Gjatë viteve ’90, thirrja që dëgjohej nëpër të gjitha rrugët e Shqipërisë ishte: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!” Të bashkuar përtej fesë, prejardhjes apo ideologjivë, shqiptarët, të lodhur nga një diktaturë 50-vjeçare që ua shkëputi lidhjet me botën, dëshironin të kapnin ëndrrën deri atëherë të ndaluar evropiane. Pas rënies së komunizmit dhe rihapjes së kufijve, shqiptarët menduan se në anën tjetër do të gjenin Evropën. Kanë kaluar më shumë se tre dekada të mbushura me ndryshime e reforma, por Shqipëria është ende duke u përpjekur t’i bashkohet “pjesës tjetër të Evropës”.
Vitet kaotike postkomuniste – të shënuara nga zgjedhjet kontroversiale të 1996-ës, kriza e skemave Ponzi të 1997-ës dhe lufta civile që e pasoi – e afruan Shqipërinë më shumë me shtetet problematike sesa me ato progresive. Ndërkohë, edhe vende të tjera të ish-bllokut sovjetik si Polonia, Hungaria dhe vendet Baltike u rreshtuan me shpejtësi në radhët e Evropës, duke e lënë Shqipërinë pas, duke u mbytur në një kulturë bureokratike, me kushte të paplotësuara dhe ndjenjën se përpjekjet e shqiptarëve nuk do të mjaftonin kurrë për t’i bërë ata qytetarë të rendit të parë në kontinentin e vjetër.
Qëndrimi aktual i shqiptarëve ndaj BE-së përmblidhet me një rritje graduale të disfatizmit dhe euroskepticizmit, por si përfunduam këtu? Le të shqyrtojmë pyetjen kryesore, pra përse ka ngecur integrimi evropian i Shqipërisë.
Çështjet e brendshme të Shqipërisë
Sipas vetë BE-së, një nga pengesat më të qarta për anëtarësimin e Shqipërisë në BE është paaftësia e saj për të përmbushur plotësisht kriteret e kërkuara. Duke parë raportin e fundit të progresit të publikuar nga BE, vendi është shumë i gatshëm të bëjë përpjekje për t’u bashkuar me BE-në dhe për të adaptuar me politikën e jashtme të BE-së, pavarësisht nga pasojat e tërmetit të vitit 2019 dhe lufta në Ukrainë. Megjithatë, ka disa dobësi brenda shoqërisë shqiptare, të cilat po rezultojnë më problematike se sa pritej.
Reformat në drejtësi kanë treguar progres, me të nëntë vendet në Gjykatën Kushtetuese të mbushura. Ka pasur edhe arrestime në çështje të mëdha antikorrupsion dhe verifikimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve ka rritur nivelin e transparencës. Megjithatë, korrupsioni mbetet një çështje e njohur dhe realitet i përditshëm për shumë shqiptarë. Mungesa e arrestimeve në raste të korrupsionit të nivelit të lartë vetëm sa përforcon normalizimin e një kulture korrupsioni.
Në frontin e administratës publike, shtytja e Shqipërisë për të dixhitalizuar shërbimet ka qenë mjaft e përhapur, veçanërisht pas pandemisë. Pyetni çdo shqiptar dhe do t’ju tregojnë sa procese janë dixhitalizuar nëpërmjet platformave dixhitale. Por për shumë njerëz, si të moshuarit, mungesa e njohurive mbi teknologjinë e bën të pamundur që të përfitojnë plotësisht nga ky dixhitalizim
Kur bëhet fjalë për lirinë e medias, çështja në Shqipëri është mjaft e trishtë. Blerjet politike dhe pronësimi i përqendruar i platformave mediatike mbeten problematike dhe gazetarët vazhdojnë të përballen me kërcënime, gjë që dëmton pavarësinë e shtypit dhe besimin e publikut. Për shqiptarin e zakonshëm, gjetja e një burimi të paanshëm lajmesh është e pamundur, shpesh duke i detyruar tu drejtohen mediave të huaja ose të bien pre e agjendave të ndryshme politike.
Ëndrra e humbur: BE është lodhur nga zgjerimi
Për këdo në Ballkan që ndjek çështjen e integrimit evropian, shprehja “lodhje nga zgjerimi” është shumë e njohur. Për vite të tëra, BE-ja ka hezituar të mirëpresë vende të reja në vath për arsye të ndryshme, por për qytetarët kjo thjesht shqipton një të vërtetë të hidhur; dera e BE-së nuk është më aq e hapur sa ç’ishte dikur.
Kjo lodhje është shfaqur pas disa raundeve të zgjerimit, veçanërisht pas pranimit të vendeve të Evropës Lindore në vitet 2000. Kroacia ishte e fundit që iu bashkua klubit të BE-së, në vitin 2013. Më shumë se një dekadë më vonë, BE mbetet e kujdesshme për integrimin e “kombe ekonomikisht dhe politikisht divergjente” si ato të Ballkanit Perëndimor. Frika është se integrimi i këtyre vendeve do t’i lodhë resurset e BE-së.
Por agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës gradualisht po e ndryshon qëndrimin e BE-së ndaj zgjerimit, sipas shumë analistëve. Ndryshe nga fqinjët e tyre lindorë, vendet e Ballkanit nuk mbështeten shumë tek BE-ja për sigurinë. Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë të sigurta nën mbrojtjen e NATO-s, ndërsa Bosnja dhe Kosova përfitojnë nga një prani e fortë e NATO-s. Për vendet e Evropës Lindore si Ukraina dhe Moldavia, mungesa e mbrojtjes së NATO-s i shtyn ata ta shohin anëtarësimin në BE si diçka që ju garanton sigurinë.
Megjithatë, me shtytjen e Ukrainës për anëtarësim në BE, Ballkani Perëndimor – përfshirë Shqipërinë – janë të shqetësuar se do të mbeten përsëri pas. Pavarësisht kësaj, pa luftën, negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të kishin qenë edhe më të ngadalta. A mund të jetë ky fillimi i një tjetër epoke të zgjerimit të BE-së? Analistët janë disi optimistë.
Sa i përhapur është euroskepticizmi në Shqipëri?
Euroskepticizmi në Shqipëri është relativisht i ulët në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit, por është padyshim i pranishëm dhe po rritet nga dita në ditë. Shumica e shqiptarëve ende e shohin anëtarësimin në BE si një pozitiv absolut, një premtim i rritjes ekonomike, stabilitetit dhe sigurisë. Shqipëria nuk ka lidhje historike sentimentale me Rusinë dhe përfshirjen e NATO-s në rajon e sheh si thelbësore për paqen në rajone si Kosova.
Për mirë apo për keq, izolimi i Shqipërisë në epokën komuniste dhe mungesa e aleatëve natyrale në rajonin e Ballkanit do të thotë se hija e Rusisë nuk rëndon aq shumë mbi të aq sa në vendet e tjera ish-jugosllave. Qeveria shqiptare dhe publiku në përgjithësi e shohin anëtarësimin në BE si rrugën më të mirë për zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin rajonal, duke bërë që alternativat nga Rusia (si BRICS) ose Kina të jenë më pak tërheqëse, megjithëse grupe të skajshme politike pro-ruse ekzistojnë.
Thënë kështu, nëse vonesat e integrimit evropian vazhdojnë, nxitjet ekonomike ose diplomatike nga Kina, veçanërisht nëpërmjet investimeve në infrastrukturë, mund të fitojnë njëfarë ndikimi, megjithëse kjo ka më pak gjasa të zhvendosë qëllimin kryesor të Shqipërisë për integrimin në BE.
Realiteti është se pavarësisht ritmit të ngadaltë, perspektiva e integrimit europian ka qenë gjithmonë shtytësi kryesor për reforma të nevojshme në Shqipëri. Shpresa e integrimit evropian ka qenë e mjaftueshme që vendi t’i përballojë kostot e reformave.
Analistët vënë në dukje se nga ngërçi politik në Bruksel kanë përfituar edhe politikanët e lartë të Shqipërisë, duke i lejuar ato t’ja shtyjnë fajin BE-së në vend që të adresojnë mungesën e progresit në fushat e korrupsionit, krimit dhe sundimit të ligjit. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është shprehur se Shqipëria i ka “përmbushur detyrimet e saj për anëtarësimin në BE”, duke e fajësuar Këshillin Europian dhe Komisionin Europian për vonesat.
Kjo krijon pakënaqësi dhe zhgënjim te qytetarët. Një ndjenjë në rritje mes shqiptarëve është se nëse BE-ja do të donte që Shqipëria të anëtarësohej, ata do ta kishin bërë tashmë, duke e mbështetur këtë opinion me faktin se BE-ja i ka ndihmuar vendet baltike të integrohen hap pas hapi. Ky mjedis është perfekt për zyrtarët e lartë të qeverisë shqiptare, pasi mund të vazhdojnë ta shtyjnë adresimin e çështjeve reale ndërkohë që vazhdojnë të paguhen për zgjidhjen e tyre.
Thyerja e ciklit të vonesave
Më e rëndësishmja, zgjerimi i BE-së duhet të lirohet nga kontrolli i shteteve anëtare individuale, të cilët mund ta përdorin procesin për t’i shërbyer interesave të tyre kombëtare. Qoftë Greqia dhe Qiproja me Turqinë, apo Bullgaria dhe Greqia me Maqedoninë e Veriut, këto mosmarrëveshje kombëtare e kanë dëmtuar rëndë besueshmërinë e procesit të anëtarësimit duke e lëvizur vazhdimisht vijën e finishit.
Problemi i vërtetë qëndron në dhënien e pushtetit qeverive të ndryshme të anëtarëve të BE-së, duke bërë të mundur që ta bllokojnë progresin në çdo fazë. Hungaria me Orbanin e kanë shfrytëzuar paturpësisht këtë fakt. Nuk ka nevojë për një ndërhyrje të tilla. Fazat teknike të anëtarësimit duhet t’i mbeten Komisionit, siç ka qenë rasti në raundet e mëparshme të zgjerimit.
Konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës e ka përshpejtuar këtë proces dhe shumë analistë besojnë se BE-ja do t’i “mbyllë sytë” ndaj disa kushteve në mënyrë që ta integrojë sa më shpejt Ballkanin Perëndimor, duke filluar me Malin e Zi.
Nëse mbështetësit e zgjerimit të BE-së janë seriozë, ata duhet të veprojnë me vendosmëri për ta çuar përpara këtë vizion. Sapo të krijohet vrull në bisedat për zgjerimin e BE-së, as rezistenca më e fortë nuk mund të qëndrojë kundër kësaj dallge.