Evropa është përfshirë nga ankthi, në pritje të një rritjeje të mprehtë të kërcënimeve ndaj sigurisë së kontinentit pas fillimit të negociatave të drejtpërdrejta midis SHBA-së dhe Rusisë për mbarimin e luftës në Ukrainë. Jo vetëm ukrainasit, por edhe evropianët, të cilët ishin aleatët e parë të amerikanëve gjatë gjithë periudhës pas Luftës së Dytë Botërore, u gjendën në periferi të procesit të negociatave. Si rezultat i ndryshimeve drastike, madje tronditëse, në politikën e ndjekur nga Shtetet e Bashkuara, liderat e komunitetit euroatlantik dhe partnerët më të mëdhenj të sigurisë në Evropë, në botë, dhe mbi të gjitha, sistemi evropian i sigurisë, u gjend përballë ndryshimeve të pashmangshme. Këto ndryshime jo vetëm që mund të prishin ekuilibrin e fuqive në kontinentin evropian, por edhe të minojnë plotësisht aleancat e vjetra, të shkatërrojnë marrëveshjet ekzistuese dhe të kërcënojnë të ardhmen e Evropës, duke e hedhur atë në harresë.
Kur, gjatë Revolucionit Rus të vitit 1917, gazetari amerikan John Reed shkroi historinë e asaj ç’ka pa, ai dhe se ishin “Dhjetë Ditë që Tronditën Botën”. Por për Donald Trump dhe Vladimir Putin, 10 ditë janë shumë të gjata. Ata tronditën botën brenda një jave, shkroi redaktori i BBC-së në Rusi, Steve Rosenberg, një ditë pas takimit të delegacioneve të SHBA-së dhe Rusisë në Riad.
Çështja e përfshirjes së mëtejshme të SHBA-së në zgjidhjen e problemeve të sigurisë së Evropës po shkakton shqetësim të konsiderueshëm në kryeqytetet evropiane. Është e qartë se temat më të nxehta janë lufta në Ukrainë, marrëveshjet për ndërpritjen e armiqësive, roli i evropianëve në procesin e negociatave, garancitë e sigurisë për Kievin dhe krahun lindor të NATO-s. Por të lidhura pazgjidhshmërisht me çështjen e Ukrainës dhe marrëdhëniet SHBA-Evropë në realitetin e ri janë edhe tema të tilla si e ardhmja e NATO-s dhe ruajtja e pranisë ushtarake të SHBA-së në Evropë, përfshirë Ballkanin Perëndimor.
Sipas BILD, shërbimet perëndimore të sigurisë dhe politikanët perëndimorë kanë frikë se bisedimet që filluan në Riad mund të çojnë në tërheqjen e trupave amerikane nga një pjesë e Evropës.
Admirali Giuseppe Cavo Dragone, kryetar i Komitetit Ushtarak të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, parashikoi situatën në margjinat e Konferencës së Sigurisë së Mynihut se Shtetet e Bashkuara ka të ngjarë të mbeten të përkushtuara ndaj NATO-s, megjithëse mund të zvogëlojnë praninë e trupave të saj në Evropë ndërsa prioritetet e Uashingtonit zhvendosen në rajonin Indo-Paqësor. Shtetet e Bashkuara nuk do të tërhiqen nga NATO-ja ai tha, ndërsa vuri në dukje se tërheqja e disa prej 100,000 trupave të stacionuara në Evropë mund të jetë në axhendë, për shkak të “disa angazhimeve që Shtetet e Bashkuara kanë shumë larg në Paqësor”. “Unë nuk mendoj se do të ketë një numër të madh amerikanësh të tërhequr nga Evropa,” shtoi ai. Putini dëshiron që trupat e NATO-s të tërhiqen nga e gjithë ish-perandoria sovjetike. Zyrtarët evropianë besojnë se Trump ka të ngjarë të bjerë dakord për tërheqjen e trupave amerikane nga shtetet baltike dhe ndoshta më në perëndim, raportoi Financial Times. Një zyrtar i sigurisë së Evropës Lindore i tha BILD: “Sipas informacionit tonë, kjo është kërkesa e Putinit deri në vitin 2021, domethënë tërheqja e trupave amerikane nga të gjitha vendet anëtare të NATO-s që iu bashkuan aleancës pas vitit 1990”. Trump ende nuk e ka konfirmuar se Shtetet e Bashkuara kanë në plan të tërheqin trupat e tyre nga Evropa dhe ka thënë se kjo nuk është aktualisht në diskutim. Gjatë një konference për shtyp në Mar-a-Lago më 18 shkurt, presidenti i SHBA-së u pyet nëse ishte i përgatitur të tërhiqte trupat amerikane nga Evropa si pjesë e një marrëveshjeje paqeje me udhëheqësin rus Vladimir Putin. Në përgjigje, Trump tha se “askush nuk më ka kërkuar ta bëj këtë” dhe se ai nuk mendon se ne do ta kishim dhe do të donim ta bënim këtë.
Megjithatë, ekspertët janë të sigurt se nëse jo menjëherë, atëherë pak më vonë kontingjenti ushtarak amerikan në Evropë do të reduktohet.
Lajmet e fundit nga Uashingtoni konfirmojnë realizmin e kësaj pikëpamjeje.
Washington Post, duke cituar një dokument përkatës dhe zyrtarë të njohur me situatën, pretendon se sekretari amerikan i Mbrojtjes Peter Hegseth ka udhëzuar komandën ushtarake amerikane të hartojë një plan për të reduktuar buxhetin e mbrojtjes me 8% çdo vit gjatë pesë viteve të ardhshme.
Lista e zonave prioritare financimi i të cilave duhet të ruhet përfshin Komandat Indo-Paqësorit dhe ato Veriore, ndërsa Komanda Evropiane nuk përmendet ndër prioritetet.
Sipas BILD, reduktimi i pranisë ushtarake amerikane në Evropë nuk do të ndikojë vetëm në bazën në Ramstein, Gjermani dhe bazat ajrore në MB. Edhe pjesa tjetër e Evropës duhet të përgatitet për ndryshime të thella. Në veçanti, për tërheqjen e mundshme të trupave amerikane nga Kosova.
Si kontribuesi kryesor në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, Shtetet e Bashkuara luajnë një rol vendimtar në ruajtjen e sigurisë në rajon. Kampi Bondsteel në Kosovën juglindore është baza më e madhe amerikane në rajon dhe, sipas raportimeve të mediave, baza më e madhe dhe më e shtrenjtë ushtarake e huaj që Shtetet e Bashkuara kanë krijuar në Evropë që nga Lufta e Vietnamit.
Zyrtarët amerikanë ende nuk e kanë konfirmuar përfundimin e pjesëmarrjes së tyre në KFOR, por rregullimi i prioriteteve gjeopolitike, marrëveshjet komplekse me Moskën dhe ulja e shpenzimeve nga Pentagoni për sigurinë evropiane mund të çojnë, nëse jo deri në fund, atëherë në një reduktim të ndjeshëm të kontributit të Shteteve të Bashkuara në misionin e NATO-s në Kosovë.
Një zyrtar i NATO-s, duke komentuar informacionin e BILD për tërheqjen e mundshme të trupave amerikane nga Kosova me kërkesë të gazetarëve, theksoi se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të luajnë një rol themelor në KFOR dhe se kontributi i tyre aktualisht arrin në më shumë se 600 trupa. Sipas zyrtarit, pala amerikane deklaroi përkushtimin e saj ndaj Aleancës së Atlantikut të Veriut, përfshirë praninë e SHBA-së në Evropë, dhe theksoi se parandalimi dhe mbrojtja e NATO-s duhet të mbeten të forta. Por në të njëjtën kohë, zyrtari kujtoi se Shtetet e Bashkuara kanë thënë qartë se aleatët duhet të bëjnë më shumë, duke investuar edhe më shumë për të mbështetur sigurinë e përbashkët.
Nëse politika e re e Shtëpisë së Bardhë dhe Pentagonit çon në një reduktim të ndjeshëm të pranisë amerikane në Ballkanin Perëndimor, kjo do të nënkuptojë një përkeqësim të situatës së sigurisë në rajon.
BILD e quan një zhvillim të tillë një “skenar të tmerrshëm”. “Atëherë aleatët evropianë do të mbesin vetëm në Ballkan përballë aleatit të Putinit, Aleksandar Vuçiq dhe ushtrisë së tij të fuqishme serbe”, thuhet në botim. Natyrisht, pasoja do të jetë një rritje e rreziqeve të sigurisë, si në ngjarjet në Banjskë ashtu edhe në një shkallë më të gjerë.
Përveç kësaj, tërheqja e trupave amerikane nga Ballkani Perëndimor do t’i hapë rrugën Rusisë për t’u kthyer në rajon – në kuptimin e drejtpërdrejtë. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për “forcimin e ndikimit” apo “intensifikimin e përdorimit të fuqisë së butë”, por edhe për rritjen fizike të strukturave, projekteve dhe nismave ruse në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Duhet theksuar se ky proces tashmë ka filluar. Për shembull, qendra humanitare ruso-serbe në Nish tashmë është duke u zgjeruar.
Ndërtimi i një terreni të ri trajnimi për ekspertët e mbrojtjes civile në kuadër të këtij objekti u njoftua nga ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e tij serb Marko Gjuriq, i cili po vizitonte Moskën. Agjencitë perëndimore të inteligjencës kanë vënë në dukje prej vitesh se objekti është një bazë ushtarake ruse e maskuar mirë, por tani duket se askush nuk i intereson.
Zhvillimet në Nish janë vetëm një shembull i zgjerimit të aktivitetit rus në rajon. Më tej, falë realitetit të ri gjeopolitik, shembuj të tillë do të ketë edhe më shumë. Për momentin, natyrisht, askush nuk pret që parashutistët rusë me helmeta blu të shihen menjëherë në Prishtinë. Megjithatë, ngjarjet e javëve të fundit na nxisin të mos përjashtojmë asnjë zhvillim në Evropë në përgjithësi dhe në Ballkanin Perëndimor në veçanti.