Përmbledhje e Ballkanit Perëndimor 06.01.2025 – CWBS

Përmbledhje e Ballkanit Perëndimor 06.01.2025 – CWBS
  • Të shtëna masive në Mal të Zi në ditën e parë të Vitit të Ri

Në ditën e parë të Vitit të Ri 2025, 45-vjeçari, banor vendas Aco Martinoviq vrau 12 persona, duke përfshirë dy djem të moshës 9 dhe 14 vjeç, në qytetin malazez Cetinje. Shumica e viktimave ishin të afërmit apo miqtë e tij.

Para vrasjes, Martinoviqi kishte pirë në një lokal, më pas kishte marrë një armë nga shtëpia, të cilën, sipas informacioneve të disponueshme e kishte marrë në mënyrë të paligjshme, dhe filloi të qëllonte. Kur oficerët e policisë e gjetën sulmuesin, rezultoi se ai ka tentuar të vetëvritet duke e qëlluar veten në kokë. Martinoviq ndërroi jetë disa orë më vonë.

Pas vrasjeve në Cetinje, Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Malit të Zi mbajti një mbledhje urgjente. Janë miratuar një sërë amendamentesh për të përmirësuar kontrollin e armëve dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve.

Në veçanti, një sërë ndryshimesh janë planifikuar të përfshijnë Ligjin për Armët, duke përfshirë rritjen e kufirit të moshës për blerjen e armëve, shkurtimin e periudhës së vlefshmërisë së licencave të armëve dhe rritjen e dënimeve për mbajtjen pa leje të armëve. Deri në fund të këtij viti do të kryhet edhe sigurimi dhe diagnostikimi psikologjik i poseduesve të armëve legale.

Numri i personelit policor pritet të rritet.

Megjithatë, shoqëria malazeze beson se kjo nuk mjafton.

Të dielën, më 5 janar, mijëra njerëz u mblodhën në Podgoricë dhe Cetinje, duke kërkuar dorëheqjen e zyrtarëve pas të shtënave.

Të dyja tubimet, organizuar nga organizata joformale studentore Kamo Śjutra? (Ku Nesër), filluan me 12 minuta heshtje në kujtim të të vrarëve në Cetinje në ditën e parë të vitit 2025.

Udhëheqësit e protestës kanë kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të ministrit të Brendshëm, Danilo Sharanoviq dhe zëvendëskryeministrit për Sigurinë dhe Mbrojtjen, Aleksa Beçiq. Këtë kërkesë e përkrah edhe kryetari i komunës së Cetinjës, Nikolla Gjurashkoviq, i cili është përfaqësues i Partisë Socialdemokrate të Malit të Zi (SDP) opozitare.

Autoritetet i kanë quajtur protestat dhe kërkesat për dorëheqjen e anëtarëve të qeverisë si një fushatë të forcave opozitare. Megjithatë, Kamo Śjutra? i mohon këto akuza.

Mali i Zi është ndër liderët botërorë për sa i përket qytetarëve që kanë armë. Sipas burimeve të hapura, pothuajse 11% e qytetarëve në Mal të Zi kanë armë legale – pra 68 mijë nga 633 mijë njerëz – të cilët zotërojnë më shumë se 100 mijë armë. Përveç kësaj, vlerësohet se ekzistojnë minimumi 40 mijë deri mbi 100 mijë armë të paregjistruara.

  • Beogradi është gati të blejë aksionet ruse në Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS)

Këtë ka bërë të ditur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Sipas tij, autoritetet serbe janë të gatshme të blejnë aksionet ruse në Industrinë e Naftës së Serbisë (Naftna industrija Srbije, NIS) për shkak të kërcënimit me të cilin ballafaqohen nga sanksionet amerikane. Sipas presidentit serb, kufizimet do të shpallen nga SHBA më 10, 13 janar 2025.

Më 5 janar, në një intervistë për televizionin serb RTS, Vuçiç theksoi se blerja e aksioneve të NIS nga kompanitë ruse Gazprom dhe Gazprom Neft është një mundësi e fundit për të shmangur kufizimet e mundshme. Para se të merret një vendim përfundimtar për këtë çështje, Vuçiq synon të zhvillojë bisedime me palën ruse, në radhë të parë me presidentin rus Vladimir Putin.

NIS është kompania lider serbe e energjisë dhe një lider rajonal në këtë industri. Kompania zotëron rafinerinë e naftës në Pançevo, fushat e naftës dhe gazit dhe mbi 400 pika karburanti. Kompanitë ruse të energjisë Gazprom Neft dhe Gazprom janë pronarë që kanë shumicën e aksioneve të NIS (50% dhe 6.15% të aksioneve, respektivisht). Qeveria serbe zotëron 29,87 % të kompanisë.

“Ne kemi para për ta blerë atë (aksionet) menjëherë. Nëse vlera e llogaritur e kompanisë është një miliard euro, atëherë flasim për 600 milionë apo diçka të tillë. Nëse do të jenë 500, 600 apo 700 milionë, nuk është shumë e rëndësishme”, tha Vuçiq.

Sipas mediave rajonale, është e paqartë se në çfarë saktësisht janë bazuar llogaritjet e Vuçiqit. Sipas listës së 100 kompanive më të mëdha në Serbi për vitin 2023, të bërë nga qeveria serbe, vlera e parashikuar vetëm e aseteve të NIS është rreth 4.4 miliardë euro.

  • Kroacia dëshiron të krijojë një kishë ortodokse kroate

Përfaqësuesit e Lëvizjes Atdheu (Domovinski pokret), e cila është pjesë e koalicionit qeverisës në Kroaci së bashku me HDZ (Hrvatska demokratska zajednica), konfirmuan synimin e tyre për të krijuar një kishë ortodokse kroate. Kjo u bë e ditur më 6 janar gjatë një pritjeje për Krishtlindjet Ortodokse, e cila u organizua nga Qendra Ortodokse Kroate.

“Qëllimi kryesor i shoqatës tonë është krijimi i një kishe ortodokse kroate. Vitin e kaluar … thamë që këtë synim planifikojmë ta arrijmë brenda pesë viteve. Ne jemi të kënaqur me mënyrën se si ka vazhduar procesi i arritjes së këtij qëllimi gjatë vitit të kaluar, ndaj sot jemi të bindur se do t’ja arrijmë edhe më herët se sa ishte planifikuar,” përfaqësuesi i Lëvizjes Atdheu, Predrag Mishiq (një serb etnik) tha në fjalimin e tij në pritje.

Në pritjen e Qendrës Ortodokse Kroate morën pjesë deputetë, ministri i demografisë dhe imigracionit, Ivan Shipiq dhe përfaqësues të tjerë të Lëvizjes Atdheu.

Në pritjen e Krishtlindjes, e cila u organizua më 6 janar nga Këshilli Kombëtar Serb i Kroacisë me pjesëmarrjen e Kishës Ortodokse Serbe, mori pjesë kryeministri dhe lideri i HDZ-së, Andrej Plenkoviq. Kur gazetarët e pyetën Plenkoviqin për mendimet e tij në lidhje me krijimin e Kishës Ortodokse Kroate, ai u përgjigj se nuk dinte asgjë për të.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Serb (SNV) dhe deputeti i pakicës kombëtare serbe, Milorad Pupovac, ka shprehur pakënaqësinë e tij për idenë e Lëvizjes Atdheu. “Kisha Ortodokse Kroate ka vuajtur tragjedi të tmerrshme që nga koha e Luftës së Dytë Botërore… Kjo nuk mund të pranohet,” tha Pupovac pas pritjes së Krishtlindjeve të SNV, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

Ideja e krijimit të një kishe ortodokse kroate u kritikua gjerësisht nga mediat serbe, duke përmendur ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore.

Kështu, zhvillimi i kësaj teme mund të kontribuojë si në tensionet e brendshme në Kroaci ashtu edhe në përkeqësimin e marrëdhënieve ndërmjet Zagrebit dhe Beogradit, duke pasur parasysh lidhjen e ngushtë midis udhëheqjes shtetërore serbe dhe kishës ortodokse serbe.