Çdo gjenocid ballkanik – Lubomyr Filipovych

Çdo gjenocid ballkanik – Lubomyr Filipovych

Termi “gjenocid” u krijua nga avokati polak Raphael Lemkin për të përshkruar përpjekjet sistematike naziste që kishin si qëllim asgjësimin e popullsisë hebreje të Evropës, por edhe shembuj të mëparshëm të përpjekjeve të ngjashme të organizuara që synonin të shkatërronin grupe të tëra individësh në zona të caktuara. Pas kësaj, filloi një fushatë për kodifikimin ligjor të termit dhe gjenocidi u bë pjesë e ligjit ndërkombëtar disa vite më vonë, specifikisht në 1946 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (A/RES/96-I). Ai u kodifikua si një krim i pavarur në Konventën e vitit 1948 për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit (Konventa e Gjenocidit). Konventa është ratifikuar nga 153 shtete (që nga prilli i vitit 2022). Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) ka deklaruar vazhdimisht se Konventa materializon parimet që janë pjesë e së drejtës së përgjithshme zakonore ndërkombëtare.

Një term i ngjashëm u krijua nga avokati spanjoll Bartolome Clavero, i cili e konsideroi etnocidin, ndryshe nga gjenocidi, jo si shkatërrimi sistematik i njerëzve në kuptimin fizik, por si shkatërrimi apo zëvendësimi i kulturës dhe identitetit të tyre.

Megjithëse kërkimet gjenetike tregojnë se Gadishulli Ballkanik, pavarësisht nga kufijtë e qartë etno-kombëtare, është gjenetikisht mjaft i përzier, qeverisja dhe pushtimet koloniale, si dhe idetë kombëtare konkurruese nga shekulli i nëntëmbëdhjetë, kanë bërë që kufijtë etnikë dhe politikë të mos përafrohen aspak. Për këtë arsye në Ballkan prej shekujsh janë bërë rigrupime të ndryshme sistematike të popullsisë. Nga pushtimi i ilirëve nga romakët dhe grekët, përmes pushtimeve të avarëve, sllavëve dhe pushtimeve të mëvonshme osmane, janë alternuar sistematikisht përpjekjet për të riprogramuar identitetin e popullsisë vendase. Kufijtë e perandorive dhe sferat e ndikimit ndikuan edhe në formimin e identiteteve etno-fetare.

Lufta e Dytë Botërore ishte një kohë kur regjimi në Shtetin e Pavarur të Kroacisë u përpoq të homogjenizonte etnikisht popullsinë e Kroacisë. Për këtë përpjekje, Paveliqi zbatoi teknikat e gjenocidit përmes shfarosjes fizike të serbëve, hebrenjve dhe komunitetit Rom, por edhe etnocidit përmes asimilimit të dhunshëm të një pjese të popullsisë serbe.

Siç ndodh shpesh, njerëzit që vuajnë gjenocidin mund të bien viktimë e udhëheqësve me prirje autoritare dhe diktatoriale. Udhëheqës të tillë përdorin një taktikë të thjeshtë dhe që nuk zgjat, por që është gjithsesi shumë efektive për të mobilizuar mbështetje nga populli – nacionalizmin e ushqyer nga trauma kolektive, duke premtuar hakmarrjen, si dhe duke theksuar frikën e përsëritjes së krimeve.

Kjo ishte pikërisht mënyra si u shpalosën ngjarjet me publikun jugosllav, veçanërisht serb, ku në vitet 1980, si sfond i revolucionit antiburokratik, u ushqyen këto narrativa të pakënaqësisë, të cilat kishin si qëllim të nxisnin reagime politike nga njerëzit.

Federata Jugosllave u portretizua në këto rrëfime si e padrejtë ndaj shumicës së popullit serb dhe regjimi i Sllobodan Millosheviqit u përpoq ta riorganizonte atë. Synimi ishte homogjenizimi dhe konsolidimi i hapësirës politike serbe në Jugosllavi dhe kërkimi i një ripërcaktimi të marrëdhënieve ose shkëputjes përgjatë vijave etnike. Ky qëllim i fundit u përjetësua në maksimën se “të gjithë serbët duhet të jetojnë në një shtet”. Kjo nënkuptonte aneksimin e pjesëve të territorit kroat dhe nënshtrimin e plotë të Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës. Në përputhje me ideologjinë çetnike të përshkruar në pamfletin “Serbia homogjene” nga ideologu i tyre Stevan Moljeviqi:

“Serbët, të cilët ishin të parët në Ballkan që i rezistuan pushtimit të gjermanëve nga perëndimi në lindje, fituan në këtë mënyrë të drejtën për të udhëhequr në Ballkan, dhe ata as nuk duan dhe as nuk mund të heqin dorë nga kjo e drejtë për të udhëhequr për hir të vetes së tyre apo të Ballkanit. Ata duhet ta përmbushin misionin e tyre historik dhe do të mund ta bëjnë këtë vetëm nëse do të mblidhen nën një Serbi homogjene dhe nën një Jugosllavi që do ta mbushin dhe vulosin me shpirtin e tyre. Serbët duhet të kenë hegjemoni në Ballkan, dhe për të pasur hegjemoninë në Ballkan, së pari duhet të kenë hegjemoninë në Jugosllavi”.

Ky nënkuptonte homogjenizim etnik, prandaj në Podrinjen e Bosnjës, tashmë gjatë Luftës së Dytë Botërore, një valë e spastrimit etnik të popullsisë myslimane boshnjake u inicua nga çetnikët, një formacion kolaboracionist që filloi luftën si një formacion formal dhe zyrtar i qeverisë së mërguar jugosllave.

Në këtë kuptim, gjenocidi në Podrinjen e Bosnjës në vitet 1990, i cili kulmoi në Srebrenicë, është thjesht një vazhdim i punës së filluar në Luftën e Dytë Botërore. E gjithë popullata jo-serbe nga zona e Podrinjes, nga Foça në Zvornik, u shty nga terrori në vetëm disa enklava në Gorazhde, Zhepë dhe Srebrenicë. Duke qenë të rrethuar për tre vjet, këta njerëz mbijetuan falë mbrojtjes së formacioneve të armatosura të Kombeve të Bashkuara.

Në korrik të vitit 1995, tashmë afër fundit të luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, forcat ushtarake të Republikës së Serbe filluan spastrimin etnik të popullatës që ishte strehuar dhe e rrethuar në komunën e Srebrenicës. Qëllimi ishte krijimi i një zone buferike etnikisht të pastër në kufirin me Serbinë. Sipas ideologjisë së nacionalizmit serb, lumi Drina nuk duhet të lejohet më të jetë kufi mes serbëve. Sipas kësaj narrative, Bosnja nuk duhet të ekzistojë më.

Sot, lideri i serbëve të Bosnjës përsërit të njëjtin rrëfim, megjithëse kur erdhi për herë të parë në pushtet, ai pranoi gjenocidin në Srebrenicë dhe kritikoi ashpër regjimin kriminal të Mlladiqit dhe Karaxhiqit. Sot, Dodik refuzon të identifikohet si një boshnjak dhe serb i Bosnjës dhe kërkon që serbët e Bosnjës të referohen vetëm si serbë, duke artikuluar kështu idenë e integrimit kombëtar të të gjithë serbëve në ish-Jugosllavi.

Me ardhjen e Aleksandër Vuçiqit në pushtet, në Serbi rifilloi stili i regjimit të Sllobodan Millosheviqit, që ishte ndërprerë. Kjo sepse Vuçiqi dhe partia e tij, së bashku me Ivica Daçiqin, pasardhësin e Millosheviqit në krye të Partisë Socialiste të Serbisë, përfaqësojnë një vazhdimësi politike dhe ideologjike të ndërmarrjeve gjenocidale të Serbisë së viteve 1990.

Për këtë arsye, regjimi i Vuçiqit nuk dëshiron ta njohë gjenocidin, sepse qeveria e tij dhe administrata në të cilën ai bën pjesë, ishte bashkëpunëtore e drejtpërdrejtë në këtë krim lufte. Për më tepër, ka një anë tjetër praktike të këtij mohimi të gjenocidit, presioneve që bën, dhe burimeve që Serbia shfrytëzon për të parandaluar miratimin e Rezolutës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, dhe kjo është ruajtja e pushtetit dhe regjimit autoritar të Vuçiqit. Duke investuar në vazhdimin e narrativës revizioniste antiperëndimore që ushqehet nga pakënaqësia, e cila është goxha e përhapur në opinionin publik serb, Vuçiq ka siguruar një turmë njerëzish të zhgënjyer, që janë të gatshëm t’i ushqejnë sukseset e tij elektorale. Këtë bën çdo regjim autoritar, nga ai i Putinit, ai i Orbanit dhe Erdoganit, e deri te ai i Vuçiqit.

Nëse në Serbi do të kishte të drejta të vërteta, drejtësi dhe vetëdije demokratike, ajo vetë do të pranonte të ishte sponsor i kësaj Rezolute në OKB, së bashku me Republikën Srpska dhe Bosnje-Hercegovinën.

Materialet e publikuara në rubrikën “Opinionet” pasqyrojnë mendimin personal të autorit dhe mund të mos përkojnë me qëndrimin e Qendrës.

Ljubomir Filipoviq. Politolog malazez