Përmbledhje e Ballkanit Perëndimor 24.06.2024 – CWBS

Përmbledhje e Ballkanit Perëndimor 24.06.2024 – CWBS
  • U miratua qeveria e re në Maqedoninë e Veriut

Më 23 qershor, parlamenti i Maqedonisë së Veriut votoi për qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Hristijan Mickoski, udhëheqës i VMRO-DPMNE, që fitoi zgjedhjet.

Mickoski theksoi se Qeveria do të vazhdojë t’i mbështesë integrimet evropiane dhe do të vazhdojë të punojë drejt harmonizimit të politikave me ato të standardeve evropiane, duke këmbëngulur për avancimin e procesit të integrimit evropian.

“Ne po vazhdojmë të punojmë me partnerët tanë evropianë dhe së bashku do të harmonizojmë politikën e jashtme të përbashkët me atë të BE-së. Mbështetja për Ukrainën gjatë vetëmbrojtjes së saj, si dhe ruajtja e sovranitetit dhe integritetit të saj territorial do të vazhdojë”, theksoi ai.

Në betimin e tij, udhëheqësi i VMRO-DPMNE-së përdori emrin kushtetues të vendit – Republika e Maqedonisë së Veriut. “Unë them se ky emër, që duhet ta deklaroj gjatë betimit, është i turpshëm, pasi më kujton personalisht turpin që i keni sjellë vendit tim, familjes sime, nipërve të mi të palindur dhe atyre që do të vijnë pas tyre. Sa të jem gjallë, si nga ana politike ashtu edhe personale, do të bëj çfarëdolloj gjëje për ta korrigjuar këtë padrejtësi. Fatkeqësisht, në këtë moment jam i pafuqishëm, si njeri i thjeshtë jam i detyruar të dorëzohem para jush”, tha Mickoski në Kuvend.

Ai gjithashtu njoftoi se nuk do të lejonte kompromiset e që Sofja ja ka kërkuar Shkupit (në veçanti, njohja e bullgarëve si popull shtetformues në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut). “Një diktat i tillë bullgar, për aq kohë sa unë jam kryeministër, nuk do të kalojë, dhe nuk do të ketë ndryshime kushtetuese”, theksoi Mickoski.

Duke pasur parasysh qëndrimin e qeverisë së re maqedonase, mund të pritet që Bullgaria të vazhdojë ta bllokojë integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut.

  • Serbia furnizon me armë Ukrainën përmes vendeve të treta

Vlerësimet e dhëna nga Financial Times (FT) tregojnë se që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, eksportet e municioneve serbe të që kanë hyrë në Ukrainë përmes palëve të treta kanë arritur një vlerë prej rreth 800 milionë euro.

“Po, ne e eksportojmë municionin tonë. Ne nuk mund të eksportojmë në Ukrainë apo në Rusi…  por kemi pasur shumë kontrata me amerikanë, spanjollë, çekë, e të tjerë. Çfarë bëjnë ata në fund me këto municone është puna e tyre”, tha presidenti serb Aleksandar Vuçiq në një intervistë për FT. Në të njëjtën kohë, Vuçiq theksoi se Serbia nuk ka marrë asnjë anë në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, dhe shitja e municioneve është thjesht “pjesë e ringjalljes sonë ekonomike”.

Ekspertët pro-Kremlinit rusë dhe serbë e kanë quajtur “provokim” këtë publikim të FT-së, qëllimi i të cilit është të krijojë mosbesim midis Moskës dhe Beogradit, për të provokuar tensione në marrëdhëniet dypalëshe.

Kremlini nuk reagoi ashpër zyrtarisht ndaj artikullit të FT-së, duke paralajmëruar se Rusia do t’i hetojë të dhënat që tregojnë për furnizimin me armë të Kievit nga Beogradi. Këtë e deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitriy Peskov, më 24 qershor.

  • Vuçiq parashikon acarim të krizës gjeopolitike në muajt e ardhshëm

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq beson se po jetojmë në kohën e krizës më të madhe gjeopolitike që nga Lufta e Dytë Botërore dhe se situata do të përkeqësohet në muajt e ardhshëm.

“Unë pres që situata të përkeqësohet në muajt e ardhshëm dhe që do të përballemi me pasoja shumë të rënda, e kam fjalën për Evropën dhe botën”, tha Vuçiq, duke iu drejtuar publikut mbrëmjen e 24 qershorit. Në veçanti, ai pret përçarje të mëdha në treg – nga produktet energjetike te ushqimet, jo vetëm në Serbi, por në mbarë botën. “Por ne duhet të jemi të vendosur t’i kryejmë detyrat tona sa më mirë të mundemi, për të ruajtur paqen, për të siguruar rritjen ekonomike”, shtoi presidenti serb.

Siç tha ai, në tremujorin e parë Serbia ka pasur normën më të lartë të rritjes në Evropë, me 4.7 për qind.

Gjatë fjalimit të tij, Vuçiq foli për disa projekte ekonomike, në veçanti, për prodhimin e një modeli të ri makine në fabrikën e Kragujevcit së bashku me një kompani italiane, për planet e disa minierave të litiumit, për mundësinë e ndërtimit të reaktorëve të vegjël modularë bërthamorë dhe përgatitjet për World Expo EXPO – 2027, e cila do të mbahet në Beograd. Sipas tij, EXPO është një pikë kyçe kthesë për zhvillimin e Serbisë.

***

Është e qartë se, duke marrë parasysh tërë përmbysjet globale dhe sfidat e ndryshme në jetën e Beogradit zyrtar, presidenti serb po përpiqet ta fokusojë vëmendjen e njerëzve drejt temës më të favorshme të rritjes ekonomike.

  • Ndërprerje e energjisë elektrike në Ballkanin Perëndimor për shkak të të nxehtit

Për disa orë, energjia elektrike në Malin e Zi, një pjesë të Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Shqipëri u ndërpre më 21 qershor, pasi nxehtësia mbingarkoi sistemin rajonal të transmetimit të energjisë.

Në Mal të Zi, u raportua një zjarr në një linjë tensionit të lartë, në një zonë të largët pranë kufirit me Bosnje dhe Hercegovinën. Nuk dihet nëse kjo mund të ketë shkaktuar dështimin e sistemit. Dështimi ndodhi në interkonektorin midis Shqipërisë dhe Greqisë, i cili mund të kishte prodhuar një efekt domino për sistemet energjetike të tërë rajonit.

Një ditë pas ndërprerjes, u rikthye energjia elektrike në të katër vendet, por një termocentral në Bosnje dhe Hercegovinë ende nuk punon.

Sipas Ministrisë së Energjisë së Malit të Zi, mbyllja u shkaktua nga një rritje e papritur e konsumit të energjisë, e shkaktuar nga temperaturat e larta, duke mbingarkuar vetë sistemin.

  • Gjykata e Malit të Zi do të shqyrtojë sërish çështjen e “grushtit të shtetit”

Zyra e Prokurorit Special të Malit të Zi në fakt konfirmoi aktgjykimin e mëparshëm të shkallës së parë dhe i sugjeroi Gjykatës të japë dënime të ndryshme me burgim për organizatorët e grushtit të shtetit në Mal të Zi në vitin 2016.

Gjykata e Malit të Zi tashmë ka nxjerrë një vendim për rastin e “grushtit të shtetit”, duke konfirmuar aktakuzën e atëhershme të Prokurorisë Speciale.

Një gjykatë malazeze e vitit 2019 shpalli fajtorë dy rusë (agjentë të shërbimeve speciale ruse), serbë dhe malazezë për përpjekje për të organizuar një organizatë kriminale, për të rrëzuar qeverinë dhe për të shpallur fitoren e Frontit Demokratik pro-rus në zgjedhjet parlamentare të 2016-ës në mënyrë që të parandalohej anëtarësimi i Malit të Zi në NATO. Në ditën e zgjedhjeve më 16 tetor 2016, sulmuesit planifikuan ta marrin me forcë parlamentin malazez, si dhe të rrëmbejnë dhe vrasin kryeministrin e atëhershëm të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.

Në vitin 2021, Gjykata e Apelit e Malit të Zi e rrëzoi aktgjykimin e shkallës së parë për shkak të “shkeljeve të theksuara gjatë procedurës penale”. Vendimi u dha pas ndërrimit të pushtetit dhe hyrjes në koalicionin qeveritar të përfaqësuesve të Frontit Demokratik, që ishin të përfshirë në grushtit të shtetit.

Në aktakuzën e përditësuar të Prokurorisë, disa formulime janë ndryshuar, por kualifikimi ligjor i veprave penale ka mbetur i njëjtë.

Gjykata do të shpallë një vendim të ri më 12 korrik.

Në mesin e të akuzuarve është edhe kryeparlamentari i Malit të Zi, Andrija Mandiq, i cili në vitin 2016 ishte një nga udhëheqësit e Frontit Demokratik.

  • Gjykata e Kosovës vendosi për sulmin ndaj KFOR-it majin e kaluar

Një gjykatë në Prishtinë e dënoi serbin Nenad Orlovic me 15 muaj burg dhe një gjobë prej 12,000 eurosh, duke e shpallur fajtor për sulmin ndaj paqeruajtësve të Forcave të Kosovës (NATO KFOR). Dënimi hyri në fuqi menjëherë si ishte rezultat i marrëveshjes për pranimin e fajësisë.

Sulmi nga serbët vendas ndaj pjesëtarëve të KFOR-it ndodhi në maj të vitit të kaluar në veri të Kosovës, në Zveçan. Si pasojë e dhunës, janë plagosur rëndë rreth 93 paqeruajtës të NATO-s.

Sulmi ndaj KFOR-it erdhi pasi policia e Kosovës ndihmoi kryetarët e rinj shqiptarë të hyjnë në ndërtesat komunale, gjë që u kundërshtua nga popullata lokale serbe, e cila nuk i njohu rezultatet e zgjedhjeve lokale, duke i bojkotuar ato.

Një vit më vonë, misioni i NATO-s në Kosovë bëri apel që të sillen para drejtësisë përgjegjësit për sulmin ndaj KFOR-it gjatë protestës në Zveçan. Udhëheqja e NATO-s ua rikujtoi vazhdimisht nevojën për të ndëshkuar sulmuesit.