Republika e Kosovës në prag të zgjedhjeve parlamentare – Orhan Çeku

Republika e Kosovës në prag të zgjedhjeve parlamentare – Orhan Çeku

Hyrje

Dikur pjesë e federatës socialiste të Jugosllavisë, nga viti 2008, Kosova është një shtet i pavarur, i njohur ndërkombëtarisht nga më shumë se 100 anëtar të OKB-së.  Krijimi i shtetit të ri u bë i mundshëm pas një procesi politik të negociatave, të ndërmjetësuara dhe të autorizuara nga OKB-ja, të cilat prodhuan Planin Ahtisaari. Mbi bazën e këtij plani, të përkrahur nga SHBA-ja dhe shumica e shteteve të BE-së, përfaqësuesit e Kuvendit të Kosovës, me 17 shkurt 2008 shpallën Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Procesit të dialogut i ka paraprirë administrimi ndërkombëtar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara i njohur si UNMIK. Nën patronatin e UNMIK-ut dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve politik në Kosovë, u vendosen bazat e rimëkëmbjes ekonomike dhe u ndërtuan institucionet demokratike. Pjesë e këtyre zhvillimeve ishin edhe ndërtimi i sistemit zgjedhor, i bazuar në praktikat më të mira demokratike. Që nga viti 2001, në Kosovë janë mbajtur 8 procese zgjedhore të ligjshme. Duke qenë një ndër segmentet kryesore të demokracisë, zgjedhjet e lira parlamentare në Kosovë, përfaqësojnë një dimension të pjekurisë politike të partive dhe lëvizjeve të ndryshme politike në vend. Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, për Republikën e Kosovës, paraqesin një momentum të rëndësishëm politik, si një proces që mbart rëndësi të madhe për të ardhmen e vendit dhe shërbejnë si një reflektim i vazhdueshëm i shtetit për të forcuar demokracinë, institucionet e saj dhe sundimin e ligjit. Qeveria e re do të përballet me një sërë sfidash, të cilat prekin fusha themelore për shtetin dhe qytetarët e vendit, si: rritja ekonomike, sundimi i ligjit, siguria dhe procesi i dialogut me Serbinë i lehtësuar nga BE-ja, si dhe integrimet euroatlantike. Pjesë e rëndësishme e integrimeve do të jetë, anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare, si Këshilli i Evropës, Interpoli, e deri tek OKB-ja dhe NATO-ja, por edhe procesi i përafrimit me BE-në. Qeveria e re, gjithashtu do të përballet me presionin ndërkombëtar për arritjen e marrëveshje politike të detyrueshme me Serbinë. Çështjet e hapura me Serbinë, konflikti në Ukrainë dhe përpjekjet për ndikim të Rusisë të Ballkanin Perëndimor, janë sfida të rëndësishme të cilat duhet adresuar qartë nga Qeveria e re. Këto çështje, e bëjnë prezencën e NATO-s në Kosovë të domosdoshme. 

Zgjedhjet parlamentare 9 shkurt 2025

Me 9 shkurt qytetarët e Kosovës do ti drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në institucionin legjislativ – Kuvendin e Kosovës. Duke parë dinamikën e zhvillimeve politike në vitet e fundit, këto zgjedhje do të jenë shumë të rëndësishme për të ardhmen e vendit. Në prag të zgjedhjeve parlamentare, Kosova po përjeton një dinamikë të lartë politike, me partitë kryesore që po zhvillojnë një garë të ashpër politike për të fituar mbështetjen e qytetarëve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka bërë përgatitjet e nevojshme për organizimin e mirë të këtyre zgjedhjeve. Në funksion të kësaj KQZ-ja, ka aprovuar listën zgjedhore të qytetarëve me të drejtë vote. Sipas  të dhënave nga kjo listë, numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote në këtë proces zgjedhor është: 2,075,868 votues. Sipas KQZ-së numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, në Republikën e Kosovës është 1,970,944 votues, ndërkaq numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 104,924 votues. Numri i votuesve të regjistruar nga jashtë vendi, pasqyron realitetin e shoqërisë kosovare, kur dihet se një numër i madh i qytetarëve të vendit kanë emigruar në vendet e Evropës Perëndimore. Nga lista e votuesve të aprovuar nga KQZ-ja vërehen mospërputhje ndërmjet shifrave reale të popullsisë dhe qytetarëve me të drejtë vote. Kjo për faktin se sipas të dhënave preliminare të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës në vitin 2024, popullsia rezidente në Kosovës është 1,586,659. Mos përputhja ndërmjet listës votuese të qytetarëve më të drejtë vote dhe popullatës së përgjithshme në vend, ndikon në nxjerrjen e përqindjes së saktë të votuesve në zgjedhje. Sipas KQZ-së në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2021, nga  lista votuese e aprovuar prej 1,794,862, në votim kanë dalur 903,379 votues ose 48.78 %. Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, pritet të dalin jo më shumë se 800,000 votues, çka automatikisht e ul përqindjen e përgjithshme.

Në këto zgjedhje pritet të ketë një garë të fortë të partive opozitare PDK, LDK, AAK+NISMA për të fituar vota në dëm të lëvizjes politike kryesore në vend Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e liderit dhe Kryeministrit aktual Albin Kurti. Kjo e fundit në zgjedhjet e fundit (2021) arriti të fitoi 50,280 %, çka e bën subjektin politik të parë në histori të demokracisë parlamentare në Kosovë që fiton ma shumë se 50% të zgjedhjeve. Shumica parlamentare e udhëhequr nga LVV-ja, për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë, ka përfunduar mandatin e plotë kushtetues prej 4 viteve (2021-2025). Partia politike kryesore në vend Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e cila udhëhiqet nga lideri karizmatik dhe Kryeministri aktual, Albin Kurti, synon një mandat të ri, duke u fokusuar në reformat e nisura në vend në funksion të shtrirjes së sovranitetit në tërë territorin e Kosovës dhe forcimin e organeve të sigurisë dhe mbrojtjes dhe luftën kundër korrupsionit. LVV-ja nuk pati nevojë për koalicion qeverisës me partitë opozitare tradicionale në Kosovë. Qeveria e saj ishte në koalicion me deputetet e minoriteteve jo shumicë (turq, boshnjak, rom, ashkali, egjiptas dhe goran), të cilët i kanë të garantuara 10 vende në Kuvendin e Kosovës sipas Kushtetutës. Në Zgjedhjet e 9 shkurtit, LVV-ja ka paraqitur sloganin “Cep me Cep”, sintagmë ambiguiteti që dëshiron të tregojë shtrirjen e sovranitetit në tërë vendin dhe fitoren e re me më shumë se 50% të votave.

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e themeluar nga ish udhëheqësit e UÇK-së, në vitin 1999, që sot udhëhiqet nga ish këngëtari i muzikës rep Memli Krasniqi, si përpjekje për të reformuar partinë, po përpiqet të rikthejë besimin e elektoratit, duke ofruar alternativa në politikat ekonomike dhe sociale. PDK-ja e cila rezultatin më të lartë e kishte arritur në vitin 2007, (34.3%) e prirë nga udhëheqë i drejtorisë politike të UÇK-së, Hashim Thaqi, i cili drejtoi qeverinë për dy mandate dhe mandatin e tretë u zgjodh President i vendit, nga viti 2019, ka mbetur në opozitë. Ndryshimet në lidershipin e saj dhe akuzat për krime lufte ndaj ish Presidentit Thaqi dhe Krye kuvendarit Kadri Veseli, e sollën në situatë të pa favorshme partinë e cila identifikohej me luftën çlirimtare. Në zgjedhjet e viti 2021, ajo doli si partia e dytë në vend me 17.009%. Në zgjedhjet e 9 shkurtit, ajo ka kandiduar për kryeministër të vendit, ish Ministrinë e Financave dhe kryetarin aktual të Mitrovicës Bedri Hamza. Sllogani i tyre në këto zgjedhje është “Ma mirë”, si për të treguar se nën qeverisjen e tyre, Kosova do të jetë më mirë.

Partia tjetër e rëndësishme, cila ka kaluar nëpër një tranzicion dhe luhatje politike është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). LDK-ja e themeluar në vitin 1989 si një lëvizje politike në kuadër të ndryshimeve që po ndodhnin në ish Jugosllavi, krijoj bazat e demokracisë pluraliste në Kosovën e viteve 90-ta. E udhëhequr nga lideri pacifist Ibrahim Rugova, deri në vitin 2007, ishte forca kryesore politike në vend.  Pas vdekjes së Presidentin Rugova në vitin 2006, LDK-ja u nda në dy parti dhe e humbi peshën që kishte dikur. Nën drejtimin e liderit aktual, Lumir Abdixhikut, LDK-ja po promovon një platformë të fokusuar në zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian, premisa të ndikuara nga orientimi i saj i djathtë. Në zgjedhjet e viti 2021, ajo pësoi rënien më të madhe që nga themelimi i saj, duke fituar vetëm 12.731%.

Partia tjetër e rëndësishme në vend është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e krijuar në vitin 2000 nga njëri prej ish udhëheqësve të njohur të UÇK-së Ramush Haradinaj. Lideri i AAK-së, Haradinaj me përkrahje që varion nga 7-11% ka arritur të zgjidhet 2 herë Kryeministër i vendit (2004-2005 në koalicion me ish Presidentin Rugova dhe 2017-2019 në koalicion me PDK-në). Për zgjedhjet 9 shkurtit 2025, AAK ka bërë koalicion me partinë Nisma Socialdemokrate të udhëhequr, gjithashtu nga një ish komandant i njohur i UÇK-së, Fatmir Limaj. Z. Limaj, ishte ndarë nga PDK-ja dhe kishte formuar partinë e tij politike në vitin 2013.  AAK-ja së bashku me Nismën Socialdemokrate kanë arritur marrëveshje për koalicion edhe Formumin Intelektual E30 si grupim politik i profesorëve universitar në vend dhe me Partinë Konservatore. Ky koalicion, përmes sloganit kryesor “Direkt në NATO”, në zgjedhje synon të rrisë ndikimin në politik bërjen e Kosovës, duke u fokusuar në çështje të sigurisë dhe zhvillimit rajonal. Pjesë e garës politike është edhe koalicioni Për Familjen, i cili synon të arrijë pragun zgjedhor prej 5% të nevojshëm për tu bërë parti parlamentare. Ky koalicion në programin e saj politik ka ruajtjen e vlerave tradicionale familjare.

Në anën tjetër, partitë e komuniteteve pakicë synojnë të marrin ulëset e garantuara me Kushtetutë. Në këtë kontekst, Lista serbe e përkrahur nga Beogradi zyrtar mbetet forca politike kryesore e serbëve të Kosovës.

Mjedisi politik dhe situata e sigurisë

Mjedisi politik gjatë 4 viteve të qeverisjes nga LVV-ja ka qenë mjaft i polarizuam me sulmet e opozitës karshi Qeverisë dhe në anën tjetër akuzat e kësaj të fundit ndaj ish partive në pushtet. Gjatë katër viteve të qeverisjes LVV-ja, ka arritur që shuajë strukturat paralele serbe në pjesën veriore të Kosovës përmes aksioneve të mirë organizuara nga njësia speciale e Policisë së Kosovës. Kjo konsiderohet edhe e arritura më e madhe e qeverisjes 4 vjeçare të kësaj qeverie. Aksionet e tilla të Policisë, në disa raste u kritikuan nga bashkësia ndërkombëtare e akredituar në vend, përmes ambasadorëve të vendeve të kuintit (SHBA, Britani e Madhe, Francë, Gjermani dhe Itali). Këto shtete dhe BE-ja kërkuan të zhvillohet një dialog konstruktiv ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për të gjitha temat e hapura dhe të mos ndërmerren veprime të njëanshme nga Qeveria e Kosovës. Në anën tjetër Beogradi nuk shprehi gatishmëri për zbatimin e Marrëveshjes bazë të Brukselit (27 shkurt 2023) dhe Aneksin e zbatimit të marrëveshjes, e njohur si marrëveshja e Ohrit (18 mars 2023). Qeveria u kritikua edhe nga një pjesë e analistëve dhe gazetarëve në vend për presion të vazhdueshëm ndaj mediave dhe sistemit gjyqësor. Qeveria Kurti, nuk ishte e aftë të ndikojë në rritjen ekonomike, por bazuar në programin e saj social me orientim të majtë, shpërndau ndihma financiare për kategori të ndryshme të qytetarëve (pensionistë, fëmijë deri në moshën 16 vjeçare dhe studentë).

Situata e sigurisë në Kosovës mbete e pasigurt, në radhë të parë si pasojë pretendimeve territoriale të Serbisë, dhe financimin e strukturave paralele nga kjo e fundit në Kosovë. Sulmi terrorist në fshatin Banjska (24 shtator 2023), është dëshmia më e mirë e situatës fragjile me tendencë përkeqësimi. Prezenca e NATO-s në shërbim të paqes dhe sigurisë për Kosovën dhe rajonin është qenësore. 

Përfundimi

Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 janë vendimtare për të ardhmen politike të Kosovës, me sfida dhe mundësi që kërkojnë angazhim dhe vizion nga të gjitha partitë pjesëmarrëse.

Ndonëse opozita ka kritikuar qeverisjen 4 vjeçare të Kryeministrit Kurti, mungesa e një lidershipi të fortë dhe e një platforme të qartë mund të ndikojë në performancën e tyre zgjedhore. Në anën tjetër, LVV-ja e Kurtit synon të kapitalizojë mbi reformat e nisura, sidomos me shtrirjen e sovranitetit në pjesën veriore të Kosovës, megjithatë, sfidat në reputacionin e ultë në politikën e jashtme dhe niveli i ulët i zhvillimit ekonomik mund të ndikojnë në perceptimin publik dhe rënien drastike të votave. Rezultatet e zgjedhjeve mbeten të paparashikueshme, me mundësi për koalicione pas zgjedhore, duke pasur parasysh se kësaj radhe nuk pritet që LVV-ja të përsërit rezultatin e para 4 viteve. Krijimi i koalicioneve pas  zgjedhore do të jetë një sfidë në vehte duke pasur parasysh divergjencat politike dhe inatet personale të krerëve të subjekteve kryesore politike në vend. Disa prej sfidave tjera me të cilat do të përballet Qeveria e ardhshme janë:

  • Vazhdimi i procesit të dialogu me Serbinë, i cili mbetet një temë e ndjeshme, me pritshmëri për avancime në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Në këtë kontekst pritjet nga Administrata e Presidentit Trump janë mëdha.
  • Rritja ekonomike e qëndrueshme dhe krijimi i vendeve të punës janë prioritete për të gjitha partitë, duke pasur parasysh nivelin e lartë të papunësisë dhe emigrimin e qytetarëve.
  • Procesi i anëtarësimit në organizata ndërkombëtare dhe Integrimi Evropian. Anëtarësimi në organizata si: Këshilli i Evropës, OSBE, NATO, por edhe  përshpejtimi i procesit të integrimit në BE është një tjetër objektiv i përbashkët, me fokus në përmbushjen e kritereve të kërkuara.

Assoc. Prof. Dr. Orhan M. Çeku

He has completed his doctoral studies in national security at the State University of Library Studies and Information Technologies, LLM in criminal law at the South East European University, LLM in financial law at the University of Pristina, as well as his bachelor’s studies in law. He has published scientific works in the field of justice and security. He is the author of several scientific monographs, including “The Independence of Kosovo and the Geopolitics of the Western Balkans in the 21st Century”. Professor Çeku has participated in several international projects, including the project to analyze the effectiveness of hybrid courts in the trial of war crimes in collaboration with the Faculty of Law of the University of Graz. He is also on the scientific committee of the World Security Conference. In 2018, he founded the NGO Kosovar Institute for Science and Education – KISED, a think tank that deals with scientific research in various fields such as security, justice, corruption and organized crime, geopolitics, and higher education. He is currently an associate professor for the subject of National Security at the public Haxhi Zeka University in Republic of Kosovo.

Materialet e publikuara në rubrikën “Opinionet” pasqyrojnë mendimin personal të autorit dhe mund të mos përkojnë me qëndrimin e Qendrës.

Orhan Çeku. Associate professor for the subject of National Security at the public Haxhi Zeka University in the Republic of Kosovo