Luftë s’do të ketë, por konflikti hibrid është i pranishëm

Luftë s’do të ketë, por konflikti hibrid është i pranishëm

Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë duhej thjesht të fiksonte faktin e provuar prej kohësh nga gjykatat ndërkombëtare, por serbët e perceptuan këtë thuajse si një sulm ndaj popullit serb dhe Republikës Srpska.

Vuçiçi organizoi një seli në Nju Jork, me ndihmën e së cilës u përpoq të “siluronte” votimin e planifikuar.

Dodiku shfrytëzoi përgatitjen e Rezolutës për të deklaruar qëllimin e tij për t’u shkëputur nga Republika Srpska.

Në kundërpërgjigje, boshnjakët u bënë bashkë për të mbrojtur shtetin.

“Atmosfera është si në fillim të viteve 1990”, shkruajnë gazetarët.

Ndërlikimi i situatës

Sesioni i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në të cilin më 2 maj duhej të mbahej votimi për rezolutën e propozuar për Srebrenicën, u shty. Në Beograd janë të sigurt se ky është rezultat i veprimeve aktive të lidershipit serb. Gjatë ditëve të fundit, presidenti Aleksandar Vuçiç dhe ekipi i tij përhapën aktivitetin intensiv ndërkombëtar, të orientuar për të kundërvepruar për miratimin e Rezolutës.

Në Beograd u zhvilluan punime të organizuara me ambasadat, pas të cilave disa diplomatë dhanë deklarata publike në mbështetje të këndvështrimit serb, që thekson se vrasja masive e myslimanëve boshnjakë në Srebrenicë ka qenë krim, por jo gjenocid. Ambasadorët e Iranit dhe të Izraelit i mëshuan më së shumti kësaj ideje.

Në Nju Jork, Vuçiçi mbajti një seli për t’iu kundërpërgjigjur Rezolutës dhe zhvilloi takime në shkallë të gjerë me dhjetëra përfaqësues diplomatikë nga Azia, Afrika dhe Amerika Latine. Gjithashtu, ai foli edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterresin.

Duke e përmbyllur këtë aktivitet në planin diplomatik, presidenti i Serbisë deklaroi: “Kemi arritur ta ndërlikojmë paksa situatën”.

Sipas medieve serbe, si pasojë e aktivitetit të ekipit të Vuçiçit erdhi pakësimi i numrit të vendeve që shprehën gatishmërinë për të votuar për Rezolutën dhe rritja e atyre që vendosën të abstenojnë.

“Ndërlikimi” për të cilin flet presidenti i Serbisë do të ishte i pamundur pa formate të tjera, që u bashkëngjiten atyre diplomatike, të presionit ndaj komunitetit ndërkombëtar.

Një prej tyre u bë akuza për gjenocid ndaj serbëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Vuçiçi premtoi se, në rast se Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miraton rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë, ai do të paraqesë çdo vit rezoluta përkatëse se “Kroatët kanë kryer gjenocid në Jasenovac” dhe “gjermanët kanë kryer gjenocid në Kragujevc”. Rusët u kapën fort pas kësaj ideje të Beogradit, duke akuzuar Gjermaninë për gjenocidin e popullit sovjetik/rus.

Në përgjithësi, për sa i përket çështjes së Rezolutës për Srebrenicën, mirëkuptimi i ndërsjellë mes Beogradit dhe Moskës ishte i plotë, siç dëshmoi edhe takimi në Nju Jork i presidentit të Serbisë me përfaqësuesin e përhershëm të Federatës Ruse në OKB, Vasil Nebenzein.

Megjithatë, faktori kyç që e ndërlikoi miratimin e Rezolutës nuk ishin përpjekjet diplomatike të Beogradit, por përkeqësimi i rrufeshëm i situatës së sigurisë në Bosnje dhe Hercegovinë në sfondin e përgatitjeve për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Për herë të parë pas shumë vitesh, vëzhguesit konstatuan: “Kjo kujton fillimin e viteve ’90” dhe fjala “luftë” nisi të shfaqet vazhdimisht në titujt e lajmeve që vijnë nga BiH-na.

“Republika e Serbisë po të thërret”

Rikujtojmë së në projekt-Rezolutë propozohet që, çdo vit, data 11 korrik të shënohet si “Dita Ndërkombëtare e Kujtimit të Gjenocidit të kryer në Srebrenicë në vitin 1995”, të dënohet mohimi e gjenocidit, si dhe heroizmi i kriminelëve të luftës, ndërkohë që faktet e krimit të evidentuara nga gjykata, të përfshihen në programet arsimore të vendeve anëtare të OKB-së për të parandaluar revizionizmin dhe përsëritjen e gjenocidit.

Megjithatë, liderët politikë të serbëve e konsideruan projekt-Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së si një kërcënim për ekzistencën e Republikës Srpska, dhe liderët e saj njoftuan menjëherë synimin e tyre për t’u shkëputur nga BiH-a. Në të vërtetë, Milorad Dodiku lëshoi një ultimatum, duke deklaruar: “Nëse Rezoluta për Srebrenicën miratohet nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, Republika Srpska nuk e sheh të arsyeshme të mbetet në Bosnje dhe Hercegovinë.” “Ne do të kërkojmë dhe rregullojmë statusin tonë në mënyrë të tillë që të mundemi të përpiqemi të vazhdojmë vetë”, tha ai pas një takimi të zhvilluar në mes të prillit, të lidershipit qeveritar serb dhe krerëve të Republikës Srpska.

Disa ditë më vonë, gjatë një tubimi “Srpska te zove” (“Republika e Serbisë po të thërret”) të disa mijëra personave në Banja Luka, Dodiku u bëri thirrje myslimanëve që të tërheqin rezolutën e Srebrenicës nëse dëshirojnë të jetojnë me serbët në Bosnje dhe Hercegovinë. “Nëse jo, nuk do ta përmendim më… Hapat e radhës do të jenë lëvizjet drejt bashkimit me Serbinë”, deklaroi ai.

Më 2 maj, kur Rezoluta për gjenocidin do të shqyrtohej në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, qeveria e Republikës Srpska caktoi një mbledhje në Srebrenicë. Megjithëse Dodiku theksoi se lidershipi i RS-së është i gatshëm të komemorojë viktimat e varrosura në Potoçari, ideja e mbajtjes së një mbledhjeje qeveritare në vendin e një krimi të rëndë u perceptua si një mesazh kërcënues për boshnjakët vendas. Pas shtyrjes së shqyrtimit të rezolutës në OKB, Dodiku njoftoi shtyrjen e mbledhjes së qeverisë, por jo anulimin e saj.

Tensionin e shtoi edhe vizita e Dodikut në Rusi. Në fund të prillit, presidenti i RS-së, së bashku me ministrin e Sigurisë së Bosnjë-Hercegovinës dhe senatorin e Republikës Srpska, Nenad Neshiqin, si dhe me ish-drejtorin e Shërbimit Informativ Serb, Aleksandar Vulinin, shkuan në Shën Peterburg për “Takimin Ndërkombëtar të Përfaqësuesve të Lartë për Çështjet e Sigurisë”. Në margjinat e forumit, Dodiku u takua me Sekretarin e Këshillit të Sigurimit të Federatës Ruse, Nikolai Patrushevin. Duke gjykuar nga njoftime zyrtare, në takim nuk u mor ndonjë vendim i prerë. Megjithatë, fakti që pati negociata midis presidentit të Republikës Srpska dhe kuratorit të forcave ruse të sigurisë, i afërt me Putinin, tregon qartë mbështetjen e Kremlinit për Dodikun dhe politikën e tij (përfshirë planet për shkëputje).

“Atdheu po të thërret”

Veprimtaria e presidentit të Republikës Srpska u perceptua nga boshnjakët pa mëdyshje si një kërcënim për integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës.

“Hapi i Dodikut drejt shkëputjes” është “një shpallje lufte”, njoftoi ministri i Mbrojtjes i Bosnjës dhe Hercegovinës, Zukan Helezi, duke komentuar takimin mes Dodikut dhe Patrushevit në Shën Peterburg, në një intervistë për televizionin boshnjak. “Unë e di se ç’duhet bërë nëse shfaqet ndonjë problem. Unë duhet të mbroj kufijtë e Bosnjës dhe Hercegovinës, siç përcakton edhe Ligji i Mbrojtjes”, theksoi shefi i institucionit të Mbrojtjes. Megjithatë, ai i qetësoi qytetarët, duke theksuar se në krahasim me fillimin e viteve 1990, BiH-a tashmë ka institucionet e veta të fuqishme shtetërore, të afta për të mbrojtur vendin, ka misionin e EUFOR-it dhe praninë e NATO-s. Përveç kësaj, ministri kujtoi se Dodiku ka 20 vjet që flet për ndarje, por në realitet, kjo nuk po ndodh.

Kriza aktuale, në të vërtetë, nuk është përkeqësimi i parë i tillë në BiH gjatë viteve të fundit. Sidoqoftë, për herë të parë pas një kohe të gjatë, deklaratat dhe veprimet e liderëve serbë çuan në aktivizimin e rezistencës boshnjake.

Më 27 prill, qindra njerëz nga e gjithë Bosnja dhe Hercegovina u mblodhën në Smetovë, afër Zenicës, për mitingun “Domovina te zove” (“Atdheu po të thërret”), i organizuar nga Ramo Isaku, lideri i “Snage naroda”-s (“Fuqia e Popullit”) dhe ministri i Brendshëm i Federatës së Bosnjë dhe Hercegovinës.

“Me këmbëngulje u them njerëzve të flenë të qetë, se nuk do të ketë luftë. Ama nëse dikush do të guxojë ta bëjë këtë, unë kam marrë pushkën që fëmijë, kështu që nuk do ta kem fare problem të mbroj kufijtë, dhe ne nuk do të lejojmë askënd t’i fshijë ata kufij”, deklaroi Isaku në tubim.

“Unë e di që të gjithë ju, që gjetët kohën të vinin këtu, treguat forcë të madhe, forcën e popullit të udhëhequr nga patriotë të vërtetë. Ne mund të veprojmë vetëm së bashku, fillimisht përmes institucioneve të shtetit të BiH-s, e pastaj si vullnetarë, për ta mbajtur këtë shtet. Ne nuk do të lëshojmë pe dhe askush nuk mund ta kërcënojë atë. Ne nuk dimë të dorëzohemi”, tha Isaku.

Sipas raportimeve, në tubim mori pjesë edhe ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës së Bosnjës dhe Hercegovinës gjatë luftës, shefi i parë i Shtabit të Përgjithshëm të ARBiH-së, gjenerali Sefer Haliloviçi, i cili në veçanti deklaroi: “Nuk do të ketë luftë dhe nuk duhet të ketë, por le ta dinë ata që flasin hapur për këtë se ne jemi gati!”

Si Ramo Isaku, ashtu edhe Sefer Haliloviçi janë figura mjaft të diskutueshme në politikën boshnjake. Hëpërhë kjo lëvizje rezistence nuk mund të quhet si i tillë që gëzon mbështetje pan-boshnjake. Gjithsesi, pa dyshim, në shoqëri është rritur dhe është bërë më evidente kërkesa për një reagim më radikal se zakonisht ndaj planeve të liderëve të Republikës Srpska në lidhje me shkëputjen, domethënë shpërbërjen e BiH-s.

Mobilizimi dhe destabilizimi

Radikalizimi i qëndrimeve të boshnjakëve po ndodh në sfondin e operacioneve speciale hibride të organizuara nga palë të panjohura, qëllimi i të cilëve është mobilizimi, armatosja e boshnjakëve dhe manifestimet e tyre nëpër rrugë.

Në fund të prillit, në rrjetet sociale dhe kanalet “Telegram” nisi të qarkullonte një letër me kokën e letrës së Parlamentit të Federatës së Bosnjë dhe Hercegovinës, për domosdoshmërinë që qytetarët e BiH-s t’i bashkohen mbrojtjes së vendit dhe për mbylljen e kufijve për burrat e moshës 16-63 vjeç.

Përveç kësaj, qytetarët e BiH-s, përmes “Facebook”-ut, morën mesazhe, gjoja nga “Mbrojtja Civile”, sipas të cilave burrat e moshës 18 deri në 48 vjeç janë të detyruar të paraqiten në komisariate policore për mobilizimin dhe pajisjen me armë.

Përfaqësuesit e qeverisë i quajtën të gjitha këto informacione “fake news” (Në të vërtetë, të gjitha këto nuk duken si dokumente zyrtare). Sidoqoftë, duke marrë parasysh se njerëzit i morën seriozisht këto thirrje dhe nisën t’u drejtoheshin zyrtarëve me pyetje se çfarë duhej të bënin, mesazhet e rreme gjetën terren pjellor.

Nëse shtojmë se, sipas raportimeve të medieve, në BiH aktualisht po hetohet rasti i mundur i trajnimit të islamikëve radikalë në poligonin e stërvitjes së Forcave të Armatosura të Bosnjës dhe Hercegovinës, pranë Mostarit, situata në vend duket edhe më kërcënuese.

Në këto kushte, nuk përjashtohet mundësia që shtyrja e datës së shqyrtimit të Rezolutës për Srebrenicën të shpjegohet jo edhe aq me “ofensivën” e suksesshme të Vuçiçit në front, sesa nga kërcënimi i destabilizimit të situatës në Bosnje dhe Hercegovinë. Gjë që, mbase, ka trembur komunitetin botëror.

Nuk duket së në BiH ekziston mundësia e zhvillimit të një konflikti të armatosur në shkallë të gjerë: misioni ushtarak i BE-së, EUFOR, javët e fundit, me qëllim kryerjen e stërvitjeve, kanë rritur praninë e tyre në Bosnje dhe Hercegovinë, duke angazhuar rezerva, jo vetëm të ushtarëve, por edhe në pajisje. Sidoqoftë, gjatë javëve të fundit, vendi anoi dukshëm në drejtim të kundërt me paqen e qëndrueshme.