Kërcitja e armëve në fuçi baruti

Kërcitja e armëve në fuçi baruti

Vitet e fundit, vendet e Ballkanit Perëndimor i kanë kushtuar shumë vëmendje forcimit të ushtrive të tyre. Ka pasur rritje të buxheteve ushtarake, gjë që mundëson rritjen e numrit të forcave të armatosura dhe blerjen e armëve moderne. Lideri i këtij procesi është Serbia, që deklaron dëshirën e saj për të pasur më shumë siguri. Por a është vërtet kështu?

Arsyet kryesore të garës së armatimeve në Ballkanin Perëndimor:

1. Fillimi i agresionit rus kundër Ukrainës u bë një sfidë e fuqishme për sigurinë globale, duke hapur derën për kriza të reja, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor. Një luftë në shkallë të gjerë në Evropë ka trembur disa udhëheqës të rajonit dhe u dha shpresë për hakmarrje të tjerëve, gjë që kontribuoi në paqëndrueshmërinë rajonale.

2. Parregullsia e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat, në skenarin më negativ, mund të provokojnë një konflikt ushtarak. Gjatë viteve të fundit, Serbia, më shumë se një herë, ka përqendruar njësitë e saj, duke përfshirë njësitë e blinduara në kufijtë me Kosovën dhe ka ngritur nga toka avionë luftarakë. Përshkallëzimi i fundit dhe më i fuqishëm ndodhi në shtator të vitit të kaluar, kur pati një përleshje të armatosur mes grupeve paraushtarake serbe dhe policisë së Kosovës pranë fshatit Banjskë. Beogradi dhe Prishtina, në mënyrë demonstrative i aktivizuan programet e tyre të armatimit të ushtrisë/policisë dhe thuajse njëkohësisht nisën të flisnin për rikthimin/krijimin e shërbimit ushtarak të detyrueshëm, gjë që e bëri situatën edhe më të tendosur e të rrezikshme.

3. Situata e paqëndrueshme në Bosnje dhe Hercegovinë. Deklaratat e Presidentit të Republikës Srpska, Milorad Dodik për planet në lidhje me ndarjen e RS-së nga BiH-i dhe vendimet e qeverisë së RS-së, të cilat synojnë realizimin e këtyre planeve, e mbajnë rajonin vazhdimisht në tension.

Mbështetja e hapur morale dhe politike e Dodikut nga lidershipi i Serbisë e bëjnë Beogradin pjesëmarrës në proceset e rrezikshme në BiH.

4. Lufta e Serbisë për udhëheqje rajonale ushtarake.

Pranimin e Kroacisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi në NATO, Serbia e konceptoi si një sfidë dhe nisi të forcojë kompleksin e saj ushtarako-industrial. Një reagim veçanërisht nervoz në Beograd është shkaktuar nga modernizimi i ushtrisë kroate, fqinji i saj perëndimor në Serbi, me sa duket, ende perceptohet si një ish-oponent ushtarak.

Si një shkak tjetër për “garë”, lidershipi serb konsideron politikën aktuale të qeverisë së Kosovës, e cila synon armatosjen dhe fuqizimin e Forcave të Sigurisë. Në radhë të parë bëhet fjalë për plane për furnizimin e Kosovës me raketa amerikane “Javelin” dhe nënshkrimin e marrëveshjes ushtarake me Turqinë. Përkundër papërputhshmërisë së dukshme të potencialeve ushtarake të Serbisë dhe Kosovës, ky argument shprehet nga personat e parë të shtetit dhe ushtrisë serbe.

Disa shifra të garës së armatimeve

Tabela e mëposhtme krahason të dhënat midis vitit 2013 dhe vitit 2023.

 Shpenzimet e mbrojtjes (mln.usd)% shpenzime ushtarake (për PBB-në)Për frymë popullsie (usd)Pozicioni i ushtrisë (gjithsej 145 ushtri janë analizuar)Numri i forcave të armatosura/ prej tyre aktive
Shqipëria180/3861,41/1,5862/100,7909.100/6.600
Bosnjë dhe Hercegovinë197,6/184,51,09/0,8155,8/56,811618.700/12.700
Kosova48,6/107,6072/1,1326,7/55,01355.500/3.500-5.000
Maqedonia e Veriut126,5/225,01,10/1,9060,9/108,11109.000/7.500
Serbisë918,8/1,48 mlrd1,90/2,28103,1/164,856627.000/25.500
Kroacia957/1,18 mlrd1,63/2,17223.7/322,46636.425/14.325
Mali i Zi64,8/102,11,45/1,6103.6/156,11297.850/2.350

Burimi: Stockholm International Peace Research Institute, SIPRI Year Book 2024.  CIA Factsbook 2024. Military Strength Ranking/Global Firepower 2024.  Balkanski monitor odbrane 2023.

Konceptet e politikës së mbrojtjes të Serbisë.

Një vëmendje të veçantë meriton situata në Serbi, e liderit të garës së armatimeve në rajon, e cila përbëhet nga tri koncepte.

E para – mbrojtja totale e Serbisë, që nënkupton t’i jepet përparësi zhvillimit të industrisë ushtarake dhe pjesëmarrjes së gjerë të popullsisë në mbrojtjen e vendit, për këtë arsye planifikohet rivendosja e shërbimit ushtarak (të paktën duke rekrutuar vullnetarë).

Konceptin e mbrojtjes totale e ka bërë të ditur presidenti i vendit, Aleksandar Vuçiç, gjatë një mbledhjeje me pjesëmarrjen e lidershipit ushtarak dhe politik të vendit lidhur me analizën e gjendjes së ushtrisë serbe, e cila u mbajt më 30 janar të këtij viti.

Duke mos pasur një ushtri të fortë, Serbia nuk do të ekzistojë, theksonte ai, duke shpjeguar nevojën e forcimit të industrisë ushtarake dhe Forcave të Armatosura.

E dyta – “Serbia e Madhe” e re, e cila nënkupton “kujdesin” për qytetarët serbë në rajon, pavarësisht nga vendi i tyre i banimit. Është domethënëse që presidenti i RS-së, Milorad Dodik mori pjesë në takimin e lartpërmendur ushtarak në Beograd dhe falënderoi Serbinë për mbrojtjen e të gjithë serbëve, përfshirë edhe në Republikën Srpska.

E treta – neutraliteti ushtarak. Statusi neutral i vendit përdoret nga Beogradi si një argument për rritjen e alokimeve për ushtrinë.

Serbia e jashtëbllokut, në fakt, pozicionohet haptazi si kundërshtare e NATO-s, pa marrë parasysh të gjitha deklaratat e Beogradit për partneritet me Aleancën, dhe bën gjithçka për të forcuar pozicionin e saj në këtë garë konkurruese.

Qëllimi i kësaj politike, të cilën po zhvillon lidershipi serb, nuk është përballja e drejt për drejt ushtarake me NATO-n. Detyrat janë ndryshe:

• Rritja e ndikimit politik në rajonin e Ballkanit Perëndimor/ish-Jugosllavi,

• përpjekjet për të bindur Prishtinën dhe aleatët e saj Perëndimorë në vendosmërinë e Beogradit dhe disponueshmërinë e burimeve për të mbrojtur interesat e tij në Kosovë,

• demonstrim i mundësisë potenciale për të mbrojtur Republikën Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë.

Serbia pa dyshim po përpiqet të forcojë pozicionin e saj në rajon dhe peshën e saj në arenën ndërkombëtare kryesisht përmes përforcimit ushtarak. Edhe pse aktualisht gara e armatimeve përdoret nga Beogradi si një element i aktivitetit politik apo aktivitetit hibrid, vazhdimi i kësaj rruge do ta bëjë situatën në Evropën Juglindore gjithnjë e më të rrezikshme.

Në foto (mod.gov.rs): Presidenti dhe Komandanti Suprem i Forcave të Armatosura të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, vizitoi ekspozitën e armëve dhe pajisjeve ushtarake të Ushtrisë Serbe në Nish më 14 shkurt 2024. Në ekspozitë u prezantua për herë të parë sistemi i luftës elektronike “Repellent”, i projektuar për të luftuar mjetet ajrore pa pilot, të cilët Serbia e mori nga Rusia.