1. Hyrje
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Republikën e Kosovës përballet me një afat të shkurtër kohor, për organizimin e zgjedhjeve të reja të parakohshme parlamentare, të cilat shënojnë ciklin e tretë zgjedhor brenda një periudhe prej afërsisht një viti e gjysmë. Zgjedhjet e parakohshme të cilat do të organizohen me datën 7 prill, erdhen si rezultat i krizës politike për zgjedhjen e Presidentit të Republiksës. Partitë politike në Kuvendin e Kosovës dështuan të arrijnë konsensus politik për emrin e përshtatshëm për tu zgjedhur President i vendit. Në mungesë të kuorumit të mjaftueshëm prej 2/3 (80) të deputetëve, Kuvendi u vet shpërnda.
Zgjedhja e Presidentit në Kosova ka shërbyer në mënyrë të përsëritur si katalizator i krizave institucionale dhe politike, duke reflektuar jo vetëm tensionet ndërmjet akterëve politikë, por edhe kufizimet strukturore të vetë sistemit kushtetues. Në vend që të funksionojë si një proces formal i stabilizimit institucional, kjo procedurë shpesh është shndërruar në pikë bllokimi, duke prodhuar vakum institucional, interpretime të kontestuara kushtetuese dhe, në raste të caktuara, edhe shpërndarje të Kuvendit dhe thirrje për zgjedhje të reja si në rastin e 28 prillit 2026. Në këtë kontekst, zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë perceptuar si një mekanizëm legjitim për zhbllokimin e krizave politike, duke ofruar mundësinë për rikonfigurim të raportit të forcave dhe krijim të një shumice funksionale. Megjithatë, përvoja politike në Kosovë sugjeron se zgjedhjet jo gjithmonë prodhojnë stabilitet të qëndrueshëm institucional. Përkundrazi, në kushte të fragmentimit të lartë partiak dhe mungesës së një kulture të konsensusit, ato mund të kontribuojnë në riprodhimin e të njëjtave konfigurime politike që kanë gjeneruar krizën fillestare.
Ky artikull synon të analizojë në mënyrë kritike rolin e zgjedhjeve si instrument potencial për zhbllokimin e krizave politike në Kosovë, duke shqyrtuar njëkohësisht kufizimet e tyre strukturore dhe efektet e mundshme në riprodhimin e ngërçit institucional. Duke u mbështetur në një qasje ndërdisiplinore që kombinon analizën kushtetuese me perspektivën e shkencave politike, artikulli trajton pyetjen nëse zgjedhjet përfaqësojnë një zgjidhje reale për krizën e zgjedhjes së Presidentit, apo nëse ato funksionojnë më shumë si një mekanizëm ciklik që e shtyn dhe e riprodhon krizën në forma të reja.
Në këtë kuadër, fillimisht paraqitet një kornizë teorike mbi krizat institucionale me një analizë të dispozitave kushtetuese dhe praktikës institucionale në Kosovë, pastaj një vështrim analitik rreth bllokadave politike; duke vazhduar me analizën e fragmentimit të skenës politike dhe logjika e konkurrencës partiake; deri tek skenarët e mundshëm politikë dhe implikimet e tyre për stabilitetin institucional dhe funksionimin demokratik të shtetit; si dhe ndryshimet e mundshme kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit në Kosovë.
Pyetja kryesore që parashtrohet: A janë zgjedhjet mjet zhbllokimi apo mekanizëm që e riprodhon krizën?
Hipoteza kryesore që ngritet është: Zgjedhjet, në mungesë të reformave strukturore dhe kultures së kompromisit, kanë tendencë të riprodhojnë krizën?
2. Krizat e përsëritura rreth zgjedhjes së Presidentit në Kosovë
Krizat e përsëritura rreth zgjedhjes së Presidentit në Kosova përbëjnë një nga simptomat më të dukshme të paqëndrueshmërisë institucionale dhe fragmentimit të skenës politike. Në një sistem parlamentar ku Presidenti zgjidhet nga Kuvendi, ky proces kërkon jo vetëm përmbushjen e kritereve formale kushtetuese, por mbi të gjitha një nivel të caktuar konsensusi politik ndërmjet forcave parlamentare. Pikërisht mungesa e këtij konsensusi e ka shndërruar zgjedhjen e Presidentit në një moment kritik, shpeshherë bllokues për funksionimin normal të institucioneve.
Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës përbën një nga procedurat më konsensuale të parashikuara nga Kushtetuta, duke kërkuar jo vetëm shumicë të cilësuar votash, por edhe kuorum të lartë parlamentar. Jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese ka theksuar se këto kërkesa nuk janë formale, por substanciale, me qëllim të garantimit të legjitimitetit demokratik dhe rolit unifikues të Presidentit. Vendimi i Gjykatës kushtetuese i vitit 20111, për kuorumin e mjaftueshëm për procedurën e zgjedhjes së Presidentit ka krijuar në disa raste kriza politike.
Kriza e pare me të cilën është përballur Kosova ka qenë rasti i zgjedhjes së biznesmenit Behxhet Pacolli si president në vitin 2011.
Kushtetuta e Kosovës e përcakton se zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3 që është e barabartë me 80 deputet nga 120 sa ka Kuvendi) e votave të gjithë deputetëve të Kuvendit. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve (nëse janë nominuar me shumë se 2 shumë kanidatë) të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të gjithë deputetëve (61 vota), zgjedhet President i Republikës së Kosovës. Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh (neni 86 i Kushtetutës). Procedura e zgjedhjes me shumicën e thjeshtë prej 61 votave duket e thjeshtë, por në realitet, paraqet vështirësi praktike arritja e kuorumit për fillimin e procedures së zgjedhjes së presidentit. Gjykata Kushtetuese me aktgjykimin Nr. ref.: AGJ 107/1, 30.03.2011, ka shpallur kundër kushtetuese zgjedhjen e z. Behxhet Pacolli si president i vendit. Sipas këtij aktgjykimi prezenca e 2/3 të deputetëve të Kuvendit të Kosovë me rastin e zgjedhjes së presidentit të Republikës është kusht i domosdoshëm në të gjitha raundet. Mungesa e kuorumit e bën procesin antikushtetues, pavarësisht rezultatit të votimit. Në dimensionin politik, krizat rreth zgjedhjes së Presidentit janë të lidhura ngushtë me strukturën e fragmentuar të sistemit partiak. Mungesa e një shumice të qëndrueshme parlamentare dhe polarizimi ndërmjet aktorëve kryesorë krijojnë kushte ku çdo proces që kërkon bashkëpunim ndërpartiak bëhet potencialisht konfliktual. Duke marrë parasysh dispozitat e Kushtetutës dhe jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, për zgjedhjen e Presidentit, kërkohet një konsensus i gjerë politik në vend.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në vitin 2011, partitë politike parlamentare nen presionin e Ambasades Amerikane, posaqërsisht shkelqësisë së tij ambasadorit Cristopher Dell, arriten konsensusin për zgjedhjen e znj. Atifete Jahjaga si Presidente e Kosovës. Znj. Jahjaga e përfundoi mandantin e plotë në mënyrë të suksesshme (2011-2016). Në vitin 2016 pas një koalicioni ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës PDK dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës LDK (si dy partitë më të mëdhaja në atë kohë), pas një procesi të kundërshtuar nga opozita e atëhershme e drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje LVV, Aleanca për Ardhmerinë e Kosovës AAK dhe Nisma Socialdemokrate, Hashim Thaqi lideri i PDK-së, u zgjodh President i Republikës së Kosovës. Pas dorëheqjes nga pozita e Presidentit nga Thaqi (pas ngritjes së aktakuzës nga Dhomat e Specializuara në Hagë) në vitin 2020, fillimisht si ushtrues detyre i Presidentit duke u bazuar në dispozitat kushtetuese – ex ofition e mori mandatin znj. Vjosa Osmani e cila mbante postin e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Pas zgjedhjeve të vitit 2021, me konsensus politik të partive parlamentare në Kuvendin e Kosovë, znj. Vjosa Osmani u zgjodh Presidente e vendit. Znj. Osmani e përfundoi mandatin kushtetues me datën 4 prill 2026. Partitë politike në vend dështuan të arrinin konsensus politik për emrin e kandidatit për tu votuar për president dhe me datën 7 qershor do të organizohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Kriza politike që dërgoi ne zgjedhje të parakohshme u prodhua si rezultat i këmbnguljes së partisë fituese të zgjedhjeve Lëvizja Vetëvendoje (LVV). LVV-ja dhe lideri i saj Albin Kurti insistonin në të drejtën legjitime që Presidenti të zgjedhet me propozimin e tyre. Albin Kurti ju ofroi bashkëqeverisje partive opozitare LDK-së dhe PDK-së. LDK-së iu ofrua pozita e Zëvendëskryeministrit dhe katër ministri. Më vonë, u ofrua edhe pozita e Kryetarit të Kuvendit për LDK-në, por që të dyja ofertat u refuzuan nga Lumir Abdixhiku, Kryetar i LDK-së. LDK-ja refuzoi ofertat duke argumentuar se LVV-ja synonte të mbante kontrollin mbi të tria institucionet (Qeverinë, Kuvendin dhe Presidencën) dhe se ofertat ishin joserioze. Përplasjet vazhduan deri në skadimin e afatit kushtetues (28 prill 2026), duke e futur vendin në krizë dhe duke shkuar drejt zgjedhjeve. Kryeministri dhe lideri i LVV-së Albin Kurti i paraqiti ofertë për bashkëqeverisje edhe PDK-së. Z. Kurti ofroi postin e Kryetarit të Kuvendit, duke propozuar një “rrokadë” ku ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, do t’i lironte vendin (pozitën e kryekuvendarit) një përfaqësuesi të PDK-së, si Bedri Hamza apo Vlora Çitaku. Bedri Hamza dhe PDK-ja kërkoi që oferta të ishte e shkruar dhe zyrtare, ndërsa më vonë e refuzoi atë, duke e cilësuar si manovër politike.
Ftesat për partitë opozitare nga z. Kurti, u dëshmuan se ishin manovra politike dhe të cilat nuk ishin të sinqerta për të zgjedhur Presidentin e vendit dhe për të shmangur zgjedhjet e parakohshme. Kjo u fuqizua kur Kryeministri Kurti një ditë para skadimit të afatit kushtetues, propozoi dy emra tjerë për President: znj. Feride Rushiti dhe znj. Hatixhe Hoxha. Të dy figurat e propozuara nga Kurti rezultuan të jenë afërta me LVV-në. Duke propozuar kandidatë anëtar të LVV-së, ose të afërm me Kryeministrin Kurti, LVV-ja e bëri të qartë se nuk dëshiron një president konsensual dhe të paanshëm politik. Propozimet që ju bëri partive politike opozitare për marrëveshje dolen të ishin marrëveshje pë pozita tjera e jo për postin e presidentit. Pra, Kryeministri Kurti e bëri të qartë se Presidenti duhet të jetë figurë nga LVV-ja dhe i kontrollueshëm nga ai. Kjo u bë edhe më e qartë, kur Kryeministri Kurti refuzoi ta propozonte znj. Vjosa Osmani për Presidente. Pas mospajtimeve me udhëheqjen e atëhershme të LDK-së, znj. Osmani formoi nismën “Guxo” dhe garoi në listë të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje në zgjedhjet e shkurtit 2021. Lista e përbashkët LVV+Guxo fituan zgjedhjet me më shumë se 50% dhe u krijuan institucionet e reja nga këto dy forca politike. Znj. Osmani u zgjedh Presidente, ndërsa z. Kurti Kryeministër i Kosovës. Binomi Kurti – Osmani në përgjithësi funksionoi mirë me dallime të vogla, por autoriteti ndërkombëtar i Presidentes Osmani si duket i pengoi Kryeministrit Kurti. Situata e pakënaqësisë kulmoi me ftesën që i bëri Presidenti Trump, znj. Osmani ti bashkohet Bordit të Paqes për Gazen.
Përçarja e madhe ose prishja definitive e raporteve ndërmjet presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti erdhi si pasojë e mosmarrëveshjeve për pushtet dhe mbështetjen për një mandat të dytë presidencial, me zërat përçarës që janë intensifikuar ndjeshëm gjatë vitit 2026. Kjo përqarje krijoi krizën e Presidentit dhe vendi do ti drejtohet kutive të votimit me datë 7 qershor.
Krizat e përsëritura rreth zgjedhjes së Presidentit në Kosova nuk mund të kuptohen thjesht si dështime të momentit politik, por si reflektim i një problemi më të thellë strukturor—ndërthurjes së një arkitekture kushtetuese që kërkon konsensus me një realitet politik të karakterizuar nga polarizimi i elitës politike dhe mungesës së kompromisit. Pa adresimin e këtij hendeku ndërmjet normës dhe praktikës, krizat e tilla pritet të mbeten pjesë e vazhdueshme e jetës institucionale të vendit.
3. Korniza teorike (framework analitik) – Kriza institucionale dhe bllokada politike
Në sistemet parlamentare, funksionimi efektiv i institucioneve varet nga aftësia e aktorëve politikë për të ndërtuar shumica funksionale dhe për të arritur kompromis institucional. Në situata kur partitë politike dështojnë të prodhojnë marrëveshje minimale për çështje kyçe shtetërore, krijohet ajo që në teorinë politike njihet si “deadlock institucional”, përkatësisht bllokadë institucionale. Ky fenomen nënkupton pamundësinë e institucioneve për të ushtruar funksionet e tyre kushtetuese për shkak të konfliktit politik, fragmentimit parlamentar ose mungesës së konsensusit ndërmjet akterëve relevantë.
Në kontekstin e Kosovës, procesi i zgjedhjes së Presidentit ka prodhuar në mënyrë të përsëritur situata të tilla bllokuese. Meqenëse Presidenti zgjidhet nga Kuvendi dhe kërkon shumica të caktuara parlamentare, çdo krizë e koalicioneve ose polarizim politik reflektohet drejtpërdrejt në funksionalitetin institucional. Në këtë mënyrë, zgjedhja e Presidentit shndërrohet nga procedurë kushtetuese në instrument të negociimit politik dhe presionit ndërpartiak.
Sistemet parlamentare të karakterizuara nga fragmentim i lartë partiak janë veçanërisht të ndjeshme ndaj krizave institucionale. Në këto sisteme, asnjë subjekt politik nuk arrin të sigurojë dominim të qartë parlamentar, duke e bërë të domosdoshëm krijimin e koalicioneve shpeshherë të brishta dhe heterogjene. Sa më i madh fragmentimi politik, aq më e vështirë bëhet arritja e konsensusit për çështje që kërkojnë shumicë të cilësuar ose bashkëpunim ndërpartiak.
Sipas Arend Lijphart, shoqëritë pluraliste dhe të fragmentuara kërkojnë modele konsensuale të demokracisë, të bazuara në kompromis, ndarje pushteti dhe përfshirje të gjerë politike. Në mungesë të një kulture të tillë konsensuale, sistemet parlamentare rrezikojnë të prodhojnë paqëndrueshmëri dhe bllokadë të vazhdueshme institucionale.
Një nga dallimet më të rëndësishme në teorinë demokratike është ai ndërmjet legjitimitetit formal dhe legjitimitetit funksional të institucioneve politike.
Legjitimiteti formal lidhet me përputhshmërinë procedurale dhe juridike të pushtetit me rregullat demokratike, kryesisht përmes zgjedhjeve të lira dhe kushtetuese. Në këtë kuptim, zgjedhjet përfaqësojnë mekanizmin bazë për prodhimin e autoritetit politik dhe për transferimin demokratik të pushtetit.
Megjithatë, ekzistenca e legjitimitetit formal nuk garanton domosdoshmërisht funksionalitet institucional. Legjitimiteti funksional nënkupton aftësinë reale të institucioneve për të qeverisur, për të marrë vendime dhe për të garantuar stabilitet politik dhe juridik. Një sistem politik mund të jetë plotësisht legjitim nga aspekti procedural, por njëkohësisht jofunksional për shkak të bllokadave politike dhe mungesës së kapacitetit për vendimmarrje efektive.
Në këtë kontekst, Juan Linz argumenton se krizat politike shpesh lindin jo vetëm nga mungesa e legjitimitetit formal, por edhe nga dobësimi i efektivitetit institucional dhe humbja e kapacitetit të sistemit për të prodhuar stabilitet politik. Për këtë arsye, demokracitë parlamentare kërkojnë jo vetëm procedura zgjedhore legjitime, por edhe mekanizma funksionalë bashkëpunimi ndërmjet aktorëve politikë.
Zgjedhjet demokratike konsiderohen mekanizmi themelor i legjitimitetit politik në sistemet demokratike. Përmes tyre qytetarët delegojnë autoritetin politik dhe përcaktojnë përfaqësuesit institucionalë. Në periudha krizash politike, zgjedhjet e parakohshme shpesh paraqiten si instrument për zhbllokimin institucional dhe rikthimin e legjitimitetit demokratik. Megjithatë, zgjedhjet nuk prodhojnë domosdoshmërisht stabilitet politik. Në sisteme të fragmentuara dhe të polarizuara, ato mund të funksionojnë si një “shpatë me dy tehe” (double-edged sword): nga njëra anë, krijojnë legjitimitet të ri politik; ndërsa nga ana tjetër, mund të thellojnë ndarjet ekzistuese dhe të riprodhojnë të njëjtat konfigurime parlamentare që kanë shkaktuar krizën fillestare.
Në rastin e Kosova, zgjedhjet e parakohshme shpesh janë përdorur si mekanizëm për dalje nga ngërçi institucional. Megjithatë, përvoja politike ka treguar se, në mungesë të ndryshimeve substanciale në raportet politike ose kulturën e kompromisit, ato jo rrallë kanë prodhuar cikle të reja paqëndrueshmërie dhe krizash institucionale. Kjo u pa qartë gjatë vitit të fundit, ku u organizuan dy pale zgjedhje parlamentare dhe pritet te organizohen edhe të tretat brenda një viti e gjysëm. Në këtë mënyrë, zgjedhjet mund të shërbejnë njëkohësisht si instrument demokratik legjitimues dhe si faktor i riprodhimit të polarizimit politik. Ky konstatim ndërlidhet edhe me qasjen politike të liderit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryeministrit Albin Kurti, i cili shpesh është perceptuar si prirur drejt centralizimit të pushtetit dhe kontrollit më të madh institucional. Narrativa politike e ndërtuar kundër opozitës, e paraqitur si përgjegjëse për korrupsionin e akumuluar ndër vite dhe për marrëveshjet e kontestuara me Serbia, i ka mundësuar Kurtit të fitojë mbështetje të konsiderueshme në opinionin publik. Kjo mbështetje është reflektuar veçanërisht tek një pjesë e elektoratit dhe nga diaspora shqiptare në vendet perëndimore, të cilët e kanë perceptuar diskursin e tij si alternativë ndaj elitave tradicionale politike.
4. Fragmentimi i skenës politike dhe logjika e konkurrencës partiake
Skena politike në Kosova karakterizohet prej vitesh nga një nivel i lartë fragmentimi politik dhe polarizimi ndërmjet subjekteve kryesore parlamentare. Edhe pse zgjedhjet e fundit kanë prodhuar një subjekt dominues në raport me të tjerët, struktura e përgjithshme parlamentare vazhdon të mbetet e ndarë dhe e varur nga dinamika e koalicioneve, mbështetjes taktike dhe kalkulimeve afatshkurtra politike. Në një ambient të tillë, proceset që kërkojnë konsensus institucional—si zgjedhja e Presidentit—shpesh shndërrohen në instrument të rivalitetit politik dhe jo të bashkëpunimit demokratik.
Logjika e funksionimit të partive politike në sisteme të fragmentuara dominohet kryesisht nga kalkulimi elektoral. Në vend të orientimit drejt kompromisit institucional, partitë politike shpesh synojnë maksimizimin e përfitimit elektoral dhe ruajtjen e kapitalit politik para elektoratit të tyre. Për pasojë, kompromisi mund të perceptohet si dobësi politike, ndërsa qëndrimet konfrontuese si instrument për mobilizim elektoral dhe konsolidim të mbështetjes partiake. Një qasje e tillë është reflektuar edhe në strategjinë politike të Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje, të cilët diskursin politik e kanë ndërtuar kryesisht mbi polarizimin me opozitën dhe paraqitjen e vetes si alternativë ndaj elitave tradicionale politike. Në këtë kuadër, ruajtja e një narrative konfrontuese ndaj opozitës ka shërbyer jo vetëm si mekanizëm i diferencimit politik, por edhe si instrument për mobilizimin e elektoratit dhe forcimin e legjitimitetit politik të qeverisë. Si rezultat, kompromisi institucional shpesh perceptohet si potencialisht i kushtueshëm në aspektin elektoral, veçanërisht në një ambient politik ku retorika anti-establishment dhe polarizimi vazhdojnë të prodhojnë mbështetje të konsiderueshme publike.
Në këtë kontekst, mungesa e incentivave për kompromis paraqitet si një nga faktorët kryesorë të bllokadave institucionale në Kosova. Kur partitë politike vlerësojnë se zgjedhjet e reja mund t’u sjellin përfitim më të madh politik sesa arritja e marrëveshjes, atëherë interesi për zhbllokim institucional zëvendësohet nga strategjia e kalkulimit elektoral. Si rezultat, institucionet shtetërore shpesh bëhen pjesë e një loje taktike për dominim politik, e jo mekanizma funksionalë të qeverisjes demokratike. Një dimension i rëndësishëm i kësaj situate lidhet edhe me krizën e lidershipit brenda partive tradicionale opozitare, veçanërisht Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Mungesa e një lidershipi të konsoliduar dhe e një vizioni të qartë politik ka kufizuar kapacitetin e këtyre subjekteve për të ndërtuar alternativa bindëse qeverisëse dhe për të ushtruar rol efektiv opozitar. Në vend të një strategjie afatgjatë për stabilitet institucional dhe rikthim të besimit publik, opozita shpesh është fokusuar në kalkulime taktike dhe kundërshtim politik të momentit, duke e bërë edhe më të vështirë krijimin e një klime bashkëpunimi institucional. Në këtë mënyrë, dobësia e lidershipit opozitar ka kontribuar jo vetëm në fragmentimin e skenës politike, por edhe në vazhdimin e logjikës së polarizimit dhe bllokadës institucionale. Kjo dinamikë reflektohet edhe në rastin e Ramush Haradinaj dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ku ndonëse subjekti politik ka pasur mbështetje relativisht të kufizuar elektorale, në disa procese politike ka arritur të luajë rol vendimtar në formimin e qeverive. Fakti që Haradinaj ka ushtruar dy herë funksionin e Kryeministrit me një përqindje relativisht të ulët të votave në nivel kombëtar ilustron natyrën fragmentare të sistemit politik në Kosovë dhe rëndësinë disproporcionale që partitë më të vogla mund të kenë në konfigurimet koalicionuese. Në këtë mënyrë, procesi i formimit të institucioneve shpesh nuk përcaktohet vetëm nga pesha elektorale, por nga aftësia për negociim politik dhe pozicionimi strategjik brenda koalicioneve parlamentare.
Një dimension tjetër i rëndësishëm lidhet me raportin ndërmjet pozitës dhe opozitës. Në sistemet parlamentare funksionale, opozita luan rol mbikëqyrës dhe alternativ qeverisëse, duke kontribuar njëkohësisht në ruajtjen e stabilitetit institucional. Megjithatë, në kontekste të polarizuara politike, raporti pozitë–opozitë shpesh kalon nga konkurrenca demokratike në antagonizëm të vazhdueshëm politik. Në raste të tilla, edhe çështjet me rëndësi shtetërore trajtohen përmes logjikës së përfitimit politik afatshkurtër.
Pikërisht këtu shtrohet pyetja thelbësore për funksionalitetin e sistemit politik në Kosova: a kanë aktorët politikë interes real për zhbllokim institucional dhe stabilitet demokratik, apo krizat politike shfrytëzohen si mekanizëm për akumulim të kapitalit politik dhe elektoral? Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje është vendimtare për të kuptuar nëse zgjedhjet e parakohshme përfaqësojnë zgjidhje reale të krizës apo vetëm riprodhim të saj në një formë të re politike.
5. Skenarët e mundshëm për dalje nga kriza
Kriza institucionale lidhur me zgjedhjen e Presidentit në Kosova mund të prodhojë disa skenarë të mundshëm politikë dhe institucionalë, të cilët varen nga raportet parlamentare, sjellja e aktorëve politikë dhe gatishmëria për kompromis. Në këtë kuadër, zgjedhjet e parakohshme shpesh paraqiten si alternativa kryesore për zhbllokimin e situatës, ndonëse përvoja politike në Kosovë tregon se ato jo domosdoshmërisht garantojnë stabilitet afatgjatë institucional.
Skenari 1: Zgjedhjet si mekanizëm zhbllokimi
Një nga skenarët më të mundshëm për dalje nga kriza është organizimi i zgjedhjeve të reja parlamentare, me shpresën se ato do të prodhojnë një konfigurim më stabil politik dhe një shumicë funksionale parlamentare. Në teori, zgjedhjet e parakohshme shërbejnë si mekanizëm demokratik për ripërtëritjen e legjitimitetit politik dhe rikonfigurimin e raportit të forcave ndërmjet partive politike.
Ky skenar funksionon kryesisht në rastet kur zgjedhjet prodhojnë: 1.) Një shumicë më të qartë parlamentare (nëse LVV-ja merr ma shumë se 51.1 %); 2.) Koalicione ndërmjet partive politike; 3.) LVV-ja merr përqindje të njëjtë të votive, pra 51.1%.
Mundësia e parë – e cila synohet nga LVV dhe Kryeministri Kurti është rritja e numrit të votive të fituara, d.m.th. më shumë se 51.1 % (sa ka marrë në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2026) deri ne 55-57%, që do të përkthehej në 62-63 deputet. Ky skenar do të eliminonte politikisht një pjesë të liderëve politik dhe partive opozitare nuk u mbetet alternativë tjetër vetë votimi i Presidentit të propozuar nga LVV-ja.
Mundësia e dytë – më mundshme të ndodh LVV-ja të fitoi 42% dhe të fitoi 47 mandate në Kuvendin e Kosovë prej 120. Në këtë skenar, LVV-ja detyrohet të bëjë koalicion me njërën nga partitë opozitare dhe do të pranoj negocimin e Presidentit. Në këto rrethana, zvogëlohet mundësia e bllokadës institucionale dhe rritet kapaciteti i institucioneve për vendimmarrje efektive, përfshirë edhe zgjedhjen e Presidentit.
Mundësia e tretë – zgjedhjet prodhojnë rezultate të ngjashme me konfigurimin ekzistues politik, atëherë kriza rrezikon të riprodhohet në formë të re. Në sisteme të fragmentuara si ai i Kosovës, zgjedhjet mund të ndryshojnë raportet numerike, por jo domosdoshmërisht kulturën politike të konfrontimit dhe mungesës së kompromisit. Për këtë arsye, zgjedhjet e parakohshme mund të shndërrohen nga instrument zhbllokimi në mekanizëm të përsëritjes së krizës institucionale.
Skenari 2: Riprodhimi i krizës politike
Një tjetër skenar realist është vazhdimi i të njëjtës logjikë politike edhe pas zgjedhjeve. Nëse struktura politike mbetet e fragmentuar dhe partitë vazhdojnë të operojnë mbi baza të kalkulimit elektoral dhe polarizimit politik, atëherë ekziston rreziku që zgjedhjet të mos prodhojnë zgjidhje reale, por vetëm një “reset formal” institucional.
Në këtë rast:
- krijohen institucione të reja,
- por ruhet i njëjti raport konfliktual ndërmjet aktorëve politikë,
- duke prodhuar ngërç të ngjashëm me atë paraprak.
Ky fenomen është karakteristik për sistemet ku zgjedhjet përdoren më shumë si instrument taktik për rikonfirmim politik sesa si mekanizëm për ndërtim konsensusi institucional. Për pasojë, kriza nuk zgjidhet në substancë, por vetëm shtyhet përkohësisht deri në momentin e bllokadës së ardhshme politike.
Në rastin e Kosovës, përvoja politike e viteve të fundit ka treguar se zgjedhjet e shpeshta parlamentare nuk kanë eliminuar paqëndrueshmërinë institucionale, por në disa raste kanë kontribuar në thellimin e polarizimit politik dhe rivalitetit ndërpartiak.
Skenari 3: Zgjidhje jashtë zgjedhjeve
Një alternativë tjetër për dalje nga kriza është arritja e një marrëveshjeje politike pa shkuar në zgjedhje të reja. Ky skenar mbështetet në logjikën e kompromisit institucional dhe bashkëpunimit ndërmjet pozitës dhe opozitës për ruajtjen e stabilitetit shtetëror.
Një zgjidhje e tillë mund të përfshijë:
- marrëveshje politike ndërmjet partive parlamentare,
- mbështetje për një kandidat konsensual për President,
- ose dakordim për një agjendë minimale institucionale.
Në teori, ky është skenari më racional nga perspektiva e stabilitetit institucional, sepse shmang kostot politike dhe financiare të zgjedhjeve të reja dhe garanton vazhdimësi institucionale. Megjithatë, realizimi i tij kërkon nivel të lartë besimi politik dhe gatishmëri për kompromis—elemente që shpesh kanë munguar në skenën politike të Kosovës.
Në këtë kontekst, nuk mund të përjashtohet as roli i faktorëve ndërkombëtarë, të cilët historikisht kanë ushtruar ndikim në proceset politike dhe institucionale në Kosovë. Në situata të krizave të thella, presioni diplomatik ndërkombëtar mund të shërbejë si faktor shtesë për arritjen e marrëveshjeve politike dhe shmangien e bllokadës institucionale.
6. Ndryshimet kushtetuese dhe zgjedhjen e Presidentit në Kosovë
Krizat e përsëritura rreth zgjedhjes së Presidentit në Kosova kanë nxitur vazhdimisht debate politike dhe akademike mbi nevojën për reforma kushtetuese lidhur me mënyrën e zgjedhjes së kreut të shtetit. Modeli aktual kushtetues parashikon zgjedhjen e Presidentit nga Kuvendi, përmes shumicave të cilësuara në raundet e para dhe shumicës së thjeshtë në raundin e tretë me kushtin që arritjes së kuorumit prej 2/3 të deputetëve në dy votimet e para. Megjithatë, praktika politike ka treguar se ky mekanizëm shpesh është shndërruar në burim bllokadash institucionale dhe krizash politike.
Çështja e mënyrës së zgjedhjes së Presidentit në Kosova është diskutuar vazhdimisht, sidomos pas krizave të përsëritura institucionale që kanë shoqëruar këtë proces. Debati është fokusuar kryesisht në dy alternativa: ruajtjen e modelit aktual parlamentar me reforma procedurale, ose kalimin në zgjedhje të drejtpërdrejta nga populli.
Propozimet për reforma kushtetuese
Pas krizës politike të vitit 2011 dhe zgjedhjes së Atifete Jahjaga, ishte diskutuar seriozisht mundësia e ndryshimeve kushtetuese për reformimin e institucionit të Presidentit, me synimin për të shmangur bllokadat parlamentare dhe krizën e negociatave politike brenda Kuvendit. Një nga propozimet kryesore kishte të bënte me:
Zgjedhjen e Presidentit drejtpërdrejt nga qytetarët.
Pas shpalljes jokushtetuese të zgjedhjes së Behgjet Pacolli nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës në vitin 2011, Kosova u përball me krizë të thellë institucionale dhe politike. Për të shmangur zgjedhje të reja dhe për të stabilizuar situatën, partitë politike arritën një marrëveshje politike, e cila çoi në zgjedhjen e znj. Atifete Jahjaga si figurë konsensuale dhe jopartiake. Si pjesë e kësaj marrëveshjeje, u parapa edhe reformimi i mënyrës së zgjedhjes së Presidentit përmes ndryshimeve kushtetuese, me synimin që në të ardhmen Presidenti të zgjidhej drejtpërdrejt nga qytetarët.
Pas marrëveshjes politike, u themelua një komision për reforma kushtetuese, i cili përgatiti draft-amendamente kushtetuese. Ndër propozimet kryesore ishte:
- Kalimi nga zgjedhja parlamentare në zgjedhje të drejtpërdrejtë të Presidentit,
- Kufizimi i mandatit të Presidentes Jahjaga, me qëllim që reforma të hynte më shpejt në fuqi dhe të organizoheshin zgjedhje të reja presidenciale sipas modelit të ri.
Në praktikë, kjo nënkuptonte që mandati i Presidentes Jahjaga nuk do të përfundonte sipas afatit kushtetues për të cilin ishte zgjedhur nga Kuvendi.
Më 23 mars 2012, kërkesa me amendamentet e propozuara u dorëzua në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim. Kërkesa për vlerësimin e kushtetushmërisë së amandamenteve kushtetuese bazohet në dispozitat detyruese të parapara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kushtetuta e Kosovës e parasheh shprehimisht që amendamentet kushtetuese duhet të dërgohen paraprakisht në Gjykatë Kushtetuese të Kosovës për kontroll kushtetues para se të miratohen nga Kuvendi, përkatësisht neni 144 pika 3: “Ndryshimet në këtë Kushtetutë mund të miratohen nga Kuvendi vetëm pasi të ketë adresuar Kryetari i Kuvendit të Kosovës amendamentin e propozuar në Gjykatën Kushtetuese për të vlerësuar paraprakisht nëse ndryshimi i propozuar nuk pakëson ndonjë të drejtë dhe liritë e përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës.”
Më 20 korrik 2012, Gjykata Kushtetuese nxori një aktgjykim (KO29/12 dhe KO48/12) që analizonte këto ndryshime. Gjykata vlerësoi se disa nga ndryshimet e propozuara për zgjedhjen direkte nga populli duhej të kalonin nëpër procedura të rrepta vlerësimi për të mos cenuar parimet themelore kushtetuese. Gjykata, pasi shqyrtoi amendamentet e propozuara, konstatoi se ato binin ndesh me frymën dhe parimet themelore të Kushtetutës, veçanërisht me:
- Parimin e sigurisë juridike,
- Parimin e legjitimitetit kushtetues, dhe
- Mbrojtjen e të drejtave dhe garancive kushtetuese të parashikuara në Kapitullin II (Të drejtat dhe liritë themelore) të Kushtetutës.
Gjykata argumentoi se: Presidentja ishte zgjedhur në mënyrë kushtetuese për një mandat të caktuar, dhe ndërprerja ose kufizimi retroaktiv i mandatit të saj përmes amendamenteve kushtetuese cenonte stabilitetin kushtetues dhe parimin e sundimit të ligjit. Gjykata Kushtetuese mbrojti parimet kushtetuese dhe të drejtat dhe liritë themelore. Ajo theksoi se, ndryshimet kushtetuese nuk mund të përdoren për të cenuar pozitat kushtetuese të fituara në mënyrë legjitime sipas rendit ekzistues juridik. Gjykata tregoi se edhe pushteti për ndryshim të Kushtetutës nuk është absolut, por kufizohet nga parimet themelore kushtetuese. Gjithashtu vendimi i GJK-së, afirmoi se:
“Institucionet dhe mandatet kushtetuese nuk mund të ndryshohen arbitrarisht për interesa politike momentale.”
Ky ishte një nga rastet më të rëndësishme ku, Gjykata Kushtetuese e Kosovës veproi si garantuese e rendit kushtetues dhe kufizoi shumicën politike në ndryshimet kushtetuese.
Më 5 mars 2026, fare në fund të mandatit kushtetues Presidentja znj. Vjosa Osmani i dorëzoi Kuvendit amendamentet kushtetuese për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të Presidentit nga populli. Këto amendamente nuk ishin draft i ri, por rikthenin në procedurë propozimet e përgatitura nga Komisioni për Amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011, pas krizës së zgjedhjes së Behgjet Pacolli dhe marrëveshjes politike që kishte sjellë zgjedhjen e Atifete Jahjaga. Kërkesa e Osmanit erdhi në një moment të tensionuar politik, kur partitë politike nuk po arrinin konsensus për zgjedhjen e Presidentit të ri dhe ekzistonte rreziku real i shpërndarjes së Kuvendit dhe mbajtjes së zgjedhjeve të reja parlamentare. Në deklarimin e saj publik, Osmani argumentoi se dështimet e njëpasnjëshme në zgjedhjen e Presidentit nga Kuvendi kishin dëshmuar kufizimet e modelit aktual parlamentar dhe se legjitimiteti i drejtpërdrejtë qytetar mund të shmangte bllokadat politike të përsëritura. Mesazhi i saj politik u përmbledh në formulimin: “Le të flasë populli.” Nga aspekti politik, iniciativa e Osmanit u interpretua në disa dimensione. Përkrahësit e saj e konsideruan atë si përpjekje për: forcimin e legjitimitetit demokratik të Presidentit, shmangien e krizave të vazhdueshme parlamentare, dhe stabilizimin institucional të vendit.
Ndërkohë, kritikët argumentuan se iniciativa kishte edhe dimension politik personal, duke qenë se ajo u paraqit në fund të mandatit presidencial dhe në kohën kur mungonte mbështetja e mjaftueshme politike për rizgjedhjen e saj nga Kuvendi. Në këtë aspekt, debati nuk u zhvillua vetëm rreth reformës kushtetuese, por edhe rreth motiveve politike dhe kohës së inicimit të saj dhe mundësive reale politike dhe kushtetuese për ndryshim. Ekspertët juridikë dhe analistët politik e kritikuan qasjen e znj. Osmani karshi propozimit për ndryshime kushtetuese. Ndryshimet kushtetuese kërkojnë kohezion social – politik dhe procedurë të rreptë kushtetuese.
1: Argumentet në favor të zgjedhjes direkte
Mbështetësit e zgjedhjes së drejtpërdrejtë argumentojnë se, zgjedhja direkte do ta shkëpuste institucionin e Presidentit nga kalkulimet e ngushta koalicionuese dhe pazaret politike parlamentare. Zgjedhja e drejtpërdrejtë e Presidentit:
Presidenti do të kishte legjitimitet më të fortë demokratik;
do të zvogëlohej mundësia e bllokadave parlamentare;
institucionet do të fitonin stabilitet më të madh;
qytetarët do të kishin rol më aktiv në përzgjedhjen e kreut të shtetit.
2: Argumentet kundër
Nga ana tjetër, kundërshtarët e këtij modeli argumentojnë se zgjedhja direkte mund të prodhojnë: konflikt legjitimiteti ndërmjet Presidentit dhe Kryeministrit; tendenca për presidencializim të sistemit; tensione institucionale në një sistem që kushtetutshmërisht mbetet parlamentar.
Në këtë aspekt, shumë juristë kushtetues kanë vlerësuar se zgjedhja direkte e Presidentit do të kërkonte: jo vetëm ndryshim të mënyrës së zgjedhjes, por edhe ridefinim të kompetencave kushtetuese të Presidentit, në mënyrë që të ruhej balanca institucionale e pushteteve.
3: A është i mundshëm ndryshimi në të ardhmen?
Nga aspekti juridik, Kushtetuta e Kosova lejon amendamentimin kushtetues, por procedura kërkon: shumicë të cilësuar në Kuvend (2/3 e deputetëve), duke përfshirë edhe votat e deputetëve të komuniteteve jo-shumicë.
Kjo e bën procesin politikisht kompleks dhe të varur nga konsensusi i gjerë parlamentar. Për këtë arsye, edhe pse ideja e zgjedhjes direkte të Presidentit vazhdon të rikthehet periodikisht në debatet publike, realizimi i saj mbetet i vështirë pa një marrëveshje të gjerë politike ndërmjet partive kryesore dhe komuniteteve jo shumicë. Megjithatë, nëse krizat institucionale rreth zgjedhjes së Presidentit vazhdojnë të përsëriten, presioni për reforma kushtetuese mund të rritet gradualisht. Në një situatë të tillë, zgjedhja direkte e Presidentit mund të rikthehet si alternativë serioze për të shmangur bllokadat parlamentare dhe për të forcuar legjitimitetin demokratik të institucionit të Presidentit.
7. Gara ndërmjet partive politike për zgjedhjet e 7 qershorit 2026 në Kosovë
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026 paraqesin një nga proceset më të pazakonta politike në historinë post-pavarësisë së Kosova. Ato zhvillohen pas dështimit të Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit të ri, duke prodhuar shpërndarjen automatike të Kuvendit dhe hyrjen e vendit në një tjetër cikël elektoral brenda një periudhe relativisht të shkurtër kohore.
Këto zgjedhje nuk janë vetëm garë klasike për pushtet parlamentar, por referendum politik mbi:
- funksionalitetin institucional të shtetit,
- lidershipin e Albin Kurti,
- dhe aftësinë e sistemit politik për të prodhuar stabilitet.
Kriza e zgjedhjes së Presidentit e ka transformuar fushatën nga debat programor në debat mbi: legjitimitetin politik, kulturën e kompromisit, dhe përgjegjësinë për bllokadën institucionale. Në këtë aspekt, zgjedhjet e 7 qershorit janë edhe test për vetë modelin parlamentar të funksionimit politik në Kosovë.
Pozicioni dominant i Lëvizja Vetëvendosje dhe strategjia e Albin Kurtit
Subjekti politik dominues mbetet LVV-ja e udhëhequr nga Albin Kurti, e cila hyn në zgjedhje me avantazhin e: pozitës qeverisëse, strukturës më të organizuar politike, dhe dominimit të narrativës publike. Sipas trendeve aktuale të sondazheve, LVV vazhdon të mbetet forca bindshëm më e madhe politike në vend. Strategjia politike e Kurtit vazhdon të mbështetet në disa shtylla: retorikën anti-establishment, diskursin kundër elitave të vjetra politike, luftën kundër korrupsionit, dhe sovranitetin shtetëror në raport me Serbia. Kurti po tenton ta paraqesë krizën presidenciale jo si dështim të qeverisë, por si rezultat të: bllokimit nga opozita, dhe mungesës së gatishmërisë së saj për kompromis institucional. Një element shumë i rëndësishëm është se LVV po hyn në zgjedhje me synimin për: sigurimin e një shumice më stabile parlamentare, që do t’i mundësonte jo vetëm formimin më të lehtë të institucioneve, por edhe kontroll më të madh mbi proceset kushtetuese dhe institucionale.
Kriza e opozitës: PDK dhe LDK
Një nga karakteristikat kryesore të kësaj gare është dobësia relative e opozitës përballë dominimit politik të LVV-së.
PDK vazhdon të mbetet opozita më e madhe numerike, por përballet me: mungesë të një narrative të re politike, vështirësi në distancimin nga e kaluara qeverisëse, dhe mungesë mobilizimi të elektoratit përtej bazës tradicionale. Edhe pse Bedri Hamza perceptohet si figurë më pragmatike dhe më teknokrate, partia ende nuk ka arritur të krijojë momentum të mjaftueshëm për ta sfiduar seriozisht Kurtin. PDK ka dështuar të tregojë forcën politike që kishte dikur nën udhëheqjen e themeluesit dhe liderit Hashim Thaqi. Mungesa e tij e ka fragmentuar partinë dhe ka nxitur ribalitete ndërmjet gardës së vjetër dhe prurjeve të reja në parti.
LDK vazhdon krizën identitare dhe organizative të viteve të fundit. Edhe pse Lumir Abdixhiku ka tentuar modernizimin e diskursit politik, partia ende nuk ka arritur: ta rikthejë elektoratin tradicional, as të paraqitet si alternativë e fuqishme qeverisëse.
Nëse skenari që Vjosa Osmani të jetë bartëse e listës së Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) materializohet plotësisht, kjo potencialisht e ndryshon ndjeshëm dinamikën e garës politike për zgjedhjet e 7 qershorit 2026. Raportimet e fundit tregojnë se brenda LDK-së ekziston marrëveshje politike që Osmani të ketë rol qendror në listën zgjedhore, ndërsa Lumir Abdixhiku të mbetet kandidat për kryeministër. Nëse Osmani bëhet fytyra kryesore e fushatës së LDK-së, zgjedhjet mund të transformohen nga një garë klasike partiake, në një duel politik ndërmjet dy figurave më popullore në Kosovë dhe kjo do të prodhonte, personalizim të fortë të fushatës dhe polarizim të ri politik. Rikthimi i Osmanit në LDK përfaqëson tentativë për rikonsolidim të elektoratit tradicional rugovist, rikthim të votuesve të zhgënjyer, dhe rikuperim të humbjeve që partia pësoi pas largimit të saj në vitin 2020. Duhet kujtuar dhe mos harruar se kriza më e madhe elektorale e LDK-së filloi pikërisht pas konfliktit të brendshëm me Osmanin dhe largimit të saj nga partia. Për këtë arsye, rikthimi i saj ka simbolikë shumë më të madhe sesa vetëm një kandidim electoral, ajo paraqitet si tentativë për “ribashkim” të elektoratit tradicional të qendrës së djathtë. Kandidimi i znj. Osmani si bartëse e listë së LDK-së, pa shmangshëm sjellë pakënaqësi tek disa figura të rëndësishme të LDK-së. Mbetet të shihet si do të reflektojë elektorati në zgjedhje.
Pozicioni i AAK (Aleanca) dhe roli i partive më të vogla
Ramush Haradinaj dhe AAK (Aleanca) mbeten faktor potencial koalicionues, pavarësisht mbështetjes më të kufizuar elektorale. Përvoja politike në Kosovë ka treguar se partitë më të vogla mund të kenë rol disproporcional në formimin e qeverive, sidomos në situata kur asnjë subjekt nuk arrin shumicë të mjaftueshme parlamentare. Haradinaj vazhdon ta ndërtojë profilin e tij politik mbi temat e sigurisë, raportet me aleatët ndërkombëtarë në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe përvojën si udhëheqës i ekzekutivit. Megjithatë, potenciali i AAK-së (Aleancës) për të ndikuar në formimin e institucioneve do të varet kryesisht nga rezultati i përgjithshëm i LVV-së dhe aftësia e opozitës për koordinim paszgjedhor.
8. Përfundimi
Kriza e zgjedhjes së Presidentit në Kosova ka dëshmuar se problemet institucionale të vendit nuk burojnë vetëm nga dispozitat kushtetuese, por edhe nga mënyra se si aktorët politikë i interpretojnë dhe i përdorin ato në funksion të kalkulimeve të tyre politike dhe elektorale. Në teori, zgjedhjet e parakohshme parlamentare përfaqësojnë një mekanizëm legjitim demokratik për zhbllokimin e krizave politike dhe ripërtëritjen e legjitimitetit institucional. Megjithatë, përvoja politike në Kosovë tregon se zgjedhjet, ndonëse të domosdoshme në situata të caktuara, nuk janë gjithmonë të mjaftueshme për të garantuar stabilitet institucional dhe funksionalitet demokratik.
Në një sistem politik të karakterizuar nga fragmentim partiak, polarizim politik dhe mungesë e kulturës së kompromisit, zgjedhjet shpesh kanë prodhuar vetëm rikonfigurim të përkohshëm të raporteve politike, pa eliminuar shkaqet strukturore të krizës. Për pasojë, ato kanë funksionuar njëkohësisht si mekanizëm zhbllokimi dhe si instrument i riprodhimit të ngërçit institucional. Pikërisht këtu qëndron paradoksi i sistemit politik në Kosovë: procedurat demokratike ekzistojnë dhe respektohen formalisht, por mungesa e konsensusit minimal politik e kufizon aftësinë e institucioneve për të prodhuar stabilitet afatgjatë.
Debatet e vazhdueshme për reformimin e mënyrës së zgjedhjes së Presidentit, përfshirë idenë e zgjedhjes së drejtpërdrejtë nga qytetarët, tregojnë se ekziston vetëdije politike dhe institucionale për ndryshimin e modelit aktual. Megjithatë, çdo reformë kushtetuese do të jetë e pamjaftueshme nëse nuk shoqërohet me ndryshim të kulturës politike dhe krijim të një qasjeje më konsensuale ndaj funksionimit të institucioneve shtetërore. Në të kundërtën, edhe modelet e reja kushtetuese rrezikojnë të instrumentalizohen nga të njëjtat logjika të rivalitetit politik dhe kalkulimit elektoral.
Për rrjedhojë, stabiliteti institucional në Kosovë nuk mund të ndërtohet vetëm mbi mekanizma proceduralë apo zgjedhje të shpeshta parlamentare, por mbi aftësinë e klasës politike për të ndërtuar besim institucional, kompromis demokratik dhe përgjegjësi shtetërore. Pa këto elemente, krizat politike do të vazhdojnë të shfaqen ciklikisht, pavarësisht formulës kushtetuese të zgjedhjes së Presidentit. Në këtë kuptim, kriza e zgjedhjes së Presidentit nuk paraqet devijim nga funksionimi i sistemit politik në Kosova, por reflektim të kufizimeve dhe kontradiktave të vetë modelit aktual të funksionimit institucional.
Orhan Çeku. Associate professor for the subject of National Security at the public Haxhi Zeka University in the Republic of Kosovo

Materialet e publikuara në rubrikën “Opinionet” pasqyrojnë mendimin personal të autorit dhe mund të mos përkojnë me qëndrimin e Qendrës
