Puna aktive e lidershipit serb në gjysmën e parë të majit, menjëherë pas emërimit të qeverisë së re, është mjaft mbresëlënëse. Nga njëra anë, është e qartë se Beogradi po e vazhdon fushatën kundër miratimit të Rezolutës për Srebrenicën dhe kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Por, nga ana tjetër, shkalla e angazhimeve ndërkombëtare sugjeron disa plane më të avancuara nga ana e Aleksandër Vuçiqit.
Lista e ngjarjeve ndërkombëtare me pjesëmarrjen e lidershipit serb në gjysmën e parë të majit ishte vërtet e bollshme dhe e larmishme.
• Më 7-8 maj, një delegacion kinez prej 400 personash, të kryesuar nga presidenti Xi Jinping, vizitoi Beogradin. Vizita rezultoi në një marrëveshje për një “të ardhme të përbashkët” midis Kinës dhe Serbisë, të nënshkruar nga presidenti Aleksandar Vuçiq dhe presidenti Xi Jinping, si dhe rreth 30 memorandume e marrëveshje të tjera.
“Republika e Serbisë dhe Republika Popullore e Kinës po lëvizin nga marrëdhënia strategjike në bazë të së cilës kemi arritur t’i ngremë marrëdhëniet tona dypalëshe drejt një të ardhmje të përbashkët për dy vendet tona. Kjo është forma më e lartë e bashkëpunimit midis dy kombeve.” theksoi presidenti serb.
• Më 9 maj, Presidenti Vuçiq, Kryetarja Brnabiq, Kryeministri Vuçeviq dhe disa ministra morën pjesë në një pritje festive me rastin e Ditës së Evropës, organizuar në Beograd nga Delegacioni i BE-së.
Vuçiq theksoi se zgjedhja e rrugës evropiane ishte një vendim strategjik për Serbinë.
• Më 9 maj, Ministri i Punëve të Jashtme, Marko Gjuriq, u takua në Beograd me ambasadorin e SHBA-së, Christopher Hill. Përforcimi i bashkëpunimit me SHBA-në është një nga prioritetet kryesore të politikës së jashtme të Serbisë, tha shefi i diplomacisë serbe.
• Më 9 maj, zëvendëskryeministri serb Aleksandar Vulin, së bashku me ministrat Nenad Popoviq, Nemanja Staroviq, Milica Gjurgjeviq Stamenkovski dhe Nikola Selakoviq morën pjesë në marshin propagandistik pro-rus “Regjimenti i pavdekshëm”, organizuar në Beograd.
Ministrja e Çështjeve Familjare dhe Demografisë Milica Gjurgjeviq Stamenkovski theksoi se askush nuk mund ta cenojë miqësinë serbo-ruse.
• Më 10 maj, Ministri i Punëve të Jashtme, Marko Gjuriq, u takua me ambasadorin rus Aleksander Botsan-Karçenko. Në takim, kreu i Ministrisë së Jashtme të Serbisë e informoi diplomatin rus për prioritetet e politikës së jashtme të qeverisë së re, duke shprehur shpresën se marrëdhëniet mes dy vendeve do të vazhdojnë të zhvillohen në frymën e miqësisë tradicionale, respektit të ndërsjelltë dhe partneritetit strategjik.
• Më 13 maj, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq pati një takim me komisionerin për Zgjerim të BE-së, Olivér Várhelyi. Pas takimit, Vuçiq vuri në dukje se vendi do të vazhdojë të përgatitet për anëtarësim në BE. Presidenti serb gjithashtu shprehu shpresën se mospërputhja e politikës së jashtme të Serbisë me atë të BE-së nuk do të përbëjë pengesë në këtë rrugë.
• Më 13 maj, Presidenti Vuçiq u takua në Beograd me Zonjën e Parë të Ukrainës, Olena Zelenska, dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Dmytro Kuleba.
“Ne diskutuam dhe ramë dakord për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe”, tha Vuçiq pas bisedimeve me Kulebën.
Ministri ukrainas ka zhvilluar takime edhe me kryeministrin e Serbisë, Millosh Vuçeviq, kryetaren e Kuvendit Popullor, Ana Brnabiq, dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Marko Gjuriq.
• Më 13 maj, kryetarja e Kuvendit Ana Brnabiq bisedoi me ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandar Botsan-Kharchenko, për të diskutuar format e mundshme të bashkëpunimit parlamentar ndërmjet dy vendeve.
• Më 14 maj, Presidenti Vuçiq u takua me ambasadorin rus, Aleksander Botsan-Karçenko, duke shprehur mirënjohjen ndaj Rusisë për qëndrimin e saj të vendosur në lidhje me integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë.
• Më 14 maj, kryeministri Millosh Vuçeviq priti ambasadorin amerikan Christopher Hill, duke shprehur besimin se bashkëpunimi i suksesshëm mes dy vendeve do të vazhdojë.
• Më 15 maj, presidenti serb Aleksandar Vuçiq u takua me nënsekretaren e Shtetit për Diplomacinë Publike dhe Çështjet Publike të SHBA-së, Elizabeth Allen, duke diskutuar çështjen e forcimit të marrëdhënieve dypalëshe.
• Më 15 maj, kryeministri Millosh Vuçeviq u takua me ambasadorin rus Alexander Botsan Karçenko për të shprehur mirënjohjen ndaj Rusisë për qëndrimin e saj të vendosur ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë.
Ky afat kohor mund të zgjatet për të përfshirë data dhe ngjarje të tjera, por kjo periudhë specifike është më thënëse. Në fakt, këto takime me udhëheqësit dhe zyrtarët e huaj e reflektojnë plotësisht politikën aktuale multivektoriale të Beogradit. Pra Serbia po përpiqet të balancojë influencat e Lindjes dhe ato të Perëndimit. Në këtë rast, angazhimet e fundit ndërkombëtare nga ana e Beogradit janë një manifestim tejet i qartë i rrugës që autoritetet serbe po ndjekin për të promovuar interesat e tyre taktike aktuale.
Kjo perfshin:
• Bllokimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës,
• Kundërshtimin e miratimit të Rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, dhe
• Krijimin e një bazamenti për të siguruar që refuzimi për t’u lidhur me sanksionet evropiane kundër Rusisë nuk do ta ndalë integrimin evropian të Serbisë.
Në takimet e fundit, liderët serbë folën për këtë çështje herë drejtpërdrejt e herë në mënyrë indirekte Në disa raste, vetë fakti që Serbia bëri negociata me delegacionet e huaja ishte një lloj manifesti, dhe si i tillë – një mesazh për tërë botën.
Para së gjithash, pamë vizitën e parë në Serbi nga një delegacion i lartë ukrainas, që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia.
Në fjalimin e tij programor para emërimit, kryeministri Millosh Vuçeviq theksoi se Serbia i konsideron Rusinë dhe Ukrainën si kombe mike. Pritja e përfaqësuesve nga Kievi në nivelin më të lartë kishte qëllimin të tregonte se këto nuk ishin thjeshtë fjalë.
Është e mundur që Beogradi është i bindur se miqësia ose, të paktën, kontaktet e vendosura me Kievin dhe disa ndihma humanitare për ukrainasit, të paktën pjesërisht do të hedhë poshtë akuzat për kursin pro-rus të Serbisë dhe do të shërbejë si një “favor” që do t’i shpëtojë nga një “dënim” i mundshëm për shkak se kanë dështuar të vendosin sanksione ndaj Rusisë.
Gjithashtu, Beogradi po përpiqet të zbusë mospajtimin natyror të Moskës ndaj një angazhimi të tillë, duke zhvilluar paralelisht një sërë takimesh me ambasadorin rus. Duke gjykuar nga deklaratat e fundit që vijnë nga zyrtarët e rangut të lartë të Rusisë, kjo në fakt po funksionon.
Megjithatë, rinovimi i kontakteve ndërmjet Beogradit dhe Kievit ka disa dimensione.
Është e qartë se autoritetet serbe po përpiqen të fitojnë sa më shumë aleatë në luftën e tyre kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe miratimin e Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për Srebrenicën.
Para luftës, Ukraina, e cila gjithashtu po përpiqej prej kohësh të balanconte influencat e Lindjes dhe Perëndimit, do të ishte në anën e Serbisë pothuajse 100 për qind në këto çështje. Tani vendimi i Kievit nuk është aq i qartë, kështu që Beogradit iu desh të ndërmerrte hapa urgjente për të mirëpritur ukrainasit në mënyrë që të paktën të përpiqej të fitonte mbështetjen e tyre.
Sa i përket motivimit të Kievit, ai është gjithashtu shumështresor. Vëzhguesit në Ballkan tashmë kanë vënë në dukje se interesi kryesor që Ukraina ndjek është blerja e armëve. Megjithatë, as Zonja e Parë dhe as ministri i Jashtëm nuk mund të shiheshin si negociatorët kryesorë për çështjet e armëve.
Duket se lidershipi ukrainas – ashtu si ai serb – ka vendosur që mbështetja e ndërsjelltë për integritetin territorial mund të krijojë bazën për kontakte, ndonëse të limituara. Drejtimi humanitar i mbikëqyrur nga bashkëshortët e presidentëve nga të dyja palët është ideal për këtë qëllim.
Megjithatë, ka një dimension tjetër të angazhimeve të fundit ndërkombëtare të autoriteteve serbe – duket se Vuçiq vendosi të përdorë përvojën e tij të balancimit dhe multivektorizimit për të ndërmjetësuar negociatat e paqes. Ekziston një version i takimit, sipas të cilit lideri serb sugjeroi që Beogradi të shërbente si platformë për negociatat mes Moskës dhe Kievit. Nuk mund të përjashtohet që iniciativat e paqes të Kinës mund të përfshijnë një propozim të ngjashëm me këtë, dhe kjo mund të jetë diskutuar prapa dyerve të mbyllura gjatë vizitës së Xi Jinping.
Megjithatë, të gjitha këto janë thashetheme derisa të konfirmohen zyrtarisht.
Një gjë mund të thuhet me siguri 100 për qind – Serbia në sezonin aktual politik ka vendosur të bëhet një aktore e spikatur jo vetëm në arenën rajonale, por edhe në arenën gjeopolitike globale. Rezultatet e këtyre përpjekjeve të Vuçiqit dhe ekipit të tij do t’i shohim në të ardhmen e afërt, kur të arrijmë të analizojmë rezultatin e votimeve të OKB-së dhe KE-së, dhe pak më vonë – kur të vlerësojmë ndikimin e presidencës hungareze në përparimin e Serbisë në integrimin evropian.