Mali i Zi dhe fqinjët: gabime “aksidentale” me qëllime të qarta – Miodrag Vlahoviç

Mali i Zi dhe fqinjët: gabime “aksidentale” me qëllime të qarta – Miodrag Vlahoviç

Qeveria malazeze, në konfigurimin e saj të tretë pas ndryshimeve që nga gushti i vitit 2020, më në fund po fillon të “arrijë rezultate” edhe në politikën e jashtme.

Me këtë nuk nënkuptojmë lëvizjen (zyrtare) të përshpejtuar të Malit të Zi drejt Bashkimit Evropian, sepse miqtë dhe partnerët evropianë në radhë të parë, nëse jo tërësisht, janë përgjegjës për këtë proces. Është e qartë se pas vitesh (dhe kjo duhet theksuar) stagnimi të panevojshëm dhe të pajustifikuar, që zakonisht shpjegohet me “lodhje nga zgjerimi” dhe eufemizma të ngjashme, Brukseli dhe kryeqytetet e mëdha evropiane vendosën të ndihmonin Malin e Zi, pavarësisht nga rrethanat e brendshme politike, pa marrë parasysh kërcënimet dhe mohimin e postulateve të një shteti civil, si dhe pa marrë në konsideratë rritjen alarmante të nacional-shovinizmit në të gjitha sferat e jetës publike: arsim, kulturë dhe masmedia.

Përbërja e re e qeverisë malazeze, përveç deklaratave për mbështetje të agjendës evropiane dhe aleancës së besueshme në NATO, arriti, në muajt e parë të mandatit, të prishte marrëdhëniet me të paktën tre nga fqinjët e tyre. Domethënë, publikisht, pa ndonjë nevojë apo arsye të veçantë, të vërë në dyshim, në një mënyrë që nuk lë asnjë dyshim, përkushtimin e tyre të sinqertë ndaj parimeve të politikës së jashtme të Malit të Zi, të konfirmuar me shkrim nga të tria qeveritë që në gusht.

Rasti i parë është Kroacia. Plagët e luftës së fundit, në të cilën Mali i Zi luajti rolin e njëfarë “pengu vullnetar”, dhe një situatë  shumë e vështirë në lidhje me Prevlakën, aktualisht “të ngrirë” nga Marrëveshja e Përkohshme, kërkonin kujdes të madh dhe mirëkuptim të ndërsjellë. Kroacia ka treguar mbështetje. Të mos harrojmë se ajo i dha fqinjit të saj pa pagesë një përkthim të plotë të “Acquis communautaire”, një bazë e nevojshme dokumentacioni në procesin e integrimit evropian.

Pavarësisht nga të gjitha, qeveria e re e Malit të Zi arriti të shkaktonte shkëndija të panevojshme në komunikimin me Zagrebin. Në një kohë kur për debate rreth pronësisë së anijes “Yadran” mund të gjenden justifikime me deklarata të ngathëta dhe mjaft të vrazhda (mbi të gjitha të ministrit i Mbrojtjes, Krapoviçit), nuk ka asnjë justifikim për mohimin e drejtpërdrejtë të përmbajtjes dhe mesazhit të tekstit në tabelën memoriale në kampin ushtarak në Morinë. Fatkeqësisht, ministri i Jashtëm, Ivanoviçi, iu bashkua Krapoviçit në qëndrimin e tij. Qëndrimet e tyre të ngjashme ideologjike, në të vërtetë, janë matrica e politikave të qeverisë së Spaziçit: në nivel të përgjithshëm, ekziston një komplementaritet zyrtar i parimeve euroatlantike, por në të gjitha çështjet e ndjeshme dhe specifike, janë qartësisht të dukshme ndjenjat dhe perceptimet antiperëndimore. Mesazhet nga Zagrebi i qetësuan shpejt ministrat e Spaziçit: agjenda evropiane është ende përparësi absolute. Temat delikate po presin një kohë më të mirë, siç, me sa duket, shpresojnë të dyja palët.

Situata me Bosnjën dhe Hercegovinën, e cila shtatë apo tetë vjet më parë kapërceu negociatat për delimitimin e kufijve, është nën presion të vazhdueshëm që nga gushti i vitit 2020. Ekziston një avantazh i qartë i qeverisë së re në Podgoricë në aspektin e komunikimit me Banja Lukën. Vizita e paplanifikuar zyrtare (ose sidoqoftë “private”) e Dodikut në Podgoricë, gjatë së cilës, meqë ra fjala, u injoruan të gjitha normat protokollare, nuk pati praktikisht asnjë reagim nga Ministria e Punëve të Jashtme (e drejtuar nga Ivanoviçi), edhe pas një note proteste nga Sarajeva. Situata e përgjithshme, përballja dhe ndikimet shkatërruese nga rajoni (Serbia, Kroacia), në Bosnje dhe Hercegovinë, bëjnë që gabimet e fqinjëve të Malit të Zi të duken dytësore.

Me Kosovën, situata me votën e shefit të delegacionit malazez në komisionin politik të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), u zhvillua në mënyrë shumë negative. Ajo kundërshtoi raportin e Dora Bakojanisit, ish-ministres së Punëve të Jashtme greke, e cila mbështeti anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës. Reagimi nga ana e qeverisë malazeze ishte i paqartë: nga njëra anë ministrat shqiptarë, nga ana tjetër ministrat e gatshëm që të thoshin se do të votonin kundër Kosovës, por edhe ata që nuk janë të gatshëm ta thonë këtë publikisht.

Heshtjen e lidershipit malazez e theu ministrja e Çështjeve Evropiane, znj. Horçeviç. Sulmi verbal joadekuat dhe joetik ndaj saj nga presidenti i Serbisë, Vuçiçi, nuk ndikoi në retorikën e presidentit dhe të kryeministrit. Zonja Horçeviçi mbeti e vetme në qëndrimin e saj publik se Mali i Zi, në përfundim të procedurës përkatëse, do të votojë për anëtarësimin e Kosovës në APKE.

Heshtja e kolegëve të saj është edhe më e habitshme nëse kemi parasysh qëndrimin e përgjithshëm të Malit të Zi ndaj Kosovës si fqinj, nëse merren parasysh veprimet e strukturave mediatike dhe politike serbo-ruse, që në thelb vënë në pikëpyetje njohjen e Kosovës si të tillë.

Reagimi i politologëve nga Prishtina, si dhe dëshmitë e diplomatëve të tyre për raste të shumta të përdorimit dhe emërtimit të gabuar të emrit të Republikës së Kosovës në dokumentet zyrtare, dëshmojnë se marrëdhëniet po marrin teposhtë. Orientimi ideologjik dhe politik i tri qeverive të fundit (përfshirë të ashtuquajturën qeveri teknike të Abazoviçit, origjina etnike e të cilit, në njëfarë mënyre, e fshihte problemin), pozicioni i tyre qartazi pro-serb, pra, lidhja e tyre me Kishën e Serbisë, dhe me qarqet zyrtare dhe jozyrtare, si dhe me ato të sigurisë së Serbisë, i bëjnë marrëdhëniet me Kosovën të ndërlikuara, duke ushtruar vazhdimisht presion.

E megjithatë, çështja e së ashtuquajturës “çnjohje” e Kosovës është praktikisht e pamundur. Kjo do të nënkuptonte një refuzim të plotë nga politika e jashtme aktuale, nga parimet dhe postulatet e saj, domethënë një refuzim nga agjenda evropiane. Skenari i një zhvillimi të tillë të situatës mund të bazohet në një ndryshim total të kursit të politikës së jashtme. Në një të ardhme të afërt, kjo do të bëhej e mundur vetëm si pasojë e kolapsit të agjendës evropiane në Ballkanin Perëndimor dhe rrëzimit të të gjithë strukturës dhe logjikës së pranisë së NATO-s.

Nacionalistët serbë në Serbi, Mal të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinë, dhe jo vetëm më ekstremët, mund të shpresonin për një mundësi të tillë, veçanërisht me fitoren e Trampit në nëntor dhe kthimin e ambasadorit Grenell (apo të ndokujt tjetër që ndjek logjikën udhëzimet dhe veprimet e tij) në Ballkanin Perëndimor.

Përjashtim nga tendencat që vërehen në marrëdhëniet e Malit të Zi me Kroacinë, Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën përbën, sigurisht, Serbia. Vihet re, për t’u shprehur me fjalë të buta, qëndrimi jokonsistent dhe falësues i Podgoricës ndaj Beogradit. Herë pas here, raporte të tilla godasin rëndë elementët kryesorë të sovranitetit dhe pavarësisë së Malit të Zi.

Përkeqësimi i marrëdhënieve të Malit të Zi me fqinjët e tij (të mos harrojmë, situata me Shqipërinë mbetet ende e pazgjidhur) ka një dallim dhe arsye të përbashkët: mosmarrëveshjet lidhen drejtpërdrejt me problemet, disponimet dhe interesat politikë qeverisëse, domethënë zyrtare të Serbisë.

Ose, edhe më qartë: marrëdhëniet e Malit të Zi me fqinjët janë bërë viktimë e marrëdhënieve të Malit të Zi me vetëm njërin prej tyre, me Serbinë.

Materialet e publikuara në rubrikën “Opinionet” tregojnë mendimin personal të autorit dhe mund të mos përkojnë me pozicionin e Qendrës.

Miodrag Vllahoviq. Politikan dhe ish-diplomat malazez. Ministri i parë i Jashtëm i Malit të Zi. Ish ambasador i Malit të Zi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Islandë, Selinë e Shenjtë etj.