Qoftë edhe sipërfaqësor, një kërkim në internet do të tregojë se artikujt në medie për “garën e armatimeve në Ballkan” datojnë të paktën në vitin 2016. Ky fenomen lidhet ngushtë me ardhjen në pushtet në Serbi të Aleksandar Vuçiçit dhe me ringjalljen graduale të nacionalizmit serbomadh. Për më tepër, i gjithë ky proces pasqyron përpjekjet për të rimenduar historinë e fundit të Ballkanit, veçanërisht luftërat ballkanike të viteve ’90 dhe rolin e Serbisë, si agresore, në ato kohë të trazuara. Megjithëse rrënjët e garës së armatimeve kanë shumë komponentë, një gjë është e qartë: ndryshimi i situatës gjeopolitike, veçanërisht pushtimi nga Rusia i Ukrainës, ka shkaktuar shqetësim serioz në Ballkan. Ky Rajon, historikisht i formuar si një kazan ku janë kombinuar ndikimet dhe interesat globale, vazhdon të mbetet një burim jostabiliteti, me tri vende joanëtare të NATO-s dhe gjashtë vende që aspirojnë anëtarësimin në BE, duke përfshirë Serbinë, që vepron si një “dele e zezë” gjeopolitike për shkak të lidhjeve të saj me Rusinë.
Gara e armatimeve në Ballkan filloi të intensifikohej pasi ambiciet e Serbisë u përhapën përtej kufijve të saj. Edhe pse Serbia dhe Kroacia kanë zgjidhur shumicën e mosmarrëveshjeve mes tyre, përveç disa çështjeve të vogla kufitare që lindin nga ndryshimet e rrjedhës së Danubit dhe çështjeve të krimeve të luftës dhe personave të zhdukur, interesat e tyre në rajon kanë filluar të përputhen. Të dyja vendet po e përqendrojnë gjithnjë e më shumë vëmendjen e tyre rreth Bosnjës dhe Hercegovinës. Edhe pse Kroacia nuk e mbështet shkëputjen dhe ndarjen e Bosnjës, siç bëjnë politikanët serbë në këtë vend.
Në Bosnjë, Serbia ka kultivuar me vite nacionalistë besnikë, të cilët tani kanë marrë poste kyçe në aparatin e sigurisë, duke ngritur shqetësime për destabilizimin e mundshëm. Në Kosovë, destabiliteti i shpeshtë vazhdon të ndodhë në veri të vendit. Ndryshimet politike në Mal të Zi kanë ardhur deri në qeveri, e cila pjesërisht shërben si agjente e interesave serbe, në vend që të përfaqësojë interesat e vërteta të Malit të Zi. Ministri i ri i Mbrojtjes i Malit të Zi, i cili vjen nga një prejardhje besnike serbe, ka ngritur shqetësime midis aleatëve të NATO-s, veçanërisht te Kroacia. Duke ndezur tensionet me aleatët kroatë, ministri i Mbrojtjes i Malit të Zi ka mohuar ekzistencën e ndonjë ndikimi malinj ruso-serb në Mal të Zi, pavarësisht nga provat në rritje për të kundërtën.
Një nga aspektet më shqetësuese të garës së armatimeve në Ballkan janë lidhjet e ngushta të Serbisë me Rusinë. Pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës nga Rusia ka ngritur shqetësimin në rajon, sepse vë në dukje mundësinë së Serbia mund të shërbejë si një instrument për Rusinë për të krijuar destabilitet dhe për të ridrejtuar vëmendjen dhe presionin botëror larg nga Ukraina. Një taktikë e ngjashme mund të shihet në Izrael dhe Jemen, ku interesat strategjike ruse po avanconin falë tërheqjes së vëmendjes botërore ndaj këtyre konflikteve.
Së fundmi, Shtetet e Bashkuara njoftuan vendimin e tyre për t’i shitur Kosovës raketa antitank “Javelin” dhe pajisjet përkatëse me një vlerë rreth 75 milionë dollarë. Ky vendim u prit me një reagim të ashpër nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, i cili e quajti atë veprim “një zhgënjim të madh për Serbinë”. Vuçiçi theksoi se “Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila lidhet me demilitarizimin e Kosovës dhe vendosjen e forcave paqeruajtëse ndërkombëtare, parashikon çmilitarizimin e shqiptarëve të Kosovës, por Kosova po zhvillon në mënyrë aktive potencialin e saj ushtarak”.
Serbia po i përdor këto të dhëna si justifikim për të rritur ndjeshëm shpenzimet ushtarake të vitit 2024. Parashikohet se rreth 186 milionë euro do të investohen menjëherë në pajisje ushtarake vendase, 740 milionë euro shtesë janë planifikuar për blerjen e pajisjeve të reja ushtarake gjatë vitit.
Presidenti Vuçiç përshkroi përparësitë për modernizimin e mbrojtjes së Serbisë, të cilat përfshijnë blerjen e tetë obuseve vetëlëvizëse “Nora”, 30 frëngji speciale për automjetet luftarake të këmbësorisë “Lazar III”, 81 automjete të blinduara luftarake “Milos II” dhe 26 traktorë amfibë M80AB1 të përmirësuar. Të gjitha këto pajisje pritet të jenë në dispozicion deri në vitin 2026, me blerje shtesë përgjatë gjithë vitit.
Edhe Kosova ka reaguar ndaj rritjes se tensioneve me rritjen e shpenzimeve ushtarake. Kanë nënshkruar një kontratë me Turqinë në mesin e vitit 2023 për blerjen e një sasie të paspecifikuar të mjeteve ajrore pa pilot “Bayraktar TB-2”. Për më tepër, miratimi nga Shtetet e Bashkuara të blerjes së raketave antitank “Javelin” nga ana e Kosovës demonstron edhe më shumë militarizimin në rritje të rajonit.
Prania e figurave skandaloze, të tilla si presidenti i Republikës Srpska (një entitet i Bosnjë-Hercegovinës) gjatë një konference zyrtare ushtarake në Serbi, ku u diskutua dhe u njoftua për riarmatimin, nxjerr në pah lidhjen e politikanëve serbë në rajon. Ndërsa Serbia e pozicionon riarmatimin e saj si një reagim ndaj armatimit të fqinjëve të saj, vendi i parë në ngritjen e shpejtë i takon pikërisht Serbisë. Kjo bëhet edhe më problematike duke pasur parasysh paralajmërimet e liderëve botërorë për një konflikt të mundshëm në Ballkan.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar për t’i kushtuar vëmendje Ballkanit, duke theksuar planet afatgjata të Rusisë dhe mundësinë se Ballkani, pas Ukrainës, do të bëhet pika e ardhshme e nxehtë gjeopolitike. Po kështu, presidenti amerikan, Joe Biden, paralajmëroi për pasojat e mosveprimit në Ukrainë, duke pohuar se vendet e Ballkanit mund të jenë të radhës nëse agresioni rus nuk frenohet.
Së fundi, kur Ballkani po përballet me një garë armatimesh gjithnjë në rritje dhe me tensione gjeopolitike, është e domosdoshme të pranohet se çdo përpjekje e Serbisë për të destabilizuar rajonin, në fund do të çojë në katastrofë jo vetëm për Ballkanin, por në radhë të parë për vetë Serbinë. Fuqia ushtarake e Serbisë nuk mund të krahasohet me fuqinë kolektive të NATO-s, e cila është e pranishme në rajon me dy baza në dy vende që nuk janë anëtare të aleancës. Historia na ka treguar se përpjekjet e mëparshme të Serbisë për të testuar forcën dhe reagimin e aleancës kishin pasoja katastrofike për infrastrukturën dhe ekonominë e vendit. Prandaj, çdo sfidë e mëtejshme nga Serbia mund të motivohet nga interesat ruse dhe jo nga ambiciet serbe, çka përbën një rrugë të rrezikshme me pasoja të mundshme të rënda për gjithë rajonin e Ballkanit.
Lubomyr Filipovyç