Thirrja e fundit e patriarkut rus për publikun nuk ishte rastësi. Shpallja e luftës në Ukrainë si “e shenjtë” doli nga përfundimet e Kongresit XXV të Këshillit Botëror të Popullit Rus me titull “E tashmja dhe e ardhmja e botës ruse”.
Evenimenti u zhvillua në Moskë më 27 mars 2024 nën patronazhin e Patriarkut të Rusisë, Kirill. Kur përfundoi u përpilua një dokument, programi i Këshillit Botëror të Popullit Rus, si dhe përfundime, të cilat iu dërguan organeve të pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv të Rusisë.
Konkluzioni kryesor është se i ashtuquajturi operacion special ushtarak u përkufizua si një luftë e shenjtë. Kryqëzatë ortodokse, ose një xhihad ortodoks, nëse dëshironi të shprehet kështu.
“Operacioni special ushtarak është një fazë e re e luftës nacionalçlirimtare të popullit rus kundër regjimit kriminal në Kiev dhe kundër Perëndimit në kolektiv i cili qëndron pas tij, një operacion i cili po zhvillohet në rajonet jugperëndimore të Rusisë që prej vitit 2014. Gjatë ngjarjeve të Këshillit Botëror të Popullit Rus, populli rus, me armë në dorë mbron jetën e vet, lirinë, shtetësinë, qytetërimin, identitetin fetar, kombëtar dhe kulturor, si dhe të drejtën për të jetuar në tokën e tij brenda kufijve të shtetit të vetëm rus, nga pikëpamja shpirtërore dhe morale. Operacioni ushtarak special është një luftë e shenjtë, në të cilën Rusia dhe populli i saj, duke mbrojtur hapësirën unike shpirtërore të Rusisë së Shenjtë, kryejnë misionin e “frenimit” duke mbrojtur botën nga sulmi i globalizmit dhe nga fitorja e Perëndimit, e cila është nën hijen e satanizimit”.
“Pasi të përfundojë krijimi i Qarkut Ushtarak Verilindor, i gjithë territori i Ukrainës moderne duhet të përfshihet në zonën e ndikimit ekskluziv të Rusisë. Në këtë territor duhet të përjashtohet plotësisht mundësia e ekzistencës së një regjimi politik rusofob, armiqësor ndaj Rusisë dhe popullit të saj, si dhe i një regjimi politik të udhëhequr nga një qendër e jashtme, armiqësore ndaj Rusisë”.
Disa javë më parë, Slavoj Zhizhek foli për këtë në programin e Piers Morganit, duke kritikuar simpatinë e disave nga e majta perëndimore për Putinin, duke pohuar se qeverisja e Putinit është shembull i një regjimi të krahut të djathtë dhe klerik, që përdor narrativën e një lufte të shenjtë kundër satanizmit perëndimor si një mjet mobilizimi.
Por duket se ky nuk është vetëm një problem rajonal i ortodoksisë ruse. Kthimi drejt një diskursi radikal dixhital në ortodoksinë amerikane nxjerr shqetësime, siç e theksoi Dr. Sara Riccardi-Schwartz, docente e asociuar në degën e fesë dhe antropologjisë në Universitetin Verilindor. Në analizën e saj të kujdesshme, ajo thekson se kjo po ndryshon strukturën shoqërore të Kishës dhe mund të ketë pasoja të qëndrueshme për fenë në Perëndim.
Dr. Riccardi-Schwartz vëren se disa të krishterë ortodoksë, veçanërisht të konvertuar së fundmi, përdorin mediat sociale për të propaganduar një vizion moralist ortodoks, duke shprehur shqetësimin për sekularizimin e shoqërisë dhe duke mbrojtur një ortodoksi të dakordësuar me disa ideologji politike të së djathtës ekstreme. Megjithatë, ajo pohon se kjo qasje nuk korrespondon me thelbin e teologjisë ortodokse, por më së shumti pasqyron luftëra kulturore amerikane dhe ndikimin e sekularizmit modern.
Përveç kësaj, ajo nënvizon rreziqet e zëvendësimit të fesë me ideologjinë politike, duke vënë në dukje ndikimin përçarës të përfshirjes në luftërat kulturore në internet. Dr. Riccardi-Schwartz thekson rëndësinë e trajtimit të këtij radikalizmi në Ortodoksi nëpërmjet trajnimeve të përshtatshme katektike dhe njohjes së hapur të problemit nga klerikët dhe peshkopët.
Në Ballkan, konteksti i ekstremizmit fetar dhe radikalizmit është diskutuar për një kohë të gjatë ekskluzivisht në kuadër të islamit. Projekte të shumta që synojnë të kundërveprojnë ekstremizmin e dhunshëm i ishin kushtuar radikalizimit islamik, kryesisht si rezultat i sulmeve terroriste dhe shfaqjes së Shtetit Islamik në Siri dhe Irak, si dhe numrit të madh të vullnetarëve që iu përgjigjën thirrjes së ISIS-it dhe shkuan të luftojnë.
Lufta në Ukrainë që nga fillimi i saj në vitin 2014 është shoqëruar me një fenomen të tillë në radhët e ortodoksëve në Ballkan, ku, përmes organizatave radikale etno-fetare, Rusia rekrutonte luftëtarë. Megjithatë, ky fenomen shpesh ishte anashkaluar në kontekstin e radikalizmit fetar të mundshëm ortodoks.
Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për të ashtuquajturën lëvizje “Zealot” në Ortodoksi, e cila dënohet nga vetë komunitetet ortodokse, por edhe për lëvizjen kryesore ortodokse, e cila përdor gjithnjë e më shumë diskurse radikale në narrativat e veta.
Në vitin 2019, Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi nisi protestat në përgjigje të një ligji të diskutueshëm për lirinë fetare që përkoi me fushatën zgjedhore, më vonë, pamë tre ndryshime të qeverisë, secila prej të cilave është, në një farë mënyrë nën ndikimin e Kishës Ortodokse Serbe. Në mesin e personave të afërt me qarqet fetare, u emëruan persona si Kryeministri, ministri i Drejtësisë, ministri i Arsimit, rektori i Universitetit dhe kreu i Inteligjencës.
Pas kësaj, në shoqëri ndodhi një rivlerësim vlerash, që besohej deri atëherë se kishin një konsensus më të gjerë shoqëror. Bëhet fjalë për barazinë gjinore dhe seksuale, komunitetin LGBT dhe të drejtën e abortit, rreth të cilave përsëri vazhdojnë diskutimet dhe polemikat.
Përveç kësaj, anëtarët e klerit gjithnjë e më shumë – dhe mjaft lirshëm – promovojnë antisekularizmin dhe të njëjtin narrativë ideologjike dhe politike që Dr. Riccardi-Schwartzi veçoi në komunitetin ortodoks amerikan.
Kisha Ortodokse Serbe komunikon dhe bashkëpunon ngushtë me Kishën Ortodokse Ruse. Vdekja pak kohë më parë e kreut të përfaqësimit të Kishës Ortodokse Serbe në Moskë u bë shkak për një takim mes dy krerëve fetarë. Madje në të njëjtën kohë u demonstrua edhe një herë nënshtrimi i klerit serb ndaj Kishës Ortodokse Ruse.
Rritja e gjuhës së urrejtjes, politizimi etno-fetar dhe monopolizimi nga Kisha Ortodokse Serbe i çështjes së moralit publik në të ashtuquajturin, terrenin e botës serbe, e cila në thelb përkon me botën ruse dhe sponsorët shpirtërorë të së cilës janë Kisha Ortodokse Serbe dhe Kisha Ortodokse Ruse, tregon për ngjashmërinë e kërcënimeve të sigurisë që lidhen me radikalizimin e komuniteteve më të fuqishme fetare në Rusi dhe në Ballkan.
Në Mal të Zi, Serbi dhe në Republikën Serbe të Bosnjës dhe Hercegovinës vazhdon prej vitesh procesi i strukturimit dhe formimit të organizatave radikale ortodokse përmes vëllazërive të ndryshme ortodokse, “Ujqërve të natës” dhe vëllazërive të tjera ortodokse të ekstremit të djathtë. Ata promovojnë një kulturë patriarkale, mobilizojnë mbështetje midis ish-të dënuarve dhe anëtarëve të grupeve të krimit të organizuar, sajojnë uniformat e tyre, organizojnë protesta dhe demonstrata publike në mbështetje të fushatës ruse në Ukrainë. Gjithashtu bëjnë thirrje edhe për bashkimin e tokave serbe, sikurse në Rusi bëjnë thirrje për bashkimin e botës ruse.
Erdhi koha që më në fund të kuptojmë rrezikun dhe të nisim mekanizmat e deeskalimit dhe de-radikalizimit, veçanërisht në mesin e të rinjve. Parandalimi i konflikteve në Ballkan është përsëri në axhendën e ditës, dhe duhet të kuptojmë se kërcënimi i radikalizimit fetar është i shumanshëm dhe nuk e ka zanafillën vetëm tek Islami.
Materialet e publikuara në rubrikën “Opinionet” pasqyrojnë mendimin personal të autorit dhe mund të mos përkojnë me qëndrimin e Qendrës.
Ljubomir Filipoviq. Politolog malazez