A është e mundur një luftë e re në Kosovë?

A është e mundur një luftë e re në Kosovë?

Përgjigja për pyetjen e shtruar në titullin e mësipërm, ndryshe formulohet në Beograd dhe ndryshe në Prishtinë. Ndërsa zyrtarët serbë këmbëngulin se po bëjnë gjithçka për të ruajtur paqen, liderët e Kosovës nuk reshtin së paralajmëruari për përgatitjet serbe për luftë.

Me sa duket, bashkësia ndërkombëtare ka bërë gjithçka për ta bërë të pamundur “shkrirjen” e konfliktit në Kosovë. Në territorin e Kosovës janë të pranishëm misioni administrativ i OKB-së, misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR-i, misioni ligjzbatues i BE-së, EULEX-i, vazhdon dialogu nën patronazhin e Bashkimit Evropian, në kuadër të të cilit janë arritur tashmë një sërë marrëveshjesh parimore bilaterale, gjë që duhej të kontribuonte në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Gjithsesi, diskutimi i shfaqjes së një pike të re të nxehtë në Evropë është temë aktuale, veçanërisht gjatë muajve të fundit.

Negociatat pa kompromise

Mund të numërohen disa arsye për pasiguri të paqes së qëndrueshme në Kosovë. Sidoqoftë, kryesoret janë dy: një vizion diametralisht i kundërt për statusin e Kosovës tani dhe në të ardhmen, në Serbi, por edhe në Kosovë.

Në Serbi, si autoritetet, ashtu edhe shumica absolute e qytetarëve, nuk e konsiderojnë Kosovën shtet më vete dhe nuk do të pajtohen kurrsesi me humbjen e këtij territori.

Dikur studiuesit dolën në përfundimin se qëndrimi serb ndaj Kosovës bazohet në një perceptim të thellë simbolik të këtij rajoni si “mëmëdheu”, “djepi i kulturës serbe”, “Jerusalemi serb” dhe “zemra e Serbisë”. Humbja e Kosovës perceptohet si “padrejtësi”, “tradhti”, “turp” dhe “humbje identiteti”.

Sipas anketës sociologjike “Qëndrimi i qytetarëve të Serbisë ndaj Kosovës” (Stavovi građana Srbije o Kosovu), i cili u mbajt tre vjet më parë nga Qendra për Dialog Social dhe Iniciativa Rajonale (Centar za društveni dijalog i regionalne inicijative, CDDRI), vetëm pak më shumë se 13% e qytetarëve serbë besonin se Kosova është e pavarur dhe vetëm 5.2% e tyre pajtohen plotësisht me deklaratën se Kosova është shtet i pavarur. 43.4% pajtohen plotësisht me mendimin se Serbia nuk duhet ta njohë kurrë Kosovën, pasi diçka e tillë do të ishte poshtëruese dhe e turpshme, 26.8% kryesisht pajtohen me këtë. Nga gjysma e të anketuarve (49.9% gjithsej), 23.2% kryesisht pajtohen me mendimin se njohja e Kosovës është tradhti kombëtare.

Hulumtimet e “New Serbian Political Survey” (NSPS) të vitit 2022 treguan se serbët nuk janë të gatshëm ta njohin Kosovën as në këmbim të anëtarësimit në BE. Sipas anketës, pak më shumë se 36 për qind e qytetarëve mbështesin anëtarësimin në BE, pothuajse 44 për qind janë kundër, por nëse kusht për këtë është njohja e Kosovës, atëherë 82 për qind janë kundër.

Nga ana tjetër, në Kosovë, edhe elitat politike, edhe qytetarët besojnë në mundësinë e ndërtimit të shtetit të tyre. Autoritetet aktuale në Prishtinë dhe shumica e shoqërisë së Kosovës nuk pajtohen me kompromise të cilat, sipas tyre, kërcënojnë sovranitetin shtetëror. Në radhë të parë bëhet fjalë për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe (ZSO), në veri të Kosovës.

Pyetjes se çfarë lëshimesh duhet të bëjë Kosova për të marrë njohjen nga Serbia, 79 për qind e të anketuarve iu përgjigjën se nuk duhet të ketë as një lëshim, 7 për qind besojnë se duhet pranuar njohja e nënkuptuar dhe vetëm 5 për qind janë dakord që ky lëshim duhet të jetë formimi i Asociacionit të Komunave Serbe (ZSO). Këtë e dëshmojnë të dhënat e anketës së Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI) në mesin e qytetarëve të Kosovës një vit më parë.

Marrëveshjet në letër

Pikëpamjet diametralisht të kundërta për vijat e kuqe që nuk mund të kalohen gjatë zgjidhjes së çështjes së Kosovës kanë krijuar kushte ekstreme për negociatat serbo-kosovare. Mirëpo, në vitet 2011-2013, kur dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, nën kujdesin e BE-së, sapo kishte filluar, dukej se të gjitha kontradiktat mund të zgjidheshin përmes negociatave dhe lëshimeve të ndërsjella, gradualisht, me metodën e “hapave të vegjël”, duke u fokusuar në çështjet ekonomike dhe sociale. Ama në një çast u bë e qartë se, megjithëse disa çështje konflikti zgjidhen në të vërtetë mbi një bazë kompromisi, mosmarrëveshjet themelore mbeten dhe nuk lejojnë të ecësh përpara.

Problemin nuk e zgjidhën as Marrëveshja e Ohrit dhe as aneksi për implementimin e saj, të dakordësuar (edhe pse jo të nënshkruar), nga presidenti Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri Albin Kurti në shkurt-mars të vitit 2023. Pritshmëritë optimiste nga këto marrëveshje të arritura me ndërmjetësimin e BE-së ishin të shumta, por nuk pati ndonjë përparim pozitiv gjatë vitit të fundit. Përkundrazi, në shtator të po atij viti, në Banjska ndodhën ngjarje të cilat e bënë të detyrueshëm rikthimin në diskutimin e mundësisë së një konflikti të ri të armatosur në rajon.

Është domethënëse që vetëm 10 ditë para përleshjeve në Banjska, në Bruksel u zhvillua një raund i ri i dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, i cili përfundoi pa rezultate. Edhe një herë, vijat e kuqe të Beogradit (refuzimi për të njohur Kosovën, qoftë edhe “de facto”), dhe Prishtinës (mungesa e dëshirës për të formuar autonomi serbe në formën e Asociacionit të Komunave Serbe), u bënë pengesë për negociata produktive.

Natyrisht, qëndrime të tilla nga të dyja palët ekzistonin edhe më parë. Sidoqoftë, kur në mesin e viteve 2010 procesi i zgjidhjes sapo kishte filluar, Evropa ishte ndryshe. Dukej se kontinenti evropian ishte qendra e paqes së qëndrueshme dhe Ballkani, Ballkani Perëndimor, ish-Jugosllavia, më në fund do të bëhej një rajon paqësor dhe i qetë pro-evropian. Duke analizuar deklaratat publike të liderëve të Serbisë dhe Kosovës të asaj periudhe, vihet re se ata ishin më shumë të angazhuar për të gjetur rrugën për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Gjithçka nisi të ndryshonte në vitin 2014, pas fillimit të agresionit rus kundër Ukrainës. Aneksimi i Krimesë aktivizoi “skifterët” serbë, të cilët panë se në Evropë, këtu dhe tani, po i pushtojnë territoret e vendeve fqinje pa ndonjë pasojë të veçantë. Nga ana tjetër, në Kosovë, lufta e Rusisë kundër Ukrainës u perceptua si shkelje e rendit të qëndrueshëm dhe një kërcënim për veten. Për më tepër, gjatë viteve 2014-2021, Serbia bashkëpunoi aktivisht në sferën ushtarake me Federatën Ruse: mori, ndër të tjera, edhe pajisje ushtarake si dhuratë, kryenin stërvitje të përbashkëta… Njëra nga pasojat ishte përpjekja e Prishtinës për të vepruar në mënyrë simetrike, formimi i ushtrisë së vet apo të paktën, rritja e potencialit të Forcave të Sigurisë së Kosovës.       

Viti 2022, pushtimi rus në shkallë të plotë i Ukrainës.

Serbia ndërpret bashkëpunimin publik me Rusinë në sferën ushtarake, stërvitjet e përbashkëta nuk mbahen më, por Beogradi vazhdon të blejë armatime ruse, nuk i ndal kontaktet politike me Moskën dhe mbetet i vetmi vend evropian (përveç Bjellorusisë), që nuk vendos sanksione kundër Federatës Ruse. Ndërkohë, radikalët serbë mbështesin hapur agresionin rus. Po merr vrull fushata “Kad se vojska na Kosovo vrati”, “Kur ushtria të rikthehet në Kosovë”.

Prishtina, nga ana tjetër, po përpiqet të forcojë sovranitetin e saj (Vendosja e kufizimeve në përdorimin e dinarit serb është pjesë e këtij procesi), dhe të rrisë potencialin e saj mbrojtës (blerja e raketave amerikane “Javelin”, një marrëveshje ushtarake me Turqinë…)

Shkaku i Banjskës

Edhe pse dialogu nën patronazhin e BE-së po vazhdon (përfaqësuesit e dy palëve po diskutojnë për çështjen e dinarit në Bruksel), tensioni mes Beogradit dhe Prishtinës po rritet gjithnjë e më shumë.

Anëtarësimi i mundshëm i Kosovës në Këshillin e Evropës është kthyer në një sfidë ekzistenciale shoku për Serbinë. Anëtarësimi në KiE do të shënojë një përparim për Prishtinën në rrugën drejt njohjes së plotë, gjë që është absolutisht e papranueshme për Serbinë.

A do të ndërmarrë Beogradi hapa radikalë në këtë situatë? Kurti siguron që po, Serbia po përgatit një sulm të armatosur dhe po u demonstron gazetarëve britanikë një hartë të vendndodhjes së bazave ushtarake serbe afër kufijve të Kosovës. Vuçiçi mohon të gjitha akuzat. Sidoqoftë, paradoksi është se Beogradi zyrtar mund të mos i dijë planet e radikalëve serbë dhe të shërbimeve speciale ruse.

Në 25-vjetorin e bombardimeve të NATO-s në Republikën Federale të Jugosllavisë në fund të marsit të këtij viti, disa parti opozitare të krahut të djathtë, që simpatizojnë Putinin dhe lëvizjen e krahut të djathtë, “Patrulla popullore”, e cila nuk i fshehu lidhjet e saj me “Wagner-in” rus, organizuan marshin protestues në qendër të Beogradit me pankartat: “Kur ushtria të rikthehet në Kosovë”, “Lutju Zotit dhe mbështetu te Rusia”, si dhe flamurin e Serbisë me shkronjën Z, që është simbol i pushtimit rus të Ukrainës.

Ekziston një mundësi, sipas së cilës agjentët e Kremlinit, me urdhër dhe ndihmë të Moskës, mund të provokojnë trazira diku në veri të Kosovës. Në këto kushte, ushtria e Serbisë do të detyrohet të ndërhyjë për të “mbrojtur popullin e saj në Kosovë”. Prania e forcave të KFOR-it të NATO-s duhej ta kishte bërë krejtësisht të pamundur këtë version të zhvillimit të ngjarjeve, por historia e Banjskës ka treguar se askush nuk mund të japë garanci se nuk do të dëgjohen të shtëna në Kosovë. Pak gjasa ka që të përshkallëzojë në një luftë të shkallës së plotë, por rajoni nuk është i mbrojtur në mënyrë të besueshme nga konflikti i armatosur lokal.

Mungesa e një zgjidhjeje përfundimtare, të përhershme, për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, ka krijuar kushte për përshkallëzime të vazhdueshme, të cilat Rusia mund t’i përdorë lehtësisht për të hapur një “front të dytë” kundër Perëndimit në Evropë. Gjithashtu, mund të krijohet një situatë në të cilën Beogradi zyrtar thjesht do të bëhet peng i lojës globale ruse për të rritur kuotat.