Një agjent pa mbulim

Një agjent pa mbulim

Në fund të shkurtit, në Serbi u ndalua, gjoja për përvetësim, kreu i sindikatës ushtarake, një figurë opozitare, Novica Antiçi. Disa ditë më vonë, nga publikimet e medieve Perëndimore, është bërë e ditur se Antiçi ka lidhje me shërbimet speciale të Federatës Ruse dhe po përhap në mënyrë aktive ndikimin rus, duke u takuar me zyrtarë dhe politikanë evropianë.

Pikësëpari, vëzhguesit serbë pikasën në këto ngjarje një manifestim të luftës së brendshme politike në Serbi, meqenëse Antiçi është një luftëtar i njohur me autoritetet aktuale serbe, në radhë të parë me drejtorin e institucioneve ligjzbatuese.

Në të njëjtën kohë, ekspertët e huaj e analizojnë këtë rast kryesisht si një zbulim të radhës, të rrjetit të ndikimit rus.

A është, në të vërtetë, çështje e Antiçit përndjekja e opozitarëve serbë apo historia e një tjetër “agjenti të Moskës” në Evropë?

Sensacioni “POLITICO”

Në fillim të marsit, botimi evropian “POLITICO”, duke cituar inteligjencën Perëndimore, shkroi se Rusia “po përdor një agjent serb për të depërtuar në institucionet e BE-së dhe për të përhapur teza pro-Kremlinit në lidhje me pushtimin e saj në Ukrainë”. Bëhet fjalë për kreun e Sindikatës Ushtarake të Serbisë, Novica Antiçin, të cilin në artikull e quajnë “agjent aktiv i ndikimit” të shërbimeve speciale të Rusisë.

Sipas të dhënave të botimit, në tetor 2023, Antiçi ka zhvilluar takime me zyrtarë evropianë në Bruksel, në veçanti me disa deputetë të Europarlamentit dhe me përfaqësues të sindikatave EUROMIL dhe EPSU, të cilat përfaqësojnë ushtarakët dhe nëpunësit civilë të Bashkimit Evropian. Ndërlidhësit e Antiçit në Evropë deklaruan njëzëri se nuk kishin dijeni për lidhjet e tij me shërbimet speciale ruse. Veçanërisht, raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Vladimir Bilçik dhe raportuesi i PE-së për Kosovën, Viola von Kramon-Taubadel, theksuan se në momentin e takimit me kreun e Sindikatës Serbe, ata nuk kishin informacion se ai ishte i lidhur me FSB-në.

“POLITICO” thekson: “Fakti që Antiçi zhvilloi një takim në Parlamentin Evropian nxjerr në pah cenueshmërinë e këtij organi ndaj operacioneve speciale ruse.”

Duke cituar një raport të inteligjencës Perëndimore, botimi konstaton se “Rusia po e përdor Serbinë si një platformë linçimi për operacionet e ndikimit” dhe se shfrytëzohet “gjithçka për të avancuar propagandën ruse në lidhje me luftën në Ukrainë” në Bashkimin Evropian.

Duke treguar për detajet e lidhjeve të Antiçit me Rusinë, “POLITICO” nënvizon se Antiçi punon ngushtë me Vjaçeslav Kalinin, qytetarin e Federatës Ruse, themelues dhe kryeredaktor i agjencisë së lajmeve “Veteran News”.

“Veteran News”, në faqen e saj, thekson partneritetin me forcat ruse të sigurisë. Përveç kësaj, për sa i përket pozicionimit e botimit, mund të mësohet lehtë dhe shpejt, thjesht duke lexuar titujt e artikujve: “Mbështetje e plotë për Forcat tona të Armatosura: skuadra e “Veteran News” është përherë pranë heronjve tanë” ose “Presim luftëtarët e OSU-së (shënim i redaktorit: Operacioni Special Ushtarak) me fitore”.

“Veteran News”

Vjaçeslav Kalinini është gjithashtu zëvendëskryetar i Komitetit për Çështjet e Veteranëve, deputet i Dumës Rajonale të Saratovit (Fraksioni “Rusia e drejtë – Për të Vërtetën”). Në mënyrë të detajuar flet për Kalinin një episod nga jeta e tij si deputet: në fund të vitit të kaluar, ai i dorëzoi “Muzeut të Historisë së Saratovit të OSU-së” “eksponate të reja”, “trofe” që ai “së bashku me bashkëpunëtorët e tij” i sollën “nga vija e parë e frontit”.

Publikimi serb NIN jep më shumë detaje rreth lidhjeve të Kalininit me ushtrinë ruse:

“Në qershor të vitit të kaluar, Kalinini ishte dekoruar nga Ministria e Mbrojtjes e Rusisë për “bashkëpunim në kryerjen e detyrave të një operacioni special ushtarak”, siç e quajtën në Kremlin luftën në Ukrainë. “Që nga fillimi i nisjes së operacionit special ushtarak, Vjaçeslav Kalinini ka ofruar mbështetje të gjithanshme për njësitë luftarake, duke kryer detyra në vijën e frontit. Ai ka marrë pjesë në organizimin dhe dorëzimin e dhjetëra autokolonave humanitare me mjete ajrore pa pilot, pajisje teknike, pajisje mbrojtëse, ilaçe, ushqime etj. Ai viziton rregullisht njësitë luftarake të Forcave të Armatosura Ruse, të cilat ndodhen në zonën e luftimeve, gjatë kryerjes prej tyre të detyrave luftarake dhe jo rrallë merr pjesë vetë në to”, shpjegon Ministria e Mbrojtjes e Federatës Ruse. Ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu, e dekoroi Kalinin me medaljen “Anëtar në operacionin special ushtarak”.

Duke komentuar akuzat kundër Antiçit, Kalinini dha një intervistë për botimin e vet. Ndër të tjera, ai deklaroi:

“Grupi ynë mediatik ka mbështetur gjithmonë, po mbështet dhe do të mbështetë marrëdhëniet e punës me të gjitha strukturat e sigurisë dhe me organet e zbatimit të ligjit të Rusisë, nga Ministria e Punëve të Brendshme, Garda Ruse dhe FSB-ja, deri te Komiteti Hetimor dhe Ministria e Situatave të Emergjencave. Kemi synime të përbashkëta, edukimin ushtarako-patriotik dhe shpirtëror-moral të brezit të ri, përjetësimin e kujtimit të mbrojtësve të rënë të Atdheut, kundërveprimin ndaj falsifikimit të historisë dhe ruajtjen e vlerave tradicionale. Por, sipas gazetarëve Perëndimorë, kjo është e mjaftueshme për të më akuzuar mua dhe Novica Antiçin se punojmë për inteligjencën, madje edhe për ndërhyrje në punët e brendshme të BE-së!

…Pse po e “shkelin me këmbë” Antiçin? Sot po goditen të gjithë ata që ndajnë pozicionin e Rusisë në luftën e saj kundër regjimit nazist në Ukrainë dhe mbrojtjen e vlerave tradicionale.

Në të njëjtin publikim, botimi thekson se “Novica Antiçi është një patriot i vërtetë dhe veteran i luftimeve, i njohur edhe përtej kufijve të Serbisë. Shumë vite ia kushtoi mbrojtjes së të drejtave të personelit ushtarak, edukimit të vlerave tradicionale te brezi i ri dhe forcimit të marrëdhënieve ruso-serbe”.

Z-miqësia

Duhet të theksohet se vetë Antiçi nuk e fshehte kurrë, përkundrazi, krenohej për lidhjet e tij me Rusinë.

Në vitin 2019, Kalinini organizoi vizitën e Novica Antiçit në Federatën Ruse, gjatë së cilës u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi midis Unionit të Parashutistëve të Rusisë dhe Sindikatës Ushtarake të Serbisë. “Sindikata Ushtarake e Serbisë është organizata jonë miqësore”, theksoi asokohe Kalinini (cituar nga “Veteran News”).

Në vitin 2023, siç tregohet në botimin serb NIN, Kalinini ishte në një lloj turneu në Serbi dhe arsyeja e vizitës ishte Kongresi Botëror i Veteranëve, i mbajtur në Beograd nga data 6 deri më 10 mars. Së bashku me Novica Antiçin, Kalinini ka njoftuar hapjen e degës së grupit të tij mediatik në Beograd, “Veteran News – Balkans”. Në atë kohë, Antiçi u tha gazetarëve se Sindikata Ushtarake e Serbisë do të ishte pjesë e strukturës së re.

Gjatë atij udhëtimi, Kalinini vizitoi një gjimnaz në qytetin serb të Vranjës. Me kamuflazh, me shkronjën “Z” në krah, ai foli për rëndësinë e lidhjeve historike, kulturore dhe të tjera midis Serbisë dhe Rusisë, si dhe u promovoi botimin e tij nxënëseve të shkollës. Kreu i Sindikatës Ushtarake të Serbisë ishte gjithashtu i pranishëm në këtë eveniment.

Antiçi edhe sot nuk mohon miqësinë e tij me Kalinin. “Puna është se ai është një mik i madh i popullit serb dhe miku im. Ne vërtet e mbështesim gjithmonë Vjaçeslav Kalinin, çfarëdo që të bëjmë”, deklaroi Antiçi në një bisedë të fundit me botimin boshnjak “Detektor”.

Një ilustrim i ndritshëm i miqësisë mes dy “veteranëve ushtarakë” është edhe fakti se pas arrestimit të Antiçit, Sindikata Ushtarake e Serbisë ka postuar në llogarinë e tyre në “Facebook” një letër në mbështetje të liderit të tyre nga redaksia e “Veteran News”.

Duhet shtuar se Antiçi e mbështet hapur agresionin e Rusisë kundër Ukrainës. Në një intervistë për “Veteran News” në prill të vitit 2022, ai deklaroi, ndër të tjera: “Ne (veteranët ushtarakë serbë), e konsiderojmë operacionin ushtarak rus në Ukrainë si të imponuar, por absolutisht të nevojshëm, me qellim mbrojtjen e popullit rus dhe të popujve të tjerë nga terrori, të cilin neo-nazistët dhe fashistët ukrainas e kryen kundër tyre”.

Pyetje dhe… pyetje

Theksojmë se mbështetja e sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe miqësia me miqtë e ushtrisë ruse në asnjë mënyrë nuk e penguan Antiçin që të jetë jo vetëm mysafir në strukturat evropiane, por edhe të konsiderohej një aktivist i respektuar i opozitës dhe ekspert i çështjeve të sigurisë, i ftuar me kënaqësi nga opozita serbe apo media e pavarur. Novica Antiçi për vite me radhë kishte një platformë për të akuzuar udhëheqjen e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura Serbe për gjendjen e keqe të ushtrisë, për mbrojtje të pamjaftueshme sociale të ushtarakëve… Dhe gazetarët me opozitën, me kënaqësi bashkonin zërin e tij me kritikat ndaj “regjimit të Vuçiçit”, për më tepër, siç duket, askush nuk pati pyetje për qëndrimin prorus të folësit. Edhe tani, shumë analistë, në akuzat e fundit ndaj kreut të Sindikatës Ushtarake, shohin vetëm shtypje të opozitës nga qeveria e Vuçiçit.

Duhet pranuar se arrestimi i sindikalistit ishte vërtet krejtësisht i palidhur me “punën e tij agjenturore”. Policia ka ndaluar kreun e Sindikatës Ushtarake të Serbisë më 27 shkurt, me akuzën e “përvetësimit”. Novica Antiçi u lirua për pak kohë me urdhër të gjykatës, por u arrestua përsëri. Megjithatë, as një akuzë “spiunazhi” nuk u ngrit.

Autoritetet serbe nuk e kritikuan fare liderin sindikal për bashkëpunimin e tij me strukturat paraushtarake ruse. Edhe pse nuk mund të përjashtohet që ky fakt është marrë parasysh nga ekipi i Vuçiçit në heshtje, nuk ka gjasa që ndonjë qeveri në ndonjë vend të pavarur të dëshirojë të pranojë një ndikim të huaj në ushtri. Rrjedhimisht, është e mundur që tema për abuzimet financiare të ishte zgjedhur për pretendimet zyrtare si më e pranueshme për elektoratin pro-rus të Vuçiçit. Sigurisht, mund të parashtrohej një version tjetër, se dikush nga pushteti aktual serb u ka ofruar  gazetarëve Perëndimorë informacione për lidhjet e Antiçit me rusët. Sidoqoftë, kjo duket pak e mundshme. Duke pasur parasysh ndjenjën mjaft të fortë pro-ruse në Serbi, ky hap mund të kishte pasoja shumë të paqarta për ekipin në pushtet.

Megjithatë, më shumë pyetje lindin jo ndaj Beogradit zyrtar apo ndaj opozitës dhe medieve serbe, por ndaj strukturave dhe politikanëve evropianë. Lidhjet e Novica Antiçit me strukturat e afërta me institucionet ruse ligjzbatuese dhe pikëpamjet pro-ruse të sindikalistit nuk janë fshehur kurrë. Nuk janë të nevojshme të dhënat e inteligjencës, mjafton vetëm një kërkim në “Google” për të zbuluar gjithçka. Por askush, me gjasa, nuk e bëri këtë as në Europarlament, as në strukturat e tjera evropiane. Rezulton se, po të mos ishte artikulli në “POLITICO”, Novica Antiçit dhe propagandës se tij ruse, askush në Evropë nuk do t’i kushtonte vëmendje as tani.