Mali i Zi: 100 ditët e para të qeverisjes së Spajiçit – Miodrag Vlahoviq

Mali i Zi: 100 ditët e para të qeverisjes së Spajiçit – Miodrag Vlahoviq

Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajic, i pyetur nga një gazetar gjatë një konference për media kushtuar 100 ditëve të para të punës së qeverisë së 44-t, nëse do të jepte dorëheqjen në rast se premtimet optimiste se paga mesatare mujore duhet të jetë 1000 euro, dhe minimalja 700 euro, është përgjigjur pozitivisht. Për më tepër, ai i caktoi vetes një afat prej një viti.

Edhe pse premtimet ekonomike ishin baza e fushatës zgjedhore të lëvizjes “Evropa tani!”, duket se qeveria e re ka bërë më pak në këtë drejtim.

Optimizmi ekonomik

Modeli “teknokratik” i qeverisjes së Spajiçit, me këmbënguljen për projekte zhvillimore dhe investuese, si dhe me mohimin apo nënvlerësimin e çështjeve politike, që ai i përmend kalimthi ose nuk i përmend fare, mbetet ende një mister i madh. Programin “Evropa tani – 2” nuk e ka parë ende askush në formën e një dokumenti të shkruar në tërësi. Problemin e pranojnë edhe anëtarët e kabinetit të Spajiçit. E gjitha kjo tregon për një improvizim personal të konsiderueshëm nga ana e tij, i cili mund të ketë pasoja të rënda.

Delegacioni i FMN-së që vizitoi së fundmi Malin e Zi ishte brutalisht i sinqertë: rritja e pagave dhe pensioneve “duhet të jetë fiskalisht e qëndrueshme”. Një paralajmërim i tillë i ftohtë është një kujtesë e pakëndshme se planet e Spajiçit bazohen në parashikime jo të besueshme. Tashmë është e qartë se stabiliteti bazë financiar kërkon huamarrje nga jashtë. Ekspertët e FMN-së e përkufizuan këtë si “nevojë të lartë për huamarrje nga jashtë”.

Disa investime dhe projekte zhvillimore, kryeministri as që përpiqet t’i përputhë me procedurat ligjore. Këtë ai e demonstroi gjatë vizitës së fundit në Francë, ku, pavarësisht rregullave të përcaktuara mirë të domosdoshmërisë së tenderimit ndërkombëtar për projektet e zhvillimit kapital, njoftoi nënshkrimin e marrëveshjes së partneritetit strategjik. Është një rrugë jo e sigurt. Në këtë kontekst, Spajiçi tregon gatishmërinë e tij (përsëri) për të injoruar ligjin, siç ka bërë edhe gjatë kohës së tij si ministër në qeverinë e Krivokapiçit, në lidhje me një kredi shtetërore prej 750 milionë dollarësh, pa procedurë dhe dokumentacion të detyrueshëm parlamentar…

Në çdo rast, për të përmbushur premtimin e tij për të dhënë dorëheqjen, Spajiçit do t’i duhet të kryejë detyrën e kryeministrit po në këtë kohë edhe vitin e ardhshëm. Dhe kjo detyrë parësore tashmë do të jetë e vështirë për të.

Erozioni politik

Në frontin politik, njëqind ditët e para të qeverisë kaluan nën dominimin politik të atyre që ende, në kuptimin formal, nuk marrin pjesë në punën e kabinetit të Spajiçit, por mbeten shumë aktivë dhe me ndikim në veprimet politike të qeverisë së shumicës parlamentare në pushtet.

Fakti së Spajiçi parapëlqeu bashkëpunimin me partitë e ish-Frontit Demokratik dhe mbështeti emërimin dhe zgjedhjen e Andrije Mandiçit, kreut të partisë Demokracia e Re Serbe, ngushtoi ndjeshëm hapësirën e tij për manovrim në çështjet e brendshme politike. Dominimi i Mandiçit dhe koalicioni i tij është i dukshëm në të gjitha segmentet e jetës politike, duke filluar nga organizimi i censusit të popullsisë, mbi rezultatet e të cilit që tani peshon një re e rëndë (për shkak të informacionit të disponueshëm për “shtimin” e dyshimtë të të dhënave për gati 40 000 njerëz pikërisht në ditën e fundit të regjistrimit), për vazhdimin e politikës dhe praktikave nacionaliste në sferën e kulturës, arsimit dhe masmedias, si dhe veprimeve dhe narrativave në lidhje me marrëdhëniet me Kroacinë, fqinjin më të rëndësishëm të Malit të Zi në kontekstin e aleancës së NATO-s dhe agjendës zyrtare të BE-së (për këtë drejtim/aks “përgjigjen” ministrat “demokratë” të Beçiçit).

Për më tepër, vizita e Mandiçit në Bruksel dëshmon se ka kaluar koha kur zyrtarët e BE-së i shmangeshin komunikimit dhe takimeve me liderin e këtij koalicioni proserbo-prorus. (Pikërisht vetë ideja se dimensioni evropian i politikës malazeze forcohet nga pjesëmarrja e elementëve prorusë është veçanërisht tragjikomike. Ajo pa dyshim do të mbetet një shembull i hapave të rrezikshëm dhe cinikë, si dhe dështimeve të komisariatit të kryesuar nga zyrtari hungarez, Oliver Varheli.

Për më tepër, kryetari i Asamblesë ngre pyetjen mbi “rindërtimin” sa më parë të qeverisë, ku ai dëshiron të shohë disa nga partnerët e tij të koalicionit. Është e qartë se kjo këmbëngulje synon konsolidimin dhe stabilizimin e qeverisë, në të cilën kreu nominal do të jetë Spajiçi dhe në të vërtetë Mandiçi. Meqenëse Mandiçi nuk i fsheh lidhjet e tij me Aleksandar Vuçiçin dhe as nuk mund t’i fshehë marrëdhëniet me Kremlinin, ky “rindërtim” i qeverisë ka shkaqe dhe pasoja të qarta.

Në arenën politike po zien edhe konflikti mes presidentit Milatoviç dhe kryeministrit Spajiç. Edhe pse kjo mosmarrëveshje mes dyshes drejtuese të lëvizjes “Evropa tani!” nuk ka natyrë konceptuale apo ideologjike, ajo tregon pushtetin e kufizuar të Spajiçit. Prandaj, në një konflikt të mundshëm, Milatoviçi do të kishte përparësi, duke pasur parasysh afërsinë e tij politike me Mandiçin, pra, me Beogradin. Thashethemet se qeveria është tashmë në një gjendje krize dhe se ai nuk mund të qëndrojë më shumë se deri në fund të majit të këtij viti në përbërjen e saj aktuale, tashmë kanë arritur deri në “boshtin” Mandiç-Milatoviç, i cili, sigurisht, nuk do të presë duarkryq për hapat e mëtejshëm e Spajiçit, sidomos ata që do ta shtyjnë në anën e opozitës aktuale.

Agjenda evropiane, retorika dhe realiteti

Megjithatë, një gjë mund të thuhet me siguri: qeveria Spajiç gëzon mbështetjen e qartë dhe publike të partnerëve të saj evropianë në retorikën e tyre zyrtare.

Teza se Mali i Zi ka (përsëri!) një mundësi, se është e nevojshme të vazhdohen reformat, se nevojitet harmonia dhe bashkëpunimi i të gjitha grupeve politike në parlament, tingëllon mjaft e njohur dhe po aq bindëse si në rastet e mëparshme, ende para ndryshimeve në gusht të vitit 2020.

Duke nxjerrë konkluzione për njëqind ditët e para të qeverisë, nuk duhet harruar se, pa dyshim një sukses është zgjedhja nga një shumicë e kualifikuar parlamentare e Prokurorit të ri Suprem të Shtetit (VDP). Koha do të tregojë nëse ky është çasti më i mirë në historinë e koalicionit dhe nëse VDP-ja e re do t’i përmbushë pritshmëritë e larta.

Shpresa të mëdha mbahen për punën e Prokurorisë Speciale të Shtetit (PSSP) dhe vetë Kryeprokurorit Special (PSSP). Puna e tij është e vështirë dhe avancon ngadalë, në sfondin e shumë skandaleve, të cilat, fatkeqësisht, përfshijnë përzgjedhjen e drejtësisë.

Duket se thelbi i luftës për epërsi duhet të jetë në fokus të SDP-së. Situata dhe “vendimet për stafin” vihen re veçanërisht në Agjencinë e Sigurisë Kombëtare. Me sa duket, lufta është e përqendruar mes ministrit të Drejtësisë, Andrej Miloviç, nga njëra anë, dhe qarqeve të afërta me ish-kryeministrin, Dritan Abazoviç, dhe partnerin e tij në koalicionin parazgjedhor e koordinatorin e sektorit të sigurisë dhe zëvendëskryeministrin, Aleksa Beçiç.

Por Spajiçi, të paktën zyrtarisht dhe publikisht, nuk dëshiron të marrë pjesë në këtë përballje. Kjo vetëm zvogëlon mundësinë e dorëheqjes së tij, pavarësisht nga vështirësitë e mundshme ekonomike dhe financiare.

Si pasoj e gjithë këtyre shkaqeve, situata në Mal të Zi njëqind ditë pas ardhjes së qeverisë së re duket si një qetësi para stuhisë. Se nga cila anë do të godasë “stuhia” nuk është aq e rëndësishme, duke qenë se Mali i Zi tashmë, për vitin e tretë, është në fazën e shpërbërjes së institucioneve dhe mekanizmave të cilat duhej t’i mbronin ato gjatë krizës. Aktualisht, këtij procesi shkatërrues nuk i duket fundi.

Miodrag Vllahoviq. Politikan dhe ish-diplomat malazez. Ministri i parë i Jashtëm i Malit të Zi. Ish ambasador i Malit të Zi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Islandë, Selinë e Shenjtë, Urdhri i Maltës.