Si e ndaloi Rusia evrointegrimin të Serbisë

https://www.facebook.com/photo/?fbid=951040306609116&set=pb.100051094670379.-2207520000

“Integrimi evropian dhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian është interesi kombëtar dhe përcaktimi strategjik i Republikës së Serbisë”, theksohet në faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë. Por në të vërtetë, negociatat e anëtarësimit pothuajse janë ndalur.

Faktori 24.02.2022

Më 29 prill 2008, Serbia nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) me Bashkimin Evropian. Dokumenti ka hyrë në fuqi më 1 shtator 2013. Kërkesën zyrtare për anëtarësim në BE, Serbia e paraqiti më 22 dhjetor 2009; statusin e kandidatit e mori më 1 mars 2012. Vendimi i Këshillit Evropian për hapjen e negociatave të anëtarësimit u miratua më 28 qershor 2013. Si fillim, de fakto, i procesit të negociatave ishte bërë mbledhja e parë e Konferencës Ndërqeveritare më 21 janar 2014.

Gjatë procesit të negociatave ndërmjet Republikës së Serbisë dhe Bashkimit Evropian, u hapën 22 kapituj – nga 35, të bashkuar në gjashtë klastera (Cluster) – dy prej të cilëve u mbyllën përkohësisht.

Data e mbajtjes së raundit të fundit të negociatave ndërmjet BE-së dhe Serbisë, domethënë Konferencës Ndërqeveritare, është dhjetori i 2021-it. Që nga ajo kohë, pra përgjatë më shumë se dy viteve të fundit, nuk ishte hapur asnjë kapitull negociatash. Shkaku ishte refuzimi i Beogradit për të mbështetur politikën e jashtme dhe kursin e sigurisë së BE-së, më konkretisht, mungesa e dëshirës së lidershipit serb për t’iu bashkuar sanksioneve evropiane, të cilat u vendosën për shkak të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.

Duhet theksuar se Beogradi nuk iu bashkua masave kufizuese të Bashkimit Evropian edhe më parë, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, por kjo praktikisht nuk e pengonte procesin e negociatave dhe hapjen e kapitujve të rinj. Megjithatë, pas agresionit të shkallës se plotë rus kundër Ukrainës në fillim të vitit 2022, BE-ja ndryshoi qëndrimin e saj ndaj çështjeve të sigurisë dhe politikës së jashtme dhe i bëri ato prioritare. Pas kësaj, nuk mbyllën më sy ndaj shmangies së Serbisë për të vendosur sanksione kundër Federatës Ruse.

Për më shumë se dy vjet tani, evrointegrimi i Serbisë është në një gjendje stagnimi dhe vendimi i fundit i BE-së për të prezantuar një plan të ri për zhvillimin dhe integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor demonstroi se zhvillime pozitive për Beogradin nuk parashikohen në një të ardhme e afërt.

Gjashtë miliardë euro, por…

Më 24 prill, Parlamenti Evropian votoi në favor të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili parashikon financim prej 6 miliardë eurosh, nga të cilat 2 miliardë do të jepen në formën e granteve dhe 4 miliardë të tjera në formë huadhënieje. Dokumenti i ri duhet të plotësojë instrumentet ekzistuese financiare të ndihmës para pranimit. Zbatimi i Planit, sipas planifikimit të BE-së, duhet të dyfishojë ekonominë e vendeve të rajonit në 10 vitet e ardhshme. Megjithatë, synimi i Bashkimit Evropian nuk është vetëm stimulimi i rritjes ekonomike në 6 vendet e rajonit, por edhe promovimi i procesit e reformave. Në këtë mënyrë BE-ja synon të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor që të përgatiten sa më shpejt për anëtarësim.

Sipas Planit, vendet e rajonit do të duhet të plotësojnë një sërë kriteresh jo shumë të thjeshta për të përfituar nga paketa e ndihmës financiare. Kërkesat bazë, të cilat vlejnë njësoj për të gjitha vendet, kanë të bëjnë me supremacinë e ligjit, respektimin e parimeve të demokracisë, reformat institucionale dhe marrjen e masave të nevojshme për të siguruar kontrolle në mënyrë që fondet të mos përdoren jashtë qëllimeve, të mos keqpërdoren, të mos të ketë vjedhje apo korrupsion.

Një kusht tjetër është nevoja që vendet kandidate të respektojnë harmonizimin e plotë të politikës së tyre me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, duke përfshirë vendosjen e masave kufizuese kundër Rusisë për shkak të sulmit të saj ndaj Ukrainës.

Në këtë mënyrë, ruajtja e politikës aktuale multivektoriale të jashtme dhe të sigurisë së Beogradit zyrtar, e cila përjashton bashkimin me sanksionet evropiane kundër Federatës Ruse, por në vend të kësaj parashikon ruajtjen e marrëdhënieve miqësore me Moskën, nënkupton vazhdimin e “ngrirjes” për integrimin evropian të Serbisë.

Që të ndryshojë kjo situatë dhe të zhbllokohen negociatat mes Beogradit dhe Brukselit duhet:

a. një ndryshim rrënjësor i politikës së Bashkimit Evropian ndaj Federatës Ruse dhe, rrjedhimisht, heqja e sanksioneve, gjë që mund të pritet:

1. pas përfundimit të fazës së nxehtë të luftës në Ukrainë,

2. si rezultat i ndryshimit të udhëheqjes së BE-së në atë radikalisht pro-ruse.

b. refuzimi i pavarur i udhëheqjes serbe nga miqësia me Moskën.

Është e qartë se asnjë nga këto opsione nuk duket i realizueshëm në të ardhmen e afërt.

“Dogodine u Prizrenu”/“Vitin e ardhshëm në Prizren”

Megjithatë, sanksionet kundër Rusisë nuk janë barriera e vetme në rrugën e Serbisë drejt BE-së.

Për Serbinë ekziston edhe një kusht i veçantë, i cili lidhet me progresin në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.

Më saktësisht, ky kusht vlen edhe për Beogradin, edhe për Prishtinën, por Kosova është ende kandidate potenciale për anëtarësim në BE, ndërsa Serbia është tashmë në proces të anëtarësimit. Në këtë mënyrë, pesha e kësaj kërkese është e ndryshme për të dyja palët.

Dialogu Serbi-Kosovë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, po vazhdon prej më shumë se 10 vjetësh. Pritej që përparim do të sillnin marrëveshjet e arritura në takimin trepalësh të përfaqësuesve të Beogradit, Prishtinës dhe BE-së në Bruksel më 27 shkurt 2023 dhe në Ohër më 18 mars 2023… – Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksi Zbatues i Marrëveshjes.

Por zhvillime pozitive nuk pati. Përkundrazi, përleshjet e armatosura shtatorin e kaluar në veri të Kosovës, në Banjska, çuan në një regres në dialog dhe vendosën në rendin e ditës jo aq çështjen e vendosjes së marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, sesa çështjen e parandalimit të ripërtëritjes së armiqësive në Rajon.

Për të stimuluar procesin e normalizimit, Bashkimi Evropian vendosi të lidhte rreptësisht integrimin evropian me zbatimin e marrëveshjeve të arritura në procesin e dialogut.

Për Kosovën, kërkesa kryesore që del nga Marrëveshja dhe Aneksi është themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe (ASM).

Serbia, sipas dakordësimeve, nuk duhet të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare (në të vërtetë, kjo vlen edhe për procesin aktual të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës).

Nga të dyja palët kërkohet gjithashtu njohja reciproke e dokumenteve dhe simboleve kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe shenjat doganore. (Ajo që Serbia e quajtën njohje de facto të “shtetit të rremë të Kosovës”).

Ndryshe nga të gjitha marrëveshjet e tjera në dialogun Beograd-Prishtinë të sponsorizuar nga BE-ja, këto marrëveshje tani janë të detyrueshme.

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian miratuan këtë javë amendamentet në nenin 35 në bisedimet e pranimit me Serbinë dhe shkruan drejtpërdrejt në kornizën negociuese se “Serbia duhet të përmbushë plotësisht detyrimet e saj që dalin nga Marrëveshja për rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve me Kosovën, në përputhje me Aneksin e zbatimit të dakordësuar më 18 mars.”

Neni 35, së bashku me nenet 23 dhe 24 për supremacinë e shtetit e së drejtës, ka një peshë të veçantë në negociatat për anëtarësim. Sipas kornizës negociuese, mungesa e progresit në këto fusha mund të ngadalësojë ose të ndalojë progresin në të gjitha fushat e tjera të negociatave.

“Putuj Evropo…” / “Vazhdo, Evropë…”

Koha për manovrim dhe imitim ka mbaruar.

Prishtina më në fund duhet të krijojë një forcë policore ushtarake, ose të paktën të demonstrojë progres të vërtetë në këtë çështje.

Ndërkohë Serbia… Serbia duhet të japë një shenjë se është pajtuar me humbjen e Kosovës dhe të njohë, të paktën simbolikisht ose jo në përmasa të plota, pavarësinë e ish-rajonit të saj autonom.

Megjithatë, duke pasur parasysh frymën në shoqëri, kjo barrierë në rrugën drejt BE-së do të jetë jashtëzakonisht e vështirë për Serbinë për t’u kapërcyer, nëse është e mundur “at all”.

Dhe jo vetëm sepse nuk janë mendërisht të gatshëm për këtë qytetarët serbë dhe, rrjedhimisht, qeveria, e cila fokusohet tek elektorati.

Faktori domethënës ishte ndërhyrja e Rusisë, e cila vitet e fundit investoi shumë forca dhe burime në aktivitetin hibrid, që përfshinte nxitjen e ndjenjave radikale në Serbi, në radhë të parë për Kosovën. Kjo është edhe përhapja në hapësirën publike e narrativave për kthimin e territorit me forcë; dhe mbështetje joformale e radikalëve, të cilët ushtronin presion dhe vazhdojnë të ushtrojnë presionin ndaj Beogradit zyrtar, duke kërkuar “të mos lejohet tradhtia”; dhe mbështetjen zyrtare të udhëheqjes së Serbisë në synimet e saj për të mos bërë kompromis për çështjen e Kosovës… Një pistë më vete është ndërveprimi i kishës ortodokse ruse dhe serbe.

Rusia, në të vërtetë, doli si bashkëautore e politikës aktuale të Beogradit ndaj Prishtinës, e cila konsiston në refuzimin kategorik të lëshimeve të Serbisë ndaj Kosovës, që mund të perceptohen si njohje e saj de facto.

Vendimet e fundit të BE-së për të përfshirë çështjen e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në listën e një prej kushteve kyçe për integrimin evropian të Serbisë e detyrojnë Beogradin ose të ndryshojë politikën e tij aktuale ndaj Kosovës, ose të refuzojë anëtarësimin në BE në perspektivën e afërt. Por mënyra aktive dhe deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç dhe ekipit të tij, tregojnë se Beogradi aktualisht nuk është i gatshëm të ndryshojë politikën e tij si në lidhje me Kosovën, ashtu edhe në lidhje me sanksionet ndaj Federatës Ruse. Për Serbinë, kjo do të thotë një ndalesë në rrugën drejt BE-së dhe, nëse jo fundi i ëndrrave për një Serbie evropiane, të paktën zhvendosje e tyre në një qilar të largët. “Putuj Evropo, nemoj više čekto na nas…“ (Vazhdo, Evropë, mos na prit më…) Ndërkohë Rusia mund të festojë një fitore hibride në përballjen e saj imagjinare me Perëndimin në “frontin evropian”.