioni parlamentar i Malit të Zi në mbledhjen e XXI të POSP-së, e cila u mbajt pak ditë më parë, ishte kryesisht unanim kur bëhej fjalë për “vendosmërinë e fortë” për sa i takon anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Anëtarët e Parlamentit Evropian konfirmuan gjithashtu gatishmërinë e tyre për të ndihmuar Malin e Zi që të bëhet i pari në radhë për të marrë anëtarësimin në BE. Ky “premtim” befas u bë “tradicional” në politikën e Brukselit ndaj Malit të Zi. Dhe kjo është diçka e mirë.
Gjithçka do të ishte mirë (Nëse do ta perceptonim entuziazmin e ri evropian për anëtarësimin e Malit të Zi si zakonisht), nëse gjatë miratimit të dokumentit përmbledhës të konkluzioneve dhe rekomandimeve, përfaqësuesit e koalicionit “Për të ardhmen e Malit të Zi” (ZBCG) nuk do të kishin kërkuar t’u hiqej nga projekti klauzola për mbështetjen e politikave evropiane të sanksioneve ndaj Rusisë.
Këtu, në të vërtetë, nuk ka asgjë të re apo të pazakontë kur bëhet fjalë për këtë forcë politike. Ajo që sjell shqetësim dhe tregon qartazi gjendjen e vërtetë të punëve në lidhje me seriozitetin dhe vlefshmërinë e bindjeve pro-evropiane të personave që mbajnë pushtetin parlamentar dhe ekzekutiv në Mal të Zi është se deputetët nga radhët e “Lëvizjes Evropa Tani” (PES), dhe demokratët nuk u shprehën në lidhje me këtë.
Megjithatë, demonstrimi i një “përmbajtjeje” të tillë në lidhje me agresionin kriminal të Rusisë kundër Ukrainës nuk është i rastësishëm. Agjenda evropiane në Mal të Zi promovohet fuqishëm nga hungarezi Oliver Varhei, Komisioneri Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, e për më tepër, nga ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijarto, i cili e konfirmoi këtë ditë më parë në Podgoricë.
Anëtarët e opozitës malazeze në POSP nuk i ndihmoi fakti që u treguan të gatshëm për të mbështetur politikën e sanksioneve dhe për të demonstruar në praktikë përkushtimin e tyre për përputhshmëri të plotë të politikës së jashtme dhe të mbrojtjes së Malit të Zi me politikën e BE-së.
Nga ata pritet ende kundërshtim “konstruktiv”, siç u tha në takimin e fundit me ambasadorët e vendeve të QUINT-it (SHBA, Francë, Gjermani, Itali dhe Britani e Madhe) në Podgoricë. Kjo do të thotë se ata duhet të heshtin dhe (të vazhdojnë) të vuajnë, me siguri sepse imazhi i të ashtuquajturave “suksese” të Malit të Zi në rrugën evropiane nuk duhet të errësohet nga asgjë.
Skica e dytë është edhe më brutale në sinqeritetin e saj: sondazhi i fundit i opinionit publik i kryer nga NATO dëshmon një rënie brutale të mbështetjes për anëtarësimin e Malit të Zi në Aleancë. Tendencat politike dhe sociale të vitit të kaluar kanë çuar në atë pikë, sa numri i qytetarëve që kundërshtojnë anëtarësimin është rritur me 12%, ndaj tani, duke marrë parasysh një ose dy përqindje si një marzh të pashmangshëm gabimi në sondazhe të tilla, pozicionet “pro” dhe “kundër” janë thuajse njësoj: 44% e qytetarëve malazezë do të votonin për largimin e Malit të Zi nga NATO, ndërsa 46% do të votonin që vendi të mbetet në Aleancë.
Kjo nuk shqetëson shumë as ministrin e Mbrojtjes, Krapoviçin, as atë të Punëve të Jashtme, Ivanoviçin. I pari hodhi dyshime rreth rezultateve të sondazhit, duke shprehur disa fjalë të rëndësishme, ndërsa e dyta as që e përmendi këtë çështje.
Mali i Zi zyrtarisht shënon mbështetje të madhe publike (80%) për idenë e anëtarësimit në BE, që është lajtmotivi i deklaratave të të lartpërmendurve dhe zyrtarëve të tjerë malazezë, të cilët ndryshuan qëndrimin e tyre zyrtar ndaj NATO-s pas hyrjes në qeveri, ndërsa narrativa e BE-së ishte pjesë e ideologjive të partive të tyre deri në gusht të 2020-s, pasi ky bashkim, sipas tyre, nënkupton kryesisht përfitime ekonomike.
Një mospërputhje e tillë në mbështetjen për NATO-n (përfshirë mbështetjen për Ukrainën në mbrojtje kundër agresionit rus), dhe qëndrimin ndaj detyrimeve të anëtarësimit në BE fsheh të vërtetën për pozicionin dhe nivelin e mbështetjes për vlerat Perëndimore në Mal të Zi.
Tendencat në shoqërinë malazeze, politike, kulturore dhe ato që kanë të bëjnë me arsimin, mediet dhe atmosferën e përgjithshme shoqërore, si dhe sjellja e forcave politike në pushtet, dëshmojnë për një refuzim dhe mohim të thellë të postulateve të demokracisë liberale dhe vlerave të shoqërisë civile. Prandaj, përqindja zyrtare e mbështetjes për anëtarësimin në BE është një lloj vetëmashtrimi i këndshëm, i cili duhet të ruhet, pa marrë parasysh çfarë apo nëse mund ta ndihmojë agjendën evropiane të Malit të Zi.
Skica/situata e tretë është simbolike në kuptimin e saj, duke pasur parasysh subjektet e përfshira, por sigurisht, më serioze nga sa duket. Bëhet fjalë për faktin se në “zgjedhjet” presidenciale në Rusi, në të cilat tashmë raportohet se Putini fitoi me 87 për qind modeste (për regjime dhe situata të tilla) të votave, të pranishëm ishin “vëzhgues”, përfshirë edhe nga Mali i Zi.
Përmendja e emrave të këtyre skajeve politike do të ishte reklamimi i tyre edhe një herë, kështu që ia vlen të analizohet shkurtimisht se kush janë ata në të vërtetë në arenën politike të Malit të Zi, interesat e kujt përfaqësojnë dhe çfarë kuptimi kanë mesazhet e tyre propagandistike të artikuluara në Moskë.
Këta janë përfaqësues të partive margjinale, të cilët janë larg tejkalimit të pragut, dhe po aq “liderë” margjinalë. Mediet serbe dhe ruse në Serbi, po ashtu edhe në Mal të Zi, u kushtojnë shumë vëmendje atyre, duke ofruar platformat e tyre mediatike për promovimin. Ata janë mysafirë të shpeshtë të kanaleve televizive me bindje “të paqarta”, por shumë të popullarizuara në Serbi, dhe prania e tyre publike në Mal të Zi është e kufizuar kryesisht në mediet dhe portalet e internetit nacional-shoviniste dhe pro-ruse serbe.
Megjithatë, roli i tyre i vërtetë dhe përmasat e veprimtarisë janë më të rrezikshme nga sa duken. Nga njëra anë, ata janë pjesë e koalicionit qeverisës në Podgoricë. As PES e Spaziçit dhe as demokratët e Beçiçit nuk shohin ndonjë problem në këtë drejtim dhe sillen me shumë tolerancë. Në anën tjetër është presidenti Milatoviç, këshilltari kryesor i të cilit është Vukshiçi, ish-drejtori i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (ANB), lidhjet (e supozuara) e të cilit në Beograd dhe Moskë kanë qenë prej kohësh në fokus të aleatëve Perëndimorë. Ky kryekëshilltar i Milatoviçit ishte pjesë e koalicionit parazgjedhor, së bashku me “vëzhguesit” e “zgjedhjeve” presidenciale në Federatën Ruse.
Pikërisht për këtë arsye, deklaratat e tyre nga Moska, se “atyre as që u intereson” se si dikush do të interpretojë dhe nëse dikush do të jetë kundër asaj që po bëjnë, shkojnë përtej dhe bien ndesh me politikën zyrtare të Malit të Zi, duke përfshirë dimensionet e tij euroatlantike dhe evropiane, mohojnë hapur dhe refuzojnë qëndrimin zyrtar qoftë të kryeministrit Spajiç, ashtu edhe të ministrave Krapoviç dhe Ivanoviç, si dhe të të gjithë qeverisë së Malit të Zi, dhe në të vërtetë janë një letër lakmusi të orientimit të vërtetë të qeverisë aktuale të vendit.
Rezultati i këtij “testi” nuk është dhe nuk mund të jetë pozitiv, sepse vetë prania dhe njohja e gati-zgjedhjeve “demokratike” në Rusi, në sfondin e fotove të shumta, provave filmike dhe dëshmive të panumërta të një votimi plotësisht të komprometuar, që është antitezë dhe mohim i demokracisë, është tregues i hipokrizisë, qëndrimit dhe politikës në parim antievropiane të qarqeve drejtuese në Podgoricë.
Nëse kësaj i shtohen tezat gënjeshtare dhe fyese për shkaqe “tradicionale” pse Mali i Zi “duhet dhe detyrohet” të mbështesë Rusinë në kohën kur ajo po shkatërron Ukrainën e pavarur dhe sovrane (Përveç kësaj, miken dhe aleaten e Malit të Zi), më në fund kemi një tablo të vërtetë rreth natyrës së “evropianizimit” të qeverisë, të kontrolluar në mënyrë formale nga PES, dhe të parlamentit, “de-facto” të kontrolluar nga ZBCG.
Nëse miqtë dhe partnerët evropianë do të tolerojnë gjithçka që është thënë dhe, për sa kohë do ta bëjnë këtë, mbetet për t’u hamendësuar. Nuk ka shumë kohë, pasi zgjedhjet në SHBA, ku në pushtet mund të kthehet Donald Trumpi, janë vetëm ana e pasme e medaljes së mandatit të ardhshëm të Putinit në Kremlin.
Duhet theksuar se: nëse kjo ndodh, dimensioni evropian i politikës së qeverisë aktuale malazeze do të jetë ndër viktimat e para të një vendimi të tillë të votuesve amerikanë.
Materialet e publikuara në rubrikën “Opinionet” tregojnë mendimin personal të autorit dhe mund të mos përkojnë me pozicionin e Qendrës.
Miodrag Vllahoviq. Politikan dhe ish-diplomat malazez. Ministri i parë i Jashtëm i Malit të Zi. Ish ambasador i Malit të Zi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Islandë, Selinë e Shenjtë etj.