Beogradi dhe Pekini – miq kundër kujt?

https://www.facebook.com/photo?fbid=994236838956129&set=pcb.994236892289457

Presidenti I Kinës Xi Jinping i bëri një vizitë Serbisë më 7-8 maj. Kanë kaluar tetë vjet nga vizita e fundit e liderit kinez. Dhe ai u prit vërtet me pompozitet, pas gjithë atyre ftesave dhe pritjes të viteve të kaluara. Rutina e mirëseardhjes ishte aq e madhe saqë bëri që disa vëzhgues serbë të kujtonin Jugosllavinë socialiste të Titos.

Megjithatë, e kaluara jugosllave duhet përmendur jo vetëm për shkak të fasadës së vizitës, por edhe për shkak të përmbajtjes së saj.

Patos si ai i Jugosllavosë

Në shtypin serb, Xi Jinping përmendej si “lideri më i madh botëror” dhe ishin bërë parapërgatitje të mëdha për takimin me presidentin që prej shumë kohësh. Për disa arsye të caktuara, koha e saktë e mbërritjes së delegacionit presidencial të Xi mbeti e panjohur për palën serbe deri në momentin e fundit. Ndoshta gjithçka varej nga ecuria e bisedimeve në Francë, nga ku lideri kinez kaloi në Ballkan. Sipas një versioni tjetër, gjithçka kishte të bënte me protokollet e sigurisë.

“Ka pasur bisedime për ardhjen e tij që herët në mëngjes, por duket se në Serbi është krijuar një situatë e pashëndetshme e sigurisë, kështu që koha e mbërritjes së tij është fshehur”, tha gazetari serb Misha Brkic në një intervistë për N1.

Grupi mikpritës e priti liderin kinez për disa orë, të shoqëruar nga transmetime të drejtpërdrejta televizive të rrugës ku pritej të kalonte autokolona dhe raporte për masa të shtuara sigurie. Rreth 4,500 oficerë policie u vendosën për të garantuar rendin publik. Mediat vunë re që një shoqërim ajror ishte ofruar për delegacionin kinez: avioni kinez shoqërohej nga avionë luftarakë serb MiG-29. Është raportuar se edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka mbërritur pak më herët për të takuar homologun e tij kinez.

Në aeroport, grupet folklorike dhe ekipet e vallëzimit performuan për ata që ishin atje duke pritur për një kohë të gjatë.

Për ta bërë ngjarjen edhe më solemne dhe për të demonstruar dashurinë e kombit për Kinën, në kryeqytetin e Serbisë u dërguan “punëtorë” nga pjesë të ndryshme të vendit.

“Unë prisja që edhe fëmijët të nxirreshin nga shkollat për të valëvitur flamuj kinezë, por për fat tashmë është pothuajse mbrëmje. Gjithçka më kujton periudhën e viteve 1960 dhe 1970, kur diktatorë të ndryshëm aziatikë dhe afrikanë do të vinin në Serbi dhe ne dilnim në rrugë për të valëvitur flamujtë e tyre dhe për t’u dukut të lumtur, kjo tregon se publiku po ushqehet qëllimisht me detaje të caktuara rreth vizitës, në mënyrë që të fitojë sa më shumë rëndësi”, tha Brkic.

Kishte edhe disa detaje të tjera rreth ardhjes që të kujtonin ditët e Jugosllavisë. Vizita e Xi ishte planifikuar qëllimisht për 7 maj për shkak të asaj çfarë simbolizon kjo datë. Më 7 maj 1999, ambasada kineze u bombardua gjatë një sulmi ajror të NATO-s. Incidenti u shfrytëzua në mënyrë aktive si nga lidershipi i atëhershëm i Jugosllavisë, i udhëhequr nga Sllobodan Millosheviqi, ashtu edhe nga politikanët e sotëm në Beograd dhe Moskë, për të nxitur ndjenja antiperëndimore.

Një përvjetor i qetë

Në vitin 2016, gjatë vizitës së parë të Xi në kryeqytetin e Serbisë, përkujtimi i viktimave të sulmit ajror ishte gati në qendër të vëmendjes.

Këtë vit, në prag të turneut evropian të liderit kinez, Pekini postoi një kolonë nën emrin e Xi Jinping, një pjesë e madhe e të cilës iu kushtua bombardimeve dhe theksoi edhe një herë se nuk do të falej apo harrohet kurrë. Pra, natyrisht, propagandistët rusë dhe pro-rusë prisnin një shfaqje masive anti-perëndimore, kryesisht anti-amerikane.

Por realiteti doli të ishte ndryshe. Avioni i Xi u ul vonë në mbrëmje dhe i ftuari kryesor nuk shkoi menjëherë në vendndodhjen e mëparshme të ambasadës kineze. Të nesërmen, më 8 maj, u anashkalua sërish tema. Xi nuk bëri asnjë deklaratë publike në kujtim të tragjedisë së 7 majit.

Mund të ketë disa shpjegime.

Më e thjeshta është se vizita ishte më e shkurtër se sa pritej për shkak të vonesës në Francë. Megjithatë asgjë nuk e pengoi përkujtimin e viktimave të nesërmen pas mbërritjes.

Një shpjegim tjetër është më kompleks dhe lidhet me situatën aktuale të sigurisë në kontinentin evropian dhe vektorin aktual të politikës së jashtme të Kinës.

Ngjarjet e vitit të largët 1999 perceptohen sot në sfondin e një lufte në shkallë të gjerë që shpërtheu në Ukrainë. Në këtë drejtim, shumë kujtojnë bombardimin rus të Odesës në verën e vitit 2023 që dëmtoi Konsullatën e Kinës. Reagimi nga pala kineze, ose më mirë mungesa e tij, ishte mjaft i dukshëm. Kjo do të thotë se Pekini vendosi të mos përshkallëzojë marrëdhëniet me Rusinë, me çdo kost

Kështu, qëndrimi aktual i Xi-t ndaj bombardimeve të Beogradit të vitit 1999 gjatë kësaj vizite në Serbi mund të jetë për shkak se ai nuk dëshiron të përkeqësojë marrëdhëniet me Perëndimin.

Megjithatë, shpjegimi mund të jetë i ndryshëm – Xi mund të mos jetë i gatshëm të zhvendosë fokusin dhe të largojë vëmendjen nga qëllimi kryesor i turneut evropian, për të cilin udhëheqja e Kinës beson se ka të bëjë me ndërtimin e një “komuniteti global të destinuar pët të njejtin fat”.

Komunitet i destinuar për të njejtin fat

Gjatë vizitës së Xi, Kina dhe Serbia vendosën të krijojnë një “komunitet të destinuar pët të njejtin fat”, duke i ngritur marrëdhëniet dypalëshe në një nivel të ri, i cili duhet të tejkalojë partneritetin strategjik të krijuar në vitin 2016.

Sipas ekspertëve të Kinologjinsë, termi “Komuniteti i të destinuar pët të njejtin fat” është një iniciativë e paraqitur nga Xi Jinping në vitin 2015 në Asamblenë e Përgjithshme të 70-të të OKB-së. Thelbi i tij përshkruan në disa teza vizionin kinez për ndërtimin e harmonisë dhe paqes në mbarë botën. Këtu janë vetëm disa citate nga deklaratat zyrtare që shpjegojnë konceptin:

Popujt e të gjitha vendeve duhet të bëjnë përpjekje të përbashkëta për të ndërtuar një komunitet me një fat të përbashkët për njerëzimin, për të krijuar një realitet kaq të bukur ku të mbizotërojë paqja, siguria e përbashkët, pasuria e përbashkët, çiltërsia dhe gjithëpërfshirja, si dhe mjedisi i pastër.

“Ne duhet të respektojmë njëri-tjetrin, të mbajmë konsultime të barabarta dhe të braktisim me vendosmëri mentalitetin e Luftës së Ftohtë dhe politikat e mbështetura nga pushteti. Qasjet e reja të bazuara në dialog dhe partneritet, në vend të përballjes dhe të menduarit të politizuar, duhet të zbatohen në marrëdhëniet ndërshtetërore. Mosmarrëveshjet duhet të zgjidhet përmes dialogut dhe konsultimit”.

“Të gjitha vendet janë të barabarta dhe të mëdhenjtë, të fortët dhe të pasurit nuk duhet të fyejnë, shtypin dhe shkelin të vegjlit, të dobëtit dhe të varfërit. Parimi i sovranitetit do të thotë jo vetëm që sovraniteti dhe integriteti territorial i të gjitha vendeve janë të pacenueshme, por edhe se askush nuk ka të drejtë të ndërhyjë në punët e brendshme të të tjerëve. Kjo do të thotë gjithashtu se është e nevojshme të mbrohet e drejta e të gjitha vendeve për të zgjedhur në mënyrë të pavarur sistemin e tyre shoqëror dhe rrugën e zhvillimit, si dhe të respektohen përpjekjet e tyre për të siguruar zhvillim ekonomik, social dhe për të përmirësuar standardin e jetesës së popullsisë në atë vend”.

Në fakt, bëhet fjalë për përpjekjen e Kinës për të ndërtuar një bashkim të kombeve neutrale që duhet të marrin vendime të pavarura për politikën e tyre të jashtme ose të brendshme, pa marrë parasysh presionin ose pretendimet nga shtetet ose aleancat e tjera ndërshtetërore.

Mbetet e paqartë se si Serbia e sheh veten në këtë plan, pasi kombi tani është në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe është i detyruar të prezantojë reformat e integrimit evropian dhe të koordinojë veprimet e saj në arenën e punëve të jashtme me politikën e BE-së.

Fasule serbe në këmbim të tregut evropian

Sa i përket bashkëpunimit ekonomik të Serbisë me Kinën, nuk priten përparime të veçanta, pasi të gjitha projektet e nisura në vitin 2016 janë duke u realizuar sipas planit, ndërsa zona e tregtisë së lirë ende nuk është hapur.

Kina është partneri i dytë më i madh tregtar i Serbisë, pas Gjermanisë. Por nëse deficiti i tregtisë së jashtme me Gjermaninë është gjysmë miliardë euro, me Kinën ishte 3.4 miliardë euro vitin e kaluar.

Serbia shpreson se marrëveshja e tregtisë së lirë ndërmjet Beogradit dhe Pekinit, e cila do të hyjë në fuqi në korrik, do t’i ndryshojë gjërat. Sipas presidentit Vuçiq, qëllimi kryesor është që kinezëve tu shiten më shumë perime, fruta, pije alkoolike dhe verë serbe.

Por disa vëzhgues i shohin këto perspektiva me skepticizëm.

Gazetari serb Misha Brkic pretendon se nga viti 2010 deri në vitin 2023, Serbia ka marrë hua nga Kina gjithsej 17 miliardë euro. “Për shkak të kësaj, në vitin 2021 dhe 2022, ata (qeveria serbe) ishin liderët botërorë në huamarrje, duke përfshirë kreditë nga Kina, dhe tani nuk pres ndonjë kredi të re”, tha ai. “Sa i përket tregtisë, ne kemi nënshkruar një marrëveshje tregtare me Kinën. Për këtë flitet shumë, por fshehin faktin që marrëveshja nuk hyn në fuqi menjëherë, por do të rregullohet gradualisht gjatë pesë viteve. Besoj se Serbia nuk ka mjaftueshëm produkte bujqësore për të lulëzuar në tregun kinez. Ne harrojmë se kjo është një marrëveshje e dyanshme dhe se Kina tani ka një derë të hapur për të mbushur tregun serb me produktet e saj, dhe unë pres që së shpejti të ketë shumë më shumë hudhër kineze në Serbi sesa fasule serbe në Kinë”, vlerëson gazetari.

Është e qartë se Pekini nuk është aspak i interesuar për fasulet ballkanike. Sipas programit “Belt and Road” të qeverisë kineze, Kina duhet të pushtojë dhe të sigurojë të gjitha tregjet premtuese, kryesisht ato evropiane. Dhe për këtë qëllim, ata duhet të kontrollojnë rrugët e furnizimit për mallrat kineze në Evropë. Dihet se autoritetet në BE preferojnë të kontrollojnë tregun e tyre. Ndërkohë, detyra e Kinës është t’i bëjë të aksesueshme tregjet në Evropë. Vendet, udhëheqja e të cilave është në kundërshtim me politikën e BE-së në një shkallë ose në një tjetër, mund ta ndihmojnë Kinën të ketë sukses në këtë plan. Këto janë, para së gjithash, Serbia, e cila është ende jashtë Bashkimit Evropian dhe Hungaria, e cila është një vend anëtar. Megjithatë, ky bashkëpunim nuk do të jetë efektiv pa qasje të sigurtë në det.

Autoritarizmi. Prodhuar në Kinë

Një aspekt tjetër i vizitës së presidentit Xi, i cili u diskutua nga analistë në të gjithë rajonin, ishte tema e “importit” të mundshëm të teknikave të menaxhimit autoritar me kërkesë të vetë autoriteteve serbe.

Duhet kujtuar se pas vizitës së Xi në vitin 2016, Serbia bleu nga Kina një sistem masiv mbikëqyrjeje të bazuar në CCTV me teknologji të njohjes së fytyrës. Mund të përdoret për të luftuar terrorizmin, por edhe për të siguruar kontroll të plotë të sjelljes së qytetarëve.

Një delegacion i partisë në pushtet shkoi në Kinë “për stërvitje”. Opozita është e bindur se shokët kinezë u mësuan serbëve disa hile nga mjetet tradicionale autoritare.

Misha Brkiq thotë se transferimi i teknologjisë të avancuar të Kinës në Serbi, për të cilin flasin zyrtarët në Beograd, ka vazhduar për më shumë se 10 vjet, por kjo ka të bëjë me botën politike.

 “Shikoni, ata postuan lajme se një institut kinez trajnonte njerëz të partisë në pushtet rreth aftësive të administratës. Disa vite më parë, një delegacion i madh nga Partia Progresive Serbe vizitoi Kinën për t’u trajnuar se si një parti e vetme mund të drejtojë vendin. Kur presidenti ynë flet për transferimin e teknologjisë së re, do të doja që ai të na tregonte se çfarë teknologjie po transferohet nga administrata e Partisë Komuniste”.

Armët dhe manovrat gjeopolitike

Jo të gjitha rezultatet e vizitës janë bërë publike. Në veçanti, tema e dërgesave kineze të armëve në Serbi mbeti në prapaskenë.

Vetëm gjashtë muaj më parë, autoritetet serbe mburreshin se kishin blerë nga Kina një sistem të mbrojtjes ajrore FK-3, si dhe avionë luftarakë dhe mjete ajrore pa pilot, dhe njoftuan vazhdimin e bashkëpunimit të mbrojtjes serbo-kineze, por tani befas tema e armatimeve doli të ishte të parëndësishme.

Ekspertët e sigurisë nuk besojnë se bashkëpunimi në fushën ushtarake këtë herë ka qenë jashtë agjendës. Megjithatë, me shumë gjasa, palët vendosën të mos e hapin këtë temë publikisht, sepse duke blerë armë kineze, Beogradi nuk mërzit vetëm Brukselin apo Uashingtonin, por edhe Moskën.

Pas vizitës, mund të thuhet me siguri se busulla gjeopolitike e Beogradit tani tregon më shumë drejt Lindjes sesa Perëndimit. Por është disi paradoksale që, ndërsa gravitonte drejt Pekinit, shigjeta e politikës së jashtme serbe u devijuar paksa nga Moska. Dhe ky fakt na kujton sërish kohën e Titos, kur Jugosllavia kryente disa manovra gjeopolitike mahnitëse, duke balancuar mes Perëndimit dhe Lindjes.