Përmbledhje e Ballkanit Perëndimor 15.04.2024 – CWBS

Përmbledhje e Ballkanit Perëndimor 15.04.2024 – CWBS
  • Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina u bashkohen sanksioneve evropiane

Vendet kandidate për anëtarësimin në BE, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, si dhe Ukraina dhe Republika e Moldavisë, kanë zgjeruar sanksionet kundër individëve dhe institucioneve, aktivitetet e të cilëve minojnë ose kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës. Këto vende iu bashkuan vendimit përkatës të Këshillit të BE-së të datës 12 mars 2024, që zgjati regjimin e sanksioneve, i cili parashikon kufizimet e udhëtimit për individët, ngrirjen e aseteve dhe ndalimin e dhënies së fondeve për individët dhe personat juridikë, për gjashtë muaj të tjerë deri më 15 shtator 2024.

Serbia, edhe pse është gjithashtu kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, nuk e ka përkrahur vendimin e Këshillit të BE-së. Në këtë mënyrë, Beogradi vazhdoi politikën e tij të refuzimit për t’iu bashkuar sanksioneve evropiane lidhur me agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, pavarësisht nga sinjalet e qarta të Brukselit për nevojën e harmonizimit të politikës së jashtme dhe të sigurisë serbe me qëndrimin e Bashkimit Evropian.

Më 11 prill, presidenti serb, Aleksandar Vuçiçi deklaroi edhe një herë se Serbia nuk do të vendosë sanksione kundër Rusisë dhe askush nuk mund ta detyrojë ta bëjë diçka të tillë. “Qëndrimi i Serbisë për vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë mbetet i njëjtë me atë me qëndrimin e tetë ditëve pas fillimit të konfliktit në Ukrainë. Me fjalë të tjera, sanksionet kundër Rusisë nuk do të vendosen”, tha ai.

  • Serbia po përpiqet të mbajë marrëdhënie të mira me Francën

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiçi zhvilloi një vizitë dyditore në Francë më 8-9 prill, ku, në pallatin “Elysee”, u takua me presidentin francez, Emanuel Makronin.

Pas takimit, në një postim në “Instagram”, Vuçiçi është shprehur optimist për mbështetjen e Francës ndaj Serbisë në të gjitha fushat, mbi të gjitha kur bëhet fjalë për rrugën evropiane të Serbisë dhe dialogun me Prishtinën.

Presidenti francez, Emanuel Makroni theksoi se e ardhmja e Serbisë është në Bashkimin Evropian. “Franca është e përkushtuar për të ardhmen evropiane të Serbisë, e ardhmja që po shkruhet tani”, ka shkruar Makroni në fund të takimit në rrjetin X në gjuhën serbe cirilike, për të theksuar qëndrimin e tij të mirë ndaj Serbisë dhe serbëve.

Në të njëjtën kohë, presidenti francez, në fjalimin e tij para takimit me homologun serb, theksoi: “Është e rëndësishme që Serbia të vazhdojë të konkretizojë zgjedhjen e saj, duke i përafruar pikëpamjet e saj me ato evropiane dhe në këtë kuptim ju kujtoj takimin në Tiranë dhe takimin me presidentin e Ukrainës, Volodimir Zelenskin”. Në këtë mënyrë, Makroni i kujtoi Vuçiçit nevojën për t’iu përmbajtur një politike të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë me BE-në në kontekstin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Në prag të takimit, presidenti i Serbisë theksoi se do të dëshironte të bisedonte me homologun e tij francez për anëtarësimin e pritshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës, por pjesëmarrësit e takimit nuk kanë komentuar për këtë temë.

Në vend të kësaj, pas bisedimeve në Paris, Vuçiçi njoftoi se Serbia dhe Franca kishin arritur një marrëveshje për blerjen e avionëve luftarakë “Rafale” nga Beogradi. Sipas tij, nënshkrimi i kontratës mund të pritet për rreth dy muaj në prani të presidentit francez. Domethënë, për momentin ekziston vetëm probabiliteti i nënshkrimit të një marrëveshjeje të tillë.

Vizita e Vuçiçit tregon përpjekjet e liderit serb për të mbajtur kontakte reciproke të dobishme me aleatët tradicionalë të Serbisë në Evropën Perëndimore. Megjithatë, kjo detyrë bëhet gjithnjë e më e vështirë, për shkak të hezitimit të Beogradit për t’iu bashkuar sanksioneve evropiane kundër Federatës Ruse dhe konfrontimit me vendet Perëndimore si pasojë e anëtarësimit të mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe miratimit të një rezolute për Srebrenicën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

  • Në përgjigje të rezolutës për Srebrenicën, Serbia do të tregojë për gjenocidin e serbëve në Luftën e Dytë Botërore

Në prag të shqyrtimit nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së të rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë, lidershipi i Serbisë njoftoi se cila mund të jetë përgjigja e Beogradit ndaj këtij vendimi.

Në veçanti, siç deklaroi më 14 prill presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiçi, nëse rezoluta për Srebrenicën miratohet, Serbia do t’i dorëzojë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së një rezolutë për “gjenocidin e serbëve” gjatë Luftës së Dytë Botërore, në Kragujevc, Kraljevo dhe Jainci (Serbi), si dhe në Jasenovac (Kroaci). “Rreth 90 herë më shumë njerëz vdiqën atje, sesa në Srebrenicë”, tha ai. Vuçiçi theksoi se në rezolutën e propozuar nuk do të përmendet se për kë bëhet fjalë. “Ne nuk do t’i përmendim gjëkundi gjermanët”, theksoi ai.

Në të vërtetë, duket se Beogradi ka nisur një fushatë për të “turbulluar” temën e Srebrenicës duke tërhequr vëmendjen për vuajtjet e serbëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Fushata mori vrull në të njëjtën ditë kur zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm, Ivica Daçiçi njoftoi se Serbia do të dërgonte një notë proteste në Kroaci pasi policia kroate pengoi ministrin serb për Çështjet e Diasporës të kryente një vizitë (të paplanifikuar) në ish-kampin e Luftës së Dytë Botërore në Jasenovac. Në një deklaratë zyrtare, Daçiçi ka theksuar se “ky nuk është një incident, por një politikë zyrtare e Kroacisë, politikë e mohimit të krimeve dhe gjenocidit ndaj popullit serb”.

  • Dodiku kërcënon me shkëputjen e Republikës Srpska

“Nëse rezoluta për Srebrenicën miratohet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Republika Srpska nuk e sheh të arsyeshme të mbetet në Bosnje dhe Hercegovinë”, njoftoi presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodiku pas takimit të lidershipit shtetëror të Serbisë dhe liderëve të Republikës Srpska. “Ne nuk shohim asnjë arsye që të mbetemi në Bosnje si pjesë përbërëse e Bosnjës dhe Hercegovinës. Ne do të kërkojmë të zgjidhim statusin tonë në një mënyrë të tillë që të kemi mundësinë të përpiqemi të vazhdojmë vetë”, tha ai.

Ambasada e SHBA-së në Bosnje dhe Hercegovinë, pas deklaratës së Dodikut, njoftoi se presidenti i Republikës Srpska gabon nëse beson se SHBA-ja do të mbyllë sytë teksa ai zbaton programin e tij separatist dhe e shtyn Bosnjën dhe Hercegovinën drejt një konflikti. “Çdo përpjekje e entitetit apo e ndonjë subjekti tjetër nënshtetëror për t’u shkëputur është një veprim anti-Dejton, i cili nuk do të tolerohet”, theksohet në deklaratë.

Megjithatë, aktualisht nuk dihet asgjë rreth synimit të udhëheqjes së Republikës Srpska për të hequr dorë nga planet për ndarjen nga BiH-a. Hapi i parë duhet të jetë vendimi për t’u tërhequr nga institucionet e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe miratimi i ligjit të vetë Republikës Srpska për zgjedhjet.

  • Hungaria nuk do ta mbështesë rezolutën për Srebrenicën dhe anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Hungaria do të votojë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës dhe nuk do të mbështesë rezolutën për njohjen e gjenocidit të Srebrenicës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Për këtë është bërë e ditur nga një postim i ministrit të Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Szijarto, në rrjetet sociale, pas një bisede telefonike të zhvilluar më 13 prill mes tij dhe shefit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe kryeministrit në detyrë të Serbisë, Ivica Daçiçit.

“Hungaria është e interesuar për suksesin e dialogut Beograd-Prishtinë, por në të njëjtën kohë shohim se aspirata e vazhdueshme e Kosovës për t’iu bashkuar organizatave ndërkombëtare nuk kontribuon në këtë proces. Prandaj, edhe një herë i konfirmova kolegut tim se Hungaria nuk do ta mbështesë kërkesën e Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, derisa sistemi i marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës të jetë i qetë.

Kështu, Hungaria do të votojë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës dhe ne nuk do të mbështesim asnjë propozim në OKB që mund të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor”, njoftoi Szijarto.

Qëndrimi i Hungarisë për këto dy çështje është vazhdimësia e politikës së marrëdhënieve të veçanta mes Budapestit dhe Beogradit. Duke pasur një aleat në BE, Serbia mund të ndihet më e sigurt duke ndjekur politika që bien ndesh me qëndrimin zyrtar të Bashkimit Evropian.

  • Prishtina paralajmëron për kërcënim ushtarak nga ana e Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar se Serbia po ndërton baza përreth kufirit të Kosovës, nga të cilat planifikon të sulmojë Kosovën.

Për këtë, ai tregoi në një intervistë pak ditë më parë për gazetën britanike, “The Telegraph”.

Kurti u tregoi gazetarëve pamjet ajrore që tregonin 41 baza ushtarake në Serbi, të cilat, sipas tij, ishin të pozicionuara në mënyrë strategjike si për “mbrojtjen e Beogradit, ashtu edhe për sulmin ndaj Kosovës”. Një imazh tjetër tregon 48 baza operative serbe të vendosura përgjatë vijës kufitare prej 381 kilometrash me Kosovën. “Ata [Serbia] po presin rastin për të na sulmuar”, tha kryeministri i Kosovës.

Këtë javë, ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, i kërkoi NATO-s që ta marrë seriozisht vendosjen e forcave ushtarake serbe pranë kufirit me Kosovën. Gjatë takimeve në Shtabin e Përgjithshëm të NATO-s, Maqedonci deklaroi se pozicionimi i trupave serbe përreth kufirit me Kosovën “përben një kërcënim të vazhdueshëm për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiçi i mohon rregullisht të gjitha akuzat e Prishtinës. Megjithatë, në Prishtinë janë të bindur se lidershipi aktual i Serbisë është një “proxy” ruse dhe është në interesin e Kremlinit që Serbia të sulmojë Kosovën, pasi kjo do të largojë vëmendjen nga lufta e saj në Ukrainë.

  • Mali i Zi planifikon të stërvitë ushtarë ukrainas

“Mali i Zi synon t’i bashkohet Misionit të Ndihmës Ushtarake të Bashkimit Evropian në Ukrainë (EUMAM), duke angazhuar deri në tre ushtarakë që do të marrin pjesë në stërvitjen e ushtarëve ukrainas”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi.

Siç theksohet, ministria miratoi së fundmi pjesëmarrjen në këtë mision. “Aktualisht jemi në fazën e zbatimit të procedurave kombëtare, rezultat i të cilave duhet të jetë miratimi i një vendimi parlamentar për pjesëmarrjen e ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Malit të Zi në këtë mision”, deklaruan në Ministrinë e Mbrojtjes. Vendimi përfundimtar për përdorimin e njësive të ushtrisë në forcat ndërkombëtare duhet të merret nga parlamenti i Malit të Zi me propozimin e Këshillit të Mbrojtjes dhe Sigurisë.

Nëse vendimi i bërë publik do të miratohet, ai do të ketë, në radhë të parë, një domethënie të rëndësishme simbolike: do të demonstrojë ruajtjen nga ana e Podgoricës të kursit të dakordësuar me BE-në në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë, pavarësisht nga prania e forcave pro-ruse në koalicionin qeverisës.

  • Në Mal të Zi, një ish-prokuror special u arrestua në lidhje me rastin e përpjekjes për grusht shteti

Me urdhër të prokurorisë se posaçme të Malit të Zi, më 14 prill u arrestua ish-kryeprokurori special, Milivoje Katnici, për shkak se dyshohet për kryerjen e veprave penale në lidhje me krijimin e organizatës kriminale dhe shpërdorim të postit zyrtar.

Katnici ishte kryeprokuror special nga viti 2015 deri në vitin 2022. Ai u shkarkua një vit e gjysmë pas ndërrimit të pushtetit në Mal të Zi, kur Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), pas tridhjetë vjetësh në pushtet, doli në opozitë pas zgjedhjeve të 30 gushtit 2020. Katnici ishte i akuzuari kryesor në çështjet për tentativën e grushtit të shtetit në vitin 2016, në organizimin e të cilit u akuzuan agjentë të shërbimeve speciale ruse dhe qytetarë të Serbisë, duke përfshirë edhe ish-punonjës të institucioneve ligjzbatuese, si dhe udhëheqës të Frontit Demokratik pro-rus: kryetari aktual i parlamentit të Malit të Zi, Andrija Mandiçi dhe deputeti Milan Knezheviç, kryetar i Partisë Popullore Demokratike, e cila është pjesë e koalicionit aktual qeverisës të Malit të Zi. Me vendim të shkallës së parë, të gjithë të lartpërmendurit u dënuan me disa vite burgim, por pas ndërrimit të pushtetit, Gjykata e Apelit e ktheu çështjen në rigjykim.

Qeveria aktuale thekson se ndalimi i Katnicit, si dhe ish-zyrtarëve të tjerë të lartë, është një luftë kundër krimit. Kryeministri Milojko Spajiçi theksoi se veprimet e Prokurorisë së Posaçme dëshmojnë për “shkallën e depërtimit të krimit të organizuar në institucionet e sistemit, të cilat u krijuan në kohën e qeverisë së mëparshme”.

Megjithatë, Partia Demokratike e Socialistëve në opozitë theksoi se veprimet e Prokurorisë së Posaçme janë vazhdimësia e “praktikës së revanshizmit”, e cila vazhdon që prej 30 gushtit të 2020-s dhe synon të kriminalizojë me çdo çmim qeverinë e mëparshme, në mënyrë që  përveç dëmeve politike, të hedhë poshtë aktakuzën e çështjes për një grusht shteti.

Rasti i tentativës për grusht shteti është aktualisht në rigjykim në gjykatë dhe pas arrestimit të ish-kryeakuzuesit, si dhe kallëzimit penal ndaj disa ish-zbatuesve të tjerë të ligjit, perspektiva e shpalljes se dënimit është e paqartë.