Përmbledhje e Ballkanit Perëndimor 12.02.2024 – CWBS

Përmbledhje e Ballkanit Perëndimor 12.02.2024 – CWBS
  • U mbajt seanca e parë kushtetuese e Asamblesë Popullore të Serbisë.

U konfirmuan të gjitha mandatet e të 250 deputetëve të legjislaturës së re; të zgjedhurit e popullit bënë betimin. Pas kësaj, seanca parlamentare, e cila ka zgjatur rreth gjysmë ore, ka përfunduar.

Për shkak të akuzave për vjedhje zgjedhore, një pjesë e opozitës e bëri betimin në hollin e parlamentit, dhe jo në sallën plenare. Asnjë nga deputetët e sapozgjedhur të opozitës nuk e refuzoi mandatin e vet.

Në këtë mënyrë, deri tani mund të konstatohet se opozita serbe ka hequr dorë nga beteja për të shpallur pavlefshmërinë e zgjedhjeve parlamentare të 17 dhjetorit.

  • Parlamenti Evropian bëri thirrje për një hetim ndërkombëtar për shkeljet e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale në Serbi

Parlamenti Evropian votoi në favor të rezolutës që apelon për një hetim të pavarur ndërkombëtar për parregullsitë në zgjedhjet e dhjetorit, parlamentare dhe lokale, në Serbi; me një vëmendje të veçantë ndaj zgjedhjeve në Beograd, ku u regjistruan më shumë parregullsi. PE-ja i bën thirrje Komisionit Evropian të fillojë menjëherë rishikimin e fondeve të dhëna qeverisë serbe në kuadër të Instrumentit për Ndihmën e Para-Aderimit III (IPA III) dhe instrumenteve të tjera financiare, si dhe të pezullojë financimin nëse qeveria serbe nuk është e gatshme të zbatojë rekomandimet kyçe që i referohen zgjedhjeve ose, nëse hetimi ndërkombëtar vërteton se ata janë përfshirë drejtpërdrejt në falsifikimin e zgjedhjeve.

Në Beograd, vendimin e PE-së e perceptuan gati si shpallje lufte. Lidershipi i qeverisë serbe bën paralele me fillimin e Luftës së Parë Botërore, duke krahasuar rezolutat e Parlamentit Evropian me ultimatumin e Austro-Hungarisë ndaj Serbisë 110 vjet më parë, pasi serbi boshnjak, Gavrilo Principi vrau arkidukën austriak dhe kur autoritetet e atëhershme serbe pranuan gjithçka, përveç hetimit ndërkombëtar të atentatit. Me deklarata të ngjashme dolën kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiçi dhe kreu i Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, zëvendëskryeministri i Serbisë dhe ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç. Vuçeviçi deklaroi troç se thirrja për një hetim ndërkombëtar në lidhje me zgjedhjet i ngjan “ultimatumit të 1914-s”.

Mosmarrëveshja e qeverisë aktuale të Serbisë dhe strukturave evropiane tregon ekzistencën e kontradiktave sistematike mes Beogradit dhe Brukselit. Konflikti do të përhapet e do të thellohet derisa lidershipi i lartë i Serbisë të bëhet më pro-evropian, ose në strukturat evropiane të ketë më shumë politikanë pro-serbë.

  • Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka mbajtur një mbledhje urgjente kushtuar Kosovës

Takimi është thirrur me kërkesë të Serbisë, pasi Banka Qendrore e Kosovës ka miratuar dekretin, sipas të cilit, duke filluar nga 1 shkurti 2024, euro bëhet monedha e vetme e lejuar për transaksione kesh, ndërkohë që përdorimi i dinarit serb për këto qëllime është ndaluar.

Në takimin e 8 shkurtit morën pjesë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Duke iu drejtuar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Vuçiçi deklaroi se heqja e dinarit synon t’ia bëjë jetën të padurueshme pakicës serbe, me qëllim dëbimin e tyre. Sipas tij, kjo nuk është gjë tjetër, veçse një tjetër fakt në vargun e fakteve të persekutimit, sulmit sistematik e të gjerë ndaj popullatës serbe.

Këtë tezë e ka mbështetur edhe zëvendësambasadori i Rusisë, Dmytro Polyanskyi, që e ka akuzuar Kosovën për organizim të “terrorit antiserb” dhe përpjekje për të hequr qafe “popullsinë joshqiptare”.

Kryeministri i Kosovës, nga ana e tij, ka theksuar se, deklaratat se “Kosova po zhvillon një fushatë të spastrimit etnik apo persekutimit të komunitetit serb” janë gënjeshtra. Vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës “nuk e ndalon apo pengon qeverinë e Serbisë të ofrojë mbështetje financiare për serbët e Kosovës”, por synon kundërshtimin e krimit të organizuar, trafikut të armëve dhe pastrimit të parave, të cilat, në aktivitetet e tyre, përdorin para kesh të transportuara ilegalisht, kryesisht përmes kufirit Kosovë-Serbi, ka theksuar Kurti.

Përfaqësuesit e OKB-së dhe anëtarët e Këshillit të Sigurimit nuk e kanë përkrahur përfaqësuesin e Kosovës, duke theksuar se hapat e njëanshëm, siç është vendimi për ndalimin e dinarit, nuk vijnë në ndihmë të stabilitetit.

Keroline Zaide, përfaqësuese speciale e Sekretarit të Përgjithshëm dhe kryetare e Administratës së Përkohshme të OKB-së në Kosovë (UNMIK), deklaroi se veprimet e njëanshme, “pavarësisht se cila palë i merr ato dhe çfarë arsyetimesh ofrohen, e bëjnë më të mprehtë atmosferën e pasigurisë dhe të mosbesimit.”

Ambasadorja e SHBA-së, Linda Thomas-Greenfield bëri thirrje për një shtyrje të menjëhershme të ndalimit të dinarit, duke i thënë këshillit se “vendimi është marrë pa përgatitjen e duhur ose konsultimin me popullatën vendase”.

Kur anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së morën fjalën, shumëkush shprehën shqetësimin për rregulloret e propozuara të Bankës Qendrore të Kosovës për transaksionet me para kesh dhe kërkuan vëmendje më të madhe ndaj nevojave të pakicës serbe. Duke theksuar se tensionet ndëretnike kërcënojnë paqen dhe sigurinë rajonale, shumë prej tyre u bënë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të përmbahen nga veprimet e njëanshme ose të përshkallëzuara, t’i kthehen dialogut mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe të punojnë për normalizimin e marrëdhënieve.

Në këtë mënyrë, diskutimi në Këshillin e Sigurimit tregoi se politika aktuale e Prishtinës nuk gëzon mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, por nuk ka shenja se qeveria Kurti do të braktisë hapat e mëtejshëm për të afirmuar sovranitetin e Republikës në të gjitha sferat.

  • Dokumentet e “Republikës së Maqedonisë” humbasin vlefshmërinë

Në mesnatën e 12 shkurtit 2024 përfundon periudha pesëvjeçare e tranzicionit e përcaktuar me Marrëveshjen e Prespës për riemërtimin e Maqedonisë dhe, në këtë mënyrë, do të bëhen të pavlefshme dokumentet e qytetarëve që përmbajnë emrin e vjetër të shtetit, “Republika e Maqedonisë”.

Marrëveshja e Prespës, e arritur në qershor të vitit 2018 nga Greqia dhe Republika e Maqedonisë nën egjidën e Kombeve të Bashkuara, zgjidhi një mosmarrëveshje të gjatë për emrin, duke e riemërtuar Maqedoninë me emrin Maqedonia e Veriut.

Ndryshimet kushtetuese për ndryshimin e emrit të vendit u votuan në parlament më 11 janar 2019. Pas publikimit të ndryshimeve në Fletoren Zyrtare në shkurt të vitit 2019, nisi numërimi i periudhës pesëvjeçare të tranzicionit.

Maqedonia e Veriut filloi lëshimin e pasaportave dhe kartave të identitetit me emrin e ri në mesin e vitit 2021. Në javën para 12 shkurtit 2024, Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut njoftoi se janë lëshuar mbi 1.2 milionë pasaporta me emrin e ri të vendit, më shumë se 1.1 milionë karta të reja identiteti dhe rreth 550 000 patenta të reja për drejtim mjeti. Në një vend me 1.8 milionë banorë, kjo do të thotë se të paktën një e treta e qytetarëve, afërsisht 600 000, ende nuk kanë një pasaportë apo kartë identiteti me emrin e ri të vendit.

Në vend të ndërrimit të targave është planifikuar vendosja e ngjitësve mbi to me abreviaturën e re NMK në vend të MK. Ky proces sapo ka filluar.

Në rrafshin publik nuk ka shpjegime të qarta pse Shkupi zyrtar nuk e ka kryer me kohë ndërrimin e dokumenteve të qytetarëve. Megjithatë, ekziston një version që autoritetet maqedonase shpresonin se periudha e tranzicionit do të zgjatej, por qeveria greke nuk e pranoi  këtë.

  • Samiti Ukrainë – Evropa Juglindore do të mbahet në Tiranë më 28 shkurt

Sipas medieve, bashkëorganizatorë të samitit janë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka njoftuar pjesëmarrjen e tij në forumin.

Lideri serb, me sa duket, do të shfrytëzojë samitin në kryeqytetin e Shqipërisë për të demonstruar mbështetjen e tij morale ndaj lidershipit ukrainas dhe për të marrë në këmbim garancitë e radhës  për mbështetjen nga Ukraina të integritetit territorial të Serbisë, pra, garancitë për mosnjohjen e Kosovës nga Kievi.

  • Orban: Serbia duhet të anëtarësohet në BE përpara Ukrainës

“Serbia duhet të anëtarësohet në Bashkimin Evropian sa më shpejt të jetë e mundur, para Ukrainës, përndryshe Brukseli do të humbasë Beogradin, i cili do të zgjedhë bashkëpunimin me partnerët e tjerë”, deklaroi kryeministri hungarez, Viktor Orban.

“Ne duhet të përfundojmë detyrën e vjetër të zgjerimit përpara se të fillojmë zgjerimin e ri me Ukrainën. Nëse nuk e integrojmë Serbinë sa më shpejt, do ta humbasim atë. Serbia ka variante të tjera. Sapo bëri një marrëveshje të tregtisë së lirë me Kinën”, deklaroi Orbani në prani të gazetarëve austriakë. (Serbia dhe Kina nënshkruan një marrëveshje të tregtisë së lirë në tetor të vitit 2023).

Më herët, ministri i Jashtëm i Hungarisë, Péter Szijártó, deklaroi se një nga përparësitë e Hungarisë gjatë presidencës së Bashkimit Evropian do të jetë përshpejtimi i anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Siç dihet, Hungaria do të kryesojë Këshillin e Bashkimit Evropian nga korriku deri në dhjetor të vitit 2024 dhe mund të pritet që në këtë pozicion, Budapesti të promovojë në mënyrë aktive integrimin evropian të Serbisë dhe vendeve të tjera të rajonit, si dhe të pengojë integrimin evropian të Ukrainës.