Gjatë urdhërit të Qeverisë së 42-të Malazeze të kryeministrit Zdravko Krivokapiq, Ministri i Drejtësisë Vladimir Leposaviq u pushua nga puna për shkak se deklaroi në Kuvend se nuk ka ndodhur gjenocid në Srebrenicë në korrik 1995. Në këtë periudhë, ishte e vështirë të supozohej se kjo çështje do ta rëndonte sërish “elitën” politike malazeze, të paktën kur bëhet fjalë për pjesën më të madhe të partive parlamentare.
Në të vërtetë, gjatë miratimit të Rezolutës së Parlamentit të Malit të Zi për gjenocidin në Srebrenicë, më qershor 2021, pati abstenime dhe ata që ishin kundër (përkujtim: 55 votuan pro, 18 kundër, 6 abstenuan), por u konsiderua – tanimë kuptohet, në mënyrë të parakoshme dhe të pabazë – se kjo çështje, me gjithë rezistencën dhe shqetësimin e rëndë të përfaqësuesve të politikës nacional-shoviniste të Serbisë së Madhe, gjithnjë është konsideruar në kontekstin e politikës zyrtare malazeze dhe qëndrimit në lidhje me Magnum Crimen.
Pothuajse tre vjet pas masakrës së Srebrenicës, iniciativës së Gjermanisë dhe Ruandës për të miratuar një dokument në Kombet e Bashkuara që do të përkujtonte, në mënyrën e duhur, ngjarjet tragjike dhe gjenocidin në Srebrenicë, i është bashkuar një një numër i madh i shteteve të rëndësishme anëtare të OKB-së si “bashkësponsor”, por edhe vende anëtare më të vogla, thuajse nga të gjitha kontinentet, duke përfshirë edhe të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë dhe Ballkanit Perëndimor që kanë një vend në organizatën botërore.
Të gjithë, përveç Serbisë dhe Malit të Zi.
Ideologjia, logjika dhe retorika e pushtetarëve në Beograd, me këtë rast, nuk janë të habitshme. Refuzimi i ashpër i regjimit të Aleksandër Vuçiqit dhe partneres/udhëheqëses së tij në media – Kishës së Serbisë, në një model që në çdo gjë ngjan me mekanizmat dhe levat e pushtetit të Putinit, është rezultat i pashmangshëm i ndodhive – jo vetëm në dymbëdhjetë vitet e fundit të pushtetit në Serbi, por dhe nga një periudhë shumë më të gjatë, madje edhe para gjenocidit në Srebrenicë – që ishin përcaktues të ideologjisë dhe politikës zyrtare serbe.
Madje Vuçiq do të dërgojë në Nju Jork një “ekip për të luftuar kundër Rezolutës”. Daljet e tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe deklaratat e tij nëpër korridore do të kenë pasoja tragjiko-komike. Humbja e diplomatëve serbë është bërë e dukshme për të gjithë, madje edhe për mediat e tërbuara në Serbi, të cilat (ende) nuk kanë gjetur një formulë për ta kthyer këtë humbje, sipas një zakoni jo të huaj për kulturën politike serbe, në një “fitore të lavdishme”, me shumë viktima heroike.
E gjithë kjo nuk ndikoi pozitivisht në qëndrimet dhe sjelljet e përfaqësuesve të Qeverisë së 44-të Malazeze, e cila në këtë periudhë, përveç kryeministrit Milojko Spajiq, përfaqësohet edhe nga ministri i Punëve të Jashtme, Filip Ivanoviq. Përkundrazi – edhe ministri edhe kryeministri, me deklaratat e tyre, treguan se qëndrimi revizionist dhe negativ ndaj së vërtetës për gjenocidin në Srebrenicë është ende gjallë dhe i ashpër.
Prandaj, kur bëhet fjalë për domethënien e gjenocidit dhe formulimin e qëndrimit zyrtar ndaj tij, në skenë shohim një regresion të përgjithshëm politik, social dhe kulturor me përmasa shqetësuese, që tregon kontaminimin e thellë të shoqërisë dhe politikës malazeze me ide nacionaliste dhe nacional-shoviniste, të cilat më së shumti përmblidhen me frazën “bota serbe”.
Forcat politike që nuk duan që Mali i Zi të jetë bashkë-sponsor i Rezolutës së OKB-së kanë edhe një taktikë të re. Ata nuk e mohojnë gjenocidin në Srebrenicë, siç përsëritet shprehimisht dhe me zjarr nga regjimi në Beograd dhe, ndër të tjera, mediat serbo-ruse në Mal të Zi, por kanë vendosur të heshtin dhe të pretendojnë sikur problemi ekziston fare.
Ky këndvështrim u shpreh për herë të parë nga Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ivanoviq, paraqitja e të cilit në Kuvend (“pse të jetë Mali i Zi bashkësponsor, kur – në këtë moment – nuk ështe as Bosnja dhe Hercegovina?”), dhe u prit me një reagim të ashpër nga opozita pro-evropiane.
Kryeministër, zoti Spajiq nuk paraqiti një këndvështrim më të mirë: sjellja e tij e pakulturuar dhe e pahijshme kur u pyet për këtë në konferencën e shtypit nga gazetari i Al Jazeera Balkans, vetëm konfirmoi të vërtetën e dhimbshme: kjo qeveri e Malit të Zi nuk e do as të përmendet Rezoluta, lëre më shprehjen në mënyrë publike të një qëndrimi mbështetës. Bashkësponsorizimi, tani u bë mëse e qartë, është jashtë diskutimit.
Kështu, diplomatët malazezë, të cilët janë anëtarë të Misionit të Përhershëm të Malit të Zi në OKB, janë ndër të paktët (përveç, me gjithë respektin, atyre pak vendeve afrikane dhe aziatike) që nuk kanë as mendim e as njohuri se si do të votohet kur Rezoluta të jetë përfundimisht në rend dite – dhe tani është e qartë se do të jetë në mes të majit të këtij viti, siç është caktuar nga konsultimee e bëra rreth formulimit të tekstit.
Prandaj, implikimet politike për Malin e Zi lidhur me këtë situatë janë shumë të qarta dhe shqetësuese.
Së pari, ka pasur një regres të qetë, por efektiv në lidhje me marrëdhëniet e politikës malazeze ndaj disa çështjeve dhe problemeve qytetërore.
Së dyti, ndikimi nga Serbia – politik, ideologjik, i sigurisë dhe propagandës – është rritur. Nuk është më aq e dukshme “prima facie”, por është shumë efektive. Veprimtaria e sinkronizuar e një sërë promotuesish dhe përfaqësuesish – nga media e deri te Kisha e Serbisë – ka patur një ndikim të madh në strukturat politike.
Së treti, vetë struktura e qeverisë ka një ekuilibër të ri: Lëvizja Evropa Tani (PES) është bërë e mvarur nga pikëpamjet, opinionet dhe interesat e koalicionit Së Bashku për të Ardhmen e Malit të Zi (ZBCG), i udhëhequr nga epigonët dhe vartësit e Vuçiq-Putin, Andrija Mandiq dhe Milan Knezheviq. Spajiq është thjesht një “frontman” në një orkestër ku të tjerët luajnë muzikën. Injorimi i tij i çështjeve të vështira politike bëhet qesharake.
Së katërti, në përgjigje të rindërtimit të shpallur të Qeverisë dhe mundësisë që Mali i Zi të marrë të ashtuquajturin IBAR (d.m.th. raportin e përkohshëm) nga BE-ja – tregohet se, edhe në këto procese, PES pothuajse është vënë në pozicionin e një pengu politik, sesa kapiteni që drejton anijen shtetërore malazeze në mënyrë të pavarur.
Së fundi, është pjesa perëndimore e komunitetit ndërkombëtar, e cila i vëzhgon të gjitha këto me një dozë plogështie, gjë që i shqetëson të gjithë, veçanërisht opozitën pro-evropiane dhe pro-perëndimore malazeze.
Arsyet për mbështetjen dhe bashkësponsorizimin e Malit të Zi ndaj Rezolutës së OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë janë të qarta, si në një nivel politik të përditshëm, por, edhe më e rëndësishmja, në atë strategjik dhe historik. Natyrisht, ato përfshijnë edhe faktin se Mali i Zi është një shoqëri civile multietnike dhe multikonfesionale, d.m.th që duhet të mbetet e tillë. Prandaj, bëhet fjalë për segmentin më të rëndësishëm të së ardhmes së të gjithëve që jetojnë në Mal të Zi.
Dhe pikërisht për shkak të këtyre vlerave dhe parimeve rrezikohet, madje eliminohet, mundësia e bashkësponsorizimit nga pushteti në Podgoricë. Ky moment tregon gjithë dramën dhe peshën e situatës politike dhe sigurisë së Malit të Zi.
Qeveria aktuale, në linjë me Beogradin dhe Kremlinin, jo vetëm që po tradhton traditën dhe historinë malazeze. Ajo është një tradhtare e vetë së ardhmes së Malit të Zi sovran dhe të pavarur.
Materialet e publikuara në rubrikën “Opinionet” pasqyrojnë mendimin personal të autorit dhe mund të mos përkojnë me qëndrimin e Qendrës.
Miodrag Vllahoviq. Politikan dhe ish-diplomat malazez. Ministri i parë i Jashtëm i Malit të Zi. Ish ambasador i Malit të Zi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Islandë, Selinë e Shenjtë etj.