- Kuvendi i Maqedonisë së Veriut zgjodhi si kryeministër teknik një shqiptar etnik, Talat Xhaferin. Kishte postin e kryetarit të parlamentit, por dha dorëheqjen disa ditë para votimit të tij si kryeministër i përkohshëm.
Për kandidaturën e Xhaferit votuan më 28 janar 65 nga 120 deputetë, ndërsa përfaqësuesit e partisë kryesore opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE, nuk morën pjesë në votime.
Qeveria e përkohshme, e udhëhequr nga Xhaferi, pritet të mbajë zgjedhjet parlamentare më 8 maj.
- Opozita në Serbi vazhdon protestat, duke kërkuar mosnjohjen e rezultateve të zgjedhjeve
Rreth 2000 persona u mblodhën më 27 janar pranë Gjykatës Kushtetuese të Serbisë me thirrjen e bllokut opozitar “Serbia kundër dhunës”, duke kërkuar anulimin e njohjes së rezultateve të zgjedhjeve të fundit për shkak të dëshmive mbi shkeljet e shumta.
Një nga udhëheqësit e protestave, Srdjan Milivojevic nga Partia Demokratike, duke iu drejtuar turmës, deklaroi: “Ne kërkojmë vetëm një ripërsëritje të zgjedhjeve. Nuk ka kompromis. Nuk kam dëgjuar asnjë hajdut të pranojë se është hajdut, Millosheviçi nuk e ka bërë këtë, as Vuçiçi nuk do ta pranojë diçka të tillë. Ne jemi këtu për t’u thënë atyre se janë hajdutë.”
Nën thirrjet “Vuçiçi është hajdut”, protesta përfundoi dhe të pranishmit u shpërndanë në mënyrë paqësore.
- “Një nga përparësitë e Hungarisë gjatë presidencës së saj me Bashkimin Evropian do të jetë përshpejtimi i anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE”, tha ministri i Jashtëm hungarez, Péter Szijártó, pas takimit me presidentin e Republikës Srpska, Milorad Dodik, në Banja Luka.
“Bashkimi Evropian ka nevojë për energji të reja dhe Ballkani Perëndimor është pikërisht rajoni që mund ta sigurojë atë”, theksoi Szijártó.
“Ne respektojmë qasjen e Budapestit ndaj rajonit dhe jam mirënjohës për qëndrimet e qarta në këtë drejtim. Hungaria është partneri i duhur për zhvillimin e marrëdhënieve të BE-së me Ballkanin dhe ne mirëpresim faktin që Hungaria së shpejti do të kryesojë presidencën e Bashkimit Evropian”, tha presidenti Milorad Dodik në konferencën për shtyp pas takimit me Péter Szijártó.
- Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg theksoi rolin e rëndësishëm të Malit të Zi në sigurimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Për këtë ai njoftoi gjatë takimit me kryeministrin e Malit të Zi, Milojko Spajiq, në selinë e Aleancës më 26 janar.
Mali i Zi “luan një rol të rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor, rajon i rëndësishëm strategjik për NATO-n”, njoftoi Stoltenberg, duke nënvizuar se stabiliteti në rajon “mbetet i brishtë”.
Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës theksoi rëndësinë e kontributit të Malit të Zi në misionet e Aleancës, si dhe që “Mali i Zi është një aleat shumë i vlefshëm i NATO-s”. “Ju keni dërguar trupa në grupet tona ushtarake në Bullgari dhe Letoni, duke ndihmuar në frenimin e agresionit rus. Në Irak, Mali i Zi po kontribuon në ndërtimin e forcave më efektive të sigurisë në kuadër të misionit të trajnimit të NATO-s. Mali i Zi gjithashtu luan një rol të rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor, një rajon me rëndësi strategjike për NATO-n”, theksoi Stoltenberg.
Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës falënderoi Malin e Zi për mbështetjen e tij ndaj Ukrainës, “përfshirë këtu edhe paketën gjithëpërfshirëse të ndihmës të NATO-s”. Stoltenberg shtoi se “aleatët e NATO-s dhe Bashkimi Evropian duhet të aktivizohen e të ofrojnë edhe më shumë fonde për Ukrainën në këtë kohë kritike”, “sepse, nëse presidenti Putin do të fitojë në Ukrainë, ekziston një rrezik real që ai ta përdorë forcën përsëri”.
- Popullsia e Malit të Zi është 633 158 banorë, dy për qind më shumë se në vitin 2011, sipas të dhënave paraprake të zyrës statistikore MONSTAT.
Censusi i popullsisë filloi më 3 dhjetor dhe zgjati deri më 28 dhjetor të vitit të kaluar.
Të dhënat për fenë, gjuhën, kombësinë dhe shtetësinë e banorëve të Malit të Zi nuk janë publikuar, pasi, siç theksojnë drejtuesit e Entit të Statistikave të Monstatit, vendosja dhe përpunimi i të dhënave do të zgjasë disa muaj. Vetëm atëherë mund të pritet informacion i plotë.