Loja maqedonase e Orbanit

Viktor Orbán and Hristijan Mickoski on 24 October, 2023. Source: MTI/Miniszterelnöki Sajtóiroda/Benko Vivien Cher. Daily News Hungary
Budapest, 2023. október 24. A Miniszterelnöki Sajtóiroda által közreadott képen Orbán Viktor miniszterelnök, a Fidesz elnöke (j) fogadja a Belső Macedón Forradalmi Szervezet - Demokratikus Párt a Macedón Nemzeti Egységért (VMRO-DPMNE) pártelnökét, Hrisztijan Mickoszkit a Karmelita kolostorban 2023. október 24-én. MTI/Miniszterelnöki Sajtóiroda/Benko Vivien Cher

Pas zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në Maqedoninë e Veriut, vendi po hyn në një epokë ndryshimesh. Ndryshimi i pushtetit do të çojë në ndryshime konceptuale në politikën e jashtme dhe të brendshme, të rëndësishme jo vetëm për të ardhmen e vendit, por të gjithë rajonit…e më gjerë.

Humbja e LSDM-së

Gjatë balotazhit zgjedhor më 8 maj, presidenti aktual i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i cili u mbështet nga partia në pushtet, LSDM (Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë), humbi kundër kandidates Gordana Siljanovska-Davkova, e cila u nominua nga partia e opozitës VMRO-DPMNE (shqip: OBRM-PDNJKM, ose Organizata e Brendshme Revolucionare Maqedonase – Partia Demokratike për Njësine Kombëtare të Maqedonisë). Kjo ishte, në fakt, një humbje dërrmuese pasi Pendarovski mori vetëm 29% të votave, ndërsa Siljanovska-Davkova fitoi 65%.

Një trazirë e ngjashme ndodhi edhe në zgjedhjet parlamentare – koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE u mbështet nga 43% e votuesve që morën pjesë në votim. Prandaj, partia dhe aleatët e saj do të marrin 58 nga 120 mandate në parlamentin e ri. Shifrat e LSDM-së ishin 15% dhe 18 vende në parlament.

Rezultatet e aleatit shqiptar të LSDM-së, Bllokut të Frontit Evropian (i themeluar në bazë të një anëtari të koalicionit qeverisës, Bashkimi Demokratik Shqiptar për Integrim, BDI) doli më mirë, me 19 mandate. Por kjo forcë politike do të duhet t’i kalojë opozitës gjithsesi, sepse VMRO-DPMNE tashmë ka ftuar kundërshtarët e BDI-së – koalicionin e partive opozitare shqiptare VLEN (VREDI) me 13 deputetë në parlament – që të bëhen pjesë e shumicës qeveritare.

Falë një koalicioni qeveritar që përfshin edhe maqedonas edhe shqiptarë, një ndryshim total i pushtetit në Shkup nuk do të çojë në një ndezje të konfliktit të lashtë shqiptaro-maqedonas. Megjithatë, duket se në të ardhmen e afërt, ky stabilitet do të jetë më shumë përjashtim sesa diçka e zakonshme.

Maqedonia, e vetëm Maqedonia

Para së gjithash, priten rritje të tensioneve në marrëdhëniet e Maqedonisë së Veriut me vendet fqinje – Bullgarinë dhe Greqinë.

Konflikti me Greqinë, në fakt, tashmë ka filluar.

Siç dihet, VMRO-DPMNE ka qenë një kundërshtar kategorik i ndryshimit të emrit të shtetit duke i shtuar fjalën “Veri”. Edhe nëse presidenti, parlamenti dhe qeveria e re refuzojnë të tërhiqen nga Marrëveshja e Prespës, partia me sa duket do ta injorojë fare marrëveshjen.

Një politikë e tillë tashmë është duke u zbatuar – Gordana Siljanovska Davkova e VMRO-DPMNE-së bëri betimin si presidente e vendit, të cilin e quajti “Maqedoni”, përkundër faktit se teksti i betimit e specifikonte emrin si “Maqedonia e Veriut”. Ambasadorja e Greqisë në Maqedoninë e Veriut, e ftuar në seancën e parlamentit për inaugurimin e presidentes, u largua nga salla në shenjë proteste.

Natyrisht, këto janë vetëm “këmbanat e para” të komplikimeve në marrëdhëniet midis Shkupit dhe Athinës.

Nëse kemi parasysh se vetëm falë marrëveshjes për riemërtimin e vendit, Maqedonia e Veriut mundi të heqë qafe veton e Greqisë dhe të bëhet anëtare e NATO-s, mosmarrëveshja mes dy fqinjëve ballkanikë jo vetëm që do të kontribuojë në paqëndrueshmërinë në rajon, por mund të ndikojë në unitetin e të gjithë bllokut ushtarak perëndimor.

Nga ana bullgare, mosmarrëveshja në lidhje me çështjet e historisë bullgare dhe maqedonase dhe identitetit maqedonas është tashmë një plagë kronike. VMRO-DPMNE vazhdimisht ka theksuar se nuk do t’i bëjë lëshime Sofjes, as për hir të zhbllokimit të procesit të integrimit evropian, dhe me sa duket, do të vazhdojë me premtimet e saj.

Një nga këto pika themelore është refuzimi i miratimit të amendamenteve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut që do t’i shpallte bullgarët një grup etnik komb-ndërtues. Pavarësisht se anëtari i koalicionit të ardhshëm qeverisës, blloku shqiptar VLEN/VREDI, për arsye të ndryshme nuk e kundërshtoi rishkrimin e preambulës së Kushtetutës me kërkesë të Bullgarisë, VMRO-DPMNE ka vota të mjaftueshme për t’i parandaluar ndryshimet kushtetuese.

Mosmarrëveshja e pazgjidhur mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut do të ketë një ndikim negativ në rajon dhe, përsëri, në atmosferën në NATO, anëtare të së cilës janë të dyja vendet.

Por pasoja kryesore e qëndrimit pa kompromis të qeverisë së re do të jetë pezullimi i anëtarësimit të vendit në BE për një periudhë të pacaktuar.

Duhet të theksohet se VMRO-DPMNE nuk e kundërshton zyrtarisht rrugën e vendit drejt BE-së. Për më tepër, koalicioni i ri qeveritar VRMO-DPMNE dhe VLEN/VREDI deklaroi sipas një komunikate të përbashkët të lëshuar më pas se “integrimi evropian, zhvillimi ekonomik, sundimi i ligjit, si dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit do të jenë parimet kryesore të punës së qeverisë së re”. Kështu thanë sipas një komunikate të përbashkët të lëshuar më pas gjatë një takimi të liderëve të partive në Shkup më 11 maj.

Kështu, VMRO-DPMNE e siguroi publikun se do të jetë në gjendje të nisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian pa kompromise të dhimbshme për patriotët maqedonas, megjithëse aktualisht nuk ka opsione që do të sigurojnë përparimin e Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt BE-së pa lëshime nga Bullgaria.

Triumfi i Orbanit

Konkluzionet e mësipërme janë të qarta, për këtë është folur shumë edhe para zgjedhjeve. E vetmja gjë që ndryshoi pas votimit ishte të kuptuarit se sa banorë të Maqedonisë së Veriut nuk e donin dhe nuk e duan integrimin euroatlantik dhe evropian me asnjë çmim. Prandaj, pas 8 majit, kursi i ri pa kompromis i vendit duket më i qëndrueshëm dhe afatgjatë.

Megjithatë, ka përfundime për të cilat zakonisht flitet më pak, por që nuk janë më pak domethënëse për Ballkanin Perëndimor dhe për të gjithë Evropën.

Bëhet fjalë për triumfin e Viktor Orbanit.

Të gjithë e dinë për lidhjen e ngushtë mes liderit të Hungarisë dhe VMRO-DPMNE-së. Mjafton të përmendet se në vitin 2018, ish-lideri i VMRO-DPMNE-së dhe ish-kryeministri maqedonas Nikola Gruevski i shpëtoi akuzave për korrupsion pasi iu dha azil në Hungari me ndihmën e drejtpërdrejtë të Orbanit.

Riorganizimi i pushtetit në Shkup, para së gjithash, do të nënkuptojë se Orbani ka fituar një aleat brenda NATO-s, i cili, në teori, mund të mbështesë pozicionin e Budapestit për të gjitha, ose të paktën shumicën e çështjeve. Për shembull, ky aktor mund të ketë të njejtin skepticizëm që ka Hungaria në lidhje me dhënien e ndihmës ushtarake për Ukrainën.

Megjithatë, maqedonasit kanë një marrëdhënie të veçantë me ukrainasit, e cila bazohet në bashkëpunimin midis Shkupit dhe Kievit gjatë konfliktit të armatosur në Maqedoni në fillim të viteve 2000. Por, në fund, siç thoshin grekët e lashtë, “πάντα ρεῖ καὶ οὐδὲν μένει” – gjithçka rrjedh, gjithçka ndryshon.

Kërcënimi kryesor

Një tjetër pasojë e miqësisë hungarezo-maqedonase mund të jetë, sado e çuditshme që të tingëllojë, një përpjekje për të “rifilluar” procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

Në gjysmën e dytë të këtij viti, Hungaria do të kryesojë Këshillin e Bashkimit Evropian. Zyrtarët e qeverisë hungareze kanë theksuar vazhdimisht se gjatë presidencës së BE-së, qeveria hungareze do të bëjë gjithçka që është e mundur për të përshpejtuar anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Maqedoninë e Veriut.

Qeveria e re maqedonase mund të shpresojë se mbështetja nga Budapesti do ta ndihmojë në heqjen e çështjes së vetos së Bullgarisë. Megjithatë, aktualisht nuk ka asnjë tregues se Budapesti do të jetë në gjendje të detyrojë Sofjen të heqë kërkesat e saj ndaj Shkupit.

Çfarë do të ndodhë nëse opsioni i “integrimit evropian pa kompromis” rezulton pa asnjë substancë?

Së pari, do të thotë se Maqedonia e Veriut (apo Maqedonia?) do ta gjejë veten të mbërthyer nën statusin e një kandidati për anëtarësim në BE për shumë vite në vijim. Së dyti, maqedonasit mund të zhgënjehen plotësisht për vektorin evropian të zhvillimit të vendit.

Dhe kjo është kur aktorët e tjerë gjeopolitikë do t’i bashkohen lojës.

Përfaqësuesit nga ish-qeveria e Maqedonisë së Veriut theksuan gjatë fushatës zgjedhore: sa më pak influencë të BE-së dhe Perëndimit në rajon, aq më shumë influencë të Rusisë dhe Lindjes do të kenë, përfshirë Kinën. Nëse kujtojmë se Budapesti është një nga partnerët e paktë të Pekinit në Evropë dhe kombi më besnik (midis vendeve anëtare të BE-së dhe NATO-s) ndaj Moskës, mund të shohim se kërcënimi i një përmbysjeje gjeopolitike të Maqedonisë së Veriut është me të vërtetë real. Dhe ky, në fakt, është rreziku më i madh për vendin dhe rajonin si rezultat i ndryshimeve politike paszgjedhore në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë.