- Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor vonohet nga BiH
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, organizoi një drekë pune në Bruksel me liderët e Ballkanit Perëndimor. Një nga temat kryesore të diskutimit ishte Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
“Sot, jam takuar me liderët e gjashtë partnerëve të Ballkanit Perëndimor. Të gjashta këto vende janë pjesë e Evropës. Për këtë po punojmë. Paralelisht, ne po i afrojmë ekonomitë dhe tregjet e këtyre vendeve me ato tonat përmas Planit të Rritjes, i cili i jep 6 miliardë euro çdo rajoni,” shkroi von der Leyen në X.
Në takim morën pjesë komisioneri për zgjerimin e BE-së Oliver Varhelyi, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Malit të Zi, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut – Edi Rama, Milojko Spajic, Albin Kurti dhe Hristijan Mickoski, si dhe Kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës Borjana Kristo.
Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor synon të dyfishojë rritjen ekonomike në këto vende gjatë dekadës së ardhshme. Ai mbulon periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhej t’i dorëzonin Komisionit Evropian Programet e tyre të Reformave si parakusht për financim.
Megjithatë, Bosnja dhe Hercegovina, i vetmi vend në rajon, nuk arriti të përgatiste dokumentin në kohë për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme politike. Programi i reformës i paraqitur nga BiH në KE ishte i paplotë dhe nuk mori parasysh të gjitha rekomandimet e KE-së.
Mungesa e këtij programi reformash shkaktoi një vonesë në nisjen e Planit të Rimëkëmbjes (faza e parë e planit të rritjes, kur ndodhin transfertat e para) për të gjithë Ballkanin Perëndimor.
- Maqedonia e Veriut mendohet të ndryshojë kushtet e nisjes së bisedave për anëtarësim në BE
Maqedonia e Veriut është e lodhur nga pengesat që i kanë dalë në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe nuk do të pranojë më ultimatume, u tha gazetarëve kryeministri Hristijan Mickoski gjatë një vizite në Bruksel.
“Dy dekada e gjysmë që kur filluam procesin e integrimit, pra që kur nënshkruam Marrëveshjen e Asocimit dhe Stabilizimit, ne kemi qenë viktima të problemeve dypalëshe, një procesi dypalësh pranimi,” u tha Mickoski gazetarëve pas takimit me presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel dhe drekës së punës me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. “Ne e kemi humbur egon gjatë kësaj rruge. Më lejoni t’ju kujtoj se në emër të vlerave evropiane kemi ndryshuar disa herë flamurin, projektligjet, kushtetutën dhe emrin (e vendit). E theksova edhe një herë se nuk mund të pranojmë më ultimatume”, shtoi ai.
Siç dihet, i ashtuquajturi “propozimi francez” i paraqitur nga Franca dhe i miratuar nga parlamenti i Maqedonisë së Veriut në vitin 2022 parashikon që vendi do ta heqë veton ekzistuese për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE nëse bullgarët etnikë përfshihen si një popull shtet-formues në preambulën e konstitutës së Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, qeveria e Maqedonisë së Veriut dëshiron t’i ndryshojë këto kushte. Propozimi i Shkupit është që vendi të votojë për ndryshimet kushtetuese tani, duke qenë se ato do të hyjnë në fuqi vetëm pasi vendi të përfundojë bisedimet e pranimit në BE.
Megjithatë, shumë vëzhgues dyshojnë se përpjekjet e Shkupit për të ndryshuar marrëveshjet e arritura mund të japin fryte.
- Serbia dhe SHBA-ja nënshkruajnë marrëveshjen për bashkëpunim strategjik energjitik
Më 18 shtator, në Uashington, Zëvendës Sekretari për Rritjen Ekonomike, Energjinë dhe Mjedisin e SHBA-së Jose W. Fernandez dhe ministri i Jashtëm serb Marko Gjuriq nënshkruan një marrëveshje dypalëshe për bashkëpunimin strategjik në fushën e energjisë.
Sipas deklaratave të dy palëve, marrëveshja do të hapë mundësi të reja për investime nga kompanitë amerikane në sektorin energjetik të Serbisë, do të kontribuojë në tranzicionin drejt energjisë “së gjelbër” dhe do të forcojë partneritetin strategjik mes dy vendeve.
Marko Gjuriq, i cili kohët e fundit shërbeu si ambasador i Serbisë në Uashington, theksoi më tej se Marrëveshja e Bashkëpunimit Strategjik të Energjisë “dërgon një sinjal të fortë të përkushtimit të Serbisë për përmirësimin e marrëdhënieve të përgjithshme me SHBA-në.”
Sipas ekspertëve, dokumenti demonstron kryesisht përpjekjet e Beogradit për të reduktuar varësinë nga energjia ruse. Kjo ka marrë një rëndësi kritike pasi në pak muaj do të skadojë kontrata energjitike serbo-ruse, sipas së cilës kompanie ruse Gazprom furnizonte Serbinë me gaz me çmime të reduktuara.
- Gjykata Kushtetuese e BiH e shpall Ligjin Zgjedhor të Republikës Srpska si jokushtetues.
Vendimi i gjykatës thotë se ky ligj nuk përputhet me Kushtetutën e BiH dhe Ligjin Zgjedhor të BiH, pasi Ligji Zgjedhor në RS “merr përsipër kompetencat e institucioneve të BiH”.
Kuvendi Popullor i Republikës Srpska miratoi Ligjin Zgjedhor të Republikës Srpska më 19 prill. Legjislacioni përcakton se zgjedhjet për të gjitha organet në Republika Srpska nuk do të zhvillohen nga institucionet shtetërore të Bosnjës dhe Hercegovinës, por nga Komisioni Republikan Zgjedhor, komisionet zgjedhore të qyteteve dhe komunave, si dhe komisionet zgjedhore të emëruara nga autoritetet përkatëse të RS. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Bosnjë-Hercegovinës është shfuqizuar. Është shpallur se pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, nuk do të zbatohen më dispozitat e Ligjit Zgjedhor të BiH, që rregullon zgjedhjet në të gjitha nivelet.
Ndërkohë, Republika Srpska synon ta shpërfillë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të BiH.
Presidenti i RS Milorad Dodik pohon se Ligji Zgjedhor është kushtetues dhe do të zbatohet.
- Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut “ngrin” kuotat etnike për sektorin publik
Më 18 shtator, Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut pranoi një parashtresë të paraqitur nga Komisioni Shtetëror Kundër Korrupsionit (SACC) dhe do të shqyrtojë dispozitat që i bënë të nevojshme kuotat etnike në sektorin publik. Pretendimet e paraqitura nga SACC kanë të bëjnë veçanërisht me mjetin “Balancer”, sipas të cilit llogariten kuotat etnike. Komisioni e konsideron mjetin si diskriminues dhe të padrejtë.
Ndërkohë që ky mjet hetohet, Gjykata Kushtetuese “ngriu” përdorimin e “Balancer”.
Shumica e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese e mbrojtën hetimin e parashtresës, por tre gjyqtarë – Shqiptarë etnikë – e kundërshtuan.
Balancer është një mjet që llogarit kuotat e pakicave etnike për çdo organ shtetëror dhe u krijua në bazë të dispozitave të Marrëveshjes së Paqes të Ohrit, e cila i dha fund konfliktit të armatosur midis shqiptarëve dhe maqedonasve në vitin 2001.
Partia udhëheqëse e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, BDI (Bashkimi Demokratik për Integrim, Demokratska unnija za integracija) mendon se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të hetuar kushtetutshmërisë e dispozitave që kanë të bëjnë me kuotat etnike në sektorin publik është “fillimi i shkatërrimit të marrëdhënieve ndëretnike, i ndërtuar me shumë mund”. “Anulimi i mjtetit Balancer do të hapë shumë probleme në të ardhmen e afërt, të cilat mund dhe do të çojnë në shkatërrimin e themeleve të Marrëveshjes së Ohrit”, tha BDI.
- Radio Evropa e Lirë ekspozon rrjetin e dezinformimit rus që ka në fokus Ballkanin Perëndimor.
Një hetim disa-mujor i Shërbimit Ballkanik të Radios Evropa e Lirë (RFE/RL) zbuloi një rrjet dezinformimi pro-Kremlinit që përdor AI (inteligjencë artificiale) për të gjeneruar qindra artikuj lajmesh.
Për katër muaj, Radio Evropa e Lirë ka monitoruar uebfaqe të përkthyera në gjuhë të ndryshme që synonin grumbullimin e audiencave nga Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Gazetarët zbuluan se si “artikujt” e këtyre uebfaqeve gjeneroheshin automatikisht dhe përhapeshin shpejt, dhe një numër i madh i tyre përfundonin në uebfaqe aktuale të këtyre vendeve.
Shpesh këto lajme të fabrikuara ose propagandistike bazoheshin në përmbajtje të mediave ruse që janë të ndaluara në BE (RT, Sputnik). Duke përdorur uebfaqe me lajme të fabrikuara, dezinformimi rus ka gjetur një “shteg” për të arritur tek audienca evropiane, thonë ekspertët.
Rrjeti ballkanik është pjesë e një projekti më të gjerë dezinformues pro-rus, të ashtuquajtur Portal Kombat.
Në shkurt, VIGINUM, një organ qeveritar francez që monitoron ndërhyrjet e huaja dixhitale, publikoi një raport mbi një rrjet propagandistik pro-rus të cilit i referohej si Portal Kombat. Raporti identifikoi gati 193 faqe interneti që raportohet se shpërndanin gjerësisht informacion nga burime pro-ruse, si dhe nga agjenci dhe institucione lajmesh ruse.