Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut shpesh pasqyrojnë çarje të thella shoqërore dhe tensione politike që shkojnë përtej rivalitetit të zakonshëm politik. Temat dominuese në diskursin politik nuk janë vetëm çështjet ekonomike apo politikat sociale, por shpeshherë edhe pyetjet për identitetin, historisë kombëtare dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Çështja e identitetit është veçanërisht e rëndësishme në këtë fushatë zgjedhore.
Në qendër të arenës politike të Maqedonisë së Veriut janë pozicionuar dy parti kryesore: VMRO-DPMNE (Organizata e Brendshme Revolucionare Maqedonase – Partia Demokratike për Njësinë Kombëtare të Maqedonisë) dhe SDSM (Lidhja socialdemokrate e Maqedonisë). VMRO-DPMNE, duke luajtur tradicionalisht me kartën e identitetit kombëtar, për të mobilizuar votuesit përdor ndjenjën e zemërimit lindur pas ndryshimeve të fundit në emrin e shtetit. Kalimi nga emri “Maqedoni” në “Maqedonia e Veriut” si pjesë përbërëse e Marrëveshjes së Prespës me Greqinë në vitin 2018, pavarësisht nga promovimi i avancimit të vendit në rrugën drejt integrimit në BE dhe NATO, la shije të hidhur te një pjesë e popullsisë, e cila e percepton këtë si tradhti të interesave kombëtarë.
Anasjelltas, SDSM-ja shpesh mbështetet në të ardhmen e vendit në strukturat evropiane dhe transatlantike. Megjithatë, edhe kjo parti është subjekt i kritikave. Shumëkush e shohin atë si pjesë të një statukuoje, lidhur me korrupsionin dhe joefikasitetin, diçka që çon në apati politike të përhapur mes votuesve. Kjo krijon përshtypjen se votuesit më shpesh votojnë “kundër” sesa “pro” një opsioni të tillë, gjë që pasqyron polarizim të thellë politik brenda vendit.
VMRO-DPMNE përballet po ashtu me sfidën e balancimit të diskursit të saj nacionalist me politikën reale, veçanërisht në lidhje me marrëveshjet me fqinjët për emrin dhe identitetin. Pavarësisht nga dënimi publik i këtyre marrëveshjeve, supozohet se, nëse ato do të vijnë në pushtet, do t’u duhet gjithsesi të gjejnë një mënyrë për t’i zbatuar ato, përndryshe vendi do të përballet me izolim ndërkombëtar.
Përveç marrëdhënieve maqedonase-bullgare dhe maqedonase-greke, dinamika e brendshme midis maqedonasve etnikë dhe shqiptarëve mbetet një nga problemet kryesore të vendit. Shqiptarët përbëjnë gati një të tretën e popullsisë. Konflikti i vitit 2001, përplasjet midis forcave maqedonase të sigurisë dhe rebelëve shqiptarë, çuan në rritjen e përfaqësimit politik të pakicës shqiptare përmes Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI). Që atëherë, BDI-ja është gjithmonë pjesë e pushtit, duke bërë që disa të ndiejnë se ndikimi i tyre është i tepruar dhe i shpërndarë në mënyrë të padrejtë, veçanërisht në dritën e akuzave për korrupsion dhe nepotizëm.
I dukshëm është edhe konflikti në skenën politike shqiptare, ku fraksionet e vogla po distancohen nga BDI-ja dhe po kërkojnë hapësirën e tyre politike. Kjo dëshmon se peizazhi politik i Maqedonisë së Veriut është i fragmentuar jo vetëm sipas dallimeve etnike, por edhe brenda vetë grupeve etnike.
VMRO-DPMNE për herë të parë premton se nuk do të hyjë në koalicion me BDI-në, duke përfshirë në vend të saj opozitën shqiptare në qeveri.
Përveç kësaj, në politikën maqedonase luajnë rolin e tyre ndikimet e jashtme. Edhe pse ndikimi rus nuk është aq i dukshëm këtu sa në pjesët e tjera të Ballkanit Perëndimor, ekziston një nivel i caktuar mbështetjeje nga ana e Rusisë, veçanërisht kur bëhet fjalë për retorikën kundër Perëndimit. Nga ana tjetër, lidhjet me Serbinë dhe Kishën Ortodokse Serbe formojnë një pjesë të kontekstit politik dhe social, veçanërisht përmes VMRO-DPMNE-së, e cila ndonjëherë përdor retorikën fetare ortodokse për përforcimin e narratives së saj nacionaliste. Marrëdhëniet mes Kishës Ortodokse Serbe dhe Maqedonase, ndonjëherë të tensionuara në të kaluarën, kohët e fundit kanë treguar shenja përmirësimi, veçanërisht pas arritjes së një marrëveshjeje për autonominë e Kishës Maqedonase.
Aleksandar Vuçiçi investon fonde të mëdha në fushatën në Maqedoninë e Veriut, dhe falë kësaj, popullariteti i tij është i konsiderueshëm mes maqedonasve.
BDI-ja po ngre alarmin për shkak të trazirave të mundshme paszgjedhore. Më 18 mars, partia shprehu shqetësimin për trazira të mundshme pas zgjedhjeve parlamentare të majit, duke aluduar për një “skenar rus” që mund të ndiqet nga partitë opozitare shqiptare dhe maqedonase, veçanërisht nga VMRO-DPMNE-ja dhe “Levica” (e majta). Edhe pse detajet e këtij skenari të papërcaktuar mbeten të paqarta, shqetësimi i BDI-së buron pikërisht nga frika e veprimeve të bashkërenduara të këtyre partive opozitare, me qëllim destabilizimin e procesit zgjedhor dhe nxitjen e përçarjeve politike. Partia akuzon opozitën për shpifje ndaj kandidatit presidencial të BDI-së, Bujar Osmanit, dhe ndaj kryeministrit të përkohshëm, Talat Xhaferit, duke promovuar në këtë mënyrë një narrativë që është në interes të Rusisë. Duke u bërë thirrje fraksioneve të opozitës që t’u përmbahen standardeve demokratike evropiane në fushatën zgjedhore, BDI-ja i paralajmëron ata kundër veprimeve që mund të minojnë rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe padashur ta kthejnë vendin në orbitën e ndikimit të Moskës.
Në këtë peizazh të ngatërruar politik, çështjet ekonomike dhe të drejtat sociale shpesh kalojnë në plan të dytë, edhe pse ato kanë një rëndësi vendimtare për jetën e përditshme të qytetarëve. Standardet e ulëta të jetesës, niveli i lartë i papunësisë dhe emigracioni i të rinjve në kërkim të mundësive më të mira mbeten probleme kryesore me të cilat përballet Maqedonia e Veriut. Këto sfida ekonomike përforcohen më tej nga korrupsioni shumë i përhapur dhe nga favorizimi i farefisit në institucionet politike dhe ekonomike, gjë që minimizon besimin e qytetarëve ndaj sistemit politik dhe kufizon investimet e huaja.
Arsimi dhe shëndetësia, si fusha kyçe të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve, vuajnë gjithashtu nga mungesa e reformave dhe investimeve. Pavarësisht nga premtimet, elitat politike shpesh nuk janë në gjendje t’i zgjidhin këto probleme themelore, duke çuar në pakënaqësi te votuesit.
Nga ana tjetër, çështjet e politikës së jashtme, veçanërisht në kontekstin e integrimit euroatlantik, mbeten një nga fushat e pakta ku mes aktorëve kryesorë politikë ekziston një konsensus i gjerë. Lëvizja drejt anëtarësimit në BE shihet si një objektiv kyç që mund të sjellë stabilitet dhe prosperitet, megjithëse terreni për atje duket i vështirë, për shkak të sfidave të brendshme dhe të jashtme.
Me afrimin e zgjedhjeve, pritet që partitë politike të fokusohen në mobilizimin e bazave të tyre zgjedhore përmes retorikës së mprehtë dhe thirrjeve ndaj ndjenjave emocionale dhe nacionaliste. Megjithatë, shumë shpresojnë që fushata zgjedhore do t’u hapë rrugë edhe programeve konkrete politike që synojnë nevojat dhe problemet e vërteta me të cilat përballen qytetarët e Maqedonisë së Veriut.
Me afrimin e ditës së zgjedhjeve, duket qartë se rezultatet do të kenë pasoja të thella jo vetëm për dinamikën e brendshme politike të Maqedonisë së Veriut, por edhe për marrëdhëniet dhe aspiratat e saj ndërkombëtare. Votuesit qëndrojnë në një udhëkryq, duke zgjedhur jo vetëm mes ideologjive të ndryshme politike, por edhe mes vizioneve të ndryshme për të ardhmen e vendit të tyre. Zgjedhjet do të jenë një letër lakmusi për vetë demokracinë në Maqedoninë e Veriut, duke matur vullnetin e qytetarëve për të marrë pjesë në procesin politik dhe për të shprehur pikëpamjet e tyre, si dhe do t’u japë liderëve politikë mundësinë për të demonstruar përkushtimin e tyre për t’u shërbyer interesave shoqërore dhe për t’i zgjidhur sa më drejt problemet dhe sfidat me të cilat përballet shoqëria.
Mungesa e lidershipit të fortë po bëhet një tipar gjithnjë e më i dukshëm i skenës politike në Maqedoninë e Veriut, duke shtuar vështirësitë e sfidave sociale dhe politike, edhe kështu të ndërlikuara, me të cilat përballet vendi. Liderët aktualë të fraksioneve kryesore politike, Hristijan Mickoski i VMRO-DPMNE-së dhe Dimitar Kovacevski i LSDM-së, shihen shpesh si figura të cilave u mungon një bosht i fortë personal apo unik, duke vënë në pikëpyetje aftësinë e tyre për të frymëzuar elektoratin dhe për të realizuar ndonjë ndryshim të rëndësishëm.
Mungesa e lidershipit karizmatik është më e dukshme në çastet kur pritet që politikanët kryesorë të demonstrojnë vizion dhe të japin udhëzime për zgjidhjen e problemeve urgjente, të tilla si stagnimi ekonomik, korrupsioni, tensionet etnike dhe integrimi në strukturat evropiane dhe transatlantike. Në mungesë të një lidershipi të fortë, partitë politike, si rrjedhojë, priren t’i rikthehen retorikës së vjetruar dhe strategjive populiste, të cilat, në vend që të zgjidhin problemet, i përkeqësojnë edhe më shumë diferencat shoqërore.
Kjo gjendje e vështirë krijon një barrë shtesë për institucionet demokratike të Maqedonisë së Veriut, të cilat duhet të orientohen jo vetëm ndaj sfidave të brendshme, por edhe ndaj pritjeve të jashtme, veçanërisht në fushën e integrimeve evropiane. Arritja e konsensusit, i nevojshëm për zbatimin e reformave të rëndësishme, një parakusht për përparimin drejt anëtarësimit në BE, po rezulton një detyrë tejet e vështirë pa një lidership të qartë dhe të vendosur.
Për më tepër, mungesa e lidershipit frymëzues ushqen apatinë e votuesve, duke i lënë gjithnjë e më shumë qytetarët të ndihen të shkëputur nga procesi politik. Kur udhëheqësit nuk janë në gjendje të formulojnë një vizion koherent për të ardhmen ose duken më të përqendruar në ruajtjen e pushtetit të tyre, sesa në shërbimin e së mirës publike, qytetarët kanë një qasje skeptike ndaj çdo opsioni politik, duke çuar në pjesëmarrje më të ulët të votuesve në zgjedhje dhe në një rënie të përgjithshme të besimit ndaj sistemit politik.
Në një mjedis të tillë, ekziston një nevojë urgjente për një brez të ri liderësh politikë që mund të sjellin freski, autenticitet dhe risi në diskursin politik. Duhen udhëheqës të cilët janë të aftë të kapërcejnë dallimet e rrënjosura, të formulojnë qëllime të qarta dhe të arritshme, si dhe të mbledhin shoqërinë civile rreth interesave të përbashkëta. Ndonëse këtij transformimi, ka të ngjarë, i duhet shumë kohë dhe mund, ai është jetik për stabilitetin dhe prosperitetin afatgjatë të Maqedonisë së Veriut.
Materialet e publikuara në rubrikën “Opinionet” tregojnë mendimin personal të autorit dhe mund të mos përkojnë me pozicionin e Qendrës.
Ljubomir Filipoviq. Politolog malazez