Vuçiç u mund, tani çfarë? – Boris Varga

Vuçiç u mund, tani çfarë? – Boris Varga

Duhet të fillojë çmontimi urgjent i regjimit të vjetër

Një atmosferë festive në mbarë vendin, nga kryeqyteti e deri në qytezat më të vogla të Serbisë. Të rinj të gëzuar festuan fitoren e “Listës Studentore”. Njerëzit hodhën valle, festuan deri në mëngjes dhe këndonin: “Vuçiçi iku, Vuçiçi iku!”…

“Gjithçka ndodhi si shumë shpejt” – ata që prisnin se Vuçiçi të mos largohej nga pushteti në mënyrë paqësore, mbetën të shokuar. Pas gjithë atij presioni, represioni, rrahjeve të kundërshtarëve dhe protestuesve, si dhe skandaleve të korrupsionit – pasojat ligjore janë të pashmangshme.

Mëngjesin pas zgjedhjeve, shtrohej një dilemë: pse Aleksandar Vuçiçi deshi t’i surprizonte të gjithë dhe të ishte i pari – para kujtdo tjetër – që shpalli humbjen e tij? Formula e humbjes së tij është e thjeshtë: pjesëmarrje e lartë në votime (rreth 70 për qind) dhe një diferencë e madhe, ku “Lista Studentore” (me 53 për qind të votave) siguroi pothuajse 15 pikë përqindjeje më shumë se koalicioni rreth Partisë Përparimtare Serbe (me 39 për qind të votave).

Ky është një shembull klasik i një “revolucioni zgjedhor” jo të dhunshëm. I dyti në Serbi, pas atij të “5 tetorit” të vitit 2000, kur ra lideri i atëhershëm, Sllobodan Millosheviç. Njëkohësisht, ky është “revolucioni i dytë zgjedhor” që ndodh në rajon, vetëm pak muaj pas humbjes së kryeministrit Viktor Orbán në Hungari.

Ndoshta mund të flasim për një efekt domino ose një trend, duke qenë se regjimet hibride të Orbánit dhe Vuçiçit ishin të një natyre të ngjashme. Rezultati është i njëjtë: fitore ndaj autokratëve në kushte zgjedhore tejet të pafavorshme.

Edhe në Shqipëri vazhdojnë protestat kundër korrupsionit dhe kryeministrit Edi Rama, por zgjedhjet e rregullta parlamentare atje nuk priten të mbahen para mesit të vitit 2029. Të rinjtë po ngrenë zërin dhe po protestojnë në mbarë Evropën, duke kërkuar kushte më të mira për arsimin dhe jetesën; megjithatë, ka edhe dallime thelbësore krahasuar me autokratët e rënë të Evropës Juglindore, të përmendur më lart. Orbán, Vuçiç dhe Rama janë liderë autoritarë që kanë qëndruar gjatë në pushtet, pasi kanë qeverisur për më shumë se 13 vjet. Në Hungari dhe Serbi, ndryshimi i qeverisë dhe protestat ndodhën pa u shoqëruar me radikalizim. Ajo që kanë të përbashkët të tre liderët është se, përmes mjeteve politike dhe korruptive, ata u përpoqën të siguronin “mbrojtjen” e familjes Trump.

Emra të rinj – Mundësi dhe rrezik

Çfarë pason? Këtë e pyet veten gjithsecili që votoi për “Listën e Studentëve”, pra, kundër Aleksandar Vuçiçit. Fitorja e “Listës së Studentëve” jo vetëm që solli emra të rinj në parlamentin serb, por edhe largoi emra të vjetër e të njohur nga të dyja krahët e spektrit politik. Për herë të parë, Partia Socialiste e Serbisë – një aktor kyç në tranzicionin e dështuar tredekadësh e gjysmë të Serbisë, pjesëmarrëse në të gjitha luftërat e viteve ’90 dhe shtylla tradicionale pro-ruse në Ballkanin Perëndimor – nuk arriti të hyjë në parlament.

Jo vetëm që nuk e kaloi pragun zgjedhor, por edhe koalicioni “Serbia Evropiane”, i udhëhequr nga Partia e Lirisë dhe Drejtësisë, mori mbështetje tejet të paktë – më pak se një për qind (0,3 për qind të votave). Votuesit i ndëshkuan pa mëshirë liderët e tyre, ndër të tjera, për shkak të marrëveshjeve të dyshimta gjatë zgjedhjeve të mëparshme.

Sa i përket zëvendësimit të elitave politike, situata befasuese në Serbi ngjan disi me ardhjen në pushtet të Volodymyr Zelenskyy-t dhe partisë së tij “Shërbëtori i Popullit” në Ukrainë, në vitin 2019. Një valë e madhe pakënaqësie qytetare ndaj elitës tradicionale politike ukrainase dhe korrupsionit solli njerëz krejtësisht të rinj, pa përvojë politike, të cilët arritën të konsolidohen mjaft mirë në vend, madje edhe para fillimit të luftës.

Mes 140 kandidatëve të parë të “Listës së Studentëve” që, sipas projeksioneve zgjedhore, pritet të hyjnë në Asamblenë Kombëtare të Serbisë, më të shumtë në numër janë përfaqësuesit e arsimit dhe botës akademike; një pjesë të konsiderueshme zënë gjithashtu ekspertë nga fusha e shëndetësisë, drejtësisë, ekonomisë, kulturës dhe arteve. Pritet formimi i një qeverie të re, të përbërë nga profesionistë.

Këta emra të rinj përfaqësojnë njëkohësisht një mundësi dhe një rrezik. Kjo, pasi ndryshe nga partia ukrainase “Shërbëtori i Popullit”, “Lista e Studentëve” nuk ka një lider (Ilija Srdanoviç thotë se ai është thjesht i pari në listë) dhe nuk ka as strukturë apo hierarki partiake. Në thelb, është një fenomen interesant për shkencat politike fakti që një lëvizje kaq autentike dhe e decentralizuar ka mundur të mposhtë strukturën vertikale klienteliste të regjimit të Partisë Përparimtare Serbe. Kjo është ndoshta një tjetër arsye pse Vuçiçi hoqi dorë nga gjakderdhja dhe u tërhoq përballë kuadrove të “Listës Studentore”, duke besuar se ka një avantazh për shkak të mungesës së përvojës dhe natyrës së hapur të tyre.

Sipas analistëve, pas humbjes së Vuçiçit, çmontimi i regjimit të vjetër duhet të fillojë urgjentisht, veçanërisht në shërbimet sekrete dhe në media. Mund të thuhet se ky proces ka filluar, pasi të hënën transmetuesi publik rajonal, Radio Televizioni i Vojvodinës, u kërkoi ndjesë shikuesve të tij për raportimin joprofesional, ndërsa kryeredaktori dha dorëheqjen.

Dy ditë pas zgjedhjeve, kandidatët nga “Lista Studentore” i dërguan një letër të hapur drejtuesve të Radio Televizionit të Serbisë, në të cilën kërkojnë dorëheqjen e zyrtarëve të lartë dhe vendosjen e një administrate të përkohshme në këtë institucion publik. Lëvizja studentore deklaroi në rrjetet sociale se nuk ka vend për përplasje apo dhunë dhe se nuk mbështet hyrjen me forcë në media apo institucione – kjo pas një incidenti ku një grup protestuesish hyri me forcë në ambientet e “TV Informer”, i cili kishte shërbyer si mjeti më brutal i autoriteteve për të njollosur zërat kundërshtarë.

Situata do të jetë disi më e ndërlikuar sa u përket Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA) dhe shërbimeve të sigurisë ushtarake të Republikës së Serbisë; ndryshimet aty nuk mund të kryhen pa konstituimin e parlamentit dhe formimin e një qeverie të re, proces që kërkon nga dy deri në katër muaj. Një problem edhe më i madh është fakti se këto shërbime kanë pasur nevojë për ndryshime rrënjësore që nga epoka komuniste.

Një pjesë e madhe e opinionit publik besonte se Vuçiçi dhe rrethi i tij nuk do ta pranonin rezultatin e zgjedhjeve dhe humbjen. Megjithatë, dorëzimi vullnetar i pushtetit dhe pranimi i shpejtë i rezultatit mund të sinjalizojnë kalimin drejt një taktike të re. Në këtë kontekst, Partia Përparimtare Serbe – tashmë në opozitë – nuk duhet nënvlerësuar, pasi një numër i madh i njerëzve të saj, të cilët i kanë siguruar pozitat apo vendet e punës përmes kanaleve klienteliste, do t’i ruajnë ato pozita.

Gjyqësori është një temë që nuk u theksua mjaftueshëm gjatë protestave studentore në Serbi. Qeveria e re studentore do të mund të mbështetet te Prokuroria Publike për Krimin e Organizuar, e cila ndoshta është i vetmi institucion që ka mbetur i lirë nga ndikimi i regjimit. Në planin e tyre, studentët paralajmërojnë çlirimin e gjykatave dhe të prokurorisë, si dhe krijimin e një Policie të Posaçme Prokuroriale. Megjithatë, do të nevojitet një reformë më e thellë e gjyqësorit, e ngjashme me ato të ndërmarra në Rumani dhe Ukrainë, vende ku korrupsioni është endemik.

Politika e Jashtme dhe Kosova – një pikë mosmarrëveshjeje

Një tjetër element në të cilin llogarit Vuçiçi janë përçarjet lidhur me politikën e jashtme dhe atë rajonale – përçarje që u shfaqën edhe gjatë shpërbërjes së Opozitës Demokratike të Serbisë, menjëherë pas fitores ndaj Millosheviçit. Në deklaratat që pasuan pranimin e humbjes zgjedhore, Vuçiçi pohoi se, deri në pranverën e vitit të ardhshëm, “Lista Studentore” do të vendosë sanksione ndaj Federatës Ruse.

Profesori i njohur Jovo Bakiç, pjesë e “Listës Studentore”, deklaroi për RT Balkan se qeveria e re e Serbisë nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe se politika ndaj Moskës nuk do të ndryshojë. Gjatë fushatës zgjedhore, përfaqësues të “Listës Studentore” bënë gjithashtu deklarata populiste lidhur me politikën e jashtme të Serbisë, duke shprehur një qëndrim të përmbajtur ndaj BE-së dhe një qasje të hapur ndaj Rusisë.

Çështja e përfshirjes së Kosovës brenda kufijve të Serbisë ishte mbizotëruese mes përfaqësuesve të “Listës Studentore”. Kjo është një çështje padyshim e rëndësishme, por edhe burim frustrimi për të rinjtë. Gjatë festimeve në natën e zgjedhjeve, të rinjtë këndonin këngë dhe mbanin simbole që glorifikonin Kosovën, të shoqëruara nga thirrje shoviniste dhe homofobike.

Është tashmë e qartë se Kosova do të jetë pika e parë e mosmarrëveshjes për “Listën Studentore”, si në rrafshin rajonal, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Nëse ndodhin ndryshime politike në shtete kyçe të BE-së, disa anëtarë të qeverisë së re mund të priren drejt një rryme të përhapur në Evropë dhe në botë – asaj të së djathtës ekstreme.

Thyerja e vazhdimësisë së regjimit jodemokratik të Partisë Përparimtare Serbe përbën hapin e parë real drejt ndryshimit në shoqërinë serbe, një hap që u ndërmor menjëherë pas zgjedhjeve. Edhe nëse qeveria e re bën shumë pak – duke qenë se institucionet në Serbi janë shkatërruar në mënyrë sistematike – çdo krizë do të çojë drejt një zgjidhjeje përmes zgjedhjeve të reja, të cilat nuk mund të manipulohen më në të njëjtën masë siç ndodhte nën sundimin e Partisë Përparimtare Serbe. Hapi i dytë është tashmë në prag: zgjedhjet presidenciale në fund të vitit.

Boris Varga. Serbian political scientist and journalist.

Materialet e publikuara në rubrikën “Opinionet” pasqyrojnë mendimin personal të autorit dhe mund të mos përkojnë me qëndrimin e Qendrës