- Kriza politike në Kroaci
Presidenti kroat, Zoran Milanoviç njoftoi se do të kandidojë në zgjedhjet e parlamentare të planifikuara për datën 17 prill, si kryetar i listës së Partisë Socialdemokrate (SDP) të opozitës dhe si kandidat për kryeministër, duke mbajtur njëkohësisht edhe postin presidencial.
Gjithsesi, duke analizuar situatën, Gjykata Kushtetuese e Kroacisë doli në përfundimin se presidenti në fuqi nuk mund të marrë pjesë në aktivitetet politike të asnjë partie. Nëse ai vendos të kandidojë, duhet të dorëzojë një kërkesë për dorëheqjeje. Në këtë rast, detyrat e presidentit të përkohshëm të shtetit i merr përsipër kryetari i Sabor-it (parlamentit) kroat.
Në komentet e tij për qëndrimin e Gjykatës Kushtetuese, Milanoviçi i quajti autorët e këtij vendimi “gangsterë” dhe deklaroi se “ky është një puç i mirëfilltë”. Ai ka theksuar se nuk ka ndër mend të japë dorëheqje nga posti i presidentit.
Kryeministri, Andrej Plenkoviç, lideri i partisë në pushtet Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ), i konsideroi veprimet dhe deklaratat e Partisë Socialdemokrate dhe të presidentit Milanoviç si një përpjekje për një “mini-grusht shteti”.
Kriza aktuale politike në Kroaci është më e mprehta e viteve të fundit, me pasoja të paparashikueshme. Rreziku kryesor është diskreditimi i institucioneve shtetërore në Kroaci, humbja e besimit ndaj të gjitha forcave politike dhe politikanëve, si dhe kaosi që mund të krijohet në jetën shoqëroro-politike. Duke pasur parasysh se kroatët që jetojnë në Bosnje dhe Hercegovinë janë kryesisht qytetarë të Kroacisë, marrin pjesë në zgjedhje dhe marrin në konsideratë orientimin e Zagrebit në aktivitetet e tyre politike, domosdo, paqëndrueshmëria në Kroaci do të prekë edhe Bosnjën dhe Hercegovinën fqinje.
- SHBA-ja vendos sanksione ndaj kandidatit për president dhe ish-prokurorit të Maqedonisë së Veriut, si dhe ndaj ish-kryebashkiakut të Kosovës.
Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi vendosjen e sanksioneve ndaj ish-kryeprokurores speciale të Maqedonisë së Veriut, Katica Janeva, kryetarit aktual të Karposhit (Maqedonia e Veriut), si dhe ndaj njërit prej kandidatëve për president të vendit, Stevco Jakimovskit dhe ish-kryetarit të komunës së Kaçanikut (Kosovë), Xhabir Zharkut. Sipas njoftimit zyrtar, veprimet e personave të sipërpërmendur kanë cenuar shtetin ligjor dhe besimin e publikut në institucionet demokratike dhe proceset shoqërore.
Sanksioneve iu nënshtruan edhe familjarët më të afërt të personave të sipërpërmendur.
Sipas informacioneve të Departamentit të Shtetit, Janeva ka përdorur ndikimin e saj politik dhe pushtetin zyrtar për përfitime personale, ndërsa Jakimovski dhe Zharku kanë shfrytëzuar për përfitime vetjake pozitën e tyre zyrtare duke ndërhyrë në proceset e prokurimit.
Departamenti i Shtetit thekson se, sanksionet konfirmojnë edhe një herë përkushtimin e SHBA-së ndaj respektimit të ligjit dhe forcimin e institucioneve demokratike në Ballkan.
Kandidati për president, lideri i partisë GROM (Varianti Civil për Maqedoninë), Stevço Jakimovski njoftoi se ishte befasuar nga vendimi i Departamentit të Shtetit për ta përfshirë në të ashtuquajturën “Listë e zezë”, por kjo nuk do të ndikojë negativisht në fushatën e tij zgjedhore, përkundrazi, do të bëhet një motivim edhe më i madh për të.
Sipas komenteve të ekspertëve, sanksionimi i Jakimovskit në periudhën parazgjedhore nuk do të ketë pasoja të drejtpërdrejta, pasi ligji i Maqedonisë së Veriut për masat kufizuese ndaj personave të përfshirë në “listat e zeza” të huaja nuk është miratuar ende.
- BE-ja mund të mos i hapë negociatat e anëtarësimit me Bosnje-Hercegovinën në të ardhmen e afërt
Disa vende të BE-së, veçanërisht Holanda dhe Danimarka, deklaruan mosgatishmërinë e Këshillit Evropian për të hapur negociatat e pranimit me Bosnje-Hercegovinën, siç rekomandoi pak ditë më parë Komisioni Evropian.
Sipas njoftimeve të medies, përfaqësues të disa vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kanë kërkuar sqarime rreth raportit çuditërisht pozitiv të Komisionit Evropian për përpjekjet e integrimit evropian të BiH-s.
Diplomatët që nuk pajtohen me vizionin e Komisionit Evropian në lidhje me hapjen e menjëhershme të negociatave përfundimtare për anëtarësimin e Bosnje-Hercegovinës në BE ofrojnë një kompromis sipas shembullit të vendimit të Këshillit Evropian për Ukrainën dhe Moldavinë dhjetorin e kaluar, i cili konsiston në vendosjen e disa kushteve për fillimin zyrtar të procesit të negociatave. “Ne nuk do të fillojmë negociatat nëse nuk ka reforma të reja”, theksoi një nga përfaqësuesit diplomatikë të një vendi të BE-së, njofton “Politico”.
Një vonesë në integrimin evropian mund të kërcënojë rritjen e euroskepticizmit në BiH. Nga ana tjetër, shumë vëzhgues janë të befasuar nga konkluzionet pozitive të Komisionit Evropian në lidhje me BiH-n në kontekstin e veprimeve dhe deklaratave radikale pro-ruse të liderëve të Republikës Srpska.
- Po përgatitet Serbia të blejë fabrika ushtarake në Republikën Srpska për të nisur prodhimin e dronëve?
Kryetari i Dhomës së Popullit të Asamblesë Parlamentare të Bosnje-Hercegovinës, Kemal Ademoviç, ka paraqitur kërkesë pranë Gjykatës Kushtetuese të Bosnje-Hercegovinës në lidhje me kushtetutshmërinë e ligjit për prodhimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake të Republikës së Srpskas.
Ligji i miratuar nga Asambleja Popullore e Republikës Srpska, më 22 dhjetor 2023, ka hyrë në fuqi më 12 janar 2024 dhe parashikon që lejet për prodhimin dhe riparimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake të jepen nga Republika Srpska. Në këtë mënyrë, thekson Ademovic,
ligji për prodhimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake në Republikën Srpska shkel Kushtetutën e Bosnje-Hercegovinës, e cila thotë se lejet e tilla lëshohen nga Ministria e Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike të Bosnje-Hercegovinës, dhe jo nga qeveria e një njësie të veçantë të BiH-s, e cila është Republika Srpska.
Në të njëjtën kohë, vëzhguesit vendas tregojnë për një dispozitë tjetër të diskutueshme të ligjit të ri.
Ligji i miratuar nga Asambleja Popullore e Republikës Srpska lejon kompanitë e huaja të zotërojnë 49% të aksioneve të fabrikave ushtarake të Republikës Srpska, ndërsa ligji aktual për prodhimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake të Bosnje-Hercegovinës nuk lejon shitjen e strukturave të huaja të ndërmarrjeve në industrinë e specializuar (të mbrojtjes).
Sipas medieve, shkaku për miratimin e Ligjit të ri nga Republika Srpska është përgatitja për shitjen e kompanive nga Serbia të ndërmarrjeve ORAO (Bjelina: riparimi kapital i motorëve turbojet), “Kosmos” (Banja Luka: riparimi i sistemeve të radarëve dhe raketave) dhe Fabrikës se motorëve për përdorime të veçanta (Pale). Interesi i Serbisë për këto ndërmarrje lidhet me planet për prodhimin masiv të dronëve, të deklaruar nga presidenti Aleksandar Vuçiç.
- Përfaqësuesit e Serbisë, Bosnje-Hercegovinës (Republika Srpska) dhe Malit të Zi vëzhguan zgjedhjet në Rusi
Në zgjedhjet presidenciale të Federatës Ruse, delegacioni i “vëzhguesve ndërkombëtarë” nga Serbia kryesohej nga kreu i Partisë Popullore Serbe, ish-ministri i qeverisë së Serbisë, Nenad Popoviç.
Mes vëzhguesve ishin sekretari i Këshillit Social dhe Ekonomik të Serbisë, ish-ministri Dushen Petroviç dhe anëtari i këshillit të qytetit të Nishit, Nenad Stankoviç. Deputeti i parlamentit të bashkisë së Nishit, ish-deputeti i Asamblesë Popullore të Republikës së Serbisë, Millosh Banjur ishte në Sevastopolin e pushtuar nga Rusia, drejtuesi i botimit të Beogradit, “Russian Express”, Goran Simpraga ishte në rajonet e okupuara nga Rusia në qarkun e Zaporizhias.
Rolin e vëzhguesve të zgjedhjeve në Rusi e luajtën tre përfaqësues të Bosnje-Hercegovinës (Republika Srpska). Miroslav Vujiçiçi, deputet i Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të Bosnje-Hercegovinës, Srdjan Mazalica, deputet i Asamblesë Popullore të Republikës Srpska, dhe Sinisha Vidoviç, këshilltar i Kryetarit të Asamblesë Popullore të Republikës Srpska.
Të tre janë anëtarë të partive të koalicionit qeverisës në Republikën Srpska, Vujiçiç dhe Mazalica nga Bashkimi i Social Demokratëve të Pavarur (SNSD): lideri, Milorad Dodik, ndërsa Vidoviçi është anëtar i Partisë së Bashkuar Srpska.
Nga Mali i Zi, rolin e “vëzhguesit ndërkombëtar” në zgjedhjet presidenciale ruse e kishte Boban Radoviçi, sekretar i përgjithshëm i partisë “Mali i Zi i Lirë” dhe deputet i këshillit të qytetit të Podgoricës. Duke komentuar këto informacione, lideri i kësaj partie dhe shefi i shërbimit për qytetarët e kryeqytetit malazez, Vlladislav Dajkoviçi, deklaroi para gazetarëve se nuk sheh asgjë kontradiktore këtu.
Edhe më skandaloz duket udhëtimi në Rusi i një politikani nga Mali i Zi. Nëse Serbia dhe Republika Srpska (BiH) përfaqësoheshin nga figura të njohura pro-ruse, Mali i Zi përfaqësohej nga një përfaqësues i koalicionit qeverisës që pozicionohet si properëndimor. Përfaqësues të partisë “Mali i Zi i Lirë” janë përfshirë në listën e lëvizjes në pushtet, “Evropa Tani” (Pokret Evropa sad), në zgjedhjet e fundit lokale në Mal të Zi.
Situata me një “vëzhgues zgjedhor” në Federatën Ruse nga koalicioni qeverisës në Mal të Zi ngre sërish pikëpyetje për pranueshmërinë e pjesëmarrjes në pushtet në Malin e Zi, një vend i NATO-s e forcave politike të pro-Kremlinit.
- Në Mal të Zi, mbështetja e shoqërisë për anëtarësimin në NATO është më e ulëta
Mali i Zi ka mbështetjen më të ulët publike për anëtarësimin në NATO dhe numrin më të madh të qytetarëve që mbështesin largimin nga Aleanca nga të gjitha vendet e bllokut. Këtë e dëshmojnë rezultatet e sondazheve të opinionit publik të publikuara në raportin e radhës vjetor të NATO-s për vitin 2023.
Nëse do të caktohet një referendum për anëtarësimin në NATO, 46% e të anketuarve do të votonin për të mbetur në NATO, 44% kundër dhe 10% të pavendosur.
Krahasuar me raportin e mëparshëm, numri i atyre që janë pro largimit nga NATO është rritur me 12%, ndërsa numri i mbështetësve të Aleancës është ulur me 2%. Nëse krahasojmë të dhënat e pesë raporteve të fundit, del se mbështetja për anëtarësimin në NATO të Malit të Zi nuk ka qenë asnjëherë më e ulët se vitin e kaluar. Në të njëjtën kohë, kundërshtimi për anëtarësimin në Aleancë nuk ka qenë kurrë më i lartë.
Në asnjë vend tjetër anëtar të NATO-s, mbështetja për anëtarësim nuk është më e ulët se 50%. Vetëm në Mal të Zi, pjesa e kundërshtarëve të pjesëmarrjes në Aleancë kalon 35%.
Siç dihet, Mali i Zi është anëtarësuar në NATO më 5 qershor 2017.
Ministri malazez i Mbrojtjes, Dragan Krapoviç tha se institucioni do të analizojë në detaje kërkimet më të fundit rreth mbështetjes së qytetarëve për anëtarësimin në NATO dhe, në përputhje me rrethanat, do të korrigjojë strategjinë e komunikimit.
Opozita thekson se rënia e besimit në NATO është rezultat i aktiviteteve të partive antiperëndimore, proruse në Mal të Zi, të cilat janë anëtare të koalicionit qeverisës.